SUGJERIM FALAS BERISHËS!

0
442

AV. XHABIR ZEJNUNI

Zoti Sali Berisha.

Po mendoja diçka në lidhje me problemin e Unazës së Re dhe zgjidhjen e këtij problemi. Shembja e ndërtesave, ka filluar dhe kam frikë se do shkojë deri në fund.

Por, mbase kjo shembje shtëpiash (edhe jetësh), mund edhe të shmanget.

Si?
Duke qenë se studentët po përpiqen që ta zgjidhin vetë problemin e tyre, pa qenë nevoja e një përkrahjeje politike, rrjedh se jeni shumë lirshëm për momentin për të vepruar si në vijim. Është po ashtu fat shumë i madh për Ju që keni braktisur Parlamentin tash disa muaj (por, pa u mbushur 6 muaj akoma!).

Po shohim këto ditë se përkrahja që i ka dhënë opozita me në krye liderin Tuaj Lulzim Basha banorëve të Unazës së Re, nuk po qet akoma asgjë në dritë (as edhe në hije!), ndërkohë që shembjet e shtëpiavë po vazhdojnë. Për këtë arsye, sugjeroj që të veproni ndryshe.

Duke qenë se deputetët kanë mandatin e tyre, me anë të të cilit sigurohet edhe PAPREKSHMËRIA e tyre, atëherë le të shpërndahen 44 deputetët e opozitës plus 4 deputetët e Partisë së Idrizit nëpër shtëpiat që do shemben. Do ishte mirë që të ndahen nga DY deputetë për shtëpi. Ashtu si dikur shpërndaheshin partizanët! Pra, na bëhen 24 shtëpija. Kjo shpërndarje, natyrisht bëhet e programuar në përputhje me planin e shembjeve, të cilin mund t’jua japë Lali Eri. Por, mos bëni gabimin fatal që të fusni bashkë në një shtëpi deputetët e KUOTUAR tashmë në skenën politike, si për shembull Salianjin me Dumen, Balliun me Vokshin, Palokën me Tabakun, etj.

Se prite Zot nëse punët nuk shkojnë mirë, dhe ndonjë shtëpi shembet, sikur të humbisnim menjëherë “yjet” e politikës shqiptare, si Salianjin me Dumën, Balliun me Vokshin, apo Palokën me Tabakun. Kjo humbje tragjike, do ishte shumë e vështirë të zëvendësohej për momentin. Më mirë nëse në çdo shtëpi do fusnit një deputet të kuotuar bashkë me një deputet të panjohur, të cilëve i dimë vetëm emrat, por nuk i kemi parë kurrë që të marrin fjalën në Parlament apo edhe në ndonjë studio televizori. Ose që të duken edhe në zonat e tyre elektorale. Kjo dukuri e fundit në fakt, përfshin të gjithë deputetët e spektrit politik!

Për të evituar ndonjë pakënaqësi në kombinimin e deputetëve, shpërndarja mund të ndiqet edhe me anë të llotarisë me “letër më vrimë”! Nuk ka rëndësi pastaj se kujtë do i buzëqeshë fati duke fituar “letrën me vrimë”, një mashkulli apo një femre!

Cilët do ishin përfitimet e këtij aksioni opozitar?
Në radhë të parë, deputetët “hije” do promovoheshin. Dhe kjo do ishte një fitore shumë e madhe për opozitën në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Shtëpiat nuk do shembeshin, pasi askush nuk do guzonte që të nxirrte me forcë jashtë deputetët.

Do justifikonit edhe rrogat Tuaja, duke qenë se paguheni edhe nga ata banorë (ose “punëdhënësit” Tuaj!), të cilëve mund t’ju shemben shtëpitë. Ndërkohë, shpejtohuni dhe bëni jo një, por disa kallëzime penale në Prokurori, në mënyrë që të nisin sa më shpejt hetimet për korrupsionin, që Ju po denonconi çdo ditë (dhe natë!). Në këtë mënyrë, ndërpriten edhe punimet dhe shembjet e shtëpijave si rrjedhojë.

Por, shpejtohuni ama para se t’ju digjen mandatet e deputetëve, duke qenë se mund të mbarojë afati 6 mujor. Ose, për siguri bëjeni një vizitë “kortezie” në Parlament, në mënyrë që afati 6 mujor të rinisë.

Suksese.