Dyfytyrësia e BE-së!

0
650
Faik Krasniqi

Shënim:
Pse BE nuk po ia liberalizon vizat Kosovës?!

BE duhet t’i hapë rrugë shqiptarëve që të integrohen në Evropë, ndryshe ata kthehen në një viktimë të lehtë për turqit e arabët…

Shqiptarët nuk mundën ta mbrojë veten, pa ndihmën e Evropës, nga pushtimi osman, u pushtuan dhe u islamizuan, edhe pse patëm një Gjergj Kastriot, një hero ndër më të mëdhenjtë në historinë e botës…

Dhe kështu, edhe sot, pa ndihmën e BE-së, ne nuk mund t’ia dalim. Prandaj BE duhet t’ia hapë rrugët shqiptarëve dhe të mos na shesë pordha e të na penalizojë me islam, se ka muslimanë në Evropë më shumë se janë të gjithë shqiptarët bashkë! /Arben Çokaj

FAIK Krasniqi

Duhet lobim i madh në ditët dhe javët në vijim, në disa shtete të mëdha e të fuqishme në BE, të cilët akoma nuk janë të gatshme për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Nëse deri në fund të këtij viti nuk do të ketë një vendimmarrje nga Këshilli i Ministrave të BE-së për liberalizim të vizave, do të ngelemi të izoluar përjetësisht, edhe nëse ndërrohen pushtetet tek ne. Arsyet janë të shumta. Ndërrohen qeveritë në shtetet e BE-së, ndryshon qasja ndaj neve, sepse forcat e ekstremit të djathtë janë forcuar në masë të madhe. Gjithmonë do ketë arsyetime nga ana e BE-së.

Kështu është kur e krijon përshtypjen se me të vërtetë ke krijuar shtet, kurse në fakt nuk je asgjë tjetër veçse një krijesë eksperimentale. Liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë as me korrupsion, as me krim të organizuar dhe me asgjë tjetër. Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të BE-së, dhe janë shumë më keq se ne, sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. S’po flasim për fqinjët përreth që janë akoma më keq se ne në atë aspekt, dhe tash e 10 vite lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Ukraina tash e sa vite janë në luftë, një shtet me rreth 50 milion banorë.

Moldavia dhe Gjeorgjia shumë herë më të varfëra dhe më të korruptuar se ne, kurse qytetarët e këtyre shteteve lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Nëse arsyetimi i tyre është që 2 milion qytetarë të Kosovës do ju krijojnë problem, atëherë është arsyetim banal dhe puro politik. Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të shkojë azil në asnjë vend të BE-së. Shumica do ta përdorin lëvizjen e lirë për turizëm, dhe një pjesë e madhe për t’i vizituar familjarët në shtetet e BE-së. Por edhe ata që do e lëshojnë Kosovën, do shkojnë për të gjetur ndonjë punë në shtetet ku ekziston ligji i punës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor ose për të studiuar.

Nëse BE-ja e ka seriozisht, që në Kosovë duhet të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, atëherë duhet t’i izolojë politikanët që janë përgjegjës për këtë gjë e jo t’i ndëshkojnë qytetarët e Kosovës. Dhe jo të përdorë standarte të dyfishta me 2 milionë qytetarë të Kosovës, sepse këto standarte të dyfishta nuk i ka përdorur me qytetarët e asnjë shteti, ku qytetarët e tyre gëzojnë lëvizjen e lirë. Siç po shihet problemi i BE-së nuk janë politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar të Kosovës, por as të vendeve të lartëcekura, por ata kanë problem me 2 milion shqiptarë të Kosovës.