A L D A . M E R I N I
1931-2010
Alda Merini (Milano, 21 mar 1931 – Milano, 1 nëntor 2009) ka qenë një poeteshë aforistike dhe shkritare italianae.
ARTI DHE MAGJIA
Magjia është art apo arti ka një forcë magjike ?
Që nga koha e kohërave njeriu është i pasigurt
pas frikës dhe elementëve të pastër të tokës
dhe thirrjes së Zotit të zjarrit, të ujit, të mendjes.
Është burimi më i pashtershëm dhe i thellë i njeriut
Njeriu do të zbutë Zotin që s’është në vete
por edhe Zotin që është në të.
Njeriu nuk beson në Providencën
dhe fton imazhe dhe tinguj që kanë forcë ” lehtësuese.”
Ada Negri thotë: ” forca e mendimit që zoti
na ka dhënë ne të gjithëve,
veçanërisht atyre që janë vizituar nga Zoti frymëzues,
janë magë dhe demonë, por mbase kanë frikën e sigurisë,
lind nevoja e shenjës, e gjurmës, e ekzorcizmit, e frikës,
lind vizioni i katastrofës,
por lind edhe ringjallja dhe njeriu në mëngjes,
veçanërisht nëse është plak, do t’i gjendet në dorë buka e djeshme
që dëshiron ta ndajë gjithë dashuri me të tjerët,
për festën e madhe të ditës.”
( bashkësia e artistëve – post skriptum ).
Nëse njeriu ka frikë nga dhimbja
na vijnë në ndihmë rimat e Kozimodos:
” Babëzisht unë hap dorën time sot,
bukën e përditshme jepna, Zot„.
FËMIJA
Po gjete balonën e fantazisë tënde
lidhe me inteligjencën e zemrës.
Do të shohësh të lindin kopshte të magjishme
dhe mamaja jote do të bëhet bimë,
do të të mbulojë me gjethet e saja.
Bëj me duart e tua dy pëllumba të bardhë
që të sjellin paqen kudo dhe rregullin e sendeve.
Por para se të mësosh të shkruash
shiko veten
në ujin e ndjenjës.
POEZI MARINA ÇERATIT
Urime, ujërat e ndjenjës ndonjëherë të kanë tronditur
dhe ka një lloj poezie të ëmbël që është kënga,
si këndon një nënë
kur përkëdhel një fëmijë,
këmba e një fate që ecën në erë,
dhe ndërsa fëmijët tuaj fillojnë jetën
ti bëhesh prapë vajzë, një akullsi për të shpëtuar,
dashuria nuk ka kohë dhe kur të jesh plak
do të të puth flokët vetëm pranvera.
PRONA PRIVATE
Prej kohësh unë pyes veten
e kujt është kjo pronë,
pronë publike dhe private
si gjarpër
në zemër,
kanë frikë nga hajdutët
dhe hajdutët
kanë sjellë përherë fat,
ndërsa shtëpiakja e heshtur
u vë zjarrin varreve.
HAMLETI PREJ LETRE
Xhuliano Gritinit
Ti Hamlet prej letre je një perlë që ka parë vdekjen.
Një ditë shumë vjet më parë kur pe një grua mendove
se ishte besimi yt te Zoti.
Ishte e bukur por ishte e hidhur si të gjitha fatet e njeriut.
Si dashnor ishe një urtan
Duke e pirë atë ti ke pirë kukutën.
Sa e hidhur ishte dhe sa e ëmbël.
Duke pasur atë ke ndierë në prehrin e saj pluhurin e mjaftë rrugëve,
ke parë trëndafila e kangjella, kangjella e trëndafila.
Duke pasur atë ke kuptuar që jeta ishte një gabim
dhe se vetëm dashuria është tragjedia e vërtetë e njeriut.
Ti s’ke qenë kurrë burrë dhe ajo s’ka qenë kurrë grua.
Fakti është se të lidhur dorë për dore
ju zbuluat se ishit të mëdhenj si universi.
Gabimi juaj ishte se ju zbuluat të vërtetën.
Ti sot je i vdekur
por jo se ke vdekur sepse ke një varr,
por sepse blove, dashurove dhe hëngre zemrën e saj
siç hahet hëna dhe dielli.
Ti je bërë mbreti i universit, ti je çmendur prej dashurisë.
Ty të pëlqen ta ndiesh larg vuajtjen tënde
nga goja jote e shpejtë që është gjithmonë një bir
një prijës i fshehtë që vozit dhimbjen si galdim.
Por zbuluat pastaj një ditë një tokë ku s’banonte kush
dhe ngritët atje tendën e dashurisë.
Hëngrët mendimet tuaja si mish gjahu.
Sa të bukur janë mendimet e dashurisë
janë pëllumba të lartë që u hahen dhe puplat.
Megjithatë zemra e zemrës suaj nuk është statujë e vetmuar
por një sy ku shohin shumë
për të konceptuar parajsën e paqes,
ti dhe ajo jeni të vdekur në këtë heshtje
por varri juaj s’ka ekzistuar kurrë.
SHTATË TË PËRJETSHMET
Verë e fortë si perëndesha arsye.
Te ty ideja bëhet tingull
dhe ngjyroset Miti.
Shfaqen fustane ngjyrë nefriti,
Lundrimi i këngës zgjidhet në vela
që të kujtojnë shpirtin.
O verë që këndon dhimbjen time,
verë që je gremina e skajshme,
verë që të krijon iluzionin e vdekjes
dhe të vë në gjumë
gjer në dhimbjen e re.
LUBIA
Pasi më rrëmben
në hijen
e fatit tim
si gjethe dafine
që konvertohet në ujë
dhe bije në lumin tënd.
Balta e braktisjes sate
është biri
i një Zoti batakçi
që s’mund të ketë figurë.
UNË SI JU
unë si ju jam habitur ndërsa vidhja jetën,
flakur jashtë nga dëshira ime e dashurisë.
mua si ju s’më kanë dëgjuar dhe kam parë shufrat e qetësisë
të më rriteshin përreth dhe të më shkulnin flokët.
unë si ju kam qarë kam qeshur dhe kam shpresuar.
unë si ju kam ndierë të më zhvishnin rrobat nga trupi
dhe kur më kanë dhënë në dorë turpin tim
kam ngrënë turp çdo ditë.
unë si ju kam ndihmuar armikun
kam pasur besim në rrobat e mia të varfra
dhe kam pyetur ç’është zoti
pastaj nga ideja e ekzistencës së tij kam marrë forcë
që të ndiej martirin të më fluturojë rrotull si pëllumb i gjallë.
unë si ju kam konsumuar vetë dashurinë larg
edhe nga Krishti i ringjallur.
por unë si ju
u ktheva në shkencën e dhimbjes së njeriut
që është shkenca ime.
TOKA E SHENJTË
Kam njohur Zherikonë
kam pasur dhe unë Palestinën time
muret e çmendinës
ishin muret e Zherikosë
dhe një pus me ujë të infektuar
na ka pagëzuar të gjithëve.
Atje brenda ishim hebrenj
dhe Farisenjtë ishin lart
dhe ishte edhe Mesia
përzierë brenda turmës:
një i çmendur që i bërtiste Qiellit
gjithë dashuria e tij te Zoti.
Ne të gjithë, lukuni asketësh
ishim si zogjtë
dhe herë pas here një rrjetë e zezë
na burgoste
por shkonim drejt meshës,
meshës së Zotit tonë
Krisht Shpëtimtarit.
Qemë larë dhe varrosur,
binim erë temjani.
Dhe më pas, kur dashuronim
na bënin elektroshokë
sepse, thoshin ata,
një i marrë s’mund të duan askënd.
Por një ditë që brenda varrit
edhe unë u zgjova
dhe unë si Jezusi
pata rilindjen time,
por nuk u ngjita qiejve
zbrita në ferr
nga ku shoh e habitur prapë
muret e Zherikosë së lashtë.
Dunat e këngës u mbyllën,
o magji e mallkuar e universit,
që gjithçka mund mbi një sferë të butë.
Mos eja pra ti në të shkuarën time,
s’do të hapësh disa delta marramendëse,
disa plagë të fshehta, disa hyrje shkallësh
që japin lëvizje mbi parmakë të pjerrësisë;
qëndro, po të mundesh edhe si të jesh Orfeu
që më vjen të më heq nga hiçi përsëri,
qëndro o trimi dhe i larti kavalieri im,
unë vuaj nga drita,
në hije jam mbretëreshë,
por jashtë në botë do të mund të jem e vdekur
dhe ti e di përhumbjen që më kap plotësisht
kur unë shoh një pemë të sigurt.
HAPËSIRË
Hapësira hapësira unë dua, shumë hapësira
që të lëviz shumë ëmbël e plagosur;
dua hapësirë që të këndoj, të rritem
të endem e të kapërcej hendekun
e diturisë hyjnore.
Hapësirë më jepni hapësirë
që u në të lësho një britmë jonjerëzore,
atë britmë qetësie në vitet
që kam takuar me dorë.
Përktheu: Faslli Haliti