Këshilli Organizator i Simpozumit Shkencor Gjergj Kastrioti-Skenderbeu – Ati i Kombit

0
1424
Gjergj Kastrioti Skënderbeu - shtatore

I mbajtur Michigan 27 Janar 2018, i propozon instancave më të larta të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, që kryeheroi i kombit të shpallet “AT I KOMBIT SHQIPTAR

Nga Revista Drini21 Tetor 2018

KOMUNIKATË PËR SHTYP

Këshilli Organizator i Simpozumit Shkencor Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i përberë nga përfaqësitë e shoqatave atdhetare, intelektuale dhe qendrave fetare në Michigan, mbas përfundimit me sukses te këtij Simpoziumi me 27 Janar 2018, i propozon instancave më të larta të qeverisë së Repuplikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, shpalljen me ligj të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,

AT I KOMBIT SHQIPTAR”.

Ideja e këtij propozimi lindi në fazat përmbyllëse të këtij Simpoziumi dhe mori rrugë përgjatë reflektimeve dhe debateve të përbashkëta në grup, me mbështetjen e profesorëve më të mirë të historisë së Shqipërisë, të cilët morën pjesë në këtë Simpozium, me bindjen se kjo ide përfaqëson dëshirën dhe vullnetin e lirë të shumicës së shqiptarëve në trojet amtare dhe diasporë.

Ne anëtarët e këtij Komisioni, mendojmë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka qenë, është dhe do të mbetet, figura dhe personaliteti më i lartë i Kombit, Kryeheroi i lirisë dhe mëvetësisê së shqiptarëve, simboli i bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trevave, themeluesi i shtetit të parë shqiptar të mesjetës, themeluesi i parë i vetedijes kombëtare të shqiptarëve, themeluesi i flamurit tonë që trashëgojmë sot, gjeneral ushtarak i përmasave botërore, politikan dhe strateg i shquar, frymëzues për liri dhe pavarësi ndër shekuj i shqiptarëve dhe sidomos Rilindasve tanë, frymëzues i luftës për liri i shumë popujve evropiane, një emblemë e çmuar njëqind përqind shqiptare, që ka marrë vleresime maksimale gjatë gjithë historisë deri në ditët e sotme, në libra, shkrime, poezi, monografe, tituj, lavde, elogji, buste, përmendore, emra sheshesh e rrugësh në mbarë Evropën.

Ne anëtaret e këtij Komisioni, mendojmë se në etapat e reja social-historike, dhënia e këtij titulli të lartë Kryeheroit tonë, do të shërbente për një mobilizim të ri moral, intelektual dhe shpirtëror mbarëshqiptar, për të fuqizuar integritetin, kohezionin dhe njësimin kombëtar, si shtylla kryesore të identitetit tonë si shqiptar, pasardhës të Ilirëve, si një vector emancipues dhe një pasaportë dinjtoze për shqiptarët në proceset integruese në komunitetin evropian dhe më gjerë.

Dhënia e këtij titulli, do te shërbente si një mesazh i fortë dhe i guximshem për bashkësinë Evropiane, se orientimi gjithë-dimensional i shqiptarëve është Evropa, se shqiptarët janë pasardhësit e Skënderbeut, i cili luftën e tij të drejtë, ja kushtoi jo vetëm çlirimit të viseve arbnore, por edhe mbrojtjes së civilizimit të hershëm evropian. Si rrjedhojë, identifikimi ynë si Skënderbegas, do të kthehej në një vlerë të shtuar dhe faktor emancipues për vetë komunitetin evropian.

Me një argument historik të pregatitur nga historiani i njohur Prof. Dr. Jahja Drançolli, me sugjerimet e vazhdueshme të Dr. Pëllumb Xhufi, në kontakte të vazhduesheme me Prof. Dr. Romeo Gurakuqi e të tjerë, me kontributin e dëlirë të anëtarëve të këtij Komisioni, dhe pas një mbështetjeje te jashtëzakonshme nga elita intelektuale dhe biznesmenë të shquar të Diasporës në SHBA dhe Kanada, kemi përfunduar dhe dërguar instancave përkatese shtetërore shqiptare për t’a ratifikuar këtë dokument, i cili po te kurorezohet me sukses, mendojmë se përbën një akt të lartë vlerësimi, civilizimi dhe qytetarie, per te cilin kemi nevojë ne shqiptarët si komb dhe më së shumti e meriton figura e pavdekshme e Skënderbeut në përmbyllje të 550 vjetorit të vdekjes së tij.

Ne anëtaret e këtij Komisioni, i bëjmë thirrje të gjitha mediave vizive dhe të shkruara, të gjithë rrjeteve sociale dhe mbarë opinionit puplik shqiptar, që të bashkohen dhe të na mbështesin në këtë nismë tē pastër atdhetare, jashtë të gjitha influencave krahinore, politike apo fetare; t’a shpërndani këtë dokument në çdo dritare mediatike, derë dhe zemër shqiptare, duke qenë të bindur se kjo është shërbesa më e vyer ndaj vetes suaj dhe identitetit të trashëgimtarëve tuaj, të lidhur pazgjidhshmërisht dhe përjetë me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Për Komisionin Organizator: Michigan me 18 Tetor 2018

Dom Ndue Gjergji, Kryetar

Kopjone dhe hapne linkun e Promemories së mëposhtme të hartuar nga historianët Prof. Jahja Drancolli, asistuar nga Prof. Pëllumb Xhufi etj.

[ http://revistadrini.info/img/skenderbeu_ati_i_kombit.pdf ]