SHEFQET DIBRANI PO REZULTON TË JETË MË SHUMË SE SA SHPIFËS ORDINER! [Vazhdimi 2]

0
592
Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

Në vazhdim, ke dezinformuar: „Qyteti St. Gallen, ka qenë njëra nga qytezat, e cila në vitin 1984, ishte e përfshirë nga konfliktet brenda strukturave të LRSSHJ-së. Përçarja kishte arritur kulmin, akuzat e kundërakuzat po ashtu. Ai vit në këtë qytet ka pas përfunduar me një vrasje e motivuar nga mbetjet e Ibrahim Kelmendit dhe Xhafer Shatrit, e këtë gjë Ibrahim Kelmendi e di fort mirë, por si zakonisht me shkrryerjet e tij banale, me akuza e denoncime do të gjejë hapësirë, ai do të spërkas të gjithë për të mos u ndjerë kundërmimi që vinte nga veprimet e tij, të shëmtuara por asnjëherë të gjykuara.“

Si nuk të vjen keq nga bashkatdhetarët veteranë në atë qytet – bashkëveprimtarë të Viktimës Qemal Kastrati (i vrarë më 9 nëntor 1984)? Ata e dinë se në Sant Gallen nuk isha ndonjëherë dhe nuk kisha njohje personale me ndonjë bashkëveprimtarë që jetonin atje (pos, fatkeqësisht, vetëm me Hashi Berishën). Dhe prandaj nuk duhet të ofendosh si “mbetje” Viktimën, nuk duhet të barazosh të vrarin Qemal Kastrati me vrasësit që i komandonte Haxhi Berisha, e ndërsa Haxhiu “udhëhiqej” nga UDBashi i kamufluar Sabri Novosella! Pse nuk e saktëson atë tragjedi, kush ishin agresorët dhe kush viktimat?! Dhe jo vetëm që je i njëanshëm, por edhe e fekalizon fjalorin, kur vërtet për atë tragjedi jam informua konkretisht, edhe për prapaskenat, pastaj, me rastin e diskutimit të ashpër në mbledhjen e radhës të Kryesisë së atëhershme.

Akoma më dezinformues është vazhdimi lidhur me të ashtuquajturat “grupet e frustruara marksiste-leniniste”. Si nuk të vjen keq për veten Tënde, që po ofron prova se nuk paskëshe qenë viktimë e luftës speciale të shërbimeve armiqësore jugo-sllave, por argat i tyre aktiv! Dhe si fosile e konservuar e UDB-së, edhe tani shpif për neve: “luftonin për ta forcuar ndikimin rus në Evropë”. Për këtë nuk ke mundësi të ofrosh asnjë provë konkrete, shpifës ordiner!

Nuk mbaj mend çka ka dezinformuar konkretisht Xhafer Durmishi në ZiK-un e tij, por është e vërtet se ne ishim armiqësuar. Xhaferi gjatë vitit 1983 u përpjek të komplotonte klubet shqiptare që i kishim formuar në ndërkohë, duke kërkuar që në ambientet e tyre të vendoseshin fotografia e satrapit Tito dhe flamuri jugo-sllav, me arsyetim se nuk duhet të rrezikohen emigrantët nga përndjekjet e policisë kur të shkojnë për pushime në Kosovë. Dhe ato grindje patën kulmuar me plagosje me thikë të dy bashkëveprimtarëve në manifestim në Dyseldorf, me 7 prill 1984. Nuk e besoj që je aq injorant, sa të mendosh se ata kriminelë të shërbimeve jugo-sllave, të komanduar nga Sabri Novosella, duhet t’i toleronim pafundësisht! Ata e ndien urrejtjen dhe izolimin e bashkëveprimtarëve, prandaj u arratisen në Suedi, me mendim që prej andej do t’i kishin kushtet komode për të na luftuar më suksesshëm. Por, meqë ishte grup i vogël, ata munden ta ushtronin atë veprimtari vetëm deri në tetor 1984. Aty e tutje u shndërruan në shurrë pule!

Nuk kam asnjë informacion konkret të atëhershëm për Ty, por siç po shkruan tani, po ofron mundësinë të (keq)kuptohesh se ishe edhe Ti pjesë e tyre, meqë stilin e dezinformimeve i ke të ngjashme me ato të Sabri Novosellës. Edhe ai pis, – më fal për fjalorin, por nuk është korrekt diskredimi UDBash, meqë kishte UDBash të mirësjellshëm, profesionistë, që ushtronin vetëm veprimtari ligjore, – shpif ngjashëm me Ty, se gjoja ne kemi organizuar protesta në Berlin, kundër rrënimit të Murit të Berlinit! E kupton dot, SHKRIMTAR, sa destruktiv jeni, me këso shpifjesh, që vetëm fantazia juaj morbide është në gjendje t’i sajojë!

Në vazhdim Ti bënë sikur ofron informata të huazuara nga ZiK i Xhafer Durmishit, por me ngjan se je duke i kripur me dezinformatat e fantazoisë Tënde bastrade, edhe lidhur me burgosjet e Zija Shemsiut e Sami Kurteshit dhe bashkëveprimtarëve të tyre, sikur unë paskam pas dorë në ato ndodhi. Sami Kurteshi është gjallë dhe mund të dëshmon se unë fare nuk e kam ditur për atë aksion, por vetëm Xhafer Shatri, ndoshta edhe Hasan Mala. Për atë rast jam fjalos me Xhafer Shatrin, nga i cili kërkoja llogari, si kishte ndodhur ai dështim aq i dhimbshëm, me pasoja aq të mëdha.

As për program të asaj LRSSHJ-je të Sabri Novosellës nuk kam informim, por nuk po mund t’i besoj dezinformimit Tënd, se “ishte program ideologjik, fund e krye pansllavist”. Mirë do të bëje të citosh ndonjë pasues, që përmban këtë përcaktim, sepse Sabri Novosella i ka radhit “librat” për ta prezantuar veten si antikomunist e antisllavist, kurse Ti po e diskualifikon edhe për pansllavist!

Ti kulmon broçkullisjet Tua deri në absurd, ndoshta me mendim, se do të dal libri më pikant: “Ndoshta me pikëpamjet e atij angazhimi politik, tash nuk pajtohet edhe vet Ibrahim Kelmendi, por populli thotë ‘nëse është ngrënë pitja, tepsia ka mbetur’, prandaj Ibrahim Kelmendi, tash duhet të flas qartë nëse ai u përça me të gjithë për tokat e Kosovës, apo është përçarë për arsye të ideologjisë marksiste-leniniste, madje duke i vrarë, duke i eliminuar, duke i burgosur e forma të tjera që atëherë e gjerë më sot.”

Sigurisht që kemi pas debate edhe ideologjike, me bashkëveprimtarët, por asnjëherë nuk kemi eskaluar në grindje e armiqësi. Ndërsa Sabri Novosellën, Xhafër Shatrin, Xhafer Durmishin, nuk i kam vlerësuar ndonjëherë për bashkëveprimtarë, prandaj grindjet me ata i kisha të nivelit të grindjeve me armiq, sepse ata angazhoheshin që të na e komplotonin Lëvizjen. Me UDBashin Abdullah Prapashtica nuk kisha njohje e komunikim, që të grindeshim, meqë ai jetonte tepër i izoluar.
Ndërsa sa për shpifjet se kam vra e eliminuar, edhe pse je SHKRIMTAR, nuk të paska hije…

Edhe me Jusuf Gërvallën kam pas debate ideologjike. Fatkeqësisht Ai i kishte pas “raportuar” udhëheqësit të tij, Sabri Novosellës (më 31 korrik 1981). Po sjell ca fragmente këtu, që të kesh edhe një (ç)vlerësim për mua, nga vet Jusuf Gërvalla:

Titulli i asaj shkresurine (dyshoj të jetë e Jusufit):

“Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare
– Komitetit të Degës “Hasan Prishtina”
RAPORT
mbi disa çështje rreth punës së organizatave Grupi komunist “Zëri i Kosovës” dhe Fronti i Kuq Popullor.”

“(…) Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka propozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin. (…) Që të mos zgjatem me detaje, ja vrojtimet e mia në pika të shkurtra lidhur me veprimtarinë dhe personalitetin e I. Kelmendit. Kurdoherë ka anuar nga aksione të natyrës terroriste dhe në këtë drejtim i ka nxitur edhe shokët e vet. Unë ia kam tërhequr vërejtjen se kjo gjë është e dënueshme edhe nga pikëpamja e PPSH. (…) Pikërisht në kohën që jam njohur unë me të, ai ka pasur kontakte, madje edhe negociata me emigracionin reaksionar shqiptar për një veprimtari të përbashkët në mbledhje armësh dhe mjetesh materiale. Madje në atë kohë, Ibrahimi kërkonte një njeri “të ndershëm e trim”, që për një kundërshpërblim prej nja 50 mijë markash gjermane, do të kryente në Kosovë një aksion sipas porosisë së reaksionit shqiptar antikomunist.

(Lidhur me këto çështje kemi pasur një dialog të përbashkët dhe bukur të rreptë në praninë e tij unë dhe dy shokë nga Vjena, lidhur me këtë është dashur të jetë i informuar patjetër Profesori [pseudonim për Sigurimsin Bujar Hoxha, i kamufluar si diplomat në Turqi -sqarim konkretizues imi], në qoftë se është i informuar për çkado lidhur me I. Kelmendin.). Ka pasur vërejtje rreth Kushtetutës së RPSSH dhe rreth përgatitjes ‘luksoze’ të librave të shokut Enver në ‘dëm’ të botimeve letrare të RPSSH! Vërejtjen e parë na e ka thënë hapurazi mua dhe shokëve të Vjenës, të dytën vetëm mua. Arsyetohet se ka të drejtë të bëjë vërejtje gjithfare dhe këto dilema të tij nuk i paraqet te masat, por i diskuton vetëm me shokë. Unë s’mund ta di a është e saktë kjo. Ka dyshuar me këmbëngulje në drejtësinë e artikullit të “Zërit të Popullit”, ku shprehej gatishmëria e RPSSH për t’u ardhur në ndihmë popujve jugosllavë po të kërcënohen këta nga BRSS, dhe dyshimet e tij kanë qenë edhe të shokëve të tij.

Përkundër bindjeve të mia se është e panevojshme dhe e pamirë një gjë e tillë, jam detyruar të udhëtoj me qindra kilometra për ta ‘arsyetuar’ te shokët e tij artikullin e përmendur. Ai më ka propozuar pastaj me këmbëngulje që këtë gjë ta përsëris edhe me shkrim në artikullin e “Bashkimit” me titull “Zëri i Popullit – zë i të gjithë shqiptarëve” (këtë numër s’e keni pasur prandaj po jua dërgoj). Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. I biri i këtij Ramës ndodhet me punë në Mynhen dhe ka qenë aktivist i dalluar, madje edhe kryetar klubi në Mynhen. Ibrahimi kritikon hapurazi si agjent dajën, por ka kontakte të vazhdueshme me djalin e dajës dhe, për sa mund të vërehet, edhe simpati ndaj tij. (…) Ibrahimi bashkë me shokët, kanë vazhduar rrugën për në Çekosllovaki, në gjurmim të armëve (ndoshta profesori mund të ketë ndonjë informim nga ana e shokëve të Pragës lidhur me sjelljet e tyre në atë vend, sepse e di që shokët e Pragës kanë pasur kontakte dhe bile disa mosmarrëveshja me ta, sipas fjalëve të I. dhe H.). (…)

Shokët e Vjenës e mbajnë larg. Bile, kur njërit prej këtyre shokëve, i cili më qortoi pse rrija me I. K., i thash se është një njeri që imponohet me këmbëngulje dhe unë, si shqiptar, nuk mund ta përzë nga shtëpie ime, ky m’u përgjegj fjalë për fjalë kështu: “Ia paske frikën, prandaj s’e përzen si qenin!” (…) Përndryshe, një meritë të tij, mendoj nuk mund ta përbuzë askush: që nga viti 1977 e këtej, i vetëm, po me një vitalitet të pashoq, ka bërë shumë në shpërndarjen e literaturës revolucionare, si ka mundur e si ka ditur, dhe në njëfarë politizimi spontan të një pjese të mirë të punëtorëve tanë në botën e jashtme. Është njeri komunikativ dhe i popullarizuar te punëtorët. Udhëton shumë, vlon prej idesh, shpesh naive e të papërpunuara, ndonjëherë edhe të qëlluara.”
E firmosur me pseudonimin “Sokoli”.*)

Kur me rastisi ta lexoj këtë “raport” para 5-6 viteve, kam ndie keqardhje të thellë për Jusuf Gërvallën, se përse ka bërë këtë shërbim kaq dubioz ndaj Sabri Novosellës dhe disi po mundohem ta kuptoj nëse është tall nda tij. Por le të mbetet për të bërë vlerësime specialistet, nëse ai “raport” është shkruar nga Jusufi, dhe përse e ka shkruar ashtu. Prandaj, sa herë që krijuesit letrar merren edhe me veprimtari politike, më ngjan se do prodhojnë edhe lajthitje tëpër destruktive. Por, pa merak, nuk po të barazoj Ty me Jusufin, sepse ai veten e dinte për shkrimtar (me të vogla), kurse Ti po e madhëron për SHKRIMTAR dhe AUTOR…

[vijon]

________________
*) Është publikuar për herë të parë në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011 nga Faridin Tafallari; huazuar nga libri elektronik i Xh. Durmishit, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250.