Mit’hat Frashëri, Revista Drini, 16 nëntor 2018
Patrioti dhe intelektuali shqiptar, Mit’hat Frashëri, kishte shkruar një studim për Esat Pashë Toptanin, karakteri i të cilit është tejet i çuditshëm, herë agresiv, herë i zhdërvjellët, herë finok, herë brutal, herë mashtrues e herë bastisës
Ky material, bashkë me shumë dorëshkrime të tjera, ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në fondin me numër 35, i emërtuar “Mid’hat Frashëri”, në dosjen me numër 20. Hulumtimi i këtij materiali është kryer nga studiuesi Uran Butka.
Esati, i biri i Ali be Toptanit, lindi në Tiranë rreth vitit 1860. Vëllai i tij, Gani beu, ishte katër vjet më i madh. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Vëllai i tij i madh ishte jo më pak i tillë dhe babai i tyre ishte viktima e parë e karakterit të tyre të keq. Një ditë ata e mbuluan me një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Në fakt Ali beu nuk ishte në rregull mendërisht.
Kur u rrit, Gani beu sillej në Tiranë si një cub i vërtetë, duke ngjallur terror ndërmjet miqve dhe armiqve të tij. Në një çast të caktuar, ai u detyrua të arratisej në Greqi për t’i shpëtuar ndjekjes së Qeverisë osmane: ky ishte fillimi i karrierës së tij, mbasi Abdyl Hamiti, i alarmuar nga kjo arratisje, së cilës i kushtonte një rëndësi politike, e tërhoqi atë në Konstantinopojë dhe e futi në batalionin e truprojës së tij.
Në Konstantinopojë, Gani beu u tregua shumë pak skrupuloz dhe bënte një jetë të shthurur; një rivalitet lindi ndërmjet tij dhe Xhavit Beut, djali të vezirit të madh të asaj periudhe, Halil Pufat Pashës, dhe Gani beu gjeti vdekjen një mbrëmje në Pera, nga dora e një personi të quajtur Hafiz Pasha, mik i Xhavit Beut, i përmendur më lart. Kjo vrasje mbeti e padënuar, gjë që bën të mendohet se Abdyl Hamit Beu ishte lodhur nga i përkëdheluri i tij.
Esati ishte rritur në Tiranë dhe e kish zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, gjë që i jepte mundësi të çlirohej nga rivalët (familja Jella) dhe ta shtonte pasurinë me mjete kurdoherë të paligjshme.
Pasi gjeti mjetin për t’u vënë me dëshirë në shërbim të Hafiz Pashës, guvernator i Durrësit (i cili nuk duhet ngatërruar me homonimin e tij, vrasësin e Ganiut), ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte ta tepronte në veprime pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshallit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Dervish Pasha ishte në atë kohë i plotfuqishëm në Stamboll. Ganiu ishte favoriti i Sulltanit dhe Esati mund t’i lejonte vetes, pa u ndëshkuar, gjithçka, megjithëse ky post ishte sa fitimprurës aq edhe i rrezikshëm.
Ai përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi mori prej secilit 25 lira turke. Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rryshfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Është e pamundur të bëhet një listë për të këqijat, vjedhjet dhe grabitjet e tij. Për këtë, ndër të tjera mund të përmendim: ai arriti të grabiste manastirin (Teqe) e Peshtanit (rrethi i Përmetit); i grabiti 900 lira turke Baba Ahmetit, kryedervishi i Teqesë së Kostanit; 640 lira baba Abedinit, dervishit të Teqesë së Frashërit; 1200 lira vëllezërve Xhelal dhe Mehmet bej Këlcyra, 200 lira Abaz bej Vasiarit.
Pas vrasjes së vëllait të tij Ganiut, Esati, duke menduar se rrezikohej, dërgoi në Konstantinopojë shërbëtorin e tij të quajtur Haxhi Mustafa, lindur në Krujë, i cili vrau Xhavit Beun, në mes të Urës së Gallatës. Vrasësi u arrestua, u gjykua dhe u burgos, por u trajtua me shumë butësi: ai, në burg, ishte një shef i vogël e pak kohë më vonë u lirua dhe u caktua rojë në Ministrinë e Drejtësisë. Nga kjo merret me mend se Hamit Beu ishte i kënaqur nga suprimimi i Xhavitit.
Esati, edhe pse i njohur nga të gjithë si autori i vërtetë i vrasjes, nuk u keqtrajtua aspak. Por, pak nga pak, marrëdhëniet e tij me Qeverinë e përgjithshme të Janinës, Tatar Asman Pasha, u tendosën dhe për shkak të një skandali që ndodhi ndërmjet të dyve. Esati u transferua në Shkodër, gjithnjë me detyrën e shefit të Xhandarmërisë. Ky ishte një rast për tiranin që t’u diktohej bashkëpatriotëve të tij, mbasi ai banonte në Tiranë, në vend që të banonte në qytetin e Shkodrës, në kryeqendër. Gjithashtu, forca që kishte, i dhanë atij mundësi të bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë të tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës, sepse duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit. Kjo ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.
Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esatin në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit. Pra, ai nuk mund të kishte marrëdhënie të mira me personat e regjimit të ri dhe duhej në mënyrë fatale të shinangej. Por, heroit tonë nuk i mungonte aspak shkathtësia: ai shkoi shpejt në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit Bashkimi dhe Progresi. Thuhej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qëndrimet e përulura dhe premtimet e rrema i dhanë atij mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të Gjirokastrës për Parlamentin osman. Esati, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Abdul Hamitit, këtë herë duhej të mbështetej te armiqtë e Sulltanit.
Pra, ai e kishte vendin në Dhomën osmane, duke mos marrë asnjëherë pjesë në të, duke mos dashur të luajë asnjë rol si deputet shqiptar dhe që shqetësohej tepër pak për mbrojtjen e interesave të kombit të tij, ai mbajti më tepër një qëndrim servil me padronët e kohës, deri në atë pikë sa u caktua nga këta të fundit si anëtar i delegacionit që do t’i njoftonte Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij.
Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit kishin pushtetin; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve.
Pikërisht në këtë çast, nacionalistët e rinj shqiptarë hynë në lidhje me të në Konstantinopojë: ai premtoi ndihmën e tij për lëvizjen antiturke që zhvillohej në Shqipëri (fillim i vitit 1912). Megjithatë. mbasi ia njihnin karakterin dinak dhe oportunist, nacionalistët u treguan të kujdesshëm dhe nuk u bazuan plotësisht në fjalën e tij. Kur shqiptarët, të cilët dolën fitimtarë në Shkup, arritën ta detyronin Dhomën të shpërbëhej dhe përgatitën formimin e Qeverisë liberale të Myftar Pashës. Esati u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër dhe me këtë detyrë ai mori pjesë në luftën kundër serbo-malazezve, që rrethuan qytetin e Shkodrës (1912-1913).
Komandant i forcave të Shkodrës ishte koloneli Hasan Riza Bej (më parë quhej Hasan Riza Pasha). I konsideruar inteligjent e i paanshëm, dhe duke e kuptuar se shqiptarët (të mërzitur nga regjimi turk) do t’i ndihmonin malazezët, ai hartoi projektin për të ngritur flamurin shqiptar në Kështjellën e Shkodrës, me qëllim që të gruponte shqiptarët dhe t’i bënte ata të marshonin kundër agresorit sllav ose të paktën për të siguruar asnjanësinë e tyre. Në fakt, pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorë (28 Nëntor 1912) dhe ishte fjala të bindeshin malësorët (malësorë të rrethinave të Shkodrës) se çështja e këtij qyteti ishte çështje e tyre. Në çastin kur Hasan Rizai do ta zbatonte këtë projekt dhe se ishte gati të merrej vesh me malësorët, ai u vra në mbrëmje përpara shtëpisë së Esat Toptanit, tek i cili ai sapo kishte qenë për darkë. Vrasësi ishte Osman Bali, shërbëtor dhe njeri besnik i Esatit.
Për të shpjeguar këtë krim, duhet ditur se Hasan Riza ishte një kundërshtar i komitetit “Bashkim e përparim” dhe se ai donte të vinte kandidaturën e tij në Bagdad si deputet liberal. Nga ana tjetër, shefi i Shtatmadhorisë së tij, nënkoloneli Kiameran ishte, së bashku me disa oficerë të tjerë, një fanatik unionist. Esati donte të shpëtonte nga Hasan Rizai, për ta zëvendësuar vetë atë dhe Kiemerani ishte i kënaqur të hiqte qafe një armik të partisë së tij. Esati dhe Kiamerani u morën vesh deri në fund, domethënë deri në kapitullimin e qytetit, gjë që ndodhi në vitin 1913.
Thuhej se Shkodrës i mungonin ushqimet por, nga ana tjetër, të rrethuarit ishin paralajmëruar se serbët që mbanin të rrethuar qytetin, në bashkëpunim me malazeztë, sapo ishin larguar: pra ata ndodheshin përballë forcash të reduktuara dhe, për më tepër, mbretit Nikita i ishte dorëzuar ultimatumi i Fuqive të Mëdha për ta hequr ai vetë rrethimin. Esati, pra, kishte shumë mundësi ta zgjaste rezistencën edhe për disa ditë, por ai parapëlqeu të kapitullojë duke u mjaftuar të shpëtojë nderin e tij ushtarak. Por, qysh nga ajo periudhë ka pasur zëra se gëzimi i Esatit kishte shkaqe të tjera nga ato të “Ndereve” ushtarake dhe se një shumë prej 600 mijë frangash iu dha nga malazezët. Gjithashtu mbreti Nikita e princi Danillo e ndihmuan në ambiciet e tij personale; po ditën e kapitullimit të qytetit, malazeztë përhapën zëra se Esati e kish shpallur veten mbret i Shqipërisë.
Megjithatë, Esat bej Toptani u mjaftua, në fillim, të tërhiqet në Tiranë, me ushtarë dhe topa që i solli nga Shkodra. Ai kënaqej me përfitimet dhe intrigat që thurte, duke përkëdhelur pasionet e ulëta, fanatizmin fetar të klasës reaksionare dhe duke mos u sprapsur përpara asnjë premtimi, përballë asnjë mjeti terrorizimi.
Por, pak nga pak, u përvijua qëndrimi i tij: ishte e qartë se ai ishte nxitur nga sllavët dhe grekët, duke u premtuar të parëve Shkodrën dhe të dytëve Shqipërinë e jugut. Ai nuk gjente në vend shumë përkrahës, por përdorte forcën që i siguronin shqiptarët e Dibrës dhe të Ohrit, rajone që ishin aneksuar së fundi nga serbët dhe të cilëve u premtonte çlirimin e vendit të tyre, premtim mashtrues që merrte një ngjyrë të vërtetë nga diskutimet e serbëve ë cilat linin të shpresohej për evakuimin e Dibrës dhe Ohrit në rastin kur Shqipëria do të njihte Esat Pashën. Për më tepër, duhet nënvizuar se mbasi afro 50 fshatra ndërmjet Dibrës dhe Ohrit u shkatërruan nga serbët – tetor 1913 – Esati gjeti një pretekst më shumë për arratisjet e tij në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Duke e ndjerë veten të fortë nga kjo mbështetje, Esati e shpalli veten të pavarur nga Qeveria provizore e Vlorës. Rusia pa dyshim mbështeste Esatin dhe Italia nuk vonoi ta tërhiqte atë në sferën e saj me shpresën për t’ia kundërvënë Austrisë dhe për të kundërshtuar ndikimin e kësaj rivaleje…
Në fillim të muajit mars 1914, princi Vid mbërriti në Durrës. Një delegacion kishte shkuar në Nenvid për t’i ofruar kurorën e Shqipërisë, delegacion në krye të të cilit ndodhet Esati. Ky gjest i tiranit të vogël nuk mashtroi njeri, mbasi askush nuk kishte asnjë iluzion për të. Dihej se ai vazhdonte të mbante interesin të gjallë me rifillime gjyqesh, me fanatikë hajdutë dhe keqbërës dhe ishte e qartë se ai do të përfitonte nga rasti i parë për t’u deklaruar edhe një herë.
Ai u deklarua herën e parë, kur shpërtheu çështja e Perandorisë. Dihet se, mbasi Greqia nuk donte t’u bindej vendimeve të Konferencës së Londrës dhe të evakuonte Shqipërinë e jugut (Korça dhe Gjirokastra), ajo përdori një komedi kriminale, të quajtur Epiri autonom, i cili i kushtoi Shqipërisë 300 fshatra të djegur e të bërë shkrumb e hi nga grekët.
Jugu kërkonte përforcime me armë e trupa dhe Esati ua refuzoi ato me cinizëm. Synimi i ndjekur ishte evident. Bëhej fjalë për të mbrojtur grekët, për të dobësuar Shqipërinë, për ta reduktuar atë (sidomos krahinat jugore, të cilat e kishin njohur atë si shef xhandarmërie dhe ishin shumë kundërshtarë me të) dhe për të arritur t’i imponohej Shqipërisë së vogël qendrore. Por, pak kohë më pas, tradhtia e Esatit mori një karakter edhe më të rëndë kur u njoh bashkëfajësia e tij në trazirat që ndodhën në rrethinat e Durrësit. Atëherë ai u arrestua dhe do të gjykohej e do të dënohej po të mos ishte ndërhyrja e Italisë, që e mori në mbrojtje duke ua shkëputur nga duart autoriteteve. Baroni Aliotti, ministër fuqiplotë i Italisë, urdhëroi që ai të merrej me një anije italiane. Para se të largohej nga Shqipëria, Esati u angazhua, duke u betuar me shkrim, që të mos shkelte më në Shqipëri. Por, pas largimit të princ Vidit nga Shqipëria, ky betim u harrua nga Esati: ai shkoi nga Roma në Greqi e në Serbi dhe, me një forcë të rekrutuar në territorin serb, u paraqit në Durrës.
Veprimi i tij i parë ishte të shkonte në pallatin e princit, të ndërpriste lidhjet e vendosura nga komisioni ndërkombëtar dhe të bënte kërdinë me objektet e çmuara që ndodheshin atje, objekte të cilat në pjesën më të madhe ndodhen edhe sot në Gjenevë, në shtëpinë që Esati kishte marrë atje me qira. Esati qëndronte me shumë vështirësi në Durrës ku u rrethua nga popullsia, që do ta detyronte të largohej nga qyteti dhe Shqipëria, po të mos ishin serbët që shkuan në ndihmë të tij, të cilët e zhbllokuan, i dhanë trupat dhe annët e nevojshme për t’iu imponuar shqiptarëve. Tirani përfitoi nga kjo fuqi për t’u hakmarrë me armiqtë e tij – tridhjetë veta u ekzekutuan dhe shumë u vranë: ndërmjet tyre përmendim Koxhatin, prefekt i Durrësit, i cili ishte ftuar nga Esati në shtëpinë e tij. Pastaj mori urdhër të shkonte në Dibër por, sipas udhëzimeve të dhëna nga tirani, u ndalua jashtë qytetit të Durrësit, u dërgua në pronat e Esatit dhe atje e vranë duke i rënë me hunj, pasi e kishin futur në një thes!
Nuk duam të diskutojmë këtu për çështjen e ndihmës që Esat Pasha u kishte dhënë serbëve gjatë tërheqjes së tyre dhe nëse kjo ndihmë është vepër ekskluzive që i interesonte tiranit ose më tepër një aksion pa interes i vetë shqiptarëve. Esati në kujtimet e tij, të cilat gazeta “Koha” i botoi dy ditë pas vdekjes së tij, kërkon ta ketë vetë gjithë meritën dhe për këtë ai nuk ngurroi aspak të blasfemojë kombin e tij. Ky ishte karakteri i vërtetë i Esatit, për të cilin asgjë nuk ekzistonte dhe nuk duhet të ekzistonte jashtë personit të tij.
Është fakt se fati i Esatit ishte lidhur me atë të serbëve, aleatë dhe bamirës të tij, dhe si i tillë, ai u detyrua të largohet nga Shqipëria e të kërkojë strehim në Selanik ku vazhdoi ta mbante veten si shef ose kryetar i Qeverisë Shqiptare, titull që e kishte marrë gjatë diktaturës të shkurtër dhe të përkohshme që ai ushtronte në Durrës. Në Selanik, Esati u trajtua mirë nga grekët dhe francezët, por sidomos u mbrojt nga serbët, që i dhanë një pension mujor prej 200 mijë frangash për shpenzimet e të ashtuquajturës qeveri të tij, mbasi ai kishte rreth tij disa njerëz që merrnin tituj ministrash si dhe “taborin” i tij të famshëm. Nuk ka asnjë arsye të flitet keq për shqiptarët që përbënin taborin e tij dhe që, në fund të fundit, ishin njerëz të guximshëm, të sinqertë dhe të ndershëm, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shefin e tyre, i cili mendonte vetëm për veten e tij, ndërsa ushtarët e tij mendonin më shumë për atdheun e tyre.
Esat Pash’ Toptani duke ua dërëzuar kryeqytetin e kulturës Shqiptarëve, Shkodrën, ushtarakëve të Crna Gora’s (Malit të Zi) të atëhershëm.
Këta njerëz nuk vepronin aspak nga vlerësimi dhe konsiderata që kishin për Toptanin. Në të kundërtën, prania e Esatit në Selanik me të drejtë mund të konsiderohet si një incident fatkeq dhe nuk u krijonte aspak besim shqiptarëve. Dëshmitarë janë shqiptarët e Korçës, të cilët kanë bashkëpunuar me besnikëri me trupat franceze, por që kanë kërkuar me këmbëngulje që Esati të mos shkelte më në Shqipëri. Kështu edhe banorët e Gjirokastrës kanë luftuar krahas trupave italiane për t’i shërbyer në këtë mënyrë çështjes së Aleatëve dhe asaj të pavarësisë së atdheut të tyre.
Gjatë qëndrimit të tij në Selanik, qëndrim shumë skandaloz, shtëpia e tij, sikurse thuhej – ishte një vatër e vërtetë çrregulli, një shtëpi loje dhe korrupsioni. Të rinj të Selanikut, me qëllim që t’i shpëtonin sherbimit ushtarak, merrnin nga pashai certifikata të kombësisë shqiptare dhe ushqime… etj., që intendenca ia dorëzonte pashait për trupat e taborit të tij, të cilët i dërgonin te të preferuarit dhe të preferuarat, ose te shitësit me pakicë. Për më tepër, ndodhi një skandal, ai i pagimit të taborit, i cili nga pashai kërkohej në flori, por që ushtarëve iu dorëzua në kartëmonedha.
Në fillim të vitit 1919, Esati erdhi në Paris; ai nuk kishte asnjë funksion zyrtar, mbasi ndërkohë një qeveri ishte formuar në Shqipëri dhe një delegacion ishte dërguar në Paris, gjë që nuk e pengonte pashanë tonë t’i jepte vetes tituj si kryetar i qeverisë shqiptare dhe kryetar i delegacionit.
Jeta e tij në Paris mund të njihej lehtë: e dashura e tij i kushtonte më se dy milionë franga me qejfe, automobil etj., pa llogaritur shpërdorimet e ujit nëpër qytete. Po, përse e përdor ai këtë kohë dhe titullin e kryetarit të qeverisë shqiptare e të delegacionit shqiptar, që ia cakton vetes? A e ngriti ai ndonjëherë zërin kur vendi i tij kërcënohej të përçahej?
Jo. Ai argëtohet, intrigon kundër vendit të tij, duke menduar vetëm për veten. Fillimisht në muajin maj katër shqiptarë: Inizot Koleci, peshkop katolik, Bajram Veizi, Fuat bej Toptani dhe Ymer bej Shijaku shkuan në Paris për të biseduar me Esatin dhe u përpoqën të depërtonin edhe një herë në mendimet e tij.
Dy shqiptarët e fundit, nga katër që ishin, qëndruan në hotelin “Kontinental” ku qëndronte vetë Esati dhe që të katërt patën shumë takime me këtë të fundit. i cili vazhdimisht u deklaronte se: 1. Serbia i jepte një pension mujor për shkak të simpatisë së kjo qeveri kishte për të, por se këto shuma nuk ishin aspak një borxh i Shqipërisë: 2. Nuk kishte asnjë konventë ndërmjet vetë Esatit dhe Malit të Zi; 3. Në të kundërtën, ai u kishte premtuar serbëve një korrigjim të kufirit në favor të tyre dhe të bashkimit doganor e ushtarak. Esati u bë kaq naiv sa e dorëzoi vetë tekstin e marrëveshjes së tij me Jugosllavinë, ashtu sikurse është paraqitur nga një memorandum i kësaj mbretërie në Konferencën e Paqes; 4. Hasan Rizai në fakt ishte vrarë nga Osman Bali, por ai pretendonte se kjo nuk ishte bërë aspak me urdhër të tij. Nga ana tjetër, kur ai nuk dinte ku ishte dhe xhindosej, betohej të hakmerrej me të gjithë armiqtë e tij politikë, nëse do të arrinte ndonjëherë të shkelte në Shqipëri.
Por, ai e dinte mirë se nuk mund të shkonte në Shqipëri, sepse do të ndalohej, do të gjykohej dhe do të varej. Italia u akuzua pa të drejtë se e kish bërë të pamundur kthimin e tij në Shqipëri. Gjë që njihet pak është fakti se Esati kishte pasur gjatë katër muajve të fundit takime të fshehta me agjentët italianë Kostoldi, Gali dhe Lodi, dhe se ai ishte gati të ndërronte kamp, ta linte Serbinë për Italinë dhe në këtë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, aq më tepër mbasi urrejtja për qeverinë shqiptare të Tiranës, urrejtje që italianët dhe Esati e kishin në të njëjtën masë, e bënin bashkëpunimin e tyre krejt të natyrshëm.
P.S. Disa hollësi për karakterin e tij: Esati dhe Ganiu ishin martuar me dy motra të familjes Toptani, kushërira të tyre: Esati u martua përsëri me një turke, pasi kishte harxhuar pasurinë e gruas së tij të parë dhe duke mos u shqetësuar aspak për të dy vajzat e tij. Një ditë, ai takoi përpara shtëpisë së tij në Tiranë një vajzë të sjellshme të cilën e pyeti se e kujt ishte. “Jam vajza tënde”, iu përgjigj fëmija i pafajshëm. Me dokumente false, ai siguroi pronësinë mbi pasuritë e kushëririt të tij, Selim Pasha.
Në Janinë, ai syrgjynoste njerëz të rëndësishëm për t’i detyruar të paguanin haraç. Kështu u internuan Mustafa Pasha, Omer Efendi dhe shumë të tjerë. Pasi urdhëroi vrasjen e Hasan Riza Beut në Shkodër, ai i dërgoi fjalë Alush Lohias se ishte gati t’i paguante nga xhepi 300 lira turke kujtdo që do ta denonconte vrasësin. Për vrasjen tragjike të Nexhat Efendiut, ai nxori një qarkore ku thuhej se Nexhati ishte arratisur me një shumë të madhe që ai e kërkonte dhe i premtoi një shpërblim atij që do ta zbulonte.
Gjatë qëndrimit të tij në Selanik, qëndrim shumë skandaloz, shtëpia e tij, sikurse thuhej, ishte një vatër e vërtetë çrregulli, një shtëpi loje dhe korrupsioni. Të rinj të Selanikut, me qëllim që t’i shpëtonin shërbimit ushtarak, merrnin nga pashai certifikata të kombësisë shqiptare dhe ushqime… etj., që intendenca ia dorëzonte pashait për trupat e taborit të tij, të cilët i dërgonin te të preferuarit dhe të preferuarat, ose te shitësit me pakicë
Jeta e tij në Paris mund të njihej lehtë: e dashura e tij i kushtonte më se dy milionë franga me qejfe, automobil etj., pa llogaritur shpërdorimet e ujit nëpër qytete. /Shqiptarja/
—–
Fontenej dhe z. Krajevski, që Republika kishte caktuar pranë Esatit, duhet të dinë diçka lidhur me këtë temë. Kanë dashur ta trajtojnë Esatin si aleat besnik të Francës, nuk kihej parasysh se heroi ynë nuk e ka pranuar kurrë bindjen. Ai ishte një egoist, qe zotëronte në një shkallë të lartë “egoizmin e mallkuar”. Para së gjithash, sidomos kur bëhet fjalë për personin e tij, ajo që injorohet është fakti se, kur përfundimi i betejës së madhe i u duk i dyshimtë, ai u përpoq të afrohej me perandoritë qendrore dhe filloi të hynte në lidhje me legatën osmane në Bernë. Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme për një njeri të kallëpit të tij, për faktin se pasi tradhtoi Abdyl Hamitin, xhonturqit dhe shqiptarët, ai tradhtoi më në fund italianët dhe bëhet armiku i tyre për të kaluar në kampin e serbëve. Por shansi filloi të lodhet. Ishte fillimisht Anglia, që duke iu përgjigjur një thirrjeje të Dhomës së Komunave deklaroi se nuk njihte asnjë funksion zyrtar të Esatit (1918); pastaj, rreth fundit të vitit, Franca ndërpreu çdo lidhje me të dhe u thirr Krajevski.