28 Janar 2016
Arbana Xharra publikoi një studim rreth prezencës së grave shqiptare në ISIS. Të dokumentuar deri në asht. U përndezën: motra hoxhallarësh, akademike me ferexhe dhe aktivistë pseudomarksistë jo për të dëshmuar të kundërtën – nuk munden – por për të denigruar, devalvuar faktet. Pse? Janë me ISIS, por nuk kanë guxim ta thonë hapur? Historia e një kategorie nxitësish ordinerë!
A është Islami ISIS? A janë myslimanët shqiptarë shumica për sheriatin; a mendojnë ata se vërtet një sistem terrorist, kriminel siç është instaluar atje ku vepron i ashtuquajturi „Shtet islamik“ e që udhëhiqet nga një hierarki kanibalësh, së cilës nuk ia gjen paralelet as në etapat më të errëta të historisë njerëzore? Përkundër dëshirës së islamofobëve dhe anti-islamikëve të rreptë që të ishte kështu, jo ISIS nuk është Islami as për nga reprezentimi numerik e as ideologjikisht edhe po ta çkontekstualizonim dhe dekonceptualizonim qëllimisht gjithçka që gjendet në Kuran. Pjesa absolute e librit që myslimanët e konsiderojnë të shenjtë nuk përbëhet vetëm nga urdhra për të mbytur njerëz. Jo, shumica e myslimanëve as nuk duan t’i asociosh me të bëmat e atyre terroristëve në vendet arabe.
Dakord kjo, po pse megjithatë është krijuar një përshtypje sikur ky version terrorist i interpretimit të Islam-it të gëzojë mbështetje brenda diskursit shqip. Është formësuar bindja sikur pa fije guximi njerëzor, por edhe pa heshtur grupe e njerëz të caktuar vazhdimisht transportojnë sinjale të simpatizojnë me ISIS-in respektivisht njerëzit që i bashkohen këtij grupi e që janë të origjinës e sojit të tyre.