Vjen njeriu i çuditshëm

0
921
Dritëro Agolli, firmë

Dritëro Agolli

Nuk mund t’i themi të gjtha gjërat e fshehura kurrë,
Macja lot me një zog që ka mbytur,
Qeni kap me thonjtëe tij një kockë në gurë,
Andej zyzarë e djaj me enggjëjt përfytur,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha gjërat e fshehura kurrë.

Nëse mund t’i themi të gjitha,
Na mbajnë mëri e na shajnë,
Vjen nata me ankth e mbushet shtrati me hithra,
Me hithra nervash që kruhen e hanë,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha.

Për shembull, unë mbaj rezervat e mia;
Ç’më duhet t’i them ato, që s’i thonë as të tjerët?
Nuk dua të ketë aq trazira shtëpia,
Nuk dua të ngrihem me sy të mbufatur mëngjeseve herët,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha nga pika te vija.

Nuk mund t’i them të gjitha gjërat që thuhen,
Se brinjët e gjoksit ndërgjegjen e mbajnë të burgosur,
Dhe dhëmbët s’e lënë të dalë dhëmbëve gjuhën,
Se dhëmbët janë hekura burgu mjaft të përsosur,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha që duhen.

Do vijë dikush e do t’i thotë të gjitha,
Ai s’do ketë as turp, as brinjë në gjoksin e fryrë,
As ka për t’u trembur nga shtrati i ndërgjegjes plot hithra,
S’do ketë as zmalt në dhëmbë, as cipë, as fytyrë,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha.

Maj, 1995

Njeriu i thjeshtë

Mos thuaj kurrë, o mik, se je i thjeshtë,
Përnsdryshe fyen veten dhe njerinë,
Njeriu nuk është i thjeshtë e lëmë i sheshtë,
Njeriu në ndërlikim ka bukurinë.

Njeriu në shekuj rrena ka dëgjuar,
“Të jesh i thjeshtë, i matur si të parët”!
Dhe ndofta pakëz vonë e ka mësuar:
Të thjeshtë e duan vetëm sundimtarët!

1996

Fushë – Kosovë

Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova,
Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parit,
Me shpatën e vargut, si pjepra do prisja gjokse e koka,
Dhe flamurin lart do ta ngrija në malet e Sharrit!

Ti qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati,
Unë do bëja me vargjet kërdinë e hatanë:
Në Fushë-Kosovë s’do vritej vetëm sulltan Murati,
Do vriteshin katërmbëdhjetë sulltanë,

Ti qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati!…

Mars, 1996