THJESHTËSIA – RRUGA PËR TEK ZEMRAT

0
1093

Ndue Lazri, gazetar dhe poet, shok dhe koleg të ngushtë me të ndierin mikun tonë Ramadan Bigza, i cili para pak ditesh u nda krejt pa pritur nga kjo jete. Ndueja e pershkruan dhimjen me keto reshta. /Gj. Musa

Ndue Lazri

Ish kolegut dhe mikut tim, Ramadan Bigza

Ishim me kolegë të Federatës FNAI në një darkë me arbëreshë në Calabri, kur mora një mesazh me një lajm të hidhut nga mikja ime Mimoza Çekiçi Rista, e cila më njoftonte se ishte ndarë nga jeta gazetari Ramadan Bigza. Qe i pabesueshëm dhe shokues ky lajm dhe në momentet e para po mendoja se mund të ishte një informacion i gabuar. Por pastaj pashë që edhe plot miq e kolegë të tjerë të përbashkët po shkruanin me hidherim të madh për humbjen e këtij gazetari të palodhur dhe njeriu shumë të mirë.

Me Ramadanin na lidhte një miqësi prej më shumë se 30 vjetësh. Punoja si redaktor në gazetën lokale “Jeta e re” në Shkodër dhe midis bashkëpunëtorëve, Ramadani, që punonte në uzinën e telave të atij qyteti më tërhiqte vëmendjen jo vetëm me pasionin që kishte për të shkruar, sidomos për rubrikën sportive, por edhe me korektesën e tij, me sjelljen prej njeriu shume të edukuar e të thjeshtë. Ishin këto arsyet dhe cilësia e shkrimeve të të tij që bënë ta tërhiqnim Ramadanin nga Uzina e telave, si gazetar në redaksinë e gazetës “Jeta e re”.

Që atëherë, për shumë vite kemi qenë kolegë e miq të mirë. Ramadani ishte i papërtueshëm, dinte të ndërtonte marrëdhënie të mira me kolegët. Edhe pse u bë redaktor, ishte gjithnjë i thjeshtë e dashamirës me bashkëpunëtorët e tjerë, i pëlqente të dilte në terren, të shkonte me shërbime edhe larg e të sillte materiale të freskëta e cilësore në gazetë. Kishim miqësi familjare e shkonim shumë mirë edhe me prindërit e tij, me bashkëshorten, Mondën dhe me dy djemtë që ishin fëmijë shumë të edukuar.

Këto marrëdhënie e kjo miqësi u ruajtën edhe kur Dani u transferua në Tiranë në gazetën “Sporti popullor”, kur u kthye sërish në Shkodër si redaktor në Radio Shkodra, edhe kur jeta e emigrimit na ndau dhe ai shkoi me familjen në Greqi, ndërsa unë në Itali. Në kushtet e emigracionit ai bëri një punë shumë të madhe duke qenë për disa vite kryeredaktor i gazetës “Albania Press”, gazetë që ishte bërë një organ i dashur shtypi për emigrantët jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, në Itali e kudo që arrinte ajo.

Ishte bërë tribunë edhe për ne krijuesit e fushës së publicistikës, apo për shkrimtarët e poetët e ndryshëm, sepse Ramadani, me rubrikat e shumta të gazetës, dinte ti tërhiqte e mbante afër të gjithë. Kam patur kënaqësinë të shkruaj shpesh në atë gazetë dhe gjithnjë kam gjetur ngrohtësinë prej miku e kolegu e korektesën profesionale në publikimin e materialeve. U takuam para ca vitesh edhe në Pistoia, në një takim të sipërmarrësve shqiptarë në Toscana. Bashkë me mikun e kolegun Gjin Musa, që kishte ardhur nga Roma dhe sipërmarrësin Nikolin Gjeloshi, që na kishte ftuar, kaluam momente të bukura e kujtuam me kënaqësi vitet e punës në qytetin e bukur të Shkodrës.

E prisja të vinte në fillim të qershorit në Mantova të Italisë, për të marrë pjesë si gazetar e për të pasqyruar në shtyp festivalin e kulturës shqiptare që do të mbahet në atë qytet. Folëm dhe i thashë që e prisja dhe ai po e priste me padurim ardhjen. Kur papritur vjen lajmi i vdekjes së parakohshme të tij.

Kam parë që shumë miq e kolegë kanë shkruar me dhimbje, por edhe me dashuri për Ramadanin. E ai i meriton gjithë ato që janë shkruar, sepse me sjelljen dhe punën e tij profesionale kishte ditur ta gjente rrugën për në zemrën e njerëzve.
Lamtumirë miku dhe kolegu im i paharruar. Pushofsh në paqe.