LETËR E HAPUR PËR SHOKUN SEVO TARIFA. NR. 1.

0
1288

AV. XHABIR ZEJNUNI

I dashur Shoku Sevo.

Nga hidhërimi që ju Solli këto ditë Juve deklarata e Shokut Edi Rama, i cili gjatë ceremonisë së varrimit të eshtrave të Mit’hat Frashërit në Tiranë, deklaroi se “veteranët e Luftës duhet të ulin kokën”, Ju për pak u “divorcuat” nga PS-ja, duke dorëzuar teserën që mbani. Por, për fat të mirë bashkëluftëtarët Tuaj të Luftës, ju këshilluan që të tërhiqeni nga ky gjest ekstrem në momentin e fundit. Do ju them diçka tani Juve. Nuk është se kam aq simpati për Shokun Edi Rama, por më duhet të them se ai ka pasur shumë të drejtë me deklaratën e tij.

Madje i lejoj vetes sime që t’ju sugjeroj Juve dhe veteranëve të tjerë të Luftës, se duhet që të shkoni e të bëni homazhe tek varri i Mit’hat Frashërit, jo vetëm duke u për(k)ulur, por t’i çoni edhe lule të freskëta (dhe jo falco) atij. Ju lutem shumë ngutuni sa më parë, pasi koha nuk pret. Ndërsa bijtë e Juaj, do kenë kohë më vonë. Mbase Ju po çuditeni nga sugjerimi im, aq më shumë pasi ne nuk njihemi bashkë. Por, po shpjegohem më mirë në vijim.

Nga viti 1944 deri në vitin 1990, falë propagandës që bëri PPSH-ja, të gjithë e dinim se kush ishte Mit’hat Frashëri, i cili përshkruhej si tradhëtar dhe bashkëpunëtor i nazi-fashizmit.

Në vitin 1990, u krijua një lloj pështjellimi në Shqipëri falë ndryshimeve demokratike që po bëheshin në Europë. Ose ashtu dukej. Si rregull, kur bie një sistem politik dhe qeverisës, sjell që ai sistem të zëvendësohet me një sistem politik tjetër më të përparuar, të cilin mund (apo duhet) ta mundësojnë vetëm ata persona, të cilët kanë luftuar apo propaganduar që të jetë i tillë ky sistem politik. Meqë edhe në Shqipëri ra komunizmi, si rregull duhej që në pushtet të vinte një klasë e re politike me persona dhe me mendësi të tjera dhe të reja. Por, kjo gjë do bënte që klasa sunduese 50 vjeçare të ikte nga pushteti bashkë me njerëzit dhe mendësitë përkatëse. Në fakt, ra komunizmi si ide qeverisëse, por nuk “ranë” përçuesit e kësaj ideje(…)!

Por, situatën e mori në dorë shumë shpejt Shoku Ramiz Alia, i cili krijoi partitë politke, ku në krye të tyre vendosi komunistët apo bijtë e komunistëve, të cilët për çudi(!) shumica kishin dalë dhe studjuar edhe në perëndimin e egër kapitalist. I kujtojmë të gjithë vitet 90, kur dolën (apo hynë!) në skenën politike shokët Sali Berisha, Fatos Nano, Gramoz Pashko, Edi Rama, etj. Të gjithë komunistë apo bij komunistësh të zjarrtë. Mbështetje shumë e vlefshme, u bënë edhe ish bashkëunëtorët e Sigurimit të Shtetit me punën e tyre të “lavdërueshme” dhe të “admirueshme”!

Kjo përpjekje “titanike”, solli që në pushtet të vinin vetëm komunistët (apo ish!) si shokët Fatos Nano, Sali Bersisha, etj. Edhe sot kemi në pushtet Shokun Edi Rama (djali i Shokut Kristaq Rama, ish anëtar i KQ të PPPSH-së) si kryeministër, Shokun dhe komunistin (dhe ish Ministër i Brendshëm dikur!) me përvojë Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit Popullor, Shokun Ditmir Bushati (djali i Shokut Sulejman Bushati, ish anëtar i KQ të PPSH-së) në krye të Ministrisë së Jashtme, etj.

Komunistët bënë punë shumë bindëse kokë më kokë në fillimet e viteve 90 sidomos me të persekutuarit politikë si pretendentët kryesorë për pushtet, ku shumicës i dhanë nga një vizë amerikane dhe një biletë me opcion vetëm shkuarje për në Amerikë! Helbete, ata për ëndërrën amerikane sakrifikuan rininë dhe jetën e tyre. Dhe këtë ëndërr jua realizuan atyre po ata që i persekutuan. Fantastike. Ndonjë të persekutuar tjetër, që nuk arritën ta çonin në Amerikë, e “bindën” që të rrinte urtë. Kurse ndonjë të persekutuari tjetër, i dhanë pak(sa) pushtet, por të kontrolluar gjithmonë prej atyre!

Pse duhet të shqetësoheni Ju tani kur në pushtet janë akoma komunistët apo bijtë e tyre? Ishin po këta komunistë që dje kishin pushtetin (dhe pushkën !) në dorë. Kurse sot, ata falë pushtetit kanë edhe paratë në duar. Ku ka më bukur se kështu?! A nuk ishte edhe biri i Juaj Shoku Fatos Tarifa, që bëri edhe ambasadorin e Shqipërisë në SHBA (ose në gojën e ujkut!)? Kurse sot, ai mbulon katedrën e sociologjisë në Universitetin e Tiranës.

Po me Mit’hat Frashërin çfarë patët Ju? Ishte ai Mit’hat Frashëri, i cili në ato vite luftoi për një shtet të ardhshëm demokratik dhe kapitalist me ekonomi të lirë tregu, me sistem partiak pluralist, për lëvizje të lirë personash dhe mallrash, etj. Dhe pas 50 vitesh, u realizua pikërisht ajo ëndërr për të cilën luftoi dhe ëndërroi Mit’hat Frashëri. Por, me një ndryshim paksa të vogël. Në pushtet, ndejtën përsëri komunistët, të cilët pas vitit 1990 u transformuan në kapitalista.

Kështu, Ju po gëzoni pushtetin e sotëm, ashtu si edhe të djeshmin! A ka më bukur se kështu?! Ju mund të thoni se Mit’hat Frashëri bashkëpunoi më nazi-fashistët dhe si i tillë u damkos nga PPSH-ja. Në pamje të parë, duket ashtu. Por, jo nëse i hyhet më në thellësi këtij bashkëpunimi. Në një letër tjetër, do përpiqem që t’ju shpjegoj modestisht psenë e arsyetimit tim(…). Ju siguroj se për arsye kohe nuk do vonohem shumë!

Tani kam një lutje për Ju Shoku Sevo. Meqë thoni se keni luftuar me dyfek të lidhur me gjalme (që në moshën 14 vjeçare dhe me pantallona të shkurtëra!) dhe keni kaluar një jetë të tërë pranë Shokut Enver Hoxha, do ju lutesha shumë që të shkruani kujtimet e Juaja. Pasi do keni se çfarë të shkruani Ju. Por, ju lutem që të shpejtoheni ama, pasi edhe koha bën punën e saj. Ju premtoj diçka Juve. Edhe pse jam në një moshë, e cila nuk mund të konsiderohet rinore, ju premtoj se do jua fal me shumë dëshirë NJË VIT nga jeta ime, nëse Ju më premtoni se do shkruani kujtimet e Juaja.

Po jua bëj një “dhuratë” të tillë, që mbase bijve Tuaj nuk do ju binte në mend që ta bënin.

Përshendetje revolucionare.