SHTETET E BASHKURA TË AMERIKËS DHE SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS 1919-1920

0
875

Nikë Gashaj

Menjëherë pas hyrjes së SHBA-së në luftë, në prill të vitit 1917, diplomacia amerikane ka filluar përgatitjet për marrëveshjen e paqes së pasluftës. Ideja për formimin e një trupi punues, i cili do të bënte një studim në detaje për të gjitha çështjet dhe eventualisht do të shqyrtohej, i lihej presidentit Wilson dhe këshilltarit të tij të afërm, Edvard Hauz, ndonëse gjurmat e para shpien drejt ministrisë së Punëve të Jashtme të Amerikës, Steit Departmentit dhe shefit të tij, Robert Lising. Sidoqoftë, amerikanët kanë dëshiruar që ky trup punues të formohet sa më parë dhe, mundësisht, të mbetet në fshehtësi. Sipas propozimeve të para, kjo zyrë, siç është quajtur në fillim, është dashur të jetë e përbërë prej pesë ekspertëve, të cilët do të punonin nën mbikëqyrjen e shefit të Steit Departamentit. Zyrja, ndërkaq, gjatë një viti u transformua në një komision hulumtues i cili në tetor të vitit 1918, ka numëruar 126 bashkëpuntorë të profileve të ndryshme.

Ky komision i ka mbaruar hulumtimet apo studimet që kanë përfshirë, pothuaj tërë botën dhe i ka përgatitur rreth 2000 raporte dhe 1000 harta të ndryshme. Presidenti Wilson është mbështetur në këto raporte, kur i ka propozuar zgjidhjet territoriale të përmbajtura në 14 pika, dhe me rastin e përpilimit të propozimeve për marrëveshje paqësore. Komisioni ka ekzistuar si trup i veçantë deri në dhjetor të vitit 1918, atëherë është kyçur në punën e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes. Njëzet e tre anëtarë të këtij komisioni, në Konferencën e Paqes në Paris, i janë bashkuar presidentit Wilson.

Meqenëse Shqipëria ka qenë më së paku e njohur nga të gjitha vendet e Evropës, anëtarët e Komisionit kanë qenë të detyruar që për një kohë shumë të shkurtër të përgatisin sintezën e tërë asaj që është shkruar dhe thënë mbi shqipërinë, çka ka pasur për pasojë ndërtimin dhe nxjerrjen e konkluzave të shkallëve të ndryshme të objektivitetit, apo dallimet evidente të qëndrimeve midis anëtarëve të Komisionit, posaçërisht kur ishte fjala për zgjidhjen e përgjithshme dhe në tërësi të çëshjes shqiptare në kuadrin ballkanik dhe në suaza të sferave të interesit dhe me influencë të disa fuqive europiane.

Qëndrimet dhe pikëpamjet e ndryshme midis anëtarëve të Komisionit në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare janë rezultat i dy qasjeve, dy rrymave, polarizimin e të cilave e ka thelluar dhe lufta. Njëra anë e ka mbrojtur pozicionin e legalitetit, ndërsa tjetra i ka përkrahur të ashtuquajturat të drejta natyrore. Për shembull, në raportin e parë të një autori, emri i të cilit nuk është shënua, ndër të tjerat thuhet se ndarja e Shqipërisë konsiderohet e “dëshërueshme”. Prandaj sipas tij territori i Shqipërisë duhet të jetë i ndarë, ashtu që pjesa veriore me Shkodrën t’i takojë Malit të Zi, pjesa e mesme, duke përfshirë Durrësin, Serbisë dhe pjesa jugore me Vlorën, Greqisë. Autori, në përfundimin e raportit, zotohet fuqishëm për predominimin e faktorëve ekonomikë në relacion me cilësitë nacionale të popujve ballkanikë, sepse i konsideron si zgjidhje adekuate dhe të qëndrueshme vetëm ato zgjidhje që mbështeten në prosperitetin ekonomik.

Raportin e lartpërmendur e kritikoi ashpër njëri ndër udhëheqësit e Komisionit hulumtues, Xhejms Shotvel, Kryetari i Shoqërisë Gjeografike Amerikane, duke vlerësuar se raporti në fjalë nuk ofron zgjidhje për tri çështje kryesore sot, e ato janë çëshja e Maqedonisë, Çështja e Shqipërisë dhe çështja e arqipelagut të Egjeut. Më tutje Shotveli shton: Çështja shqiptare është e dyfish e rëndësishme për SHBA-në, për arësye se zgjidhja e saj do të mund t’i besohej Amerikës, si fuqi e cila nuk është drejtpërdrejt e interesuar. Në lidhje me pohimin se është e qendrueshme vetëm ajo zgjidhje që i merr parasysh faktorët ekonomikë, duke lënë pas dore përcaktimet nacionale, Shotveli vlerëson se ajo është kryesisht me vend, në qoftë se niset nga pozicioni i interesave të fuqive europiane.

Mirëpo, në qoftë se merren parasysh ndjenat kombëtare të popujve ballkanikë, atëherë vlera e këtij pohimi është e dyshimtë. Kështu, pra, këtu parashtron edhe një pyetje: A do të thotë se zgjidhja e kufijve mbi baza nacionale nënkupton se çdo njësi politike, njëkohësisht, duhet të jetë edhe njësi e veçantë ekonomike? Shotveli është i mendimit se në lidhje me këtë çështje është e nevojshme të shqyrtohet hollësisht mundësia e institucioneve sikurse janë portet e lira, hekurudhat e ndërkombëtarizuara dhe doganat para se të vihen në praktikë dhe të aplikohen kriteret ekonomike për caktimin e kufijve në dëm të atyre nacional.

Raportet e Komisionit i kushtojnë mjaftë hapësirë rregullimit fisnor të shoqërisë shqiptare, e sigurisht për arsye se për një gjë të tillë ka pasur, relativisht, mjaftë shkrime.
Emri Edit Durham përmendet shpesh, dhe anëtarët e Komisionit shpesh thirren në punimet e saj, veçanërisht kur është në pyetje tradita e shqiptarëve dhe prejardhja e tyre. Nga përfundimet, kryesisht, del se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se janë të shpërndarë. Veçanërisht është potencuar dallimi midis veriut dhe jugut të Shqipërisë.

Gjuha shqipe

Ka munguar një analizë e thelluar dhe subtile e gjuhës shqipe, sepse konkluzat për të janë nxjerrë në mënyrë mekanike dhe, si duket, sipas inercisë së disa punimeve, të cilat lehtë janë marrë si autoritative dhe definitive. Në një raport të gjerë, i cili merret me çështjen ballkanike, qëndron se ”në Shqipëri ekziston një gjuhë e të folurit, plotësisht e pangjyrë kur të përjashtohen shprehjet turke, greke dhe sllave”. Disa kanë shkua aq larg sa që për gjuhën shqipe kanë shkruar se është ”një lidhje e tmerrshme e thjeshtësisë dhe e parregullsisë” dhe se kjo gjuhë nuk ekziston fare…” Në këto vlerësime nuk është vështirë të hetohen idetë, gjuha dhe konstruksionet të tëra, që janë lëshuar në qarkullim, kohë pas kohe, sipas situatës politike, nga ana e vendeve fqinje ose e Fuqive të Mëdha, që në momentin e caktuar, kanë pasur interes për diçka të tillë.

Këto mendime u kundërshtuan edhe nga vet shqiptarët. F. Noli, në një memorandum Komisionit hulumtues thekson se gjuha shqipe është ” i vetmi shembull që mbijetoi nga gjuhët origjinale të Evropes Juglindore, e cila është folur qysh para Homerit”. Ajo, sipas mëndimit të tij, padyshim është gjuhë ariane krejtësisht e ndryshme nga gjuha greke ose ato sllave.

Zhvillimi i ngjarjeve në Konferencën e Paqes do të tregojë paraqitjen e drejtë dhe adekuate të çështjes së gjuhës shqipe, të mbështetur në rezultatet e hulimtimeve në terren, çka ka pasur një rëndësi të madhe praktike, sepse uniteti gjuhësor është lidhur drejtpërdrejt me unitetin kombëtar, si dhe me ekzistimin e tij. Ekzistimi i dy dialekteve kryesore, të veriut dhe të jugut, dhe dallimet midis tyre, në momentet vendimtare, kur është parashtruar çështja e Shqipërisë dhe e ardhmëria e saj, është përdorur si dëshmi se shqiptarët nuk flasin një gjuhë dhe prandaj nuk e përbëjnë një tërësi unike shtetformuese. Komisioni hulumtues, si dhe delegatët amerikanë në Konferencën e Paqes, nuk e kanë parashtruar seriozisht çështjen e gjuhës shqipe dhe të unitetit të saj, sepse të dhënat dhe faktet kanë qenë bindëse, se ka të bëjë me një dallim normal midis dy dialekteve të një gjuhe.

Religjioni dhe shqiptarët

Çështja e religjionit është më i ndërlikuar. Vendet ballkanike, të ngarkuara me identifikimin konfuz dhe me barazinë e kombit me fenë, duket se nuk e kanë kuptuar raportin e shqiptarëve ndaj kishave të ndryshme në Shqipëri. Ekzistimi i tri religjioneve të ndryshme në Shqipëri, për shumicën, automatikisht, ka pasur një domethënie dhe është nënkuptuar se atje anët e fortifikuara janë në një konflikt të përhershëm. Për shembull, Greqia tërë territorin e Epirit helen e ka themeluar dhe mbështetur në ekzistimin e popullatës ortodokse dhe në ceremonitë greke në zonat kontestuese. Kështu një autor thotë: “ekzistojnë tri religjione në Shqipëri dhe ato janë në një konflikt reciprok”. Megjithatë, ka pasur edhe burime në gjuhën angleze, që anëtarëve të Komisionit dhe delegatëve u kanë mundësuar shpjegime më të dokumentuara dhe më objektive, duke i kontribuar ashtu ngritjes së shkallës së informimit objektiv mbi njëmendësinë shqiptare.

Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm e ka luajtur organizata pan-shqiptare “Vatra” në Amerikë, Shoqata Anglo-Shqiptare etj. Anëtarja më e njohur e kësaj shoqatë ka qenë Edit Durham, e cila është shquar dhe dalluar me një seri veprash mbi Shqipërinë. Po ashtu dhe koloneli Obri Herbert dhe Lord Lamintagon, në mënyrë aktive janë marrë me paraqitjen dhe prezentimin e Shqipërisë. Misionarët amerikanë, me raportet e veta, e kanë plotësuar pasqyrën mbi jetën fetare në Ballkan dhe në Shqipëri. Këtu duhet të veçohet misionari amerikan, Telford Erikson, i cili në Shqipëri ka ardhur në vitin 1913 dhe për një kohë të gjatë ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën publike të Shqipërisë.

Mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, me gazetat e tyre në gjuhën angleze, janë përpjekur që të tërheqin vëmendjen për të pavërtetat e përçarjes fetare të shqiptarëve. “Shqiptari është tepër fanatik për çështjen e lirisë dhe të pavarësisë për të qenë fanatik në pikëpamje religjioze”, shkruan në një artikull të një reviste në vitin 1919. Një autor shkruan, se në shqipërinë e Jugut myslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku brenda një familje, nën një kulm apo pullaz. Ndërsa në Shqipërinë e veriut mund të gjenden dhe shembujt e tillë që në krye të fisit të krishterë qëndron personi i besimit mysliman dhe anasjelltas. Kjo tolerancë fetare shkon deri në ato përmasa dhe kufij sa kalon në një gjendje indiferente ndaj çështjes fetare. Andaj, shqiptarët të besimeve të ndryshme, ndjenjat kombëtare, dashuria ndaj atdheut qendrojnë në vend të parë, përmbi gjithçka.

Në një histori të një grupi autorësh amerikanë mbi shqiptarët në Shqipëri dhe në Amerikë, vihet në përfundim se feja kurrë nuk ka qenë motiv i mosmarrëveshjes dhe përçarjes në mes të prijësëve shqiptarë (Federal Writers Project. The Albanian Struggle in the Old World and New, Boston, 19 39, fq. 42). Raporti i përgjithshëm i Komisionit të Lidhjes së Kombëve, më 12.5. 1922, nuk i mbështetë argumentet dhe pikëpamjet e atyre që thonë se shqiptarët, për shkak të përçarjes fetare, nuk janë të aftë për të qeverisur me një shtet bashkëkohor.

Ata, sipas atij raporti, janë ”të lidhur me zakone të përbashkëta, me traditë shekullore, madje edhe me gjuhë, sepse dallimi në mes të gegërishtes dhe toskërishtes, në të vërtetë, paraqet vetëm një dallim dialekti”. Pjesëtarët e besimit të ndryshme, përundrazi, shpeshherë janë të lidhur me lidhje gjaku, me traditë si dhe me festa dhe kremtime të përbashkëta fetare. Janë të evidentuara rastet kur priftërinjtë apo kleri i të tri religjioneve së bashku i kanë vizituar Xhamitë dhe Kishat.

Në anën tjetër, amerikanët nëpërmjet misionarëve të vet, ose përmes revistave të ndryshme, kanë pasur mundësi të konkludojnë se argumenti i mungesës së tolerancës fetare, me çka disa shtete kanë dalur kundër pavarësisë së Shqipërisë, në të vërtetë ka zënë fill dhe është formuar nga përvojat, përkatësisht nga gjendja e tillë e intolerancës fetare, në vetë ato shtete.

Konstatin Çerkezi, aktivist i njohur shqiptar, shkruan se lajmet mbi intolerancën fetare janë të pavërteta. Ai konsideron se të krishterët dhe myslimanët në Shqipëri kanë marrëdhënie shumë më të mira sesa protestanët dhe katolikët në Europën e qytetëruar. Ndërkaq, mund të supozohet se ajo ka qenë pasojë e influencës së propagandës së madhe greke, e cila ka qenë e organizuar mirë dhe ka punuar si në Europë ashtu edhe në Amerikë.

Çështja e Shqiprisë së jugut ose Epirit

Çështja e Shqipërisë së jugut, ose e Epirit, është shtruar para diplomacisë europiane qysh në Kongresin e Berlinit më 1878. Qysh atëherë e deri te zgjidhja definitive e kësaj çështje, në vitin 1921, aneksimi i këtij territori Greqisë, ka qenë një ndër detyrat kryesore të diplomacisë greke. Problemi i Epirit është imponuar fuqishëm në periudhën ndërmjet luftarave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Si pasojë e fitores së aleatëve ballkanikë mbi Turqinë dhe pretendimeve greke ndaj trojeve shqiptare, duke e arsyetuar atë si trashëgimi kulturore helene, me përdorimin e gjuhës greke dhe të ekzistimit të popullsisë ortodokse të krishterë, të ritit grek, në rajonin kontestues.

Në lojën rreth Epirit kanë marrë pjesë, kryesisht, Austria dhe Italia, të përkrahura nga Gjermania, në një anë, si dhe Fraca, e përkrahur nga Rusia, në anën tjetër. Krahu i parë ka qenë për pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa ana tjetër për aneksimin e Epirit Greqisë. Britania e Madhe, e ngopur me koloni, si zakonisht, ka mbajtur baraspeshën dhe është përpjekur që ta pengojë luftën, që nuk i ka konvenuar në atë moment.

Konferenca e Londrës e ka zgjidhur këtë çështje ashtu që në territoret kontestuese e ka derguar Komisionin, që në vend, mbi baza etnografike, të caktohen kufijtë ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioni, pas shumë peripecish dhe zvarritjesh, e ka shpallur vendimin në Firencë më 20.12. 1913, sipas të cilit qytetet Korça, Gjirokatra, Delvina, Tepelena dhe të tjerët i takojnë Shqipërisë.

Masakrimi mbi popullsinë civile shqiptare nga ushtria greke

Qeveria greke, gjoja ka punuar për zbatimin e vendimit të Konferencës së Londrës për evakuimin e trupave nga këto territore, por në anën tjetër e ka nxitur lëvizjen për formimin e autonomisë së Epirit. Autonomia është shpallur më 2. 3. 1914. Në krye të qeverisë autonome ka ardhur Zografos, ministër i mëparshëm në qeverinë greke. Ky manovër i qeverisë greke, e cila, zyrtarisht, ishte neutrale, nxiti dhe shkaktoi ngjarjet në të cilat e humbën jetën banorë e pafajshëm të këtyre trojeve. Më se 400 vendbanime më të vogëla e më të mëdha janë shkatërruar dhe zhdukur tërësisht.

Masakrimi i ekzekutuar mbi popullsinë civile shqiptare, nga ushtarët e njësive të rregullta greke, të ndihmuara nga kriminelët e lëshuar nga burgjet, për atë rast, nuk ka kaluar i pavërejtur. Opinioni amerikan për këto ngjarje është informuar relativisht vonë, kryesisht përmesë shtypit ditor. Revista e përmuajshme shqiptare “The Adriatic Review”, që ka filluar të dal më 1918, i shfrytëzoi këto ngjarje për qëllime propagandistike, kur grekët paralajmëruan mundësinë e përsëritjes së djegjes, plaçkitjes dhe masakrimit, në qoftë se nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Autori i një artikulli nënvizon se me ankth në zëmër i përkujton masakrimet e tmerrshme mbi shqiptarët, në verë të vitit 1914, duke cekur se kështu ndihet për arsye se dëgjohen lajmet për përdorimin dhe ekzekutimin edhe të një gjenocidi mbi popullatën shqiptare. Në raportin e gjeneralit De Vera, shef i misionit holandez në Shqipëri, kujdes i veçantë i është kushtuar faktit se ushtarët grekë masakrimin e kryen në mënyrë sistematike, qëllimisht dhe shumë mizorisht. Edhe raportuesit e tjerë e vërtetojnë një gjë të tillë. Koloneli Obri Herbert flet për veprat jonjerëzore të ushtarëve grekë.

Një autorë tjetër shkruan se “krimet dhe vandalizmat që i bënë grekët nuk janë të atij lloji që gjuha njerëzore mund t’i përshkruajë. Ndërsa, Mehmed Konica konsideron se qëllimi i grekëve ka qenë që të djegin gjithçka, qysh prej Tepelenës e deri në Korçë, në mënyrë që më vonë, aty të vendoset popullara greke, çka ka pasur si pasojë mijëra njerëz, edhe gra e fëmijë, që kanë vdekur nga uria ose nga të ftoftit gjatë dimrit të vitit 1914. Shumica e dëshmitarëve e kanë vërtetuar se shqiptarët me kurrgjë nuk e kanë provokuar këtë kërdi. Ndër dëshmitarët e tillë ka qenë dhe Xhorxh Fred Wiliams, ambasador i SHBA-së në Athinë.

Shqiptarët në Amerikë me të gjitha mjetet që kanë pasur në dispozicion, janë përpjekur që të tërheqin vëmendjen e opinionit publik, për situatën në Shqipëri. Roli i tyre në Konferencën e Paqes në Paris ka qenë me rëndësi të madhe.

Gjatë Konferencës së Paqes, me rastin e hapjes së problemit të Epirit ose Shqipërisë së Jugut, është hapur përsëri çështja e gjuhës. Qeveria greke ka bërë orvajtje që përdorimin e gjuhës greke, si dhe të gjuhës së kishës dhe të tregtisë, ta përdorë si dëshmi se popullata e territoreve të kontestuara i përket etnisë greke.

Delegacioni shqiptar

Në memorandumin e parë të cilin delegacioni shqiptar ia ka dërguar Konferencës së Paqes, është prezentuar shkurtimisht historia e Shqipërisë, dhe pastaj janë përpunuar disa pika kryesore, me ndihmën e të cilave delegacioni shqiptar ka shpresuar se do të ndikojë që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë të volitshme. Në memorandum është theksuar se nuk mund të quhen grekë të gjithë ata që i takojnë Kishës Ortodokse Greke. Në të njëjtin memorandum nga Konferenca Paqës kërkohet që Greqia të paguajë dëmshpërblimin për djegjen e fshatrave në Shqipërinë e jugut.

Në memorandumin e dytë, të cilin delegacioni shqiptar ia ka dërguar Këshillit të Dhjetë, më 24.2. 1919, kërkesat shqiptare janë shtruar detajisht. Përveç tjerash thuhet se Komisionit ndërkombëtar, i cili pas Kongresit të Belinit ka qenë i dërguar në këtë rajon për t’ia bashkuar Greqisë, i është dashur të kthehet mbrapa pa kryer punë.

Memorandumi, po ashtu flet për të padrejtat që Konferenca e Londrës, e vitit 1913, ia ka bërë Shqipërisë. Ajo Greqisë ia ka dhënë jo vetëm kufirin gjatë lumit Kalamai, por edhe tërë territorin, prej Artës e deri te Stillosa, ku, para luftrave ballkanike, kanë jetuar 63.000 shqiptar (40.000 myslimanë dhe 23.000 ortodoksë). Sipas këtij memorandumi, Greqia kërkesat e veta për Shqipërinë jugore, të cilën e quan Epiri Verior, i arsyeton gjoja se në rajonin kontestues jetojnë 120.000 grekë dhe 80.000 shqiptar. Delegacioni shqiptar ka pranuar se në trojet për të cilat bëhej fjalë jetojnë vetëm 20.000 banorë me orientim pro-grek, kryesisht ata që jetojnë në luginën Drinopojë dhe rreth Delvinës. Ata janë fshatarë, që nuk kanë tokë të vetën, por i punojnë tokat e banorëve vendas. Me fjalë të tjera, delegacioni shqiptar e ka ngritur zërin kundër tezave të tilla, që thonin se shqiptarët e besimit ortodoks i përkasin nacionalitetit grek.

Me qëllim të vërtetimit të karakterit shqiptar të Shqipërisë jugore, delegatët shqiptarë në memorandum i kanë paraqitur disa mendime të vëzhguesëve neutral. Kështu, Lordi Habhauz, i cili, në fillim të shekullit 19, ka qëndruar me Bajronin në Shqipëri, është i mendimit se vetëm shqiptarët kanë vetëdije nacionale, derisa të gjithë popujt tjerë të Perandorisë janë grupuar sipas religjionit.

Delegacioni grek kërkesat e veta i ka bazuar në disa pika kryesore, prej të cilave më e rëndësishme është ajo, se raca dhe gjuha nuk mund të jenë kritere, sipas të cilave caktohet përkatësia nacionale. Grekët nga Epiri Verior, dëshirojnë të jenë në kuadër të “Greqisë së qytetëruar” dhe kurresesi në kornizat e Shqipërisë së pacivilizuar. Argumenteve të lartpërmendura, grekët ua kanë shtruar edhe shkaqet ekonomike dhe strategjike. Epirin nga Shqipëria e ndajnë malet, derisa në mënyrë të natyrshme është i lidhur me Greqinë. Korça, Janina, Gjirokastra dhe Saranda paraqesin një tërësi ekonomike, e cila me Manastirin dhe Selanikun e përbënë dhe mbyll një rreth të madh të prodhimtarisë dhe tregut.

Më tutje delegacioni grek është shërbyer me një statistikë që atij i ka shkuar në favor. Ndërkaq, pala shqiptare, duke u shërbyer me të dhëna statistikore franceze dhe turke, ka pohuar se në Shqipëri të jugut gjithsejt ka 290.812 banorë, e jo 231.000, siç ka pohuar Venizelas. Prej atij numri, sipas palës shqiptae, vetëm 15.000 janë grekë. Pala greke, në anën tjetër, deklaronte se në rajonin kontestues ka fare pak, ose aspak shqiptarë. Kështu që në lidhje me këtë çështje pala greke dhe ajo shqiptare kanë pasur të dhëna, arsyetime dhe përfundime të ndryshme dhe të kundërta.

Komisioni ndërkombëtat për çështje greke

Komisioni ndërkombëtar për çështje greke, për herë të parë është mbledhur më 18.2. 1919. Në kompetencën e këtij komisioni janë kaluar edhe kërkesat e delegacionit shqiptar, ashtu që edhe në këtë rast çështja shqiptare, respektivisht çështja e Shqipërisë së jugut është shqyrtuar tërthorazi. Komisioni në fjalë ka qenë i përbërë prj 8 ekspertësh, nga dy vetë nga Franca, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA. Amerikanët i kanë përfaqësuar V. Vestemani dhe K. Deji. Në një cikël mbledhjesh prej 18.02.-06.03.1919, Komisioni është përpjekur ta zgjedhë këtë çështje, duke marrë parasysh kërkesat greke dhe shqiptare.

Meqënëse anëtarët e këtij komisioni kanë përfaqësuar katër fuqi të mëdha, natyrisht se ka ardhur deri te mospajtimi, si rezultat i pikëpamjeve të ndryshme ndaj këtij problemi. Çështja e ndërlikuar dhe e koklavitur e Adriatikut e ka qitur në një hije të thellë çështjen e Shqipërisë së jugut dhe të Vlorës, veçanërisht duke e aktualizuar marrëveshjen e fshehtë të Londrës, të cilën presidenti Wilson e ka refuzuar apriori si marrëveshje që është në kundërshtim me parimet e gjithëmbarshme të zgjidhjes paqësore.

Përfaqësuesit italianë në Komision për çështje greke, kanë kërkuar që të respektohet kufiri shqiparo-grek prej vitit 1913. Franca dhe Britania e Madhe duke dëshiruar që të ndalojnë Italinë me realizimin e synimeve të saj për të depërtuar në Ballkan dhe për të siguruar një prapavijë për politikën adriatike, e kundërshtuan propozimin italian dhe propozuan një vijë e cila ka qenë shumë më e afërt me propozimin grek, sesa me kufirin e vitit 1913. Kjo vijë kufitare do të shkonte pak nën Pogradec, duke iu lëshuar në një vijë të shtrembër ndaj Këlçyrit, e cila mbetet në Shqipëri, pastaj duke prekur Vjosën dhe Drinin larg mbi Gjirokastër dhe duke përfunduar në Veri të Himarës.

Gati të gjitha bazat e Korçës dhe të Gjirokastrës, sipas këtij propozimi, kalojnë në posedimin dhe qeverisjen e Greqisë. Franca dhe Britania e Madhe e justifikojnë këtë propozim me argumentet e Venizelosit, të cilat bazohen në ndjenjat helenofile të popullsisë dhe në shkaqe ekonomike. Pra delegatët francezë dhe anglezë në këtë rast u vunë në anë të Greqisë. Karakteristika kryesore e propozimit amerikan është përpjekja e harmonizimit dhe të kërkesës për kompromis në mes të propozimit grek dhe francezo-anglez, nga njëra anë, dhe të propozimit shqiptar të përkrahur nga italianët, nga ana tjetër, e i cili në të vërtetë e ka paraqitur kufirin nga viti 1913.

Kështu, mospajtimet e anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur kanë rezultuar dhe janë manifestuar edhe në Konferencën e Paqes në Paris. Prandaj, çështja e Shqipërisë së jugut, ose Epirit verior, në Konferencën e Paqes ka mbetur e pa zgjidhur. Vetë fakti i moszgjidhjes së çështjes së Shqipërisë së jugut tregon se ajo ka qenë e lidhur dhe është shikuar në kontekstin e përgjithshëm të çështjes së Adriatikut dhe njëkosisht qëndrimi i pandryshueshëm dhe i patundshëm i Italisë, ka vënë në pyetje vazhdimin e Konferencës së Paqes.

Meqenëse Shqipëria është bërë antare e Lidhjes së Kombeve, më 19.12. 1920, çështja e kufirit shqiptaro-greke ka kaluar në kompetencat e kësaj organizate, respektivisht të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, që ka paraqitur vazhdimin e Konferencës së Paqes. Pas një diskutimi të gjatë për çështjen e kompetencave të njërës apo të tjetrës palë, Konferenca e Ambasadoreve në Paris, më 09.11.1921, e ka marrë vendimin me të cilin njihen dhe pranohen ata kufij të Shqipërisë, që i ka pasë caktuar Konferenca ndërkombëtare në Firencë, në vitin 1913. Këshilli i Lidhjes së Kombeve pastaj e ka dërguar Komisionin në territoret kontestuese. Raportet e këtij Komisioni gjatë vitit 1922, e kanë vërtetuar në mënyrë të padyshimtë karakterin shqiptar të popullatës së rajonit kontestues.

Roli i presidentit Wilson për çështjen e Shqipërinë në Konferencën e
Paqes në Paris

Wilsoni, në një letër sekretarit shtetëror Robert Lasing, kërkoi që ai ta marrë përsipër çështjen e Shqipërisë, respektivisht apelet e shqiptarëve. Po ashtu Wilsoni duke iu përgjigjur Adamidit, i cili kishte kërkuar intervistë, përmes sekretarit të vet e porositi atë që para delegacionit amerikan ta prezentojë çështjen e Shqipërisë, duke shtuar, se ai tashmë ka pasur intervistë me disa përfaqësues shqiptarë dhe se “kurrsesi nuk do t’i harrojë kërkesat e tyre”.

Delegacioni shqiptar në Paris ka pasur edhe vështirësi të natyrës administrative. Delegatëve amerikanë u është dashur që të intervenojnë në rastin e Turtulit dhe të Mid’hat Frashërit, të cilëve nuk u është lejuar që të hyjnë në Francë. Me këtë rast, delegatët amerikanë janë shprehur se italianët dhe francezët dëshirojnë të pengojnë ardhjen e tyre që kanë mendime e pikëpamje të kundërta.

Presidenti Wilson me paraqitjen e vet ka zgjuar interesimin e masave, për atë që ndodh në Konferencën e Paqes në Paris, ndonëse, në esencë, sipas dëshmisë së bashkëpuntorëve të tij më të afërt, çështjet me rëndësi thelbësore ka dëshiruar t’i zgjidhë në mënyrë sekrete dhe në nivelin më të lartë.

Ishte e vështirë të pritej që Wilsoni të penetrojë në të gjitha detajet e raporteve të ndërlikuara, të përbëra dhe të ngatërruara, midis politikanëve ballkanikë dhe aq më pak që ai të impresionohet nga qërimi i tyre publik i hesapeve.

Pjesëmarrësit e Konferencës së Paqes në Paris, pas kyçjes edhe të delegatëve amerikanë me presidentin Wilson në krye, nuk kanë arrijtur ta zgjidhin çështjen e Shqipërisë së jugut. Këtë problem, siç e pamë, e zgjidhi Konferenca e Ambasadorëve në Paris. Mirëpo, duhet theksuar se çështja e Shqipërisë, nga dhjetori 1920 dhe më tutje, është zgjidhur nën rrethana plotësisht të ndryshueshme, që me siguri kanë qenë më të volitshme për Shqipërin.

Meritat e presidentit Wilson në këtë pikëpamje qëndrojnë aty se ai ka arritur ta pengojë implementimin e marrëveshjes së fshehtë të Londrës të vitit 1915, e cila, praktikisht, ka paraparë zhdujen e Shqipërisë si shtet. Ai ishte faktori vendimtar në politikë e tij ndaj çështjes se Adriatikut dhe në lidhje me Shqipërinë në përgjithësi. Prandaj, është politika amerikane ajo që i ka ndaluar fuqitë europiane që ta legalizojnë ndonjërën nga zgjidhjet e ofruara, prej të cilave asnjëra nuk ishte në favor të Shqipërisë.

Në bazë të asaj që ekspozuam më sipër, mund të përfundojmë se presidenti Wilson, së bashku me delegacionin amerikan, në Konferencën e Paqes, në mënyrë vendimtare kanë ndikuar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë së jugut ose të Epirit Verior.

Ashtu që, delegacioni amerikan me qendrimet e veta i ka penguar zgjidhjet definitive të parakohshme, të cilat, në rrethana ekzistuese, do të shkonin në dëm të Shqipërisë. Kjo zvarritje ka mundësuar që kjo çështje të shtrohet para Lidhjes së Kombëve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris në momentin kur Shqipëria ishte anëtare e barabartë e Lidhjes së Kombeve dhe kur marrëdhëniet ndërkombëtare kanë imponuar zgjidhje dhe perspektiva të tjera.