ATDHETARIZMI-LAJTMOTIV I POEZISË SË AUTORIT DENIS TOÇILLA

0
791

(Vështrim për vëllimin poetik “Nëpër kohë”, Tiranë, 2018)

Shkruan Zymer MEHANI

Autori Denis Toçilla këtyre ditëve erdhi para lexuesve me vëllimin poetik “Nëpër kohë”. Ky autor ia ka dalur që ta ndërtojë fizionominë dhe profilin e tij mjaft mirë të përcaktuar, sidomos në mënyrën e të shkruarit, tematikës dhe motiveve. E në këtë vëllim lajtmotiv i poezive të tij është patriotizmi.

Në këtë kohë të aktualitetit tonë, poezia e këtij autori ka mundur që ta ruaj një krenari dinjitoze në rrafshin kombëtar, duke i ravijëzuar me penën e tij të mprehtë figurat emlematike të kombit shqiptar, siç janë: kryeheroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ali pashë Tepelena, Ali pashë Gucia, Çerçiz Topulli, Gëzim Zilja, Çun Mula, Ali Demi, Çung Dedushaj, Mic Sokoli, Sulejman Delvina, Avni Rrustemi, Bajram Curri, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Ismail Qemali, Isa Boletini, Abaz Kupi, Azem e Shotë Galica, Rrapo Hekali, Vasil Laçi, Sali Jaha, Jakup Ferri, Sak Faslia, Xhevat Kortsha, Simon Rrota, Oso Kuka, Mark Lula, Aziz Kelmendi, Adem dhe Hamëz Jashari, Zahir Pajaziti etj. etj.

Poezitë e vëllimit poetik “Nëpër kohë” të autorit Denis Toçilla, në qiellin tonë letraro-poetik kanë sjellë diçka të veten, karakteristike dhe autentike, e kjo është tematika dhe motivika atdhetare. Si e tillë poezia e këtij krijuesi të ri letrar është lindur dhe po zhvillohet, duke jetuar brenda botës shpirtrore dhe qenies ekzistenciale që përcaktohet në hapësirë dhe në kohë. Vërehet fare qartë se poeti Denis Toçilla lajtmotiv të poezive të veta e ka atdhetarizmin, me të cilin është i mishëruar organikisht, të cilin e përjeton dhe e shtjellon pikërisht nëpërmjet ngjyrave të vargut të vet.

Po ashtu, duket sheshazi se ky autor i ri disponon një zjarr të brendshëm, i cili e nxit dhe e bën të domosdoshëm procesin dhe aktin e krijimtarisë së tij poetike. Gjithsesi se poeti është i mishëruar me ambientin e vet në të gjitha drejtimet e vetëdijes asociative. Pikërisht këtu qëndron bindja jonë që përpos afinitetit dhe shpirtit atdhetar, ky autor arrin të shquhet, sidomos me poezitë e motovit atdhetar, që janë dominante në këtë vëllim poetik. Faqet e lavdishme të historisë sonë kombëtare, figurat e shquara kombëtare dhe ngjarjet e ndryshme dhe të rëndësishme të popullit tonë, veçse kanë lënë gjurmë dhe janë bërë gurrë frymëzimi për krijimet poetike të Denis Toçillës.

Intonimi i atdhetarizmit dhe krenarisë kombëtare në këto poezi përkon me qëndresën tonë kombëtare gjatë shekujsh për liri, ndërsa fryma optimiste e vargjeve përkon me vizionin e autorit Toçilla dhe horizontin e hapur drejt së nesërmes shqiptare. Kështu sa më madhështore që duket e kaluara jonë e lavdishme përmes vargjeve të autorit Denis Toçilla, aq më jetëgjatë do të jetë edhe e ardhmja jonë kombëtare, dhe po aq më stabilë do të jenë identiteti dhe individualiteti ynë kombëtar, kuptohet, edhe në krijimtarinë artistike. Kjo është tek e fundit edhe dëshira e autorit, që ia ka dalë ta trajtojë me imagjinatën e tij.

Sa i përket vargut, duhet të theksojmë se autori Toçilla është ndër poetët tanë të rinj, që e përpunon me maturi vargun duke e shtjelluar me saktësi dhe me siguri pa e penguar rrjedhën e natyrshme të tij. Poezitë e këtij poeti dëshmojnë për punën vetmohuese dhe tejet serioze, me ndërgjegje e këmbëngultësi për ndërtim sa më të mirë të vargut, të cilin nuk e merr si diç formale, por e vë në funksion të vetë brendisë.

Vargjet e poetit Denis Toçilla janë të pasura me përplot figura letrare, që janë shumë origjinale, të natyrshme, të sakta dhe të qarta, të përceptueshme dhe të kuptueshme nga të gjithë.

Një kujdes krejt të veçantë autori Toçilla ia ka kushtuar përdorimit të fjalorit dhe gjuhës poetike, duke u shquar me kuptimësi shprehëse dhe të saktë, që vëllim it gjithsesi ia shton edhe më shumë vlerën. Nuk vërehen krahinorizma e as barbarizma në vargjet e poetit, ngase ka arritë që atë që i ndjen t’i thotë me fjalë të përshtatshme të gjuhës sonë letrare.

Dihet fare mirë se poeti Denis Toçilla ka ende rrugë për të bërë, por me përpjekje dhe punë të pareshtur, do të dijë të ecën krejt i sigurtë nëpër shtigjet e artit poetik, sa të gjata, po aq të vështira, por tejet të dobishme dhe fisnike.