Kombi ynë ka hyrë dy herë në historinë e botës si komb që jep

0
567
Gjergj Kastrioti - shtatore

Gjon KEKA

Humanizmi tek kombi ynë ka qenë i rrënjosur qysh nga kohërat antike, por ka dal e është shfaqur më shumë në jetën-veprën si dielli që lind nga periudha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ai me veprat e tij ka dëshmuar se kombi ynë i ka rrënjët e tij në humanizëm dhe lirizëm konkret. Janë të shumta arsyet pse e mora figurën e Gjergj Kastriotit si shembull i humanizmit tek ne, kjo për faktin se me kohën e tij lind edhe epoka e njohjes më të thellë të të kaluarës historike, karakterit dhe vlerave të kombit tonë, poashtu me të fillon edhe epoka e vendosjes së themeleve të një Europe humane dhe vetëmbrojtëse nga rreziqet jashtme. Për të mos u zgjatur më shumë në gjenezën e humanizmit tek ne, po nënvizoj këtu disa gjëra që janë me rëndësi dhe që shpalosin në fakt anën humane dhe morale të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu sipas shumë kronistëve ishte një lider i urtë, kishte moral të pastër dhe disciplinë në Ushtrinë e tij,ai nuk lejonte gjërat e papastërta.

Me popullin sillej si një shërbëtor ndaj tyre, pra qytetarëve i shërbente dhe mbante kujdesin e përgjegjësin e lartë ndaj tyre, në rast lufte ai i largonte ata nga zonat ku mund të kishte beteja të përgjakshme me pushtuesin otoman(turk), dhe i vendsote në një zonë të sigurtë që të mos dëmtohej apo të merrej peng a të vritej askush nga armiku turk.

Ndërsa në anën tjetër ai kujdesej si për sytë e ballit për ushtaratë e tij që e ndiqnin dhe korrnin fitore të njëpasnjëshme në pothuajse të gjitha betejat me armikun pushtuesin otoman(turk). Ushtarët ai si një njeri human dhe njohës i artit të luftës i konsideronte si shokë, si bashkëudhëtar dhe jo si një prijës që i dirigjon dhe i dikton në të gjitha fushat, por ai i jepte mundësi ushtarëve arbëror të merrnin përgjigjësit e tyre secili dhe të bashkuar në front për të arritur fitoren e kërkuar në Fjalimet e zjarrta që ai mbante para tyre para çdo beteje.

Shumë autor e kronist madje edhe vetë Marin Barleti e përshkruan atë si fisnik i madh, si bujar, si njeri human e i mëshirshëm ,por i rreptë, mbajtës i vijës së tij atdhetare, humane e solidare, por edhe i ashpër ndaj padrejtësive, ai nuk e duronte padrejtsinë, ai nuk e donte tradhëtin dhe dembelizmin.

Humaniteti apo njerëzorja e tij ishte se ai qëndronte gjithmonë përkrah dhe me njërzit e tij,ai e donte atdheun, i donte qytetarët e tij, i ndihmonte dhe i shërbente gjithmonë, ai nuk qëndronte në karrikën e tij mbretërore, as bashkëshortja e tij Donika nuk qëndronte në karrikën e mbretërisë, por që të dy kishin në zemrat e tyre dashurinë për vendin dhe njerëzit apo qytetarët e tyre, duke qënë gjithmonë të gatshëm dhe pranë tyre gjithmonë kur e donte nevoja. Me këtë mund të kuptojm se epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte epoka më e artë e kombit tonë dhe se populli ynë apo qytetarët arbëror vetëm në atë kohë e shihnin dorën e pushttit që i ndihmonte që i qëndronte pranë tyre, që kujdesej për ta dhe për mundësit që shteti i Arbërit jepte në atë kohë, koha e qeverisjes dhe humanizmit të Gjergj Kastriotit ishte kohë e bekuar për popullin arbëror.

Kjo kohë më nuk erdhi asnjëherë dhe në asnjë periudhë më pas, madje as sot nuk ka ardhur ende që një dorë e pushtetit sikur që ishte ajo e Gjergj Kastriotit të ishte dorë e popullit ,pranë popullit dhe me popullin në të gjitha kohët e tij, duke u kujdesur me zellin më të madh për ta dhe të ardhmen e tyre.

Duhet potencuar këtu se të gjitha ato që i mledhte gjatë betejave si fitues i dërgonte qytetarëve që kishin nevojë dhe Kishës për nevojat e saj, nuk mbante asgjë për vete, dhe jo rastëisisht thonë shumë autor e kronist se Gjergj Kastrioti Skënderbeu në fund vdiq jo i pasur, ai nuk kishte as ar e argjend, por si një personalitet i madh në shpirt e i thjeshtë që pasurin më të madhe ia dedikonte popullit, kombit të tij për të cilin kishte ardhur për ta bërë të lirë, thejsht ai nuk mendoi për ta bërë veten të pasur, por kombin e tij të cilin e donte deri në frymën e fundit. Ai vdiq si mbret i varfër, por me një pasuri të madhe humane e shpirtërore si dhe me një Emër që u shkrua me shkronja të shenjta kombëtare e qiellore në Univers dhe në zemrat e Arbërorëve të tij e të kombit.

Vazhdimësi e shpirtit të tij human ishte edhe Nënë Tereza, tradita e humanizmit tek Shqiptarët nuk u ndal me Gjergj Kastriotin, por vazhdoj me Nënë Terezën dhe sigurisht që në mesin e popullit tonë ka njerëz human që kanë në venat e tyre kanë gjakun Kastriotian e Terezian dhe që vazhdojn t’i japin jo vetëm kombit të tyre, por edhe botës nga e mira e tyre, nga zemra e tyre, nga mendja e tyre atë që nuk e kanë shumë popuj, individ e kombe. Dhe krejt në fund me anën e lirizmit konkret, mbrojtjes së qytetërimit dhe humanes universale kombi ynë ka hyrë dy herë në historinë e botës si komb që jep, si komb që kontribuon; me anë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut që Europa e adhuronte si mbrojtës të saj, dhe Nënë Terezës që bota e adhuron si vlerën e saj në mbrojtje të dinjitetit njerëzor.

Tradita e humanizmit në kombin tonë do të vazhdojë, edhe përkundër shfaqjes së kohëve të fundit të johumanes dhe jo solidariteti,kur dihet se shqiptarët e Kosovës më parë ishin më human e solidar, por kohëve të fundit kemi një lloj dukurie të huaj armiqësore në vete atë të urrejtjes dhe josolidariteti më njëri-tjetërin, por edhe kjo erë e huaj armiqësore që ka hyrë në hundët e atyre mohuesve apo individëve plangëprishës do të ndalet dhe do të rifilloj, rilind e do të vij era e anës humane e solidare në mesin e popullit tonë e kombit në përgjithësi.

Qoftë bekuar kombi ynë që nxorri Personalitete mbikohore të bekuara si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Nënë Tereza ,e shumë personalitete tjera që i dhanë atë që kishin kombit dhe botës së civilizuar ,për ta bërë kombin dhe botën më të mirë dhe me më shumë dritë. [Gjon Keka]