Shkollat letrare shqipe – nga Sabri Hamiti

0
3954
Sabri Hamiti - Shkollat letrare shqipe

Isak Ahmeti

Eseu: Shkollat letrare shqipe, ShB “Faik Konica” Prishtinë, 2004, i Sabri Hamitit, i botuar në formë libërthi, në tri gjuhë (shqip, frengjisht dhe anglisht), është interesant, provokues dhe problematizues si për nga titulli poashtu edhe për nga mënyra e qasjes dhe vështrimit të letërsisë shqipe, klasifikimit të saj, përkatësisht të shkollave letrare shqipe (ide e huazuar nga Ernest Koliqi mbase edhe nga studiuesi i letërsisë shqipe, Stuart Mann.

Duke u marrë me një problematikë sa të gjerë aq edhe delikate, autori në fjalë, Sabri Hamiti, në bazë të kërkimeve që ka bërë (duke mos përmendur dhe cituar autorët që ishin marrë me këtë problematikë, as Dy shkollat letrare shkodrane të Ernest Koliqit si dhe shkollat letrare të Stuart Mannit (Stuart Mann, Albania Literatur, London, 1955), ka konstatuar se “Shkollat, Mësimet, Doktrinat) letrare janë shfaqje strukturore e kuptimore të kësaj letërsie (shqipe-I.Ahmeti), që bëhen zotëruese për shkrimet dhe veprat letrare të autorëve më të mëdhenj të periudhave, e posshtu si vetëdije letrare” (fq. 9).

Këto shkolla letrare shqipe, sipas Sabri Hamitit, njëjtësohen duke pasur për bazë disa veçanti e cilësi të tekstit letrar:
1. Strukturën e ligjërimeve letrare, kodet tematike, format letrare, funksionin e statusin e tekstit letrar,
2. Autorët e mëdhenj dhe veprat e tyre të rëndësishme, që kanë karakteristikat e shkollës,
3. Autorët që në shkallë teorike arrijnë të ligjësojnë karakteristikat e shkollës, dhe
4. Figurën (figurat) retorike e poetike, që cilëson një tip shkrimi e mund të bëhet amblemë e tij.

Në bazë të këtyre kërkimeve, në tekstin e letërsisë shqipe, nga fillimet deri më sot, autori Sabri Hamiti, për herë të parë “njeh” shtatë shkolla letrare shqipe dhe ato, vetëm sipas tij, janë:

1. Shkolla filobiblike,
2. Shkolla romantike,
3. Shkolla kritike,
4. Shkolla moderne,
5. Shkolla socrealiste,
6. Shkolla disidente dhe
7. Shkolla moderne (Kosovë).

Në Shkollën filobiblike të Sabri Hamitit, që nuk do të mund të quhej shkollë (si duket këtu atij i janë ngatërruar termat shkollë letrare në kodet, duskurset dhe rrymat letrare), janë përfshirë tre autorë (P.Budi,P.Bogdani dhe J.Variboba), ndërsa është harruar monumenti i parë dhe vepra e parë e letërsisë shqipe, Meshari dhe autori Gjon Buzuku, që, sipas Çabejt (Krhs.E.Çabej, Studime gjuhësore, VI, Rilindja, 1977, fq.7), zë kryet e vendit jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe të literaturës shqiptare (çfarë n’atë kohë ishte shumica e literaturave t’Europës) e ku kemi për herë të parë, jo vetëm praninë e llojeve të ndryshme letrare në shqip, por edhe një literaritet të pakontestueshëm, që ndërlidhet funksionalisht me pjesët më të bukura të Biblës, vepër kjo kapitale dhe thesar kulturor me vlerë të përhershme për mbarë njerëzimin.

Kur jemi te Shkolla filobiblike e S.Hamitit është me rëndësi të theksohet se ai, sikundër edhe shumë të tjerë, nuk i ka të qarta konceptet për letërsinë dhe artin përgjithësisht. Kur e them këtë kam parasysh edhe faktin se, siç shihet te kjo pjesë e shkrimit dhe te eseu në përgjithësi, autori nuk e ka të qartë (ose nuk ka dashur ta ketë të qartë), se rëndësia e krijimtarisë artistike nuk varet prej përkatësisë së saj në këtë apo atë shkollë apo drejtim letrar, tendencë apo rrymë letrare, por, siç e thotë edhe U.Eko (Krhs.U.Eco, Interpretation and Overinterpretation, Cambridge University, Press, Cambrigde, 1988), prej vlerës së saj estetike. Shembull tipik në letërsinë shqipe janë: M.Kuteli, I.Kadare, M.Cana, A.Pashku e ndonjë tjetër.

Për më tepër, duke u mbështetur vetëm në faktorin tematik (ndonëse termi shkollë filobiblike apo kodi biblik ka edhe konotacionin e një kompleksi stilor), krijohet mundësia e rrezikimit të mendimit bazë dhe kështu, siç e ka vënë re edhe studiuesi Zeqirja Neziri (Krhs.Z.Neziri, Kriteret e periodizimit të letërsisë së “vjetër” shqipe, te: Letërsia si e tillë, Toena, Tiranë, 1996, fq.89-106), sistematizimi i materies letrare do të përkufizohej sipas kritereve politike dhe ideologjike (religjioze) dhe jo sipas kritereve historike letrare. Po ta pranonim, për shembull, Teorinë e kodeve të medha të S.Hamitit, atëherë do shtronim pyetjen: në cilin kod do mund të përfshiheshin veprat e disa autorëve jo vetëm të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të Letërsisë shqipe midis Dy Luftrave Botërore dhe të Letërsisë bashkëkohëse, të cilat janë ndertuar duke u mbështetur në figura por edhe në motive biblike?

Edhe Shkolla moderne, e katërta me radhë (fq.18-21), e S.Hamiti shtron shumë tema, dilema dhe pyetje. Termi modern emërton periudhën e letërsisë të shek. XX, letërsi kjo që, siç dihet, është shumëformëshe dhe përmbledh në vete aq shumë shkolla e rryma letrare, sa që asnjëherë nuk janë parë në historinë e artit. Siç shihet, prandaj, as në këtë rast aitori në fjalë, S.Hamiti, nuk e ka vështruar letërsinë moderne shqipe as “shkollën moderne” të saj në kontekst me letërsinë moderne evropiane të shek.XX, gjë që ka krijuar shumë dilema dhe paqartësi in se (në vetvete), madje edhe vetë radhitja e shkrimtarëve shqiptarë në këtë shkollë del e diskutueshme, autori del kundërthënës me vetveten, madje i papranueshëm…

Autori i eseut në fjalë, S.Hamiti, flet edhe për shkollën socrealiste. Mirëpo kjo shkollë, nëse mund të quhet shkollë(?), autorit në fjalë i ka sjellë shumë telashe në lidhje me emërtimin adekuat të saj. Kështu, prandaj, as këtu ai nuk është konsekuent në emërtim edhe për faktin se, ta zëmë, herë shkruan për “shkollë socrealiste” (fq.10), herë për “letërsi socrealiste” (fq.21), herë për “metodë socrealiste” (fq.21), të zyrtarizuar si derivim satelitor i modelit sovjetik rus. Mirëpo, siç duket, shumë shpejt këta terma të sipërpërmendur, autori i “harron” dhe sërish te fq.22 sikundër edhe te fq.10, te nr. rendor 5, flet për “shkollën socrealiste” dhe për autorët më të “qënndrueshëm” të saj, siç janë: Hivzi Sulejmani, Petro Marko, Jakov Xoxa, Ismai Kadare dhe Dritëro Agolli, duke shquar me këtë rast si kodifikues të kësaj “shkolle” Dh. S. Shuteriqin.

Mjaft problematike dhe e diskutueshme është edhe “Shkolla disidente” (fq.24-26) e S.Hamitit. Që në titull e emërton “Shkollë disidente” mirëpo që në fjalinë e parë, autori e ka mohuar dhe demantuar vetveten, ëshë kundërthënës dhe shumë kontradiktor, sikundër edhe në disa shkrime të tjera (kur shkruan për letërsinë e vjetër) shqipe dhe jo vetëm për këtë. Edhe te kjo pjesë e shkrimit, për shembull, pohimi apo emërtimi “shkollë disidente” (fq.24 (titulli), më pas kundërshtohet nga vetë autori kur thotë “kjo nuk është shkollë letrare” (fq.24). Ndërkaq si autorë të kësaj “shkolle” përmend tre autorë: Trebeshinën, Xhaferin dhe Zorbën. A mund të konsiderohet disedent Trebeshina, kur dihet se te revista “Letërsia jonë”, nr. 3/1953, me rastin e vdekjes së Stalinit boton vjershën me titull: Stalinit, ku në 31 strofa katërshe, në 124 vargje, 11 rrokëshe, i këndon më përkushtim shpirtëror këtij diktatori. Është apo jo disdent Trebeshina mbetët ende çëshjte e pambyllur…

Edhe te “Shkolla moderne” e Kosovës S.Hamiti çalon. Ndonëse e emërtuar si “Shkollë moderne”, ajo fare s’ka të bëjë me “shkollë moderne” letrare, por me tendencën e një kujtese letrare (edhe sipas vetë vlerësimit të S.Hamitit (fq.26). Kështu edhe te kjo pjesë e shkrimit të tij eseistik shfaqen pohime dhe mohime kundërthënëse. Madje edhe radhitja e Camajt në Shkollën moderne të Kosovës, nuk ka kurrfarë baze teorike, letrare, historike as shkencore kur tashmë dihet edhe fakti se ai i përket, me dy vëllimet e para poetike, Një fyell ndër male(1953), dhe Kanga e vërrinit(1954), ndonëse të botuara në Prishtinë, Shkollës letrare shkodrane. Madje edhe disa kualifikime dhe vlerësime si”romansier i lindur” (fq.28), “ligjërim i çuditshëm” (fq.28), etj., në lidhje me shkrimtarin Zejnullah Rrahmanin (1952), jo vetëm që nuk kanë kurrfarë logjike, por bien ndesh edhe me teorinë moderne letrare dhe me shkencën e letërsisë. Kështu edhe njëherë rrënohet jo vetëm kriteri themelor për klasifikimin e letërsisë sipas karakterit stilistik por edhe kriteri i vështrimit të Letërsisë Shqipe si Një dhe e tërë.

Te pjesa e dytë, autori në fjalë trajton tri modelet letrare, që i referohen letërsisë shqipe, që sipas tij, konsiderohen modele shkrimore universale. Kjo, natyrisht, kërkon një studim më të thelluar. Jo vetëm të “shkollave letrare shqipe” por edhe të autorëve dhe veprave, veçanërisht të letërsisë mesjetare shqipe.Sepse letërsia shqipe, sikundër edhe, për shembull, e M. Kutelit, M. Camajt, A .Pashkut dhe e ndonjë tjetri, në veçanti, është zhvilluar dhe afirmuar (edhe sipas Shaban Sinanit, Jorgo Bulos, etj.), jo si letërsi shkollash por si letërsi personalitetesh.Shembujt tipikë për këtë i kemi te Barleti, Bogdani, Fishta, Kuteli, Camaj, Kadare dhe A. Pashku.