E PASKA LËSHUAR MARMELADA AKADEMIKUN QOSJA?!

0
447

Presidenti Thaçi po lobon egër, për me ia dhënë veriun e Kosovës Serbisë. Një hall e ka si duket. Por sa pjesë do i jepen Serbisë, e sa do i merren, kjo do të shihet. E nëse kjo ndodh, ka mundësi që shqiptarët të dalin me humbje! Ibrahim Kelmendi me këtë shkrim ironizon Qosen, i cili si duket është ndikuar nga Thaçi, për këto qëndrime që po mban! /AÇ

Ibrahim Kelmendi

Kam dëgjuar të përdorët ky zhargon në raste kur diskualifikohet mendimi i ndokujt, si mendim nën nivelin e intelektit të autorit. Por pse përdorët kjo metaforë, nuk e di.

Kësaj radhe (më 28.11.2018) Akademiku Rexhep Qosja publikoi një ese politike, e cila, thënë qysh në fillim, shkurt e shqip: më zhgënjeu dhe më hidhëroi!

E paskësh titulluar “shkëmbimi i territoreve”, dhe e paskësh përmbyll me uratën e tij tipike: “Ashtu qoftë!” Ndërsa unë po uroj: Ashtu mos qoftë!

[1] Qosja e fillon këtë ese me konstatimin: “Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, e bërë publike shumë vite më parë, por e përditësuar dy muajt e fundit, tashmë është ngritur në nivelin e çështjes për të cilën po flitet në gjithë hapësirën shqiptare, madje edhe në diasporë.”

Ky konstatim është spekulativ, mjegullues dhe mashtures! Nuk është e vërtet që “ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë” tashmë është ngritur në çështje, por ka shkaktuar hidhërim dhe revoltë, duke e diskualifikuar si komplot të radhës kundër Shtetit të Kosovës. Janë minorancë tepër e vogël ata që janë pro kësaj “ideje”.

Një akademiku, me pretendime superlative, i përfshirë edhe nga dëliri i madhështisë, nuk i ka hije të ngatërron emërtimin emigracion me diasporë, sepse në diasporë arbëreshe, arvanite, arnaute, as që kanë informacion për këtë “ide”, e lere më ta diskutojnë, kurse në emigracion, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare, duket se në shumicë janë kundër. Të paktën kështu ngjan nëse vlerësojmë opinionet e debatet në rrjete sociale, në portale dhe në media të shkruara e ato elektronike.

[2] Qosja shkruan: „Çështja e shkëmbimit të territoreve është çështje, çështje politike e kombëtare e madhe, sepse është çështje që i përket tërësisë territoriale të Kosovës, tërësisë territoriale të Serbisë dhe, rrjedhimisht, qëndrueshmërisë në rajon…“

Fatkeqësisht Akademiku Qosja i (sh)përdor “tërësitë territoriale” të Kosovës dhe të Serbisë, duke u mundua ta imponon si të vetëkuptueshme, se Kosova dhe Serbia paskëshin tërësi të definuara territoriale, por tani qenkësh në interes të tyre të shkëmbejnë territore që qenkëshin pjesë e këtyre tërësive territoriale. Që ta zbërthejmë paksa, kush si i kupton dhe si i definon këto “tërësi territoriale”. Shqiptarët e Kosovës, të Makedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë dhe disa të Shqipërisë (në kuptimin juridik), mendojnë se i përkasin Kosovës, si trashëgimtare etnike dhe gjeografike e Dardanisë antike. Ky është një përcaktim tradicional, romantik, folklorik. Ndërsa në kuptimin juridik tërësia territoriale është tërësia shtetërore, kushtetuese, e shpallur me 17 shkurt 2008. Por këtë pronësi nuk po e njeh Serbia dhe pothuajse gjysma e shteteve të botës, nuk po e njeh as OKB-ja. Ndërsa “tërësia territoriale” e Serbisë është deri ku ka varre e kisha serbe, sipas mendësisë nacionaliste e folklorike serbe, ndërsa në aspektin juridik, kushtetues, edhe Shteti i Kosovës është pjesë e Serbisë. Megjithatë OKB-ja kriminele, e njeh Shtetin e Serbisë, edhe pse ajo në kushtetutë e ka të përfshirë edhe Shtetin e Kosovës!

Tani, si mund të ketë “tërësi territoriale” të vetëkuptueshme, kur Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra tjetrën për shtete, prandaj edhe nuk ia njohin njëra tjetrës “tërësinë territoriale”, rrjedhimisht si mund të shkëmbejnë territore në mes tyre?! Vetëm (psudo)logjika e Qosjes e parasheh mundësinë e shkëmbimit të territoreve dhe e arsyeton, duke u bazuar kryesisht në aspektin praktik, të cilin unë po e keqkuptoj si shpërdorim taktik, siç e paskësh prezantuar kësaj radhe.

[3] Për ta arsyetuar përcaktimin e tij destruktiv, Qosja ka shkruar: “unë në këtë mes merrem vetëm e vetëm me konceptin, vetëm me çështjen e shkëmbimit të territoreve, i vetëdijshëm se përpjesëtimin e përmbajtjen e saj duhet ta përcaktojnë ekspertët e të dy palëve në bisedime.”
Fatkeqësisht, koncepti i çalon! Jemi në fazë të konsolidimit të Shtetit, me tërësi territoriale kushtetuese, dhe ky koncept i Qosjes është komplot kundër këtij konsolidimi shtetëror, duke shkaktuar premisa që Kosova të kthehet në gjendje të para 17 shkurtit 2008, kur ende Kuvendi nuk e kishte shpall pavarësinë shtetërore, me përkrahje të shteteve demokratike. Dhe, nuk do të më bezdiste fare ky koncept i Qosjes tani, siç nuk më kanë bezdisur kur i ka publikuar në janar 2017 dhe para shumë viteve, sikur të mos ekzistonte mundësia për t’u shpërdoruar si iso dhe tifozëri ndaj “idesë” se presidentit Thaçi, i cili, në kompetencë të presidentit të Republikës po angazhohet për të imponuar “korrigjimin e kufijve” (para ca kohe edhe të bashkimit të Preshevës…, por tashmë sikur e harroi atë karrem).

Qosja e ka konkretizuar konceptin e tij me shkëmbim të territoreve, komunat e Preshëvës, Bujanovcit e Medvegjës me ju bashkua Kosovës, ndërsa komunat e “veriut” me ia dhanë Serbisë, si kompensim. Më vonë do ta citoj Qosjen, cilat territore do që të shkëmbehen.
Këtu e tani do shpreh konceptin tim: racionale për momentin është, Serbia dhe Kosova të këmbejnë njohjet shtetërore mes tyre dhe pastaj të negociohet për shkëmbim të territoreve, duke pas parasysh vullnetin e shqiptarëve dhe serbëve në komunat e “problematizuara” dhe në interesat praktike, shtetërore, të Kosovës dhe Serbisë.

[4] Fatkeqësisht Qosja e kompilon një mashtrim të rrezikshëm: “Nuk ka dyshim se autorët e këtyre mendimeve mbizotëruese kundër shkëmbimit të territoreve nxituan t’i shpërfillin shprehjet pothuaj mirëkuptuese ndaj lëvizjes së kufijve, domethënë ndaj shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, që u dëgjuan nga figura të larta politike e shtetërore në administratën e SHBA-së e të disa vendeve të BE-së dhe në administratën e jashtë administratës së disa vendeve të tjera në botë, të cilat, ç’është e vërteta, më shpesh se mendime individuale ishin mendime zyrtare.”

Mirë që Qosja e pranon se shumica janë kundër “lëvizjeve të kufijve” (ndoshta taktikisht nuk e ka përdor “idenë” e “hashimit”: “korrigjimi i kufijve”). Por, nuk e besoj që Qosja nuk e dinë se vetëm 5-6 amerikanë dhe europianë serbofilë kanë treguar mirëkuptim për “idenë” e “korrigjimit të kufijve”! Motivet e atyre serbofilëve po vetëkuptohen, por nuk po kuptoj, përse Qosja po i shpërdoron ata, sikur na qenkëshin mirëkuptim i personaliteteve konstruktive, që gjoja duan zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme në mes të shqiptarëve dhe serbëve?! Në fakt ata duan ta degradojnë Kosovën në protektorat të Serbisë!

[5] Qosja mundohet me la mut me shurrë: “Keqkuptim të veçantë të çështjes së shkëmbimit të territoreve përfaqëson togfjalëshi ndarje e Kosovës.”

Edhe Qosja, njësoj si “hashimi”, duan të kamuflojnë komplotin e tyre kundër Kosovës, sikur qenkëshin kundër ndarjes së Kosovës. Dhe, për keqardhje janë të dytë që po na pandehin edhe neve për idiotë injorantë të atij niveli, sa të mos jemi në gjendje t’i kuptojmë zhurmimet e tyre kundër ndarjes së Kosovës si truk demagogjik për të kamufluar ndarjen. Si nuk qenkësh ndarje e Kosovës, nëse do t’i shkëputej Shtetit të Kosovës krejt “veriu” i tij (edhe gjysma e Mitrovicës)!

“Hashimin” e kam zbërthye disa herë, se nuk ka autonomi për të pas ide autentike, meqë kuislingët vetëm komandohen. Fatkeqësisht duhet të jetë komanduar nga Beogradi që të paraqet kërkesa për korrigjim të kufijve dhe për bashkim të Preshevës…, vetëm që qeveria serbe të ketë arsye, vitin e ardhshëm, të anashkalon kushtëzimin që e përmban kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim në BE. Përndryshe, Serbisë nuk i mjafton vetëm “veriu” i Kosovës, meqë shpreson se mund ta mban Kosovën neokoloni dhe protektorat, siç e ka aktualisht, por do që të ketë zhurmim për “korrigjim të kufijve” e “bashkim të Preshevës…”, ta shpërdor për të mashtruar burokracinë e Brukselit, sikur ajo është për marrëveshje të mirëkuptimit me Kosovën, por ja që Kosova tani ka pretendime edhe territoriale ndaj Serbisë. Pra, në pyetje është interesi i Serbisë për të zhvat nga BE-ja buxhet të madh subvencioniues, pa e pas si cak anëtarësimin në BE, por që ta realizon atë taktik, i duhet ta bëjë Kosovën fajtore për mos marrëveshje…

Këto hile serbe, tejet përfide dhe të sofistikuara, me gjasë, nuk është duke i kuptuar Qosja, prandaj ka lajthit kaq destruktivisht kësaj radhe!

(Ndoshta vazhdon.)