S’KA Ç’KA I BAN MAGARIT E I SJELL SAMARIT

0
684
Gani I. Mehmeti
Gani I. Mehmeti

Gani Mehmeti

Mogerini, pas ngritje së taksës të produkteve serbe dhe të B e H nga Kosova

Kështu është një shprehje e popullit shqiptar të shumëvuajtur dhe me padrejtësitë e shumta të shkaktuara nga vetë Evropa, qysh nga viti 1878, kur tokat shqiptare ia dhuroi Serbisë e pastaj edhe më vonë, më 1912 e 1913.

Që atëherë e deri sot, krejt këto janë bërë për të kënaqur apetitet ruso-serbe , në mungesë të kundërvënies së Evropës ndaj Rusisë dhe Serbisë.

Kjo lojë po bëhet edhe sot.
Populli i Kosovës shpëtoi edhe një herë në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s, me nduihmën e SHBA dhe të aleatëve tjerë dhe të vetë Evropës, kësaj here. Me ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre u shpall edhe pavarësia e Kosovës, sipas Ahtisarit.

Mbas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Kosovë “drejtësinë” e mori Evropa përmes EULEX-it. Me tërheqjen e SHBA-ve nga bisedimet, disa shtete të Evropës nisën të tregojnë sërish atë fytyrën e vjetër të tyre karshi Kosovës. Për këtë, ata shpikën tani mbajtjen e bisedimeve “teknike” me qëllim që të pajtojnë Serbinë, se Kosova ende nuk është shtet, për çka, edhe shpikën atë FUSNOTËN për ta pezulluar pavarësinë e Kosovës si shtet! Me këto kushte, Serbia hyri në bisedime me Kosovën.

Kosova e shkretë nuk kishte për çka të paraqiste kushte, dhe po i shkonte Serbisë prapa: gjithçka që po kërkonte ajo, Kosova i pranonte.

U morën edhe shumë vendime gjatë bisedimeve “teknike” me Serbinë. Kishte ndonjërën edhe në favor të Kosovës, por që Serbia kurrë nuk i zbatoi, dhe kurrë, askush nuk reagoi. U ankua disa herë Ekipi negociator i Kosovës, por ndërmjetësusesit nga BE heshtnin! Nuk e detyruan Serbinë të zbatonte vendimet e nënshkruara. Kështu kemi lëvizjen e lirë nëpër Serbi, por shqiptarët duhet të paguajnë targa Serbisë, njohjen e diplomave, dorëzimin e plaçkitur të kadastrit, etj. por nuk u zbatua asnjëherë.

Kurrë nuk u qortua e as u kërkua nga BE prej Serbisë të zbatonte atë që e kishte nënshkruar. Evropa heshti vazhdimisht ndaj Serbisë. Ndërkaq, kur Kosova vuri në zbatim taksën prej 10% të mallrave të prodhuara në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Mogerini reagoi…! Një reagim më të fortë e pati sot, kur ajo ardhëron që të shfuqizohet vendimi për ngritjen e taksës 100% për këto produkte.

Kësaj i thonë: Kur s’ke çka i bën magarit,i sjell samarit! Sepse Serbisë nuk po kanë çka i bëjnë, ndërsa Kosovës po.

Përse nuk reaguan e nuk po reagojnë ndaj Serbisë kur ajo lobon kundër inkuadrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare? Mos qenka e lejueshme edhe për Mogerinin ky veprim i Serbisë, apo, mos edhe qenka duke e mësuar se si të veprojë Serbia kundër Kosovës! Përse nuk i ngrehen veshët edhe Serbisë, por vetëm Kosovës?

Ky veprim i Mogerinit, si përfaqësuese e Bashkimit Evropian, është sjellje me dy kute, ndryshe ndaj Kosovës dhe ndryshe ndaj Serbisë.

Nëse heshtet për veprimet e ndërhyrjes së Serbisë kundër Kosovës, le të heshtet edhe kur Kosova ndërmerr masat e reciprocitetit me Serbinë. Kosova nuk ka pri në këtë drejtim. Serbia po, madje edhe krenohet e feston kur “korrë suksese” kundër Kosovës, siç ishte rasti i djeshëm me mospranimin e Kosovës në INTERPOL!

Edhe kësaj i thuakan drejtësi!!!