I MJERI UNË – ËSHTË HIDHËRUAR SHEFQET DIBRANI! [1]

0
959
Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

Vërtet po ndie keqardhje për keqkuptimin aksidental mes nesh, meqë nuk di të kemi pas ndonjëherë ndonjë grindje e fërkim konkret. Rastësisht u bë shkas recensioni i Xhemal Ahmetit për librin Tënd. Unë të shfaqa ca kundërshti e kritika dhe Ti more zjarr. Me gjasë, mezi paske prit të kesh personazh për “libër” të radhës, meqë ndoshta po mendon se numri dhe jo vlera e librave të bënë të famshëm, respektivisht të bën SHKRIMTAR dhe AUTOR, siç po e madhëron Ti vetën Tënde.

Tashmë e ke nis fejtonin, të cilin naivisht e ke titulluar: “LUFTA E SHENJTË IDEOLOGJIKE E IBRAHIM KELMENDIT?!…” Uroj te të dalë libër i suksesshëm dhe pse po duket qysh tani se po sajoni pamflet. Po druaj, mos ndoshta edhe Ti po u ngjanë AUTORËVE Sabri Novosella e Faridin Tafallari. Besoj, i njeh edhe Ti, që ata janë gjysmë-analfabetë, por ama tashmë kanë shumë “libra”.

Kam pas dëgjuar një proverb: “Me k… të huaj nuk bahesh dhandër”. Në fakt, Sabriu e Faridini janë bërë AUTORË me kalema të huaj, meqë në ditët e sotme mjafton të kesh rreth 1000 euro që të paguash dike, i cili ta shkruan librin, qoftë duke “redaktuar” shkarravinat që i ofrohen, apo duke ia rrëfyer ato që do të përfshihen në libër. Pastaj paguan për 500 ekzemplarë rreth 1000 Euro, organizon edhe ceremoni prezantimi, dhe kështu bëhesh SHKRIMTAR dhe AUTOR.

Nuk të njoh dhe nuk dëshiroj të hidhërohesh ekstra, nëse të bien tamam këto që shkrova për Sabri Novosellën e Faridin Tafallarin. Fatkeqësisht, kur para ca ditëve patëm një debat të aty-për-atyshëm, të vrullshëm, u zhgënjeva nga niveli i tekstit që afishoje. Ai tekst, si i pa redaktuar që ishte, të prezantonte tepër nën nivelin e pretendimit Tënd. Ndërsa, unë, si i pa takt që jam, shpreha diskualifikimin e nxituar: shkrimtaruc! Pikërisht pse duhet të ketë qenë diskualifikim i saktë, Ti u hidhërove ekstra, pothuajse deri në tërbim. Nuk të mjaftoj as kërkim-falja nga ana ime. Si pasojë, ngjan që po mbarësohesh me redaktorin, për ta pjellë “librin” e radhës.

Edhe pse nuk u përgjigje në pyetjen, nëse do debat me mua apo do vetëm “dialog” me SHKRIMTARIN Shefqet Dibrani, për të treguar respekt, – meqë injorimi me mos reagim është shpërfillje, – po reagoj, por telegrafisht, sepse unë nuk kam pretendim te të (sh)përdor Ty për të bërë libër.

Në pjesën e parë të fejtonit ke bërë një si paraqitje të “grindjeve” që kemi pas në vitin 1984. Por, qysh në fillim me duhet te të diskualifikoj si tifoz, palë, dhe aspak si analist kritik, neutral. Pra, Ti qysh atëherë, rastësisht apo i komanduar, je bërë pjesë e “krahut” të Sabri Novosellës, edhe pse mundohesh ta kamuflosh. Atë përcaktim të atëhershëm e ke përvijuar deri në fund, duke u rreshtuar në vitin 1991 pas “udhëheqësit” Hafiz Gagica, gjegjësisht kryetarin e kryetarëve (të degëve të LDK-së në emigracion). Është sekret publik, se edhe Hafiz Gagica ishte gjysmë-analfabet si Sabriu e Faridini (edhe pse kishte diplomë të shkollës së mesme, për të cilën kishte paguar Babai i tij fatkeq).

Ke shkruar: “Pas disa ditësh (kur emigrove në Zvicër në vitin 1984, saktësim imi), më sollën edhe disa numra të revistës «Zëri i Kosovës», edhe atëherë ishin dy, dy qarje dy përçarje, shumë akuza për vrasje e likuidime, për shumë prita e pabesi, shumë denoncime në polici e UDB-e, gjë që situata edhe në Diasporë ishte e nder dhe pran shpërthimit, të cilën e kam përjetuar rëndë.”

Meqë ke ofruar faksimile, shihet se ato nuk ishin revista, por organe të Lëvizjes. Dhe njëri kishte vitin e 5-të të botimit, meqë Jusuf Gërvalla e ka pas botuar numrin e parë në nëntor 1981, kurse tjetri ishte numri i parë, në qershor 1984. Nuk më besohet që nuk e di kush qëndronte pas tyre. Ky organi që zuri të botohet në Suedi, – të cilin e kishe cituar disa herë, – ishte prodhim i “krahut” të Sabri Novosellës. Pos Sabriut si udhëheqës, Xhafer Durmishi ishte kryeredaktor, ndërsa në “redaksi” ishin edhe Milaim Zeka dhe Haxhi Berisha. Në fakt, të katër numrat, sa u botua gjithsej ai organ, pothuajse i tëri ishte nga mendja dhe duart e Xhafer Durmishit, meqë ai nuk kishte bashkëveprimtarë që dinin të shkruanin. Ndërsa tjetrin, që ishte vazhdimësi e “Zërit të Kosovës” të Jusuf Gërvallës, kryeredaktor ishte Xhafer Shatri. Ky ishte organi i Lëvizjes, ndërsa ai tjetri ishte i grupimit prej disa vetave, që dolën nga Lëvizja, pas krimit që na patën shkaktuar në manifestimin që kishim në Dyseldorf më 7 prill 1984. Por, meqë nuk kishin potencial njerëzor, ushtruan veprimtari vetëm deri në tetor 1984 dhe u shuan, respektivisht u bënë të padukshëm, si shurra e pulës, siç thuhet për raste të ngjashme.

Ato grindje dhe armiqësi të atëhershme i kam rrëfyer me korrektësi në romanin “Atentatet” (botuar në Prishtinë në vitin 2007) dhe nuk kam ndërmend t’i rrëfej edhe njëherë, me këtë rast. Për hir të tifozëve Tu, po ofroj vetëm informacionin, se qysh në tetor 1981, për shkak të komplotit të Sabri Novosellës, pat ndodh një keqkuptim në mes të Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës. U tejkalua me sqarimin që patëm gjatë dasmës se Kadri Zekës e Saime Jusufit (. Si rezultat i atij mirëkuptimi, Jusufi na thirri të shkonim më 16 janar 1981. Në agimin e hershëm të 17 Janarit 1981, në shtëpinë ku banonin Gërvallët, bëmë bashkimin e tre organizatave që vepronin atëherë në emigracion, në Lëvizjen për Republikën e Kosovës. Fatkeqësisht në mbrëmjen e asaj dite ndodhi vrasja e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, nga strukturat kriminale të Jugosllavisë së atëhershme.

Kur ne po merreshim me ceremoni mortore në Gjermani, në Turqi, në prapashpinë, po bënin takime UDBashët Sabri Novosella e Abdullah Prapashtica, të shoqëruar edhe nga argatët e tyre. Ata gjoja përfaqësonin organizatat e tyre, që tashmë jam bindur se ishin organizata fantazma, siç e kishte praktikë të simulonte UDB-ja. Për të komplotuar emigracionin e deriatëhershëm patriotik e politik dhe bashkimin që kishim bërë më 17 Janar 1982, ata themelojnë “Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” (më 17 shkurt 1982). Ndërsa më 9 maj 1982, asaj Lëvizjeje ju bashkëngjit edhe Xhafer Shatri, që simulonte përfaqësimin e OMLK-së, pa qenë as anëtar i saj.

Qysh në qershor 1982 fillojnë të grinden mes “krahut” të Sabri Novosellës (ishin 7-8 veta) me “krahun” e Abdullah Prapashticës (ishin 4 veta). Ishte grindje e sajuar, sipas modelit, merreshin vesh natën, si të grinden ditën. Synimi ishte që emigracioni ynë të mos merrej më me veprimtari patriotike, por me ato grindje. Dhe grindeshin mes tyre, Sabriu duke këmbëngul që kishin themeluar Lëvizje për Republikë Shqiptarë në Jugosllavi (LRSHJ), Abdullahu se kishin themeluar Lëvizje për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ), me pararojë PKMLSHJ (fantazma “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”). Ajo grindje nuk pati pasoja të mëdha, meqë Sabriut i besonim shumica, për faktin se Abdullahu kishte qenë oficer publik i UDB-së në Prishtinë, kurse për Sabriun ende nuk e dinim se ishte UDBash konspirativ (edhe pse e dyshoja).

Në fund të vitit 1983 Sabriu u shpërngul nga Turqia (ku ishte nga marsi 1980, meqë fillimisht ishte simuluar arratisja e tij nga Prishtina në Shqipëri, dhjetor 1979, dhe prej andej, në mars 1980, Sigurimi i Shqipërisë e transferon në Turqi) në Zvicër. Dhe duke qenë mysafir te Xhafer Shatri në Gjenevë, plas grindja mes tyre, jo vetëm verbale. Ajo grindje eskaloi edhe me ato pasojat që ke përmend Ti, por duke mos konkretizuar kush ishin sulmuesit dhe kush viktimat.

Unë qysh atëherë të tre ato kuadro i kam pas diskualifikuar si të dërguar nga shërbimet jugo-sllave, për ta kap emigracionin patriotik dhe nuk isha palë me asnjërin nga ata tre: Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica, Xhafer Shatri.
Pasojat e grindjeve të tyre ishin të mëdha, meqë na dezorientuan dukshëm, por ishin të imponuara, nuk ishin zgjedhje jona – emigracionit të deriatëhershëm.

[vijon]