VËSHTRIM PËR LIBRIN ME POEZI “ NË KËRKIM TË LIRISË ”, TË AUTORIT FATMIR ÇITAKU

0
916

Milazim F. KADRIU

Nisur nga vetë titulli i librit “ Në kërkim të lirisë ”, shohim se autori Fatmir Çitaku na sjell poezi të shkruara kryesisht në kohën e okupimit klasik që kishte Kosova nga ana e okupatorit shekullor serbosllav.

Andaj edhe autori Çitaku si shumë krijues tjerë që përmes vargjeve qanin hallin e popullit të okupuar dhe kërkonin dalje nga ajo situatë pra kërkonin lirinë e shumë pritur dhe shumë dëshiruar e cila erdhi vetëm pasi bijtë më të mirë të kombit rrokën armët dhe i dolën zot atdheut duke përzënë njëherë e përgjithëmon okupatorin serbosllav nga trojet tona dhe duke i sjell vendit lirinë dhe më pas pavarësinë.

Autori kryesisht poezitë e tij ia kushton kohës së paraluftës çlirimtare atëherë kur okupatori kishte shtri okupimin klasik në çdo pore të jetës dhe se jeta në një gjendje të tillë ishte bërë e padurueshme.

Po ashtu në përmbledhjen e poezive të Çitakut gjejmë edhe poezi të krijuara gjatë luftës çlirimtare dhe disa sosh kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të kombit që nuk kursyen as jetën e tyre vetëm e vetëm që vendi të fitojë lirinë e shumë pritur.

Ndonëse librin e ka konceptuar në katër cikle (Në kërkim të lirisë, Të mbetur në pritje, Çka ti bëjë vetmisë dhe Lajthitje në dosje ) po thuajse të gjitha poezitë kanë lidhmëni mes vete dhe kështu na e dhënë një tërësi me vargje të bukura.

Autorin në masë të madhe e prek edhe dëbimi i shqiptarëve nga vatrat e tyre gjatë luftës së fundit. Këtë e shpreh edhe në poezinë e tij “Treni I zi” që e shkroi në Tavnik të Mitrovicës në prill të vitit 1999, ku mes tjerash shkruan:

Tren i zi varg i gjatë,
S’të duket fundi andej
Lot që rrjedhin mbushin fytyrat,
Dhembje vuajtje e trishtim.
……………………….
……………………….
Tren i zi i pambarim
Tërë kolonën n;të grumbullon
Dora e zezë e armikut
Shqiptarët nga trojet i dëbon.

Poezi përkushtuese autori sjell në këtë libër për disa figura të kombit si : Ukshin Hotit, Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Hakif Zejjnullahut, Imer Krasniqit,…

Autori si edhe shumë veprimtarë të asaj kohe për veprimtarinë e tij atdhetare u burgos dhe atje kaloi një kohë. Në burgjet e regjimit serbosllav nuk ndejti duarkryq por edhe atje prapa grilave shkroi poezi kushtuar vendit, flamurit, rinisë por edhe të afërmve e poezitë kushtuar nënës ishin shumë prekse.

Ja si shprehet në poezinë “Dallëndyshe” që është shkruar përafërsisht në stilin e Filip Shirokës.

Nënës të fala ju mi qoni, thuani vetëm këto fjalë
Ta dërgova nënë këtë lule,
Pritëm së shpejti kam me ardhë
Në qoftë se nënën gjallë se gjeni
Thuani të mos qaj për mua
Në qoftë vdekë, mbi varr ju lutem,
Lulen time me ja lëshua
Aty pak të qëndroni,
Si të isha unë me ju
Dheun të ma grumbulloni
Merrni në sqep e sillmani mua.
………………………………
……………………………..
Lamtumirë moj dallëndyshe
Shkoni e vini me nxitim
Ndonjë lajm nga ju dua
Të më tregoni për vendin tim.

Edhe Çitaku nuk është i kënaqur me rrjedhën e ngjarjeve në vendin tonë pas luftës së fundit dhe pas gjithë asaj sakrifice dhe gjakut të derdhur të dëshmorëve tanë. Në poezinë “Lavdi dëshmorëve” ai ndër të tjera shprehet:

Lavdi dëshmorëve
Për këtë vend që jetën dhanë
Mallkuar qofshin tradhtarët
Çdo gjë ju qoftë haram.

Se të gjithë të rënët për liri shkuan me mallin që vendin ta shohin të lirë ,këtë e gjejmë edhe në vargjet e Çitakut ku në poezinë “Amaneti i ushtarit” ndër tjera thotë:

Lamtumirë moj nënëloke
Se pres dot 28 Nëntorin
Në qoftë se vjen ndonjëherë liria
Me flamur mbulomna varrin !

Nëpërmes vargjeve të poezive të kësaj përmbledhjeje Çitaku bashkëbisedon me lexuesin, duke shprehur përjetimet e tij, të cilat në fakt janë edhe përjetime të popullit tonë

Andaj në përgjithësi mund të themi se poeti Fatmir Çitaku, me përmbledhjen e tij të parë me poezi “ Në kërkim të lirisë ”, para lexuesit vjen i suksesshëm duke treguar ndjesinë e veçantë në poezitë e shtjelluara. Ai rrëfehet lirshëm dhe bindshëm, duke na ofruar poezi të lehta dhe të kapshme për komunikim.

Çitaku premton se së shpejti para lexuesve do të vijë me libra tjerë që do të jenë të mirëpritur nga lexuesi.