Mr. Petrit Bicaj
Pjesë nga ekspozeu i Mr. Petrit Bicajt, i cili nuk iu lejua, siç thanë për arsye të kohës, në Kuvendin e Punës së LDK-se, më 28.05.2016.
Të nderuar delegatë të LDK-së.
– A nuk është për keqardhje që Kryetari dhe kryesia e LDK-së, nuk lejojnë të procedohet në votim rezoluta e cila dënon dhunën e ushtruar ndaj znj. Donika Gërvalla dhe moslejimi i saj dhe i z. Shefqet Dibrani që të marrin pjesë në këtë kuvend?!
A thua si e ndjeni vetën ju që as nuk e bëtë tentimin më të vogël që të ngritni zërin e arsyes ndaj kësaj dhune? Si ndiheni ju që kur Kosova ishte në ditët e sajë më të vështira, shpëtimin e vetëm i kishim vëllezërit e motrat nga diaspora, e sot as nuk i lejoni që të marrin pjesë në kuvendin e partisë të cilës ia dhanë të gjitha?!
– LDK që nga koalicioni i panatyrshëm me PDK ka humbur mbështetje në elektorat. Kapaku i së keqes dhe i humbjeve të pashmangshme vazhdoj me votimin e Hashim Thaçit për president. A jeni të ndërgjegjshëm që me këta hapa të pamenduar, në dëm të partisë dhe në dëm të Kosovës, në zgjedhjet pasuese nuk do marrim as 12 % të votave?
– Sekretar i partisë Ismet Beqiri:
Si more burrë nuk e more as më të voglin mundim që mua si delegat dhe kryetar i nëndegës Ulpiana dhe disa kryetarëve të tjerë, të nëndegëve të LDK-së anë e mbanë Kosovës, të na përgjigjesh, kur të shkruam letër në cilësinë e shefit të grupit parlamentar, në lidhje me mos votimin e njeriut që ju non-stop patët trumbetuar që është kupola e krimit dhe e së keqes, dhe të njëjtin e votuat?!! A kjo është LDK-ja demokratike e jotja dhe e Isa Mustafës?
– Në vazhdim do u bëja lutje të gjithë deputeteve të LDK-se, duke përfshirë edhe ata që veçse e tradhtuan elektoratin e LDK-së me mundësimin e zgjedhjes së presidentit, që te mos na zhgënjeni prapë në çështjet e demarkacionit dhe asociacionit. Ta keni të sigurt që me votimin e këtyre marrëveshjeve nuk e ndihmoni Kosovën e njëkohësisht as LDK-në. Kjo do jetë një barrë e juaja dhe do ju përcjell brez pas brezi si njollë e pashlyeshme!
– Krejt në fund ju bëjë thirrje që mos të lejohet që Kryetari i LDK-së të zgjidhet me vetëm një kandidat dhe me aklamacion. Zgjidhje demokratike është rasti kur Kryetari i partisë zgjidhet me më shumë kandidate, dhe gjithsesi me votim të fshehtë. Kandidatët për kryetar të shpallin kandidaturën së paku 2 javë para kuvendit zgjedhor, kandidatura e tyre të mbështetet nga 100 nënshkrime të delegatëve, ose nga 1000 nënshkrime të anëtarëve të LDK-së nga së paku 5 degë të ndryshme të Kosovës. Sa i përket pikave të tjera rreth ndryshimeve në statut ato i gjeni në dokumentin që e morët më parë, të nënshkruar nga 10 delegatë të LDK-së. Në pika të shkurta, ky ishte fjalimi i mohuar nga kryesia “demokratike” e LDK-së.
Prishtinë, 28.05.2016.
Me nderime,
Petrit Bicaj
Delegat i kuvendit qendrore të LDK-së
Kryetar i nëndegës Ulpiana në Prishtinë
Prishtinë 26.05.2015. Restorant PISHAT, Petrit Bicaj & Donikë Gërvalla & Shefqet Dibrani