ÇELET SEZONI TURISTIK NË VALBONËN E BUKURIVE NATYRORE

0
3600
Gjon Neçaj

Si çdo here, brilanti Gjon Neçaj na sjellë pasuritë natyrore te Valbones te krahinave te Bajram Currit.
Shkrimet e tij teper te pelqyeshme, flete qarte dhe paster me lexuesin, sjellin realitetin e vertetë, pa i bere lozhe dhe zbukurime.

Urime i nderuari Gj. Neçaj. Eshte kenaqesi te botosh shkrimet dhe repotazhet tuaja.

/Gjin Musa, gazetar.

Gjon Neçaj

Që në orët e para të mëngjesit të së premtes, Tropoja ishte në festë. Nepër rrugët e qytetit alpin dëgjoheshin këngët dhe krismat e daulleve në aktivitetin “Tropoja turistike” të organizuar nga bashkia Tropojë dhe mbështetur nga qarku Kukës, Agjensia e Zhvillimit Rajonal, Shoqatat “Progresi i Alpeve” dhe ajo gjermane GIZ.në orën 10.00 në Muzeun e qytetit “ Bajram Curri”, filloj ceremonia solemne me hapjen e zyrës së turizmit dhe ekspozitës fotografike të bukurive të bjeshkëve të Tropojës, për të vazhduar më tej me panaire dhe aktivitete festive në Valbonën turistike.

Rruga që degëzohet nga Bajram Curri drejt Valbonës, tashmë e asfaltuar dhe e ristrukturuar, gjarpëron nepër Margegaj, grykës së Dragobisë, kah Valbona, e cila kohët e fundit ka hyrë në guidat turistike, si një oaz lakmues për turistët mes bjeshkëve në Alpet e veriut. Këtej shtrihet edhe eposi i kreshnikëve dhe shumë histori shqiptare. Në hyrje të fshatit Klisyrë, mbeti njëri prej 7 Omerëve të Mujit, e Ajkuna mallkoj bjeshkët për varrin e pagjetur, duke mbetur të pagëzuara përjetësisht bjeshkët e Nemuna.

Në njëren prej Shtatë Grykave shtrihet Dragobia, mes maleve, në rrjedhën e sipërme të lumit Valbona. Fshati Dragobi shfaqet me mbi 20 kulla karakteristike prej guri deri 200 vjeçare, me ujëvarën që rrjedh pingul nga shpati i malit. Shtëpitë karakteristike prej guri, me çati të pjerrëta, e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës.

Në programin përcjellës bashkia Tropojë kishte parashikuar një seri aktivitetesh për vendasit dhe të ftuarit e shumtë të ardhur në Valbonën e mrekullive. Në mjediset e lokalit “Tradita” u mblodhën mysafirët duke hijeshuar edhe më shumë bukuritë e saj mahnitëse. Mernin pjesë shumë media të ftuara nga bashkia për të pasqyruar aktivitetin në kuadrin e propagandimit dhe promovimit të vlerave turistike të zones.

Merrnin pjesë deputetë të parlamentit shqiptar, mes të cilëve deputetja e Tropojës, e kudondodhura Mimoza Hajdarmataj, kryetari i qarkut Kukës, Abedin Oruçi, etj.

Në fjalën mirëseardhëse të kryetarit të bashkisë Tropojë, Besnik Dushaj, u theksua rëndësia që duhet t’i jepet turizmit,kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë. Më poshtë kryetari i bashkisë tha: “Siç e shihni edhe vetë, sot jeni në një nga trevat malore, e pasur me bukuri të rralla, e përzgjedhur kohët e fundit si më e bukura në planet. Por une dua t’u them se Tropoja është turistike, është e bukur, në çdo cep të saj, nga Brisa në Padesh, nga Curraj Epër në Bytyç e Berishë, nga Valbona në Fierzë.
Dhe unë gjej rastin sot t`ju ftoj qe të vizitoni edhe ato vende që nuk keni patur mundesine t`i shihni më parë.

Në dy anët e kësaj lugine përtej maleve ndodhen edhe lugina të tjera, secila më e bukur se tjetra, ku ndërthuren lumenjtë e kulluar, me bjeshkët e majat, me liqenet alpin, me plantacionet e boronicave dhe shpellat e rralla.
Janë Currajt e Epër e gjithë Nikaj Mërturi, Parku Natyror Rajonal, e në anën tjetër, përtej këtyre maleve, në mes bjeshkëve të Krasniqes e Gashit, shtrihet Lumi i Gashit, Park Kombëtar i kategorisë së parë.

Por e gjithë pjesa alpine rrethohet nga qendrat e banuara, kullat e bardha, qendrat arkeologjike, kalatë e Lek Dukagjinit dhe plantacioni mahnitës prej mbi 3000 hektarë me gështenja, më i madhi në Ballkan.
Përtej kënaqësive që na krijojnë këto vende, ky gjelbërim dhe njerëzit optimist, unë dua të theksoj faktin se turizmi në kuptimin e gjerë të fjalës është në hapat e parë. Dhe mendoj se do te duhet shumë punë që njerëzit të kuptojnë se turizmi është pothuajse aseti kryesor, që do të sjellë zhvillim në Tropojë.”

Më posh tai theksoi se ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të identifikuar potencialin turistik të zonës. Dhe një ndihmesë të madhe në këtë drejtim na kanë dhënë Shoqatat e Turizmit të Alpeve, Këshilli i Qarkut Kukës dhe veçanërisht Fondacioni Gjerman GIZ, të cilat i falenderoj në emër të Bashkisë së Tropojës dhe kërkoj që të vazhdojnë mbështetjen në njohjen, shfrytëzimin dhe leverdinë ekonomike që ka kjo zonë nga turizmi.

Pastaj e mori fjalën kryetari i Qarkut Kukës, Abedin Oruçi, ku nënvizoi se ky eveniment tregon në radhë të parë edhe vemendjen e organizmave shtetërorë dhe qeverisjes vendore për të zhvilluar më tej turizmin malor, siç është edhe zona e Valbonës. Qarku i Kukësit ka resurse të pazëvendësueshme natyrore, ndaj ne duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum.

Evenimente të veçanta në çeljen e sezonit turistik në Valbonë, ishin organizimi i aktiviteteve kulturore, si këngët, vallet me kostumet popullore, lojërat popullore të krahinës, dasma origjinale e interpretuar nga artistët vendas me bashkëpunim me artistët e Bashkisë Has, panairi i veshjeve dhe ushqimeve tradicionale, etj. Pra e veçanta e këtyre aktiviteteve ishte promovimi i vlerave etnografike dhe artizanale të krahinës, si punimi me vek, puna e dorës, veshjet tradicionale.