SHUNTARO TANIKAUA
(Shuntaro Tanikawa)
1931
Shuntaro Tanikau, poeti më i shquar dhe më i çmuar, lindi në Tokio, më 1931. Ai është djali i filozofit të famshëm, Tanikau Tetsuo. Që shumë i ri e nisi shkëlqyeshëm krijimtarinë, me Vetmia e dy miliardëve vite dritë. Tanikaua u mat në shumë fusha të artit: në muzikë, vizatim, imazh. Shkroi radiodrama dhe drama televizive. U impenjua, gjithashtu, në fushën e përkthimit. Kujtojmë përkthimin e tij, Mëma patë dhe një përkthim të tij nga Charles Shulz. Natyrisht, i orientuar drejt poezisë së tipit perëndimor, ai e konsideron poezinë tradicionale tepër formale dhe të mbyllur.
Qëllimi i Tankuasë: të jetë artistikisht një pikë takimi midis lindjes e perëndimit.
1. Ky është shqetësimi im
Mund të mendohet për gjethet e reja jashtë dritares
apo për qiellin blu ose më tutje?
Është mirë të mendosh për përjetësinë apo zbrazësinë
kur je në prag të vdekjes?
Kur je pranë vdekjes
është e mundur të mos mendosh për veten në një farë mënyre?
Kur të jemi gati për t’u ndarë nga një distancë kaq e madhe
ç’është, vallë, të mendosh për dashnoren e gjallë?
Kjo është ajo që lidhet me kujdesin tim për ty
Është mirë, nëse, është ajo që unë mendoj tani?
Është mirë që të bëhet e vlefshme kjo rrugë
me miratimin tënd?
2. Kur Zogjtë u zhdukën nga Qielli
Ditën që Kafshët u zhdukën nga Pylli,
Pylli mbajti frymën.
Ditën kur Kafshët u zhdukën nga Pylli,
Njerëzit vazhduan të ndërtonin rrugë.
Ditën kur Peshqit u zhdukën nga Deti,
Deti rënkoi zymtësisht.
Ditën kur Peshqit u zhdukën nga Deti,
Njerëzit vazhduan të ndërtojnë porte.
Ditën kur Fëmijët u zhdukën nga Qyteti,
Qyteti u muar më shumë me punë.
Ditën kur fëmijët u zhdukën nga Qyteti,
njerëzit vazhduan të ndërtonin parqe.
Ditën kur Njerëzimi humbi veten
Gjithë njerëzit u bënë të ngjashëm me njeri-tjetrin.
Ditën kur Njerëzimi humbi Personalitetin
njerëzit vazhduan të besojnë në të ardhmen.
Ditën kur Zogjtë u zhdukën nga Qielli,
Qielli qau në heshtje
Ditën kur Zogjtë u zhdukën nga Qielli,
Njerëzit pa e ditur vazhduan të këndonin.
3. Dy miliardë vite dritë vetmi
Mbi globin e vogël qenie njerëzore
flenë, ngrihen, punojnë
nganjëherë dëshirojnë të kenë shokë në Mars
Marsianët mbi globin e tyre të vogël
nuk e di se ç’bëjnë
(Mbase flenë, çohen, punojnë?)
Ndonjëherë duan të kenë shokë mbi Tokë.
Kjo është absolutisht e sigurt.
Gravitacion universal do të thotë
Forcë tërheqëse e vetmisë reciproke
Kozmosi është deformuar
Prandaj të gjithë dëshirojnë të kërkojnë njeri-tjetrin.
Kozmosi zgjerohet përherë e më shumë
Prandaj të gjithë janë të pasigurt.
Vetmisë së dy miliardëve vite dritë
Pa dashur i shkaktova një teshtimë
Përktheu: Faslli Haliti