AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN E NJË PRESIDENTI

0
552

Çdo përcaktim i një jete të suksesshëme,
duhet të përfshij shërbimin ndaj të tjerëve

George H. W. Bush, 1914-2018

Nga Frank Shkreli

Të premtën Presidenti Xhorxh W. Bush i riu, në emër të familjes njoftoi Amerikën dhe botën se i pari i familjes Bush, ish-Presidenti Xhorxh H.W. Bush i vjetër ka ndërruar jetë. “Jeb, Neil, Marvin, Doro dhe unë jemi të pikëlluar të njoftojmë se pas 94-vjetësh të mbrekulluara, babai ynë i dashur ka ndërruar jetë. Xhorxh H. W. Bush ishte një burrë me karakter të lartë dhe babai më i mirë që mund të shpresonim të kishim. Mbarë familja Bush është thellësisht mirënjohëse për jetën dhe dashurinë e Presidentit të 41-të, si dhe për mëshirën dhe dhembëshurinë që kanë treguar ndaj tij të gjithë ata që janë lutur dhe kujdesur për Babain tonë. Jemi gjithashtu tepër mirënjohës edhe për ngushëllimet e dërguara nga miqët dhe qytetarët tanë”, thuhet në dekaratën e familjes së të ndjerit ish-Presidentit Xhorxh Bush i vjetër.

Ngushëllimet drejtuar familjes Bush ishin të shumëta nga përfaqsues të politikës amerikane dhe botërore, si edhe nga shumë qytetarë amerikanë për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara, i cili ndërroi jetë të premtën në qytetin Hjuston të shtetit Teksas, në moshën 94-vjeçare. Janë ngushëllime për njeriun i cili do të mbahet mend, si një njeri i dedikuar ndaj familjes së tij, si pilot i famëshëm i Luftës së Dytë Botërore, si president që kontriboi për dhënjen fund të Luftës së Ftohtë dhe për shembjen e perandorisë komuniste sovjetike.

Për shqiptarët, ai mbahet mend si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në traditën e mbështetjes së udhëheqësve të këtij vendi ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe ndaj fatit të Kombit shqiptar – me atë që historia tani e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”– i deklaroi botës dhe drejt për drejt kasapit të Serbisë Millosheviçit vendosmërinë politike dhe ushtarake të Washingtonit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Kosovë në rast provokimesh nga Serbia.

Në rast të konfliktit në Kosovë të provokuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati për të përdorur forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi“, kishte deklaruar i ndjeri Xhorxh Bush i vjetër në letrën dërguar diktatorit serb më 25 dhjetor, 1992, duke e lidhur kështu përjetësisht familjen amerikane Bush me historinë e Kombit Shqiptar, kur të merret parasyshë gjithashtu edhe deklarata e Presidentit Xhorxh Bush të ri, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në vitin 2007, me ç’rast, ai u tha mjaft zvarritjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke deklaruar nga kryeqyteti i shqiptarëve se, “Mjaft është mjaft — Më mirë heret se vonë — Kosova të jetë e pavarur”.

Jo vetëm shqiptarët, por Amerika dhe bota në përgjithësi kanë arsye të ndihen të pikëlluar me humbjen e këtij burrshteti amerikan, pasi trashëgimia e tij në fushën politike dhe ushtarake botërore, si edhe roli i tij shembullor si kryefamiljar është një shembull për të gjithë. Jo se ai nuk i kishte edhe të metat e veta, të cilat ndër tët tjera i kushtuan fitoren për një mandat të dytë presidencial, por megjithë këte, influenca e tij si udhëheqës do të ndihet për shumë kohë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe në mbarë botën. Pothuaj të gjithë vlerësojnë dedikimin e tij ndaj familjes dhe kushtimin e tij për shërbimin ndaj publikut, por edhe rolin e ish-Presidentit Bush në fushën ndërkombëtare, si vetitë kryesore që e kanë dalluar atë si njeri dhe si udhëheqës.

Këto ndjesi i kanë shprehur këto ditë, në ngushëllimet e tyre, udhëheqsit kryesorë politikë amerikanë dhe botërorë, duke përfshirë edhe Presidentin Donald Trump, i cili tha se “Presidenti Bush ka frymëzuar disa breza amerikanësh për t’iu përkushtuar shërbimit publik, për të qenë siç është shprehur edhe ai ‘objekt i njëmijë dritave’, për të ndriçuar madhështinë, shpresën dhe mundësitë që ofron Amerika, për botën… Me një gjykim të drejtë dhe udhëheqje të vendosur, Presidenti Bush udhëhoqi Kombin tonë dhe botën drejtë një fitoreje dhe përfundimi paqësor të Luftës së Ftohtë. Si President, ai përgatiti skenën për një begati prej disa dekadash që pasoi mandatin e tij…Ai do të mbahet mend për devotshmërinë e tij ndaj familjes, sidomos për dashurinë e tij për bashkshorten Barbara…”, tha ndër të tjera, Presidenti Trump.

Ndërsa ish-Presidenti demokrat Barak Obam u shpreh me rastin e vdekjes së Presidentit Xhorxh Bush i vjetër se, “Jeta e tij ishte një testament se shërbimi publik është një thirrje e ndershme dhe fisnike”, ndërkohë që lavdëroi masat që kishte ndërmarrë i ndjeri Bush i vjetër në mandatin e tij si president, “Në favor të përmirësimit të jetës për emigrantët dhe për personat me aftësi të kufizuara fizike”. Ai ishte një shembull prej burrë-shteti, tha ish-Presidenti Obama, “I vendosur për të lënë mbrapa diçka më mirë se ç’e kishte gjetur në këtë botë.” Duke iu referuar rolit të Presidentit Bush në arenën ndërkombëtare, Z. Obama nënvijoi se, “Kur, anë e mbanë Evropësë Lindore, lulëzuan revolucionet demokratike, ishte dora e tij fortë diplomatike që bëri të mundur një arritje që dikur as nuk mund të merrej me mend – fundin e Luftës së Ftohtë, pa pasur nevojë të shkrep as një fishek.”

Ndoshta njeriu që e ka njohur më së miri dhe për një kohë të gjatë ish-Presidentin Bush të vjetër, është James Baker, ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, të cilin e ka konsideruar si mik të ngushtë për më shumë se 50-vjetë. Z. Baker lavdëroi shërbimin e Presidentit Bush në detyra të ndryshme prej disa dekadash, si president i Shteve të Bashkuara, por edhe si zëvendës president, Drejtor i CIA-s, si ambasadori i parë amerikan në Kinë, ambasador pranë OKB-së, e të tjera. “Në secilën prej këtyre detyrave”, theksoi Z. Baker, “Ai udhëhoqi me vendosmëri, integritet dhe modesti – karakteristika këto të cilat me të vërtetë përcaktojnë një njeri të madh dhe një udhëheqës efikas…ai gjithmonë i demonstroi këto cilësi, qoftë në skenën ndërkombëtare, qoftë në jetën e përditshme.

Ngushëllimet erdhën, jo vetëm nga politikanë republikanë dhe ish-bashkpuntorë të Presidentit Bush, por edhe nga politikanë të krahut tjetër politikë, nga demokratët — si ish-Zëvendës Presidenti Al Gore, i cili në mesazhin e tij theksoi “integritetin dhe mirësinë e jashtëzakonshme” të tij, duke thënë se i ndjeri Bush, “kishte siguruar respektin e të dy partive kryesore të vendit, me qëndrimet e tija dhe me masat që ka marrë në favor të kauzave në të cilat besonte fuqimisht, madje edhe nëqoftse duke bërë një gjë të tillë, nuk ishte shumë popullore për momentin.”

Edhe nga Kongresi Amerikan, ku Z. Bush gëzonte një respekt të madh në radhët e ligjëvensëve të dy partive politike kryesore amerikane, erdhën reagimet e para për vdekjen e ish-presidentit, përfshirë Senatorin Republikan të shtetit Florida, Marco Rubio, i cili u shpreh se, Presidenti H. R. W Bush ishte një hero amerikan dhe patriot, një burrë i mençur dhe bujar.” Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Virginia, Mark Warner nënvijoi në mesazhin e tij se, “Nuk ka asnjë dyshim se angazhimet më të larta të Presidentit Bush ishin gjithmonë në mbështetje të Atdheut dhe vlerave tona – drejtësisë, lirisë dhe të drejtave të njerëzve kudo në botë.”

Një mesazh i gjatë drejtuar familjes Bush erdhi nga Presdienti Clinton dhe bashkshortja Hillary, në të cilin çifti presidencial thotë se ata “Po mbajnë zi për kalimin në amshim të Presidentit H.W. Bush dhe falenderojnë Perendinë për jetën e tij të gjatë, kushtuar shërbimit, dashurisë dhe miqësisë ndaj të tjerëve.

Unë do të jem për gjithmonë mirënjohës për miqësinë që kemi pasur me njeri tjetrin”, shprehet Presidenti Klinton duke shtuar se shërbimi i Presidentit Bush, duke filluar nga shërbimi ushtarak në Luftën e Dytë Botërore dhe deri tek detyrat e larta federale në Kongres, pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Kinë, drejtor i CIA-s e deri tek kulmi i shërbimit të tij në detyrën e Zëvëndës Presidentit dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku ai punoi drejt një bashkpunimi më të madh në nivel ndërkombëtar, për një paqë dhe liri më të madhe në botën e pas Luftës së Ftohtë”, shkruajnë Presidenti Klinton dhe bashkshortja e tij Hillary.

Ndërsa nga Rusia erdhi mesazhi i ngushëllimit nga ish-udhëheqsi sovjetik, Z. Mikhail Gorbachev, me të cilin presidenti Bush kishte bashkpunuar ngusht për t’i dhënë fund luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit. “Unë i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së George Bush dhe të gjithë Amerikanëve për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara”, i ka thënë ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax, duke shtuar se, “Kam shumë kujtime në lidhje me këtë person. Ne na u dha mundësia të punomin së bashku gjatë viteve të ndryshimeve të mëdha. Ishte një periudhë dramatike që kërkonte përgjegjësi të mëdha nga të gjithë…Unë vlerësoj jashtzakkonisht shumë kontributin e Presidentit George H.W Bush, në realizimin e kësaj arritjeje historike. Ai ishte me të vërtetë një partner i vërtetë”, është shprehur ish-ushëheqsi sovjetik, Michael Gorbachov për ish-Presidentin Bush.

Një numër ngushëllimesh i kanë arrijtur familjes Bush dhe popullit amerikan për vdekjen e Presidentit Bush, nga vendet aleate perëndimore dhe nga kryeqytete të tjera, përfshirë edhe udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Siç thashë edhe më lartë, për Shqiptarët, Presidenti George Bush i vjetër do të mbahet mend për Deklaratën e tij të Krishtlindjes, pikërisht 26 vjetë më parë, me 25 Dhjetor të vitit 1992, me të cilën paralajmëroi Serbinë dhe diktatorin e saj Millosheviç që të mos provokonte konflikt në Kosovë, me qëllim të pastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Dihet se është kjo politikë e përcaktuar nga Presidenti George H.W. Bush i vjetër që u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave dhe më vonë, deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës disa vite më vonë gjatë mandatit të Presidentit Goerge Bush i riu.

Jemi dëshmitarë se kjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, 26-vjetë më parë këtë muaj, është përsëritur herë pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe nga zyrtarët e lartë të administratës së tij, si një qendrim bazë amerikan karshi Kosovës, që nuk kishte ndryshuar gjatë asaj kohe, por që në të vërtetë çoi në sulmet ajrore të NATO-s, të urdhëruara nga Presidenti Klinton, e që përfunuan në çlirimin e Kosovës dhe përfundimisht në shpalljen e Pavarsisë së Kosovës në vitin 2008.

Falë asaj deklarate, është ky një përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës që vazhdon të pasqyrohet deri në ditët e sotëme. Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi gjatë një takimi me ish-presidentin George Bush të ri javën që kaloi në Teksas dekoroi Z. George Bush të ri me Urdhërin e Pavarësisë, për kontributin që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa është shprehur se, “Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Me rastin e kalimit në amshim të Presidentit George H. W. Bush i vjetër dhe në përvjetorin e 26 të paralajmërimit të tij me shkrim dërguar Serbisë më 25 dhjetor 1992, që të mos shkelte vijën e kuqe në Kosovë — me mirënjohje të thellë ngushëllojmë me zemër të pikëlluar familjen e nderuar të ish-Presidentit si dhe popullin amerikan për kalimin në amshim të të dashurit të tyre dhe mikut të madh të Shqiptarëve! Përdhimtimet më të sinqerta duke marrë pjesë në zi të tyre me ndjesi të thella miqësie vëllazërore midis Kombit Amerikan dhe Kombit Shqiptar!