Fajon: Shkëmbimi i territoreve ide e rrezikshme

0
415

Opinion, 3 nëntor 2018

Politikë

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Tanja Fajon, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se çdo ndryshim i kufijve është çështje e ndjeshme, që do të kishte efekte negative për tërë rajonin.

Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Fajon ka thënë se për Kosovën duhet të gjendet një zgjidhje, e cila sjell normalizimin e jetës së qytetarëve.

Çdo ndryshim i kufijve është çështje shumë e ndjeshme. Nuk jam ithtare e një ideje të tillë, sepse frikësohem se kjo do të kishte një efekt negativ për tërë rajonin, dhe se do ta destabilizonte atë. Kjo është ajo çfarë nuk më shqetëson vetëm mua, por edhe shumë vende të BE-së”, tha Fajon, përcjell Telegrafi.

Ajo tha se shpesh herë po dëgjon në Bruksel se shumë liderë kritikojnë qëndrimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe se në Ballkan janë disa liderë të tjerë që angazhohen për ndryshim kufijsh.

Çdo zgjidhje, që sjell te normalizimi i jetës, pa trende nacionaliste dhe populiste dhe pa manipulime politike, do të ishte ajo që duhet ta bëjnë politikanët nga të dyja taborët”, tha Fajon.

E pyetur nëse BE po tregohet tolerante ndaj politikave të brendshme të presidentit serb Aleksandar Vuçiç shkaku i çështjes së Kosovës, Fajon thotë se “ka mirëkuptim për sensitivitetin lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

BE duhet përfundimisht ta marr procesin në duart e saj. Serbia dhe tërë Ballkani tash është një terren për fuqitë e mëdha, për BE-në, SHBA-të, Turqinë, Rusinë, Kinën…”, tha ajo.