S’ka veresi te hoxhallarët, nuk iu varrosin nëse nuk i paguani

0
684

PA PARE, NUK HIPËN HOXHA NË MINARE

Pse? A kujjtojnë besimtarët, se objektet fetare bëhen për ta a? Që në fillim, me Moisiun, me Jezu Krishtin e me Muhamedin, objektet fetare janë ndërtuar për të nënshtruar masat, e për të marrë para prej tyre, që ata të jetojnë si daca, vetëm nga iluzionet, që ata shpërndajnë!

/Arben Çokaj

AUTORI: ARJETA SHABANI, GAZETAEXPRESS 02 Nentor 2018

Kushdo që nuk e paguan anëtarësinë vjetore në Bashkësinë Islame të Kosovës, pas vdekjes mund të mbetet mbi dhe derisa ta paguaj dikush për të, ose duhet të varroset pa ceremoni fetare. Gjithë kjo, pasi që hoxhallarët as nuk e marrin rrugën për në varreza nëse dikush nuk e kryen këtë obligim. Çmimi që duhet ta paguajë një person për anëtarësi shkon deri në katër euro. Por, në Bashkësinë Islame nuk janë të kënaqur me numrin e besimtarëve që paguajnë anëtarësinë. Deklarojnë se vetëm 25 për qind e besimtarëve e kryejnë këtë obligim, shkruan Gazeta Express.

Bajramit nga Prishtina, para katër muajve i kishte vdekur babai. E meqenëse, prindi i tij i përkiste fesë islame, ai donte ta varroste sipas të gjitha ceremonive fetare.

I kishte njoftuar të gjithë të afërmit për kohën kur do të varrosej, e i kishte mbledhur të gjithë në shtëpinë e tij. Por, kur ai e kishte ftuar hoxhën për ceremonitë fetare, atij i kishte dalë problem.

Hoxha i kishte thënë se meqenëse ai nuk e kishte paguar anëtarësinë në tri vitet e fundit, Bashkësia Islame nuk mund të ofrojë ato shërbime. Atij i ishte dashur që për dy orë, t’i mblidhte gjithë paratë që i kishte mbetur “borxh” Bashkësisë Islame e t’i paguante, në të kundërtën babai i tij do të varrosej pa i kryer ritet fetare.

Rastet si ky i Bajramit, janë shtuar së fundmi në vend. Shumë prej besimtarëve myslimanë, pagesën për anëtarësi vjetore po e bëjnë ditën e varrimit të familjarëve.

E se hoxhallarët nuk ofrojnë shërbime fetare për të vdekurit, nëse të njëjtit nuk e kanë paguar anëtarësinë, e kanë konfirmuar për Gazetën Express edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Zëdhënësi i BIK’ut, Ahmet Sadriu i ka thënë Gazetës Express se nëse një person nuk e paguan anëtarësinë, atij nuk i ofrohen shërbimet fetare pa e bërë këtë pagesë, e cila shërben për të funksionuar BIK’u.

Sadriu thotë se rastet sociale janë të liruara nga kjo pagesë. Derisa shton se shuma e parave që duhet ta paguajë një person për anëtarësi është prej dy deri në katër euro, varësisht se si e cakton çmimin Këshilli.

“…nëse ata që nuk kanë paguar anëtarësinë e kërkojnë shërbim nga Këshillat tanë, natyrisht që ata do e shohin a i ka paguar anëtarësinë dhe këtë nëse i ka mundësit financiare do i kërkohet pagesa, nëse jo është i liruar”, thuhet në përgjigjet e Sadriut drejtuar Gazetës Express.

Por, në Bashkësinë Islame nuk janë të kënaqur me numrin e besimtarëve që paguajnë anëtarësinë. Sadriu thotë se sipas statistikave që kanë, anëtarësinë e paguajnë vetëm rreth 25 për qind të besimtarëve.

I pyetur se sa para mbledh BIK’u në vit nga pagesat e anëtarësisë, Sadriu thotë se nuk ka informacion dhe se për këtë duhet shikuar pasqyrat financiare të secilit këshill.

“Fatkeqësisht, numri i atyre që paguajnë anëtarësinë është jo i kënaqshëm për ne, meqenëse nuk kam të dhënë të qarta për të gjithë këshillat nga ajo që di unë anëtarësia paguhet diku rreth 20 deri 25% e besimtarëve tanë”, tha Sadriu për Express.

Deklaron se tubimi dhe menaxhimi i anëtarësisë është kompetencë e Këshillave të BIK’ut nëpër terren. Derisa, shton se pagesat mund të bëhen tek imamët nëpër xhami dhe tek personat e tjerë përgjegjës.

“Anëtarësia mund të paguhet tek imamët nëpër xhami, në administratën e Këshillave vendor si dhe tek personat e autorizuar nga këshilla -inkasantë. Personat që tubojnë anëtarësinë janë të pajisur me autorizim dhe me fletë dëshmi për pagesë. Anëtarësia tubohet gjatë tërë vitit”, thotë Sadriu.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me disa prej imamëve nëpër xhami, që të marrë qëndrimin e tyre për këtë çështje, mirëpo asnjë prej tyre nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen.

Ndërkohë, pranë zyrave të BIK’ut, në qendër të Pejës ndodhet edhe një dyqan me arkivole. Tri metra larg këtij dyqani, në derën e BIK’ut gjenden dy njoftime.

Njoftime të tilla gjenden në secilin zyrë të BIK’ut, nëpër gjithë Komunat e Kosovës.

Në njërin prej tyre figurojnë shërbimet fetare dhe mortore që i ofrojnë Këshillat e Bashkësisë Islame nëpër gjithë vendin, si tabuta, arkivole, dërrasa, piramida, hoxhanica, gasalhane, qefina, mbulesa, kurora lulesh, rivarrime, transport brenda dhe jashtë vendit, hapja dhe përgatitja e varrit.

Afër këtij njoftimi, gjendet tjetri për pagesën e anëtarësisë.

“Anëtarësia është element kryesor për mbajtjen në funksion të xhamive dhe jetës fetare në përgjithësi. Prandaj, atyre që refuzojnë pagesën e anëtarësisë, Këshilli i Bashkësisë Islame është i detyruar që të mos u’a kryejë shërbimet fetare”, thuhet në këto njoftime.

Ndryshe, Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ipeshkvinë e Kosovës, për të marrë informacion lidhur me pagesën që kryejnë besimtarët e krishterë për “Hakun e Kishës”, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës. /Gazeta Express.