DIASPORA SHËNOI DITËN E BIBLIOTEKËS “AKADEMIK MARK KRASNIQI”

0
1090

Pilsting/Gjermani, 20 tetor 2018. Dita e Bibliotekës Popullore Shqiptare “AKADEMIK MARK KRASNIQI”, u mbajt në Pilsting të Niederbayernit të Gjermanisë

Të ftuar nga themeluesi dhe drejtuesi i Bibliotekës Popullore Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi”, bashkatdhetarë të shumtë, intelektualë, personalitete publike e kulturore, si dhe deputetë në rrethin e Oberbayern-it, kishin mësyrë qytezën Pilsting, ku jeton dhe vepron veprimtari Maxhun Smajli, i cili një pjesë të shtëpisë së tij ia ka kushtuar një bibliotek,e të cilën e ka pagëzuar me emrin e njërit nga personalitetet ma të shquara të kombit tonë, Akademik Mark Krasniqi. Po ashtu ky edicion festiv i bibliotekës i kushtohej edhe vitit jubilar të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, në 550 vjetorin e lindjes, si dhe me rastin e 98-të vjetorit të lindjes së Akademik Mark Krasniqit.

Në oborrin e shtëpisë, të ftuarit i prisnin djali dhe vëllai i Maxhunit, ndërsa brenda në dhomën e miqve zonja dhe vajzat shërbenin me kafe duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve të shumtë. Në anën tjetër, në një dhomë e përshtatur për Bibliotekë, në kuadër të Ditës së Bibliotekës Popullore Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi”, mbahej takimi me poetin Bahri Shyti, kurse fëmijët mërgimtarë; Albulena dhe Albion Ibrahimajt, Linda, Dardan dhe Valentina Kurtaj, Elza Sahiti, Eliona Gashi dhe Hasan Arifaj, bashkë me mësuesen, Buqe Arifaj, zhvilluan bisedë me poetin, takim ky që u mbajt në hapësirat e bibliotekës, ndërsa në anën tjetër këto takime i filmonte me kamerë gazetari Halil Rrustemaj, i cili më pas mori përshtypjet edhe të disa intelektualëve të cilët kishin ardhur për ta nderuar autorin dhe themeluesin e bibliotekës Maxhun Smajli, dhe për të asistuar në manifestimin tradicional, i treti me radhë, , që mbahej pak kilometra larg shtëpisë, në një sallë të rregulluar në mënyrë solemne.

Nikoqiri dhe ideatori për themelimin e këtij manifestimi tradicional, z. Maxhun Smajli, hapi edicionin e tretë të këtyre takimeve, ndërsa në veshje kombëtare u paraqit Tringë Smajli, e bija e tij që simbolizonte trimëreshën që ka hyrë në histori Tringë Smajli nga Gruda. Tringa që fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, u prezantua me një monolog shumë interesant, të cilin po e bartim të plotë, për shkak të vlerave artistike dhe mesazhit që kishte!

* * *

Tringë Smajli – MONOLOGU

OH, SA PO GËZOHEM QË PO JU SHOH!

Oh, sa po gëzohem që po ju shoh, jam e re ndoshta edhe nuk ju njoh, por mua babi më ka thanë, nga trojet shqiptare, këtu, i ke të tanë. Ah, këto Trojet shqiptare që unë i kam atdhe, i kam mëmëdhe por nuk e kam vendlindje. Emrin e kam Tringë. Tringë Smajli më quajnë, por nuk jam si, Tringë Smajli e Smajl Martinit. Kam lindur 130 vjet pas kësaj heroine, që në popull njihet si Tringa e Grudës apo Tringa e Maleve, me 29 gusht 2000 në Hohenlimburg (NRW).

Nganjëherë, kur më kujtohet domethënia e emrit, atdheu e mëmëdheu, ndjej sikur bëhem trimëreshë. Për dallim nga Tringa e Grudës, e cila përpos flijimit personal shkriu tërë pasurinë familjare për hapjen e shkollave shqipe, unë, bashkë me babin dhe me ju, dashamirë të librit, po i japim jetë bibliotekës, ku fëmijët mërgimtarë do të shërbehen me libra shqip.

Kam një motër, Egzonjetën dhe katër vëllezër; Liridonin, Ngadhnjimin, Arbërin dhe Agonin. Motra dhe tre vëllezërit kanë lindur në kohën e robërisë shqiptare. Agoni, vëllau im i vogël, ka lindur në luftë. Ndërsa, unë kam lindur në paqe. Pra, ne fëmijët e babë Maxhunit dhe nënë Hatmonës, simbolizojmë tri kohë; kohën e robërisë, kohën e luftës dhe kohën e paqes. Dashuria prindërore është e madhe, por, më i përkëdheluri është Agoni, që ne e thërrasim, Djali i Luftës.

* * *

Pastaj e mori fjalën Maxhun Smajli, gazetar dhe autor librash, reporter lufte dhe njeriu që ka bërë kthesa të mëdha historike, i cili në cilësinë e nikoqirit dhe drejtuesit e themeluesit të kësaj biblioteke i përshëndeti mysafirët e shumtë: “Unë them se, për fatin tim të mirë, kam pasur rreth vetes miq e shokë shumë të mirë, të qetë, të dashur. Disa nga këta janë, autor librash, mjek të mirë, mësimdhënës, humanist, veprimtarë të çështjes kombëtare, si dhe luftëtarë të lirisë, të cilët për asnjë çast nuk më lanë të epëm, të dorëzohem. Disa prej tyre, jeni ju, të nderuar!”, dhe më pas në mënyrë mjaftë emocionale ai iu drejtua të pranishmëve që kishin mbushur sallën solemne dhe kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, gjithandej Gjermanisë, por kishte edhe mysafir që kishin ardhur nga Zvicra dhe Kosova.

Me respektin e madh, “vëllezër dhe motra, mysafirë të nderuar”, iu drejtua të pranishmëve Maxhun Smajli, i cili falënderojë ata për kohën që kanë gjetur dhe mundin që kishin bërë për të qenë pjesë e këtij manifestimi unikat në Evropën Perëndimore, pasi në Pilsting shënohej “Dita e Bibliotekës”, kurse prania e tyre i epte vlerë të veçantë “Ditës Festive të Bibliotekës Popullore Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi”, theksoi ai.

Maxhun Smajli, përshëndeti përfaqësuesit e shoqatave dhe grupeve artistike siç ishin: shoqata “Bavarezo-Kosovare nga Munihu; SHKSH “Shqiponjat e Bayernit” dhe Grupi Folklorik nga Eggenfeldeni, përfaqësuesit e SHKSH “Salih Çekaj” nga Pfaffenhofeni si dhe Grupin e Pavarur Artistik “Drenica” që e përbëjnë kryesisht Familja Kurti nga Alteöttingu.

Në vazhdim ai i përshëndeti edhe disa mysafir të tjerë që kishin ardhur nga vende e qytete të ndryshme, në mesin e tyre shkrimtarin Shefqet Dibrani, i cili kishte ardhur nga Zvicra, pastaj mysafirët e ardhur nga Frankfurti, Gjergj dhe Lena Muçajn, mysafirët nga Stuttgarti, dr. Rexhep Rexhepaj me bashkëshorten Lina Rexhepaj, mysafirët nga Nyrnbergu, Hysen Bicin dhe Emrush e Xhymshit Tafa, me disa të tjerë. Nga Munihu kishte ardhur ing. Deli Balidemaj, deputet, si dhe Naser Krasniqi, kurse nga qyteti Passau, dr. Hamit Manxholli, Maxhun Avdi Jefkaj dhe Ildiko Balatoni, nga Byroti Qerim Shkreli e Driton Ajeti, kurse Arif dhe Buqe Arifaj kishin ardhur nga Moosburgu etj.

Por Maxhun Smajli, duke qenë vet pjesë e Luftës në Kosovë dhe reporter i saj, me mjaftë emocione tha se në mesin tonë kemi edhe ish-ushtarët e UÇK-s në Koshare, Ramadan Ibrahimin, alias Dan Llapi, Milazim Gashin dhe Ramadan Bajrajn, alias Dan Kosova, të cilëve iu dëshiroi mirëseardhje shumë të ngrohtë, sikurse edhe Azize Jaha e cila kishte ardhur nga Kosova. Ai nuk harroi pa i falënderuar për pjesëmarrje edhe mjetet e informimit që i falënderoi për atë që kishin bërë për afirmimin e Bibliotekës, sidomos për RTK-në, TV “SYRI” dhe gazetarin Halil Rrustemaj.

Një falënderim të veçantë e bëri edhe për gazetën “Bota sot” dhe “Radio Fontana”, për hapësirën e ofruar që këto mediume iu kishin kushtuar manifestimeve tradicionale për shënimin e Ditës së Bibliotekës. Në mes pikave të programit, z. Maxhun Smajli, ka përshëndetur dhe falënderuar edhe dhjetëra veprimtar dhe mysafir të tjerë, të cilëve nuk arritëm t’ua shënojmë emrat, sikurse edhe shumë shoqatave dhe biznesmenëve të cilët kanë ndihmuar aktivitetin e kësaj biblioteke andaj z. Smajlaj shprehu mirënjohje për të gjithë.

Poeti Gazmend Dashi, mbajti kumtesën në temën “BIBLIOTEKA DHE RENDËSIA E LIBRIT”, ku pos tjerash theksoi: “Të sigurosh ndonjë çati për veten është një kërkesë absolutisht e natyrshme; këtë e bëjnë edhe zogjtë, madje edhe insektet, por të ndërtosh një bibliotekë për lexuesit kjo është karakteristikë vetëm për njeriun. Bibliotekat nacionale u ngritën bashkë me krijimin e kombit, të cilat kanë shërbyer si tempujt më të fuqishëm për të ndërtuar kulturën nacionale; për zhvillimin e standardeve dhe vlerave të një kombi…”. Pastaj z. Dashi dha një statistikë të librit dhe bibliotekave në Kosovë të shoqëruar me një historik të themelimit dhe vështirësive nëpër të cilat ka kaluar libri, shkolla dhe bibliotekat në Kosovë.

Por siç tha ai, biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pësuar shumë libra, sidomos në fillim të viteve të nëntëdhjeta, por kur Kosovën e mbuloi dhuna serbe, me dhjetëra tonë libra janë asgjësuar duke u bërë kartuç. Në këtë kohë, përkatësisht “në vitin 1992, në muajin tetor, në kohën kur bëhej zbrazja e bibliotekave nga libri shqip, si kundër reagim ndaj veprimit të pushtuesit serb Maxhun Smajli, themeloi, bibliotekën, e njohur si Biblioteka Popullore dhe Shkollore “Liridoni”, në fshatin Poterç të Epërm të Klinës, e para e kësaj natyre në Kosovë. Fillimisht kishte 124 tituj me 370 ekzemplar, por që më vonë, në vitin 1997 pati arritur në rreth 3470 tituj, me 5740 ekzemplarë.

Me libra u shërbyen nxënësit e shkollave fillore “Isa Boletini” në Drenoc, “Azem Bejta” në Grabanicë dhe “Naum Veqilhaxhri” e Kliqinës. Lexues të rregullt kisha 68 nxënës, prej tyre, sot emra të njohur; Dr. Gani Abazi, Dr. Zenun Halili, Dom Jeton Thaqi, Juristi, Haki Smajli etj. Kjo bibliotekë, iu nënshtrua zjarrit serb në fillim të prillit 1999, kurse gazetarin Maxhun Smajli, disa pjesëtar të UÇK-së, e kishin tërhequr në një familje të Krasniqve të Nepolës së Pejës, për ta shpëtuar nga vdekja e sigurt. Dhe, nga kjo kohë, ngado që ka shkuar, Maxhun Smajli, e ka bartur me vete dëshirën për ta ngritur prapë një bibliotekë, të cilën dëshirë e realizoi me 19 tetor 2015”, jo në Kosovë(?!), por në Pilsting të Niederbayernit të Gjermanisë, ku sivjet shënoi trevjetorin e themelimit të saj.

Në kuadër të këtij manifestimi, drejtori dhe themeluesi i Bibliotekës z. Maxhun Smajli, paraqiti një raport të shkurtër të punës që ka bërë biblioteka brenda këtyre tre vjetësh. “Biblioteka Popullore Shqiptare Akademik Mark Krasniqit”, vepron tash e tre vite në Pilsting të Niederbayernit të Gjermanisë, ajo lindi në Muajin e Librit, në muajin kur mbahen takimet letrare tradicionale; “Hivzi Sylejmani”, “Takimet e Gjeçovit” dhe Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt. Më 19 tetor 2015, pikërisht, në 95 vjetorin e lindjes së Akademik Mark Krasniqit”, tha pos të tjerash Maxhun Smajli i cili vazhdoi: “Tani kjo bibliotekë shënon ditëlindjen e saj të tretë. Gjatë kësaj periudhe tre vjeçare, kjo bibliotekë është vizituar nga 164 nxënës dhe nga 182 dashamirë të librit; në mesin e tyre edhe prof. dr. Karolina Kölker, nga Universiteti i Regensburgut, prof. dr. Frashër Demaj, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, prof. dr. Zymer Neziri, nga Universiteti i Prishtinës, prof. dr. Teki Kurti, nga Universiteti i Tiranës, dr. Ibrahim Latifi nga Eggenfeldeni, Ing. Deli Balidemaj, (tash deputet), nga Munihu, e shumë të tjerë”.

Pas disa statistikave humanitare dhe veprimtari të tjera theksoi se mjetet e informimit i kanë kushtuar një vëmendje të spikatur, duke shpreh konsideratën e tij për këtë gjest, prandaj ai shprehi falënderimin e tij për të gjithë ata që ndihmuan; me libra, mjete shkollore, para dhe më mbështetje morale dhe në fushën mediatike, financiare dhe forma të tjera organizative, për të cilat ai u zotua se në vitet vijuese do të punohet edhe më me përkushtim.

Në emër të Shoqatave Kulturore, manifestimin e përshëndeti z. Milaim Krasniqi, i cili e përgëzoi themeluesin e kësaj Biblioteke, për të cilin tha fjalë miradije. Në këtë manifestim me një kumtesë kushtuar artit luftarak të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në kuadër të 550 vjetorit të lindjes, foli Gjergj Muçaj, autor librash dhe gjeneral major i armatës shqiptare si dhe oficer rezervë në trupat e NATO-s. Kumtesa e tij u prit mjaftë mirë, pasi z. Muçaj njihte mirë artin ushtarak të heroit tonë Kombëtar, ndërsa shkrimtari Shefqet Dibrani, fillimisht pat fjalë miradije për bibliotekën, angazhimin dhe veprimtarinë e z. Maxhun Smajli, kurse për punën e tij shprehi admirim para të pranishmëve. Më pas z. Dibrani, u ndal edhe pakëz tek personaliteti i Akademik Mark Krasniqi, figurën e të cilit e lartësoi në piedestal, duke ia përmendur disa kthesa në moment historike, gjë që shikuar në një format krahasues, për nisma dhe ide të veçanta, ne kemi këtu në mesin tonë një Mark Krasniqi të vogël, u shpreh me emocione ai, të cilin duhet ndihmuar, përkrahur dhe mbështetur për t’i realizuar disa nga projektet e tij të veçanta dhe specifike.

Atmosferën kulturore e begatuan me recitime Albion Ibrahimi, ndërsa motra e tij Albulena, lexoi një punim shkolle në gjuhën gjermane të cilin ia kishte kushtuar babait të saj luftëtar i UÇK-së në Koshare Ramadan Ibrahimi, (Dan Llapi).

Dr. Rexhep Rexhepaj, Maxhun Smajli dhe Gjergj Muçaj

Manifestimin e përshëndetën edhe dr. Rexhep Rexhepaj, i cili e vlerësoi lartë angazhimin e Maxhun Smajlit në shumë fusha kulturore e krijuese, ndërsa diskutimi i deputetit z. Deli Balidemaj, ishte mjaftë emocional dhe pas vlerësimit që i bëri bibliotekës, ai shtoi: “Së pari duhet të kesh një ide të tillë origjinale dhe bujare e pastaj edhe vullnetin e çeliktë t’i realizosh ato”, me këtë rast ai i falënderoi gjithë shqiptarët për përkrahjen që ia kishin bërë më 14 tetor 2018, për t’i fituar zgjedhjet, ndërsa në mënyrë emocionuese shtoi: “Para njëzet vitesh kur vendosa të largohem nga atdheu, për në mërgim, prindërit e mi duke u ndjerë shumë keq, më thanë: ”Na fal o, bir, se nuk paskemi arritur të bëjmë gjithçka që ishte dashur dhe si ishte dashur, edhe pse nuk kursyem asgjë për t’ju edukuar e shkolluar”, ata mendonin për lirinë që i mungonte popullit shqiptarë dhe atdheut tha ai.

“Thënë të drejtën, atë kohë nuk i kuptova prindërit e mi dhe mesazhet e tyre. Tani, kam frikë, se unë nuk do të arrij t’iu ofroj fëmijëve të mi, atë që më ofruan prindërit e mi”?! Ai i falënderoi të pranishmit edhe një herë, gjë që modestinë e tij e pëlqyen të pranishmit. Ishte emocionuese edhe prezenca e veprimtarit Hysen Bici, i cili lexoi një poezi kushtuar themeluesit të bibliotekës Maxhun Smajli. Me fjalë përshëndetës u prezantuan edhe disa veprimtar të tjerë.

Në pjesën e dytë u bë promovimi i dy librave: Libri „DHEMBJE DHE KRENARI“ me autor Bahri Shyti, për të cilin një fjalë rasti mbajti vet Maxhun Smajli, që e vlerësoi me nota pozitive duke i uruar suksese të tjera autorit. Ndërsa për librin “GËZUAR”, me autor Gjergj Muçaj, një fjalë rasti e mbajti Lena Muçaj, mësuese veterane në Shqipëri, e cila për shumë vite ka qenë edhe mësimdhënëse e nxënësve shqiptarë në Gjermani. Vlen të theksohet se çifti Muçaj, krijuan një atmosferë të mirë, padyshim duke ia shtuar vlerat artistike e intelektuale këtij manifestimi.

Por për tu theksuar përkushtimi i tyre atdhetar vlen të thuhet se zonja Lena Muçaj, veterane e arsimit, edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, bashkë me bashkëshortin e saj Gjergjin, gjeneral major i armatës shqiptare dhe oficer rezervë në trupat e NATO-s, kishin bërë udhë nga Frankfurti, plot 800 km. ardhje-shkuarje, për të qenë pjesë e këtij manifestimi, prandaj veprimi i tyre ia shtonte vlerën këtij tubimi, bibliotekës dhe librit, për çka disa herë fjalimet e tyre janë ndërprerë nga duartrokitjet e të pranishmëve.

Me rastin e këtij përvjetori organizatori i manifestimit i ndau edhe disa mirënjohje: Lena Muçaj, u nderua me titullin “Anëtare Nderi” i kësaj biblioteke, pastaj me mirënjohje u nderuar Hysen Bici – veprimtar dhe një falënderim shkoi për afaristin Sadik Berisha. Ky manifestim u madhështua me pjesëmarrjen e Grupit Artistik “Drenica”, të cilët para të pranishmëve dhanë një program të pasur me këngë e valle, kurse krejt në fund të këtij manifestimi, z. Maxhun Smajli bashkë me familjen e tij, të ndihmuar edhe nga disa bashkatdhetar, shtruan një drekë solemne, me të cilën u përmbyll Edicioni i Tretë Tradicional i këtyre takimeve, i veçantë për Diasporën Shqiptare në Gjermani dhe kudo në Evropë!

Fotograf: Arif ARIFAJ
Tekstin: Shefqet DIBRANI