Međugorje, mesazhi i 2 dhjetorit 2018 dhënë nëpërmjet Mirjana Soldo˗s

0
517
Nikolin Sh. Lëmezhi

“Të dashur bij!

Kur vini tek unë si Nënë me zemër të pastër dhe të hapur, ta dini se ju dëgjoj, ju jap guxim, ju ngushëlloj dhe mbi të gjitha ndërmjetësoj për ju tek Biri im. E di se doni të keni një fe të fortë dhe ta shprehni në mënyrën e drejtë. Ajo që Biri im ju kërkon është një fe e sinqertë, e fortë dhe e thellë. Atëherë çdo mënyrë me të cilën e shprehni është e vlefshme. Besimi është një mister i mrekullueshëm që ruhet në zemër. Ai është mes Atit Qiellor dhe të gjithë bijve të tij. Njihet prej fryteve dhe prej dashurisë që keni ndaj të gjitha krijesave të Hyjit.

Apostuj të dashurisë sime, bijtë e mi! Kini besim në Birin tim! Ndihmoni në mënyrë që të gjithë bijtë e mi ta njohin dashurinë e Tij! Ju jeni shpresa ime, ju që përpiqeni ta doni sinqerisht Birin tim. Në emër të dashurisë, për shpëtimin tuaj, sipas vullnetit të Atit Qiellor dhe nëpërmjet Birit tim, jam këtu në mesin tuaj.

Apostuj të dashurisë sime! Me lutjen dhe me sakrificat zemrat tuaja të jenë të ndriçuara nga dashuria dhe nga drita e Birit tim! Ajo dritë dhe ajo dashuri ndriçoftë të gjithë ata që takoni dhe i sjelltë përsëri tek Biri im!

Unë jam me ju. Në mënyrë të veçantë jam me barinjtë tuaj: me zemrën time amënore i ndriçoj dhe iu jap guxim, gjersa, me duart e bekuara nga Biri im, të bekojnë mbarë botën!

Ju falënderoj!”.

Si ta pranojmë MESAZHIN e Zojës?
(Siç bënte edhe Atë Slavko)
1. MERRENI që ditën në të cilin është dhuruar!
2. LEXOJENI një herë të parë në shpirt lutjeje!
3. PRANOJENI në fundin e zemrës suaj!
4. KONSIDEROJENI si një mesazh që Virgjëra jua jep personalisht dhe jini mirënjohës ndaj Saj!
5. KOPJOJENI mesazhin dhe vendoseni në mesharin tuaj, në frigorifer, në zyrë, në pasqyrën e banjos, në makinë dhe kudo, në mënyrë që ta kujtoni gjithmonë dhe që të bëhet shoqëruesi juaj gjatë gjithë muajit! Me lejen e Famullitarit tuaj afishojeni në famulli!
6. BASHKËNDAJENI mesazhin me të gjithë ata që i takoni: është një thesar nga Qielli! Veproni në mënyrë që gjithë bota të flasë, nxitni publikimin e tij!
7. LUTENI mesazhin çdo ditë të muajit! Veproni në mënyrë të tillë që mesazhi t’i japë tonin jetës suaj shpirtërore! Do t’ju bëjë të rriteni, do t’ju hapë ndaj pendesës, ndaj shërimit dhe shpresës.
8. KËRKONI në Ungjill rreshtat në të cilat Jezusi thotë gjëra të ngjashme me ato që thotë Zoja!

E më në fund, duke u bazuar tek tema e të Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, që është “Rrini zgjuar!”, t’i hapim zemrat tona për të kuptuar shenjat e kësaj kohe, që të mund të përgatitemi sa më denjësisht për Lindjen e Jezusit në mesin tonë.

Përgatiti:
Nikolin Sh. Lëmezhi