ISA MUSTAFA ËSHTË STRUMBULLARI I SË KEQES BRENDA LDK-së

0
1437
Shefqet Dibrani

InfoPress / 03 Qershor 2016

Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi Kryetari i Degës së LDK-së për Zvicër, Shefqet Dibrani në një intervistë dhënë për Infopress flet për problemet që ka kjo parti. Ai thotë se Isa Mustafa është shkatërrues i LDK-së.

Intervistoi: BESIR ZYBERI

Infopress: Pse keni probleme me LDK-në, edhe pse jeni kryetar i saj në Zvicër?

Shefqet Dibrani: Parimisht unë nuk kam problem me LDK-në, por kam qëndrime diametralisht të kundërta me mënyrën e udhëheqjes që po e bënë një klan, i cili tashmë e ka kapur këtë parti të cilën e kanë sjellë në buzë gremine. Të qenit kryetar i një Dege në Zvicër do të thotë tradicionalisht je i lidhur fort me Kosovën, e do vendin tuaj dhe bënë çmos që ai vend të ndryshojë në aspektin pozitiv. Këtë nuk e do Isa Mustafa dhe klani që e ka kapur LDK-në, Prandaj mendoj se ky do të ishte përkufizimi më i mirë për mijëra veprimtar të LDK-së në Zvicër të cilët për një çerek shekulli kanë bërë shumë për Kosovën, por në asnjë mënyrë përjashtimi dhe linçimi i veprimtarëve shumëvjeçar nuk duhej të ishte platformë politike e Isa Mustafës.

Infopress: Sipas jush a është Isa Mustafa pengesë kryesore në zhvillimin dhe demokratizimin e LDK-së?

Shefqet Dibrani: Pikërisht Isa Mustafa është strumbullari i së keqes brenda LDK-së. Ai është penguesi dhe frenuesi i të gjitha proceseve. Si duket ai paska ardhur me mision të caktuar për ta shkatërruar LDK-në, e përmes saj për ta shkatërruar tërë Kosovën. Ndoshta tingëllon ashpër, por le të shikojmë në retrospektivë punët që i ka bërë Isa Mustafa në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku kryeqytetit të Kosovës ia ka ngatërruar strukturën urbanistike duke mbjell kaosin, nepotizmin dhe krimin ekonomik të cilin si tagër më vite të tëra do ta paguajnë jo vetëm qytetarët e Prishtinës por të gjitha ata që ia mësyjnë kryeqytetit. Edhe në planin e brendshëm LDK-ja është katastrofë, por nuk e di pse nuk shqetësohet Kryetari i Partisë e as klani përreth tij?!

Infopress: Ngjarjet e fundit kanë treguar se LDK mbase nuk është e gatshme të njohë një frymë ndryshe. Marrë parasysh sjellën ndaj Donika Gërvallës dhe jush?

Shefqet Dibrani: Ka vite që LDK-ja kryesisht po merret me çështje që nuk kanë fare të bëjnë me demokracinë. Tashmë në LDK nuk lejohet dhe as dëgjohet fjala ndryshe. Shantazhimi, shpifja dhe intriga e kanë zëvendësuar gjuhën elokuente dhe vlerën që i ka pasur dikur LDK-ja. Por rasti i Kryetares së Degës së LDK-së në Gjermani, zonjës Donikë Gërvalla është i pa presedan duke qitur në pah një të vërtetë të hidhur, pasi siç shihet në LDK është instaluar dhuna kundër gruas, e aq më keq kur kjo dhunë disi është ngritur edhe në parim politik. Por humbja e dinjitetit qytetar që e kanë udhëheqësit e partisë, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm si dhe delegatët e partisë të cilët jo që nuk u distancuan nga dhuna, por ditën e kuvendit as që lejuan të procedohet kërkesa e prof. dr. Vjosa Osmanit, për të dënuar LDK-ja aktin e dhunës që bënë mbi gratë, prandaj praktikisht LDK-ja është për formën e dhunës që u bë mbi Donikë Gëvallën – kryetare e një Dege të LDK-së. Hë për hë as nuk e ka ndërmend Isa Mustafa të krijoj një frymë dhe mendim tjetër. Ai po dëshmohet se është diktator i cili ka sjell në LDK një diktaturë të sofistikuar në kohë moderne. E dhembshme por shumë e vërtetë.

Infopress: A jeni ende kryetar i LDK-së në Zvicër apo jo, sepse Isa Mustafa ka thënë se nuk ju njeh për kryetar?

Shefqet Dibrani: Natyrisht se jam, sepse mua më ka zgjedhur një Kuvend i Rregullt Zgjedhor, i cili absolutisht ka qenë në përputhje me standardet partiake dhe në përputhshmëri edhe me Rregulloren për Zgjedhje. Dikur edhe Serbia nuk e ka njohur Kosovën, por ne jemi dëshmitar se Kosova u shkëput nga Serbia. Unë nuk do të shkëputem nga LDK-ja, por do të bëjë përpjekje maksimale për ta dërguar në shtëpi Isa Mustafën, qoftë edhe në pension të përhershëm: në këto rrethana është krejt normale që një kryetar teknefes të bëjë gafe duke mos i njohur dy përfaqësues të cilët kanë dal në zgjedhje. Unë do të jem kryetar i Degës së LDK-së për aq sa Kryesia e Degës, Kryesia e Zgjeruar ose Kuvendi i Degës së LDK-së në Zvicër të ma mohoj këtë të drejtë, përkatësisht unë jam i gatshëm t’iu nënshtrohem të gjitha formave të rivlerësimit demokratik.

Infopress: Kush sipas jush duhet ta udhëheq LDK-në për ta kthyer në binar?

Shefqet Dibrani: Momentalisht LDK-ja është duke vuajtur për një lider opozitar dhe është duke u stërkequr nga servilizmi i tepruar. Por gjendja nuk është krejt e pashpresë dhe as pa rrugëdalje. Në LDK ka zëra opozitar të fuqishëm në mesin e të cilëve po i përmendi disa: prof. dr. Vjosa Osmani, prof. dr. Rexhep Gjergji, Donikë Gërvalla dhe ndonjë tjetër. LDK-së i duhet gjetur çelësi magjik për t’i zgjidhur problemet. Prandaj pse të mos provohet njëri nga këta tre kandidat.

Infopress: Si do ta vlerësoni punën që ka bërë Qeveria Mustafa?

Shefqet Dibrani: Isa Mustafa kurrë në jetën e tij nuk ka bërë punë të mira, ai ka bërë shantazhe dhe përmes tyre është shitur si i mençur, madje deri në përftimin e gradës akademik të cilën e ka në saje të politikës por jo të dijeve që posedon, prandaj po mendojmë se e vërteta qëndron krejt ndryshe sepse Isa Mustafa deri sa nuk ka udhëhequr mirë atë e presin sfida, nga të cilat ai do të shkon i turpëruar.

/Gazeta InfoPress