ALUSH CANAJ – POET ME LIGJËRIM TË SHKËLQYER POETIK

0
777

REPORTAZHI

Alushi, dhe ylli i tij, sot jeton mes nesh, fakti që është botuar ky libër, fakti që jemi mbledhur sot, tregon se ylli i tij është duke shëndritur edhe sot. Alushi jeton me lirinë që e kemi ne sot. Ai është njëri prej mijëra Alushëve që e kanë krijuar këtë liri.

Shkruan: KLODIANA MORINA

Pas katër dekadash u fol për Alush Canajn, shkrimtarin martir nga Gjilani, i vrarë në vitin 1972 nga dora e UDB-së jugosllave. Si shkak qe 66-vjetori i lindjes së tij dhe dalja në dritë e veprës së tij të plotë “Mbrëmë e putha lirinë”, përgatitur nga shkrimtari ynë i njohur, përkatësisht i vëllai i tij, Avdush Canaj, e botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2018 .Kjo veprimtari kulturore u mbajt në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” nën organizimin e Karvanit të Shkrimarëve për Fëmijë “Agim Deva” udhëhequr nga Dr. Xhevat Syla.

Nga 71 vjershat e përfshira në librin “Mbrëmë e putha lirnë”, 21 prej tyre botohen për herë të parë, të cilat janë gjetur viteve të fundit në arkivin e shtëpisë të tij, gjë që nuk janë në librin e parë “ Vals veror” (1992).Për herë të parë botohet edhe Fletëza ditari, dy tregime të përkthyera nga rusishtja, si dhe fotografitë nga jeta shkollore dhe familjare e autorit.

Atë ditë salla e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, qe e stërmbushur me njerëz të dijes e të kulturës, figura të kauzëz kombëtare, bashkëkohanik të shkrimtarit, politikanë, shkrimtarë, nga të gjitha anët, që kishin ardhur për të përkujtuar dhe nderuar figurën letrare dhe atdhetare të Alushit, të atij djaloshi flokëkaçurel që edhe pse i prangosur, këndoi trimërisht për nënën e vet, për Shqipërinë, që kurrë s`arriti ta shoh, por vetëm ta ëndërrojë. E, zëri i tij erdhi atë ditë përmes aktorit, Ramadan Kurti, erdhën kumbushëm nga parajsa qiellore vargjet poezisë Nëna Shqipëri, shkruar në vitin 1971, që mallëngjyen publikun, por edhe u pa krënaria në sytë e tyre.E, dikush ngriti zërin : Këngën e poetit s`mund ta vras askush.

Në cilësinë e botuesit, Nazmi Rrahmani, tha se ,me të drejtë kritiku që e ka bërë parathënien e këtij libri, Ragip Ramaj, thotë se “ kjo është një përmendore për poetin tragjik, Alush Canaj”. Kjo është e vërtetë, sepse libri që gjendet në duart e juaja na përkujton atë më së miri. Paraqitja e kësaj vepre ishte një nevojë e domosdoshme, dhe tashti Alushin e njohim më mirë.

Në paraqitje e tij Adem Gashi foli për elementin që i ka bërë përshtypje në librin “Mbrëmë e putha lirinë”. “Me një anë tek Alushi gjej verbin poetik që mund të lexohet në të njejtin interesim e vullnet edhe tek krijimtaria e tij për fëmijë e për të rritur, sikur i shkrinë atë që quhet krijimtari për fëmijë dhe për të rritur. Është një lirikë e mirëfillt që përceptohet njësoj edhe nga mosha më e re, edhe nga ata më të moshuar. Edhe ajo njësia apo cikli, që është brenda librit, poezi për të rritur, është një lirikë që vjen e pranueshme. Me një fjalë: poezia nuk njeh moshë.”

Gashi foli edhe për pistat e interesimeve të këtij poeti që shtrihen në dy rrafshe:” Ajo me e rendomta, impulsi i dashurisë, dhe pista e dytë është atdhedashuria. Imagjinoni, në vitin 1970 në poezitë për fëmijë e për të rritur të Alush Canajt frekuenton Shqipëria, Shqipëria nënë, shqiponja…”

Adem Gashi përmendi edhe elemntin e gjuhes standarde. “Po ta shohim me vemendje, në vitet e `70, ende nuk ishte konsoliduar gjuha standarde. Dy vite para se të mbahej Kongresi i drejtshkrimit, Alush Canaj shkruan përafërsisht në standard. Janë disa lemente interesante për kohën, çka do të thotë se vinte një krijues me seriozitet në fushën e letërsisë që ishte e rrallë kjo.” Gashi më tej në analizën e tij përmendi simbolin e flamurit, Fazli Greiçevci,dhe shtoi: “ Fazliu dhe Alushi sikur vijnë me fatin e prerë për të qenë martirë. Ne na ra hise të të jetojmë me dhembje që i humbëm këta, por edhe të bashkëjetojmë me hijet, me varrmihësit e tyre. Dhe këtë tragjedi e ndajmë të gjithë. Tani ne e dimë me emra, mbiemra,kush ishin ata që i hapen varre, tjeterit e tjetrit. Kjo është e dhimbshme. Megjithatë, një poetencial krijues që e kemi komplet në një botim, e këtij fakti i gëzohem shumë.

Nuk e teproj që do t`u them diçka.Me Avdushin, me ka ra hise te punojmë bashkë në Televizionin e Prishtinës, dhe e shoh një linjë gjenetike të vijës së krijimtarisë. Unë lirikën e Avdushit nuk e dalloj, nuk e përcaktoj krijimtarinë për fëmijë. Lexojeni me kujdes vjershat e Avdushit, është vija gjenetike e të vëllait në profilin krijues. Ju përgëzoj për këtë libër!”

Në orientimin e tij prej letrari ishte lufta për lirinë e konceptuar, për një kauzë shumë më të madhe.
Miku i dikurshëm i Alushit, ish-presidenit i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, foli për njohjen dhe miqësinë që kishte me të, në bashkëveprimet e dy gjimnazeve, të Gjilanit dhe të Podujeves, vizitat tek njeri- tjetri në familje.” Unë kurrë s`mun të harroj bukën që kam ngrënë tek ai, nëna e tij aq e mirë që e kishte gatuar atë natë. Nuk e harroj dotë as fisnikërinë e babit të tij ,por edhe kujdesin e veçantë dhe shikimin me llupë të vëllait të vogël. Kemi patur rast të bisedojmë shumë si të rinj, dhe krejt kjo ishte në takimet letrare që kishin dy gjimnazet, ku Alushi gjithmonë shkëlqente.

Në orientimin e tij prej letrari ishte lufta për lirinë e konceptuar, për një kauzë shumë më të madhe. Dhe jo rastësisht, në vargjet e tij e gjejmë këtë në dy paralele: Luftën që do të bëhet për lirinë e Kosovës dhe te dashurisë ndaj Shqipërisë, dhe si shembull lexoi poezinë Harabeli: Unë jam harabeli\ me shtëpi te zabeli.\Me këngë bleroj barin,\luftoj me acarin.\Ma tregojnë kamxhikun,\ s`e luaj dot qerpikun,\ as s`shkoj në shtegtim,\ rri në vendin tim.\ Në tokën e lavdisë,\ në zemër të Ilirisë.\(1970), pas së cilës shpërthyen duartrokitjet e auditorit.” Edhe në atë kohë kemi bisduar për këtë çështje, e edhe pas kthimit nga Beogradi.Unë ju them se ishte një djalë i talentuar, tepër i ditur, një trim e atdhetar i çështjes kombëtare, pak më i ri se unë”

Ai e ka patur një yll që ka lindur për të
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, prof.dr. Bajram Kosumi, mes të tjerash tha se : “ Duke i lexuar tekset e Alush Canjt, por edhe rrëfimet e të tjerëve për të, nuk ka dyshim se atij i ka lindur ylli, ai e ka patur një yll që ka lindur për të. Fatkeqësisht ai nuk arriti të formësohet si poet, por nuk arrit ta shoh atë yll, të jetojë gjatë, por si lexues i tij, si njohës i tij, janë dy pamje: Sapo të lexosh diçka prej tij të turbulitet në kokë: \ Nëse ujku më ven pas\ do ta vras.\(1970) Apo edhe vargjet: \ Ujq e dhelpra me vijnë pas\ dashuri e nëns do t` vras\ (1970).

,paraljamerojnë një poet me një ligjërim të shkëlqyer poetik, por njëkohësisht, këto vargje paralajmërojnë një poezi kacafytëse, një poezi kryengritëse që do të rroket fyt për fyt me robërinë dhe pushtuesin e egër. Alushi nuk arrit ta përfundojë asnjërën të këtyre dy pamajeve, ai vdiq i ri, pa e realizuar vetën si poet, vdiq sepse u kacafyt për jetë a vdekje me bishën e egër të pushtetit në robërinë e zezë.

Duke qene i ri, nuk i ka patur ende 20 vjet, ka qenë mbruajtur me shumë ide humaniste ,gati me një virgjëri njerëzore, kacafytet me një pushtet të egër, e dihet si ka përfunduar kjo kacafytje, por nuk është veç Alushi, ka plot krijues të tjerë që janë kacafytur në këtë mënyrë,si: Marie Shllaku, Fadil Greiçevci,Drita Çobo, Fazli Nela… Vështirë është të imagjinohet kjo kacafytje, e që është edhe më vështirë të imagjinohet se një nga profesorët e tij e ka denoncuar në polici. (Fjalën e kishte për Haxhi Vokshin).

Popujt dhe shoqeritë patriarkale, nuk flasin për të këqiat, i fshehin ato, në në Kosovë kemi patur një arsye tjetër të fshehim të keqën, kemi qene gjithë bashkë në luftë kundër sërbisë, por nëse kthehemi tek ajo se, historinë e bëjnë individët, ky njeri, Alush Canaj, ka egzistuar si ju e si ne, dihet si ka përfunduar, por a duhet t`i mbyllim sytë para saj? A duhet të thuhet sot e vërteta kur Kosova është e lirë, kur gjeni shqiptarë është i sigurt. A duhet të punojmë pak për të shpëtuar fytyrën tonë, të pastrojmë ndërgjegjen tonë, apo duhet akoma të fshehim dhe të heshtim? Shkrimtari e ka për dëtyrë ta shoh këtë dhe ta thotë të vërtetën.

Pushteti, kundër të cilit e ka ngritur kryet, e ka thy Alushin deri ne vdekje. Dhe pushteti ka qenë i bindur se e ka thy përgjithmonë, duke menduar se ka marrë fund puna e Alushit. E vërteta është krejt tjetër. Na jemi deshmitarë të gjallë sot, ai pushtet është thyer, ka marrë fund. Alushi, dhe ylli i tij, sot jeton mes nesh, fakti që është botuar ky libër, fakti që jemi mbledhur sot, tregon se ylli i tij është duke shëndritur edhe sot. Alushi jeton me lirinë që e kemi ne sot. Ai është njëri prej mijëra Alushëve që e kanë krijuar këtë liri.

Alush Canaj hyn në mesin e atyre poetëve që me vargjet e tij, jo vetëm frymëzon, por edhe vetë bëhet ushtar lirie, duke sakrifikuar edhe jetën.

Shkrimtari Ragip Ramaj, autor i parathënies së librit “ Mbrëmë putha lirinë,” foli për vetëflijimin në letërsinë shqipe dhe Alushin e quajti si shembull më tipik.

“Përmes aktit të vetëflijimit, poetët me vargjet dhe krijimtarinë e tyre, ngrisin vetëdijen dhe frymëzojnë masat e gjëra për një qëllim fisnik e të lartë, siç është çlirimi i vendit dhe i njeriut.

Poeti Alush Canaj hyn në mesin e atyre poetëve që me vargjet e tij, jo vetëm frymëzon për këtë qëllim fisnik e të lartë, por edhe vetë bëhet ushtar lirie, duke sakrifikuar edhe jetën e tij për qëndrimet e tij të paepura para hetuesve të sigurimit shtetëror, këtyre ruajtësve besnikë të robërisë.

Pra, poeti Alush Canaj, është i paepur, nuk dorëzohet dot para kamxhikut të sigurimit shtetëror, që në të vërtetë është kamxhiku i robërisë, dhe pa u trembur e hamendur fare – i vë gjoksin:

Ma tregojnë kamxhikun,\s`e luaj dot qerpikun,\as s´shkoj në shtegtim,\rri në vendin tim.\ (Vjersha “Harabeli”).
Poeti qëndron, është stoik, nuk jepet dot, sepse e ka një forcë, e mban një shpresë, sepse Mbrëmë e ka puthur Lirinë, edhe nën lehjen e qenve që e kanë përcjellë hap pas hapi, edhe nën shtrëngimin e prangave.

Cilave pranga?
Atyre prangave që hetuesit e sigurimit shtetëror do t´ia vënë në duart e tij të njoma, në ato duar që kishin lindur për penën e muzës poetike e jo për prangat e robërisë, tradhtisë; prangat e disa shqipfolësve që po e ujitnin robërinë me torturat dhe gjakun e bijve e bijave më të mira të Kosovës. Ato pranga që do t´ia zgjidhnin vetëm atëherë sa për ta ngritur gotën e helmit në një natë të ftohtë shkurti.

Ato pranga, ata (pra, hetuesit) nuk do t´i varrosin së bashku me trupin e njomë të poetit, sepse do t´i ruajnë edhe për poetin tjetër të familjes Canaj, për vëllain e tij Avdushin, tani të vetmen dritë e shpresë në familje, edhe për prindër, edhe për motra.

Ato pranga, në burgun ushtarak jugosllav të Sarajevës, pesë vjet të plota tani do t´i shtrëngojnë e gozhdojnë duart e Avdushit, këtij “…irredentisti që aq fuqishëm e kishte rrezikuar vëllaznim-bashkimin dhe shtetin jugosllav”, ashtu siç e kishte rrezikuar dikur vëllai i tij, Alushi.

Sa e tmerrshme: dy poetë të një familjeje – që të dy në pranga, njëri pesë vjet burg të rëndë ushtarak e tjetri madje me fund akoma ma tragjik.

Poeti Alush Canaj na e la një fond të konsiderueshëm vjershash e tregimesh për fëmijë dhe, që në krijimet e para, ai na paraqitet si poet i talentuar dhe me vokacion,” tha ndër të tjerash Ramaj.

Mehmetali Rexhepi, shkrimtar dhe dhe njëri nga shokët e Alushit, madje edhe shok i bankës, të cilit disa herë i kishte shkruar letra nga Beogradi, ku studionte Shkencat politike, e këtë qytet e cilësonte si qytet të zi e jo të bardhë siç i thoshin, në studimin e tij, Ylli shkëlqimtar i një talenti, nënvizoi edhe këtë: “Ritmet e kërkimit të lirisë gjithnjë vijnë duke u rritur e dendësuar, sikurse shikimet përgjuese e shigjetuese, të cilat depërtojnë vrimave ndërgjegjeje të çara, këndeve të shesheve për t’ia vënë prangat shtegtarit kërkimtar.

Sido qoftë, lirisë si vizitore e ëndrrave nuk i viheshin dot prangat! Liria pas fshehjes në ndërdyme kishte hyrë në ëndërr, domosdo ëndrra do ta zbriste në manushaqe, nga manushaqja ajo do t`i hapte krahët, që poeti më në fund ta përqafonte e puthte në zhgjëndërr! Ky është paradoksi i realitetit lirik-patriotik i Alush Canajt. Arti kryengritës i Alush Canajt nuk mbulohet prapa metaforave hermetike. Ai i jep trajtë të drejtpërdrejtë porosisë. Asgjë nuk lë për t`u nënkuptuar, përsonazhi lirik nuk i shmanget flijimit:
\Ujqit edhe ditën ulurojnë,\duan të na frikësojnë.\Shqiponja jemi ne,\mbi ta bëhemi rrufe.\\dikush edhe vritet,\Flamuri s`bie. Valvitet.\ (Kallnor, 1972)”.

Në këtë përurim, Alushi qe me ne, me buzëqeshjen e tij, me vargjet e tij që janë plot dashuri për Nënën e Madhe dhe lirinë e atdheut , për ëndrrat e blerta të fëmijëve, vargje këto edhe pse të shkruara në fund te viteve të gjashtëdhjeta, janë të ëmbla dhe kanë një lirizëm të theksuarpoetik, sikur të ishin shkruar sot.Kjo e bënë të pavdekshëm këtë njëri, që sikur të kishte jetuar deri sot, letërsisë sonë do t`i kishte dhënë vepra të shkëlqyera. Përkundër kësaj, Alush Canaj me veprën e tij që na ka lënë, e ka vendin në panteonin e letërsisë shqiptare.