Nga DialogPlus – 28 nëntor 2018
KUJTESË: Disa mendime të Ardian Klosit për kujtesën kolektive, për mungesën e respektit në shoqërinë shqiptare, për shkatërrimin e natyrës, për patriotizmin e kosovarëve, për egërsinë në trafik, për gjuhën letrare dhe shumë tema të tjera. (Klosi, i lindur më 1957, ishte përkthyes, albanolog, publicist dhe aktivist social. Vdiq duke varur veten më 26 prill 2012).“
«SOT ASKUSH NUK KA RESEKT PËR ASKËND»
«Ndërsa nën sistemin socialist u bënë përpjekje për të rrënjosur terminologji në fusha si filozofia, ekonomia politike, deri dhe anatomia, përgjithësisht pa sukses, ngaqë vinin të diktuara nga lart poshtë, me kufizime e përjashtime të shumta, me sajesa pa shije, si rrjedhim i izolimit të Shqipërisë, sot jetojmë një kohë kur, edhe nëse propozimet e dikujt për terminologji nga fushat e ndryshme të dijes mund të jenë të mira, ato nuk respektohen e nuk zënë vend, pasi sot askush nuk ka respekt për askënd, aq më pak për ndonjë institucion. Në kohën e Sami Frashërit, Konicës, Xhuvanit, kishte shumë më tepër patriotizëm, shumë më tepër besim te kultura dhe te kombi shqiptar sesa ka sot, në atë kohë njerëzit me dije respektoheshin dhe ky respekt kthehej në autoritet produktiv dhe kodifikues për kulturën. Me sa kuptohet, shkaku kryesor që po bën të humbasë dalëngadalë edhe ajo pasuri diturake që e kishim – me botime të shumta, përpara, gjatë dhe pas Luftës – janë në radhë të parë dembelia dhe padija. Dembelia për t’u kthyer te veprat që ekzistojnë të shtypura, padija, që na bën të kënaqemi me veten dhe në valën e mosrespektit të harrojmë se gjuha jonë mund të shkruhet dhe flitet shumë më mirë se ç’bëhet sot.»
PËR KUJTESËN KOLEKTIVE
«S’ka analfabet e s’ka fëmijë në këtë botë (në atë dhe në këtë tonën) që të mos e njohë sentencën e përhershme, por dhe të përjetshme të njerëzimit: «Monument kulture, mbrohet nga shteti». Sado i varfër, sado ngordhalaq një shtet, sikurse yni, ky kumtim është gati-gati i shenjtë, ai bën që një x-monument kulture të ruhet vetiu nga njerëzit edhe kur aty nuk ka as dhe një rojtar. Sa herë na ka ndodhur të çuditemi se si ngrihen thuajse pa zot mure mijëravjeçare në Shqipëri, pa u dëmtuar nga askush. Sepse çdo njeri ka vetiu respekt për kujtesën e tij kolektive, siç ka dhe frikë (gjermanët e kanë në një fjalë të vetme frikë-respekt: Ehrfurcht) ndaj shtetit të tij.»
PËR SHKATËRRIMIN E NATYRËS
«Kam parë me sytë e mi ç’ndodh me monumentet e natyrës në Shqipëri, kam filmuar, kam fotografuar se si shpërthen një shtet i obsesionuar pas ndërtimit të rrugëve, në emër të «Rrugës së Arbrit», faqet e kanionit te shkalla e Tujanit dhe lë të rrokullisen pa asnjë të keq mollokët e shkëmbinjve brenda në lumë; kam parë se si çel gurore në pikat më të bukura (ku lind dielli, te Qafa e Priskës? Aty po e hapim një gurore), kam parë si lejon restorant anë Syrit të Kaltër, për të lundruar brenda ujërave të kthjellëta, bidonë e kanaçe sa të duash, por që të zbathet deri në këtë pikë sa të nxjerrë në ankand edhe Rozafën, Apoloninë, Butrintin, kjo të shkakton një ah nga fundi i shpirtit dhe ndonjë britmë të llojit: ‘Si mund ta quanim ne tradhtar mbretin Zog, që u fali jugosllavëve Shën Naumin? Po ai e paska shpëtuar atë manastir me nam, a thua se parashikoi ç’takëm drejtuesish do të merrnin në dorë fatet e kujtesës kolektive shqiptare!’ Kam frikë se po shkojmë drejt një 100-vjetori përherë e më të zymtë, përherë e më mosbesues ndaj një pavarësie, që në të vërtetë s’është.»
PËR POLICINË DHE BAKSHISHIN
«Dje, më 20 dhjetor, pashë një skenë që vërtet më tronditi e më shkaktoi turp: në një nga urat e Lanës, dy policë kishin ndaluar një makinë sikurse bëjnë rëndom për të kontrolluar dokumentat e shoferit. Mu në çastin kur po parakaloja, polici në anën e shoferit, mori prej këtij diçka në dorën e mbyllur, që e futi në xhep dhe makina u nis. Skena që i kisha vetëm të dëgjuara ose të marra me mend, kur shoh ato dyshet e policëve përherë në pritje (asnjëherë në ndjekje të shkelësve, asnjëherë me gjobitje të atyre që futen në dritë të kuqe dhe rrezikojnë pleq e fëmijë) në anë të rrugës, si cubat e qëmotit, me lëvizje përherë e më të ngathta, me barqet përherë e më të kërcyer. Zot na ruaj!»
PËR EGËRSINË NË TRAFIK
«Shumica e drejtuesve të automjeteve e dinë se në kthesë përparësinë e kanë ata dhe jo qytetari që ecën mbi vijat e bardha. Edhe në qoftë se e dinë se s’kanë të drejtë, kjo për ta nuk ka rëndësi: mendimi i tyre instiktiv, i egër është: unë jam pala e fortë se kam një makinë që të shtyp, ai është pala e dobët se është këmbësor. Njëri më ka bërtitur hapur dikur para disa vjetësh: ‘Kush është më i fortë ti apo makina?’ Edhe më keq e kanë biçiklistët, pasi veç arrogancës së shumë shoferëve që nuk u hapin rrugë, u duhet të thithin vazhdimisht tymrat e makinave. Po kështu shumica e drejtuesve e dinë se në një kryqëzim s’ka rëndësi kush vjen nga e majta dhe kush nga e djathta, vendos kush është më i shpejtë dhe më i paturp. Edhe nëse e dinë se s’kanë të drejtë, kjo për ta s’ka pikë rëndësie. Mos flasim pastaj për gjithë ato parkime në mes të rrugës, mbi trotuar, mbi cungjet e pemëve, në oborret e shkollave etj. etj. Mos flasim për shufrat e hekurit, gurët e tullat, blloqet e betonit që kanë mbirë nëpër gjithë rrugicat e Tiranës në mbrojtje të parkimit privat. Të gjitha parkime të zaptuara apo të vjedhura nga komuniteti.»
PËR GJUHËTARËT E BREZIT TË VJETËR
«E drejtë është gjithashtu që shqetësimet që kemi për përdorimin e gjuhës sonë të bëhen objekte diskutimi në shtypin ose blogët tanë; pasi gjuha është çështje e të gjithë shqiptarëve dhe gabimi më i madh është kur ajo lihet në dorën e ekspertëve, dmth. gjuhëtarëve. Gjuhëtarët, sikurse e thekson edhe (Ardian) Vehbiu, mund të jenë vetëm konsulentë, por ata nuk munden të përcaktojnë zhvillimin e gjuhës. E bënë njëherë këtë gjë, më 1972-shin, por ato ishin kushte krejt të tjera, kushte diktature, që nuk kthehen më. Diktati i një udhëheqjeje i zbërthyer në rregulla drejtshkrimi, vendosi për gjuhën tonë letrare të ngritur mbi dialektin tosk. Është fakt historik që nuk mund të ndryshohet më: gjuha letrare shqipe u vulos nga një kongres gjuhëtarësh – ndërkohë që gjuhë të tjera letrare, sikurse italishtja ose gjermanishtja, janë përcaktuar nga vepra shkrimtarësh të jashtëzakonshëm – mirëpo kjo nuk do të thotë se edhe në të ardhmen ne do ta reformojmë ose nuk do ta reformojmë gjuhën tonë të shkruar përsëri me kongrese gjuhëtarësh, një gabim ky ku bie rëndom sidomos brezi më i vjetër i gjuhëtarëve shqiptarë.»
PËR VACLAV HAVELIN, GJON SINITSHËN DHE MARTIN CAMAJN
«Janë tre personazhe me veprat përkatëse, që ndryshuan shumë gjëra tek unë krah vërshimit të ngjarjeve që kthyen kokëposhtë Europën Lindore në vitet 1988-1990: Gjon Sinishta me ‘The Fulfilled Promise’ (Dokumentimi i persekutimit të klerit katolik në Shqipërinë komuniste, botuar më 1975 në Santa Clara të Kalifornisë), Martin Camaj me ‘Poezi 1953-1967’ dhe Vaclav Havel me ‘Përpjekja për të jetuar me të vërtetën’. Atëherë këto gjëra s’i mendonim shumë, sidomos si mund të bashkoheshin dy librat e parë me të tretin, sot di ta formuloj që, ndërsa dy të parët më kthjellonin për çka na kishin mbajtur fshehur në historinë dhe letërsinë e vendit tonë nën PPSH, i treti na hapte sytë për Gënjeshtrën e madhe të Sistemit: sa lehtë ishte të shpërbëhej shtëpia prej kartoni me ngjyra dhe gjaku e quajtur komunizëm: e ngjashme me karikaturën që qarkulloi nëpër Europë ndonjë vit më pas, ku paraqitej Marksi që vinte dorën në zemër dhe thoshte: ‘Më falni djema, nuk e pata menduar kështu.’»
PËR ÇIMENTON, SAVIANON DHE BERISHËN
«Se ‘Shqipëria ka uri për çimento’, – tha kryeministri ynë. Se ‘është mafia që ka uri për çimento në Shqipëri’, – tha Roberto Saviano. Më ngjan Shqipëria shpesh me një femër që e kanë nxjerrë ta shesin. E Bukura e Dheut është bërë e përdalë…».
PËR NJË MASHTRIM TË ANDROKLI KOSTALLARIT
«Për kryementorin e gjuhës letrare që u sanksionua më 1972, njërin prej hartuesve të rregullave të drejtshkrimit të saj, Androkli Kostallarin, ‘Aleksandër Xhuvani ishte i pari që iu kundërvu idesë së dy a tri gjuhëve letrare’. Teza e A. Xhuvanit në thelb ishte kjo ‘…toskënishten lypset me e marrë për themel, mbi të cilin të ndërtojmë gjuhën tonë letrare. Por, mbasi edhe gegënishtja… ka edhe ajo të mirat e saj, atje ku toskënishtja nuk e mbush dot qëllimin, le t’i vijë ndifmëtare gegënishtja’ (A. Kostallari, Vepra e Aleksandër Xhuvanit për gjuhën letrare kombëtare, te: Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit, Tiranë 1986, f. 74-75). Vihet re te ky citim që Kostallari normalizon ortografinë origjinale të shkrimit, thekson fjalën themel duke e shkruar me italike dhe lë jashtë në citim një pjesë mjaft interesante të fjalisë së Xhuvanit, pikërisht vendin ku ai thotë: ‘Por mbasi edhe gegënishtja nuk asht për të hedhë tejë (nënvizimi im A.Klosi), sepse ka dhe ajo të mirat e saj…’. Në këtë kumtesë që është mbajtur në mars të vitit 1980 Kostallari lë pa përmendur pikërisht atë që ndodhi realisht me vendimet politike-gjuhësore të 1972shit, hedhjen tej dhe ndalimin e gegënishtes.»
PËR IMPONIMIN E TOSKËRISHTES SI GJUHË LETRARE NGA KOMUNISTËT
«Situata ndryshoi kryekëput veçanërisht me goditjen ndaj Shkodrës dhe shuarjen e saj si qendër kulturore dhe botuese në vitit 1945-1948. Regjimi i ri ishte qartas për ndryshimin e gjuhës zyrtare të shtetit dhe vendosjen e toskërishtes si gjuhë letrare për të gjithë shqiptarët. Por kjo nuk mund të bëhej thjesht me aktin e dhunës ndaj Shkodrës, sepse ishin dhe një sërë autorësh të tjerë, jo-katolikë, madje edhe të lidhur me luftën partizane që vazhdonin të shkruanin në gegënishten letrare. Autoritet qendror ishte këtu padyshim Xhuvani, i cili veç të tjerash drejtonte Institutin e ri të Shkencave (1947-1953). Më 1952 qeveria shqiptare nxori një vendim që kërkonte vendosjen e toskërishtes në bazë të gjuhës së re letrare. U zhvillua edhe një konferencë atë vit, ku Xhuvani dhe Eqrem Çabej haptas folën kundër nxitimit në afrimin e dialekteve, nënkupto suprimimin e variantit letrar geg. Citon Martin Camaj te parathënia e ‘Albanian Grammar’ të tij. ‘Aleksandër Xhuvani jo vetëm kundërshtoi hapur mbisundimin e njërit dialekt mbi tjetrin, por sugjeroi që ndryshimi të bëhej në mënyrë evolutive në të paktën tre breza. Duke përdorur një argumentim shkencor dhe praktik, mjeshtri i vjetër kujtoi fjalët e Stalinit ‘marksizmi nuk i pranon shpërthimet e befasishme në zhvillimin e gjuhës’. Xhuvani shtoi se ‘nuk mund të hidhet tutje si gunë e vjetër dhe të futej në muzeum gjuha e një pjese të madhe të popullsisë’ (Wiesbaden 1984, f. XVI).»
PËR PATRIOTIZMIN E KOSOVARËVE
«Gjynah është edhe që një kulturë e përbashkët, me të njëjtat fillesa, edhe pse sot me disa degëzime të larguara, nuk përfaqësohet nga disa pak qendra a institucione prestigjioze: një Akademi serioze Shkencash, me institucione për studimin e tokës, detit, kulturës së shqiptarëve, një Teatër i madh Kombëtar, një Bibliotekë e vërtetë Kombëtare, një Qendër kombëtare Kinematografie etj. etj.. Sepse kultura është një, dy shtetet e ndara e armike në shekullin e kaluar nuk arritën ta përçajnë atë, falë patriotizmit të kosovarëve, të shtresës intelektuale të rritur në Jugosllavi, asnjëherë nuk u kërkua aty zhvillimi i një kulture të veçantë, sanksionimi i një shqipeje të veçantë (çka nuk do të ishte aspak e vështirë po të ndiqej tradita e gegënishtes). Kjo ka sjellë sot pozitive që të mos ketë barriera kulture sikurse ka barriera administrate, por ka sjellë edhe dukuri negative sikurse njëfarë inferioriteti pritës që tregon Prishtina ndaj Tiranës, ku bëhen më të mira edhe botimet, edhe Panairet e Librit, edhe mediat ose bienalet e artit etj.»
SËRISH PËR SHKATËRRIMIN E NATYRËS
«Miq, lexues, shqiptarë: Shkalla e Tujanit këto ditë po hidhet në erë! Po, krejt faqja e majtë kur ecën përkundër lumit, gjithë ato kthesa e trajta shkëmbore, që të ulen nganjëherë si strehë mbi krye e që janë formësuar nga tekat e natyrës, të erërave, lumit e rrebesheve nëpër miliona vjet, brenda pak ditësh do të shemben nën dinamitet dhe buldozerët e ‘Rrugës së Arbërit’. Firmat që po bëjnë ndërhyrjen nuk i njoh, pashë vetëm thasët e bardhë të dinamitit. Le t’i quajmë me një emër Barbari Shpk. Shkatërrimi në emër të ndërtimit, groposja e asaj bukurie së rrallë natyrore që quhet Shkalla e Tujanit, po bëhet edhe kjo në emër të ‘zhvillimit’, të ‘rrugëve patriotike’ që lidhin shqiptarët ‘kudo që janë’. Në të vërtetë po bëhet që të qarkullojë paraja sa më shpejt, që të shiten sa më shumë thasë me çimento, që disa xhepa zyrtarësh dhe personash të padukshëm të fryhen sa më shpejt.
Sepse sikur projektuesit dhe zbatuesit e së ashtuquajturës Rrugë e Arbërit – disa drejtues punimesh më thonë se ka buxhet vetëm për një copë të kësaj rruge, asaj që vete deri në Shupal – të kishin vërtet ndonjë motiv tjetër përveç motivit të lakmisë së thjeshtë njerëzore – sikur ata të kishin ndonjë motiv patriotik, sikur ata vërtet të dinin ndonjë gjë nga historia e Arbërit, atëherë do ta kishin lënë të qetë Shkallën e Tujanit. Veç vlerave natyrore, Kanionit të Brrarit dhe monopatit të Shën Palit një ditë do t’u shkruhet edhe vlera historike, për vizitorët që padyshim nuk do të mungojnë, të shumtë. Ama me kusht që barbarët të tërhiqen. Dhe Shkalla e Tujanit mund të lihej fare mirë e qetë sikur për ta ruajtur të ishte parashikuar një tunel. Një tunel jo më i gjatë se 500 metra për të ruajtur një mrekulli 500.000 a 5 milionë vjeçare.»
PËR VËLLAZËRINË MAFIOZE MES SHQIPTARËVE DHE ITALIANËVE
«Tejet interesante ajo pjesë e intervistës së Savianos ku përshkruan se si komportohen vëllezërit shqiptarë në gjirin e mafieve italiane. Ata nuk janë të huaj atje, ndryshe nga kombësitë e tjera, ata janë në plot kuptimin e fjalës vendas, vëllezër misioni. Mirëpo nuk marrim vesh se ç’bëjnë konkretisht tentakulat në Shqipëri, si komportohen mafiozët italianë këtu. Do na e thotë Saviano? Kështu ka premtuar. Le të presim atëherë, or shokë. Fusim këmbët në ujë, vazhdojmë muhabetet e kafeneve dhe presim. Sikurse presim ndërkombëtarët edhe në fushat e tjera, atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, atë të drejtësisë, atë të ruajtjes së Piramidës.»
(Shkëputur nga komentet e Ardian Klosit, të botuara te gazeta SHEKULLI dhe blogu ResPublica)