Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë promovon në Beograd poezinë e poetit Gjekë Marinaj

1
938
Gjekë Marinaj - Promovimi i librit në Beograd

Arben Çokaj, tetor 2016

( Foto-galeri në fund të shkrimit… )

Këto ditë poeti shqiptaro-amerikan Dr. Gjekë Marinaj ishte i ftuari i Shoqatës së Shkrimtareve të Serbisë për dy evenimente letrare the kulturore. Njëri ka të bëjë me ftesën e tij për të marrë pjesë në promovimin e librit me poezi të zgjedhura të Marinajt “Vij për të risuar”, përkthyer në serbisht nga përkthyesi Pjetër Dreshaj. Ndërsa evenimenti tjetër i përket një ftese nga e njëjta shoqatë, por këtë herë në një cilësi tjetër, pra si shkrimtar përfaqësues i Amerikës në Asamblenë e 55-të të Shkrimtarëve Ndërkombëtarë në Beograd.

Marinaj gjatë prezantimit për të pranishmit

Promovimin e librit, i cili u bë në sallën kryesore të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë në Beograd, e hapi poeti proleptik serb Miljurko Vukadinoviç, i cili ndër të tjera tha se “Marinaj është shqiptar nga lindja dhe Amerikan nga profesioni. Letërsia e arrirë e tij edhe në gjuhën tonë, ashtu si dhe ai vetë, janë pjesë e kulturës dhe gjithmonë në mirëpritje të plotë nga të gjithë ne.”

Moment shëtitje në zonën e qetë të qytetit

Më pas fjalën e mori Doc. Prof. Jovan Janjic, i cili theksoi se “Marinaj është poet i lirisë, poezitë e tij shërbejnë si një urë që lidh njerëzit pa marrë parasysh kufijtë politikë dhe gjeografikë. Audienca e tij është krejt njerëzimi”.

Moment i lirë para biblotekës së qytetit

Ndërsa zonja shumë e talentuar, Nina Simic, përkthyese dhe zëdhënëse e Shoqatës së Shkrimtareve të Serbisë, e përkufizoi me këto fjalë poezinë e Marinaj: “Gjekë Marinaj krijon një bukuri të pastër kozmike të mishëruar brenda një qenie të jashtëzakonshme – njësoj për të gjithë njerëzit dhe pothuajse përtej njerëzimit, por me një stil të dukshëm të përmasave kozmike. Poezitë e tij janë po aq opalescenite sa që reflektojnë në të njëjtën kohë të gjitha cilësitë e fisnikëruara dhe sublime, duke rritur frymën e auditorit të tij letrar, në mënyrë që ata të mund të arrijnë dhe të kuptojnë potencialin e plotë të leximit pozitiv në një unitet të mrekullueshëm – perfekt nga natyra përmes përsosmërisë krejtësisht natyrore – pa asnjë gjurmë pretencioze në vargjet e tij”.

Marinaj në Aleksandrovac

Poezitë e Marinajt u promovuan edhe në dy qytete te tjera të Serbisë, pikërisht në Aleksandrovac dhe Vrnjačka Banja. Marinaj u prezantua dhe lexoi poezitë e tij, botuar edhe në një antologji të veçantë me poetët ndërkombëtarë, pjesëmarrës në Asamblenë e 55-të të Shkrimtarëve Ndërkombëtarë në Beograd, në disa biblioteka, muze dhe institucione të tjera të Beogradit, Aleksandrovacit dhe Vrnjačka Banjës. Gjatë vizitës së tij 5 ditore, Marinaj dhe disa nga shkrimtarët e tjerë shoqërues u moderua dhe prezantua para mediave dhe publikut serb nga gazetari i njohur televiziv i Serbisë Misa Ciriç, i cili vuri gjithë talentin dhe dedikimin e tij, për të vënë në pah vlerat letrare dhe kulturore të evenimentit.

Marinaj pas darkës me Dr. Jugoslav Stajkovac
– kryetar i bashkisë së qytetit Aleksandrovac, Serbi

Dr. Jugoslav Stajkovac, Kryetari i bashkisë se Qytetit Aleksandrovac, shtroi një darkë të veçante me këtë rast, ku ishin te ftuar shumë njerëz të letrave nga qyteti i tij, si dhe shumë shkrimtarë e poetë nga vendet e ndryshme të Evropës si Italia, Ukrahina, Bosnja, Rumania etj. Ai tha ndër tjera për të pranishmit se “është kënaqësi për bibliotekat publike dhe universitare të Serbisë që ta kemi të gatshëm për lexuesin tonë librin e Marinajt në gjuhën Serbe”.

Në prag të prezantimit në Aleksandrovac

Me të njëjtin optimizëm u shpreh edhe poetja nga serbe Neda Gavrić: “Poezitë e Gjekë Marinajt i frymëzojnë të gjithë ata, që kërkojnë angazhim shpirtëror dhe përsosje të jetës me vlera të vërteta kulturore, artistike dhe estetike. Pothuajse çdo gjë që është e bukur në këtë botë dhe që buron ndjenjën e ekzistencës mund të shijohet në mënyrë poetike përmes poezive të Marinajt. Lexuesit e këtyre Poezive padyshim do të ndjehen më të pasur shpirtërisht, sepse Marinaj u jep atyre ide të qarta se pasuria shpirtërore është shumë më e rëndësishme se ajo materiale. Këto poezi me siguri do të marrin frymë në gjoksin e secilit njeri, që ka një ndjenjë të mirë për letërsinë.”

Për një miqësi të përhershme, në Vrnjačka Banja

Përshtypje të mirë për të pranishmit la dhe mendimi i poetes, përkthyeses dhe gazetares ruse Elena Buevich: “Sidomos për ata që përdorin alfabetin cirilik, përkthimi në gjuhën serbe i poezive të Gjekë Marinajt është një mundësi e madhe për t’u njohur me botën e madhe të këtij poeti. Kam ngelur e kënaqur me imazhet e tij të komplikuara dhe të pasura, gjuhën e tij poetike, e cila në aspektin e dendësisë është si ornament oriental. Edhe pse imazhet e tij alternojnë mjaft dendur, këtu mbizotëron mendimi dhe, më e rëndësishmja, morali. Në këtë libër u njoha me përparësinë morale të heroit lirik të këtyre vargjeve, për të cilin është më mirë të jesh “shërbëtor në parajsë sesa sundues në ferr.”

Marinaj me grupin muzikor “Neverne Bebe”

Një nga momentet me të bukura për Marinaj ka qenë takimi surprize me grupin e tij favorit muzikor “Neverne Babe”, me të cilët u takua, bëri fotografi miqësore me ta, para se të jepnin një koncert madhështor për të pranishmit në qytetin e bukur Aleksandrovac.

Në skenë, në Aleksandrovac

Marinaj, të cilit iu dha disa herë fjala gjatë atyre 5 ditëve, theksoi mirënjohjen e tij të thellë ndaj përkthyesit të tij Pjetër Dreshaj, pjesëmarrësve, kolegëve dhe miqve të tij serbë. Ai falënderoi Ministrisë së Kulturës dhe veçanërisht Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë, për nderin e madh që i bënë. Marinaj, i cili pas ikjes nga regjimi komunist shqiptar në shtator të vitit 1992 jetoi në Serbi për rreth 8 muaj, nuk harroi të falënderonte dhe një herë popullin serb për ndihmën dhe pritjen e jashtëzakonshme, që i kanë bërë në ato momente të hershme, shumë të vështira të jetës së tij.

[gdgallery_gallery id_gallery=”3″]

Botuar në gazetën Nacional:

1 KOMENT

  1. Gjekë Marinaj, poet shqiptar për të ikur nga Shqipëria (1992) paskësh zgjedhur apo e paskësh qitur rastësia të kapërcej nëpër tokën e Serbisë dhe tutje deri në Amerikë…! Tashti pas kaq vitesh poeti Marinaj në shenjë “nderimi për popullin serb” (sic!)është këthyer për të promovuar krijimtarinë e tij letrare. Nuk e kam të qartë pse me kaq (entuziazëm) poeti Marinaj ishte në mesin e shkrimtarëve dhe intelektualëve serbë nëpër Serbi, të cilët për “dashmirësinë dhe miqësinë” ndaj poetit Marinaj, në orët e promovimit të librit të tij me poezi, askund në asnjë diskurs “poetik” të kritikës letrare serbe në këto mjdedise (shih artikullin) më lart, ku, asnjëherë në asnjë mënyrë kritikët letrar serbë nuk ua qiti goja të thonë (poeti shqiptar Gjekë Marinaj është përkthyer në gjuhën serbe (sic!), por tërë diskursi në këto mjedise serbe kalonte sikur në heshtjen e njohur, ndonëse kur përmendet fjala (shqiptar-shqipe), sikur atyre u zihet fryma (sic!). Nuk thanë asnjë fjalë në Serbi shkurt dhe siç e meriton arti i poezisë nëpër botë dhe kjo letërsi shqipe nga Shqipëria! (sic!).

    Tërë odisejada e këtij manifestimi letrar në Serbi për poetin Marinaj kaloi me atomosferën e buzëqeshjes së poetit tonë (shqiptar), që në Serbi ata që e kishin ftuar nuk ua qiti goja të paktën të thonë për të pranishmit ndonjë fjalë nga “kritika letrare serbe” (sic!) poezia shqipe dhe poeti Gjekë Marinja! Një manifestim i këtij lloji që u organizua në qytetet e Serbisë, poeti ynë (vetëm) paskësh lexuar pjesë nga krijimtaria e tij letrare dhe pa e thënë asnjë fjalë për kombin e vet shqiptar, pse jo edhe për orën e trazimeve historike në Ballkan, ku, populli shqiptar ndër shekuj dhe në vitin 1998-1999 u përgjakën për Liri dhe Pavarësi të Kosovës! Pse asnjë fjalë dhe tërë manifestimi i këtij lloji dhe për artin poetik të poezisë shqipe dhe për poetin Gjekë Marinaj, ky manifestim mbeti në adresën anonime për kombin tonë dhe për artin në përgjithësi.

    Poeti Marinaj sikur ua kthej “borxhin” popullit serb se në vitin 1992, kur poeti kishte marrë udhën e arratisë dhe nuk dihet pse kjo arratisje si djalë i ri që as pushteti i kohës, kujtoj, as që e njihte dhe as që kishte bërë ndonjë “mëkat” nga ligji i kohës…!

    Gjekë Marinaj kësaj radhe artin e tij poetik e bëri “miqësi”me serbët që, dihet në historinë e shekullit të kaluar saherë u përgjakën dhe i vranë deri në shkallë të gjenocidit shqiptarët dhe Kosovën heroike…!

    Gjekë Marinaj ky udhëtim juaji në Serbi do të mbetët njollë në jetën tuaj dhe, pa fije përgjegjësie intelektuale dhe si poet nuk keni qenë në gjendje të thuani të paktën dy-tri fjali për popullin tuaj shqiptar dhe për artin poetik të poezisë para “miqëve tuaj serbë” (sic!).

    Gjekë Marinaj, është i pafalshëm udhëtimi juaj në Serbi dhe çil guri gojën për popullin tuaj shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike! Sa keq dhe shpejt qenka tjetërsuar poeti ynë shqiptar, që jeton në Amerikë dhe, e paska harruar se prej nga vjen… (sic!).

    Shënim: Gjekë Marinaj iku nga Shqipëria komuniste përmes maleve, pasi iu botua poezia e tij Kuajt, në fund të verës së vitit 1990në gazetën e Shkrimtarëve shqiptarë “Drita”, disa muaj para se të rrëzohej sistemi komunist në Shqipëri nga protestat studentore, dhe pasi ky kishte marrë kërkesë për t’u paraqitur në hetuesinë e Shkodrës, ku ka mundësi se do e rrihnin dhe torturonim dhe ndoshta edhe do e linin me pasoja gjthë jetën, si disa të tjerë. Nga frika e dëmtimit ai iku, dhe u prit mirë nga autoritetet serbe, pavarësisht marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.

    Ai më pas u takua me ambasadorin amerikan në Beograd dhe i kërkoi atij ta ndihmonte të shkonte në Amerikë, pasi në vendin e tij, për një poezi, ai mund edhe të dëmtohej përjetë… Ambasadori amerikan, pasi dëgjoi pozeinë Kuajt, i tha: “Mirëse vjen në SHBA, bir!” Dhe e ndihmoi të emigronte atje. Në Beograd, Gjeka njohu disa serbë, të cilët e ndihmuan dhe në respekt për ta, ai edhe e botoi librin e tij në serbisht dhe e ruajti edhe miqësinë me ta, duke u përpjekur të vendosë ura bashkëpunimi përmes artit edhe me shkrimtarët serbë, pa u futur në diskutimet politike, të cilat kuptohet se janë tema tepër të nxehta, për t’u trajtuar me gjakftohtësi. Në këtë plan duhet parë edhe kontributi artistik i Gjekës, si poet, mendoj, të mos politiziohet, por t’i tejkalojë pengesat që dalin në komunikimin politik mes serbëve e shqiptarëve… /AÇ

    KUAJT

    Tërë jetën duke vrapuar rrimë
    Shohim veç përpara
    Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
    Ne nuk kemi emër
    Të gjithëve kuaj na thonë.
    Nuk qajmë,
    Nuk qeshim;
    Heshtim,
    Dëgjojmë;
    Hamë atë ç’na japin,
    Ecim nga na thonë,
    Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
    Kush qe kalë mbreti,
    Posti qe i lartë
    Kush qe kalë princeshe
    I bënë shalë të artë
    Kush qe kalë fshatari
    Pat samarë me kashtë
    Kush qe kalë i egër
    Tërë jetën fjeti jashtë.
    Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!

Komentet janë mbyllur.