VETËM KATOLIKOFOBI?!

0
995

AV. XHABIR ZEJNUNI

Tek drama e tij e fundit, me titull “KATOLIKOFOBIA”, dramaturgu Gjergj Jozef Kola, trajton temën e persekutimit komunist ndaj katolikëve. Atyre shkodranë në veçanti. Gjatë dhe në vazhdim të “erës komuniste”! Arsyeja dihet!

Drama, fillon me një përshkrim rrënqethës të masakrave komuniste me “sasi industriale” ndaj katolikëve të shtresave dhe ideve të ndryshme, duke filluar që nga pushtimi komunist me datën 29 nëntor 1944 e në vazhdim. Ose më saktë, pushtimi nga ideologjia e huaj komuniste, por me “zejtar” shqiptarë. Autori, që në fillim krahason flijimin e katolikëve me atë të një qengji në thertore.

Drama, ka 7 aktorë. Duhet pohuar se kjo dramë edhe pse ka pak aktorë, cilësia e aktrimit të tyre tyre është për t’u admiruar. Aktorët janë Ati i Shenjtë, Apostulli dhe Martiri i Kishës Katolike Shën Pali, dy rojet zvicerane, Shtatnaltësia, Fushati dhe Kumbareshka. Aktorët, janë në pozita dhe pozicione të kundërta. Nga njëra anë, kemi Atin e Shenjtë, Shën Palin dhe dy ushtarët zviceranë. Nga ana tjetër, kemi bijtë e etërve.

Për ta bërë sa më tërheqëse dramën, autori i jep asaj një “ngjyrim” futbollistik, ku nga gjëra anë kemi Atin e Shenjtë me fanellën me numër NJË dhe mekëpucë të kuqe dhe ana tjetër kemi tre lojtarë me këpucë të bardha dhe me fanella të njëjta në numër: ose nga një GJASHTË seicili. Pra, të tre bashkë formojnë numrin biblik simbolik 666 të egërsirës, sipas parimit se “Bashkimi bën fuqinë”. Numër shumë dinjitoz për lojtarë po kaq dinjitozë. Parashikohet një ndeshje shumë e vështirë (por jo e bukur!), duke qenë se Ati i Shenjtë edhe pse ka një farë moshe, luan i vetëm. Pavarësisht se ai është edhe gjyqtar ndeshjeje.

Për lehtësi kuptimi, kjo dramë mund të merret edhe si një FABUL dramatike, ku nga njëra anë ndodhet bariu me dy zagarët e tij dhe një dash i sakrifikuar para gati 2000 vitesh. Nga ana tjetër, ndodhet një kryeujk race që nuk dihet se prej nga e ka prejardhjen e tij, një ujk tjetër që krenohet me prejardhjen e tij nga vende shumë të largëta dhe një dhelpër. Të trija egërsirat, kanë lyer këmbët me bojë të bardhë zmalto. Sipas dëshmive, ujqit dhe dhelpra kanë ngrënë më shumë dele se sa dhi, edhe pse numri i deleve ka qenë shumë më i vogël në raport dhe numrin e dhive. Kryeujku mburret shumë se ka edhe dell shkrimtari, duke qenë se ai ka shkruar librin “Thertorja”.

Në këtë rast, ÇMIMI (ose dekorata) për t’u marrë është shumë i lakmueshëm: “NJË ËKURË DELEJE” për seicilën egërsirë. Para bariut, të trija egërsirat tregojnë me krenari prejardhjen e tyre.
Gjatë debateve mes tyre, bariu i qorton ato se “Gjithmonë paraardhësit e juaj kan ngrënë dele e dhi, por preferenca si për çudi ka qenë gjithmonë delja. Kjo sjell që edhe sot numri i deleve të jetë më i pakët në numër”. Dhe pyet: “Pse”? Egërsirat, nga ana e tyre mbrohen duke thënë se “Ne nuk kemi pse të përgjigjemi për masakrat e etërve tanë dhe menynë e tyre të preferuar. Dhe për këtë arsye kemi ardhur këtu që të marrim lëkurën e deles, për të qenë më të besueshme për ato”. Dhe shtojnë se “Në çdo kohë, ka pasur harmoni mes deleve, dhive dhe nesh”.

Por, sado që egërsirat justifikohen, ato prapë kujtojnë me shumë mall etërit e tyre dhe në veçanti KEYEUJKUN e RACËS për ekselencë: EN-UJKUN.
Bariu ju kujton egërsirave rastin më të “freskët”, kur ato kishin ngrënë një dele shumë të butë, e cila kishte tentuar që të jetonte në harmoni me ato. Por, ai harron të përmendë edhe rastin e dy deleve të tjera race të sakrifikuara disa kohë më parë prej kushërinjve të tyre çakej.

Në një moment, dhelpra deklaron para bariut me krenari se “Në Albanistan është shumë në modë përdorimi i miellit të grurit prej tyre”. Kurse kryeujku për modesti nuk thotë se përveç miellit të grurit për të lyer këmbët, ai preferon edhe miell tjetër special për hundën e tij, që t’ja mbajë sa më të lartë nuhatjen.

Kur bariu ju tërheq vëmendjen atyre se “Përse ato ju kanë prishur vathët deleve”, egërsirat justifikohen duke thënë se “Tani delet janë të lira të ndërtojnë vathët e tyre”. Të trija egërsirat pretendojnë se kanë ndërruar menynë e tyre dhe se kanë vendosur që tashmë të hanë jonxhë e tërfil! Bariu është shumë i lëkundur në vendim-marrjen e tij, edhe pse dashi i sakrifikuar i thotë që t’mos ju besojë shumë atyre, duke qenë se e ka provuar në qafën dhe lëkurën e tij mizorinë e egërsirave. Mëdyshja është shumë e madhe. Nga ana e tyre, egërsirat ngulmojnë me tërbim që të bindin bariun për t’jua dhënë sa më parë atyre lëkurën e lakmueshme të deles.

Bariu i thotë dy zagarëve të tij që t’i sjellë një kazan me ujë për të larë këmbët e egërsirave, që të verifikojë nëse atyre me të vërtetë ju ikën mielli nga këmbët apo jo. Por, i shkreti bari nuk e din se sa mashtruese janë egërsirat, pasi ato kanë lyer këmbët me bojë zmalto të bardhë. Kështuqë, uji nuk vlen aspak në këtë rast. Duhet benzinë në rastin më të mirë për t’jua hequr zmaltin e bardhë këmbëve të egërsirave. Dhe në rastin më të keq, për t’i djegur ato komplet. Por, për fat të keq (apo të mirë!) benzina nuk po mjegullohet shumë. Vendimi duhet marrë sa më parë, pasi po vjen edhe koha e drekës. Bariu është vegjetarian. Kurse dyshimi për menynë e palës tjetër, vazhdon akoma!

Koha nuk pret.
Bariu fillon të ndjehet shumë i lodhur edhe për arsye moshe. Dashi i sakrifikuar, përmend edhe rastet kur ujqit kanë ngrënë njëri tjetrin. Sidomos në ato raste kur mishi i deles ka munguar!

Kaq të interesuara janë egërsirat për çmimin e lakmueshëm, sa ato janë të gatshme që të paguajnë bariun, por pa i thënë atij llojin e çmimit! Kur bariu i pyet ato se “Çfarë ju duhet ky çmim”?, egërsirat me një gojë i përgjigjen atij se “Na duhet që të dukemi sa më të besueshme për botën e delëzuar”.

Në fund, bariu i jep seicilës egërsirë nga një lëkurë deleje duke jua tërhequr pak veshin atyre që të mos ndërrojnë zakon më vonë, pasi ka frikë se ato do ndjekin përsëri rrugën e pasardhësve të tyre. Dhe ju thotë: “Pendohuni”. Egërsirat “pendohen” menjëherë duke bërë kryqin. Por, jo sipas rregullit kanonik! Kryeujku e bëri kryqin e cunguar. Ndërsa ujku dhe dhelpra, e bënë kryqin në formë gjysmë rrethi. Bariu nuk e vërejti këtë fakt!

Egërsirat, sapo veshin lëkurën e deles, dalin menjëherë duke nxjerrë jashtë dhëmbët dhe duke ulëritur.
Tani të kthehemi në botën reale.

Kush fitoi?
Ati i Shenjtë, që fali përsëri, apo bijtë e etërve, që në rrugën e tyre po ecin vazhdimisht?
Deri kur njëra palë do falë dhe pala tjetër do masakrojë?
Deri kur delet do pranojnë të mbeten gjithmonë dele?

Me terma futbollistike tani.
Mos vallë futbollisti numër NJË shënoi autogol, duke qenë lojtar edhe gjyqtar?

Aq më shumë në fushën e tij!
Amen.