KISHTE TJETER PARFUM TIRANA – poezi nga Roland Gjoza

0
949

Roland Gjoza

cikel poetik

KISHTE TJETËR PARFUM TIRANA

kishte tjetër parfum tirana
si një bukë dyzetçe e ngrohtë e porsa prerë
si speca të fërguar
si domate kau
veç kur dilnim në takime
puthja kishte parfum tjetër
e gjeta këtu
në amerikë
te chanel
kristian dor
me cmim të shtrenjtë
e kishin vjedhur parfumin e puthjeve tona

MBETA TE VIZATIMI I SYVE

mbeta te vizatimi i syve
dhe s’po i mbaroj dot
dua të zbuloj ç’hyri e ç’doli
shumë janë, shumë
e ç’më duhet?!
i fundit jam unë!
mbaroi dhe vizatimi i syve
mbyll derën nga brenda me lloz
kapelen mënjanë si një kazanovë
po harroj unë naivi
se zot i syve të vizatimit jam
po jo i syve të saj

PËR FLOKUN TËND

për flokun tënd
për flokun tënd të zi u bë i bukur dhe korbi
për vetullën tënde
për vetullën tënde të gjatë u bë i lakmuar harku dhe shigjeta
për kurmin tënd
për kurmin tënd finosh u bë e magjijuar selvia
për hapin tënd
për hapin tënd të pandjerë u bë i pëlqyer dhe miu
i shenjtërove gjërat!

TI S’FLET

ti s’flet
dhe unë s’flas
kureshtja te gërryen
shoh si të mpihen tiparet
dhe unë ndiej si më mpihen
të dy ëndërrojmë primitiven
kur ishim të lirë si natyra
në një shpellë do ta bënim
në kohën e akullnajave
dhe do të ulërinim
tani vuajmë në një tren manhattan-queens
kofshën hamgjitëse më ke nxjerrë
dhe unë nje bisht syri të ndezur të kam dhënë
që ti çmendurisht e shtrëngon ndër dhëmbë
dhe e shqyen si bishë
ndiejmë dhimbjen e seksit
dhimbje kaq e shpeshtë
ti në stacionin tënd zbret
unë në stacionin tim
midis
dy shina që s’bashkohen
manhattan-queens

PARISI

paris
saze goje në shi
kaq i lumtur ky shi
fije të ndritshme futen në gjilperat e marsit
të qëndisin dhe njëhere paris
këndohet la boheme nga dashnorët e varfër
djali kërkon punë
vajza pozon nudo për piktorët e pigalit
pijnë kafe me krem në ag dhe janë të lumtur
kaq të lumtur i bën preveri
saze goje në shi
dielli në dhëmbët e vajzave kafshohet pafajsisht
thërrimet bien për pëllumbat
dhe njerëzit s’i zë qielli prej gjatësisë
nga katedralja zemra e shenjte te shen mëria
dhe të vdekurit toka i nxjerr si lule përsipër
këtë punë e bën preveri
kaq shumë rrojtje ka parisi!
saze goje në shi.

E ZBEHTË ISHE MBRËMË

e zbehtë ishe mbrëmë
po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
i zbehtë isha unë
po shkoi ashtu si lumi nën urë
s’tregojmë më asgjë për vete
ç’kishim e dhamë për fëmijët që u rritën
dy qënie pa brendësi
dy boshësi që plotësojne dy plotësi
tani s’kemi ç’japim më
e zbehtë ishe mbrëmë
po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
i zbehtë isha unë
po shkoi ashtu si lumi nën urë
kur të vijë vdekja kemi vdekur qëkur

SHPIRT, MOS U TRISHTO

shpirt, mos u trishto
shpirt
ti ishe grua e bukur shumë
tani je prishur
hiret të shkuan bashkë me sapunin dhe ujin
ilaçin e enëve
stufën që të shkriu si qiriri kur gatuan
ç’t’i bësh,
bashkë me pleqërinë
zoti të merr dhe bukurinë
po duhet ta falenderojmë, e dashur
t’i heqim kapelen
se na shtoi dashurinë
ti për mua je një bijë më tepër
unë për ty një bir
u ngatërrua kjo punë
lëmsh u bë dashuria
dhe kjo ndodhi, e dashur
se humbëm bukurinë
vyshkja e lulkës së buzkës
dhe rrudhkat si shi
na shëmtuan
po na shtuan dhëmbshurinë
në jetë jemi hije në dritë
në kujtime realë si dielli
ata që kujtojmë kur flasim nën drurë
të famshmit e asaj kohe
kanë vdekur qëkur
po ne me ata ndjehemi të lumtur
le të shpikë ipod jobs
microsoft bill gejts
për ne shpikja më e madhe
është kujtimi

dhe sa gënjejmë
dhe sa na shkon gënjeshtra
ushqim zogjsh për dashurinë

thërrime
jeta!

KUSH TË BËRI KAQ TË BUKUR

kush të bëri kaq të bukur
pa asnjë të metë
dhe të kesh një rrudhë të imët
ajo s’është rrudhë
po firmë e afërditës
ç’të adhuroj më parë
i lashë korat, biblën, monumentet e shkrimtarëve
prej hireve sensuale
vetë adhurimi bie
thyhet si kristali
para këmbëve të tua
shampanja të pahapura
në festën e shtratit
mbetem pa gojë
dhe me vete them
si rron midis nesh
dhe e lemë të gjallë?
se femrat e bukura hahen
me sy
s’iu lemë një grimë kocke dhe mishi
ty të kemi ngrënë
s’kish plojë më të bujshme
si hienat që shqyejnë kaprollen e qumështit
po më e bukur je bërë
prej ngrënies me sy
prej syve të ngopur të meshkujve
prej syve plot uri
hamë dhe ajrin
që le pas ti
vende – vende kafshuar hapësira
qielli i kafshuar si molla e apple
jemi gati të biem për ty përpara se beteja të ketë filluar
vetëm që të hamë me sy
kush të beri kaq të bukur?