Mimoza Hysa: 10 libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe

0
846

Mapo Letrare, 13/10/2018

Për pyetjen e shtruar: Cilat janë për ty dhjetë librat më të mirë të letërsisë shqipe? – vështirë të kesh një përgjigje të kënaqshme, qoftë edhe vetëm për shijet personale estetike, vështirë të kesh një rreshtim të drejtë ashtu siç nuk mund të jetë e drejtë asnjë listë shteruese, edhe pse orienton me shpejtësi lexuesin e ri si dora e një polici në një trafik marramendës. Po njëlloj si dora e një polici është disi arbitrare zgjedhja, që paraqitet vetëm në raste sine qua non. Për të dalë nga ky trafik e për të marrë lirisht shtegun tim, do ta shtrembëroja disi pyetjen për veten: Cilët janë, mundësisht dhjetë libra nga letërsia shqipe që kanë ndjekur udhën e formimit tënd?

Jo domosdoshmërisht do të jenë librat më të mirë të letërsisë shqipe, por janë ato libra që më kanë shënjuar dhe vetëm kështu mund ta kem një zgjedhje e një përgjigje të arsyeshme që edhe pse bishtnuese të nxjerr në të njëjtin përfundim. Mimoza Hysa, shkrimtare dhe përkthyese gjen këtë udhë për të dhënë 10 sugjerimet e saj mbi librat që s’duhen humbur pa u lexuar nga letërsia shqipe për lexuesin e MapoLetrare.

Ndre Mjeda – “Poezi”

Në lumninë e autorëve moralizues të fëmijërisë, por dhe të letërsisë së kapërcyellit nga periudha e Rilindjes në atë të Pavarësisë, do të veçoja poetin par axcellence Ndre Mjeda që, për fat, studiohej herët në shkolla përmes vëllimit “Poezi” me vjersha për fëmijë, të cilat shërbenin përveçse për një fisnikërim ndjenjash edhe për një edukim të mirë shijesh estetike. “Pranvera”, me strofën mbyllëse: Ndeje bri votres njeri myket: Vrapo, bulk, ku puna t’therret; Tue vrue fushën kau bërlyket, Lyp m’u vu për laver t’vet; përveçse përcjellëse e një këshille të mënçur është dhe e pasur me figuracion dhe fjalë të rralla që të zgjojnë dëshirën për kërkim dhe pyetje, gjë që është pikënisje e një leximi me vlerë.

Ismail Kadare – “Kronikë në gur”

Formimi i brezit tim mban emrin e Ismail Kadaresë: i detyrohemi për shtegun shpëtues që na ka hapur në një kohë terri mufatur me letërsi patetike, moralizuese për shpëlarje truri. Do të veçoja “Kronikë në gur” që rastisi dhe të ishte libri i parë në radhën e leximeve kadarejane, edhe pse ishin botuar “Kështjella” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Është romani që e shpik prej gurit jetën e një qyteti dhe një fëmije për t’ia vënë përballë sagës së romaneve të luftës së realizmit socialist ku gjallonin heroizmat në emër të një jete me shpirtin e vdekur. Ndërkohë që për plotësinë e tij si autor, Kadaresë do t’i mjaftonte edhe vetëm “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” që edhe pse u botua nën “Emblemën e dikurshme” në vitet tetëdhjetë, ishte romani më aktual për atë kohë të trazuar por njëkohësisht më universal dhe më pa kohë se gjithë të tjerët.

Migjeni – “Novelat e qytetit të veriut”

“Novelat e qytetit të veriut” e Migjenit është libër që të mëson të rebelohesh, përveçse të shijosh prozën e shkurtër, ku me pak penelata vizatohen situata kritike të përshkruara me ironi therëse, të trajtuara në mënyrë moderne, që nxisin mendimin kritik të lexuesit përmes lënies hapur të zgjidhjeve.

Ervin Hatibi – “Përditë shoh qiellin”

“Përditë shoh Qiellin” Ervin Hatibi. Kapërcimet e vështira të kohëve, ndryshimet e mëdha estetike i bën më mirë dhe në mënyrë të koncentruar e vertikale poezia. Për këtë do të veçoja librin me poezi të Ervin Hatibit në vitin 1989 që shënjonte një refuzim estetik të letërsisë pararendëse dhe njëkohësisht një zinxhir lidhës me zhvillimet e reja. Ndoshta sot do të veçoja “Pasqyrën e lëndës” si më domethënëse në krijimtarinë e poetit, por gjithsesi një shkrimtar dallohet për veçantinë, risitë, stilin që në shpërthimet e para.

At Zef Pllumi – Rrno vetëm për me tregue

“Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit ishte për mua jo vetëm libri që çante ferrin e fshehur dhe zbulonte një tjetër realitet, por edhe një shembull mjeshtëror rrëfimi, përmes të cilit arrihej vendosja e lidhjes së këputur me letërsinë para realizmit socialit, e sidomos me atë të shkruar në dialektin geg. “Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna.” – përbën një mesazh universal për rolin e njeriut në jetë e në mënyrë të veçantë për rolin e shkrimtarit.

Agron Tufa – “Mërkuna e zezë”

“Mërkuna e zezë” i Agron Tufës është zbulimi i një rrëfimi të magjishëm shumë-shtresor ku zbërthehet miti i zanafillës dhe i botës së ndërlikuar të femrës. Është nga romanet më origjinalë të letërsisë shqipe për temën, trajtimin dhe veçanërisht stilin mjeshtëror të rrëfimit.

Luljeta Lleshanaku – “Fëmijët e natyrës”

“Fëmijët e natyrës” i Luljeta Lleshanakut mund të lexohet si autopsia e fëmijërisë së shumëkujt në kohën e diktaturës, por pa nota tragjike, me një natyrshmëri si “pranvera e vret vetminë me vetminë e saj”, si një mundësi jetese nën një kupolë mbytëse. E gjitha kjo me një poezi vizuale të mahnitshme, me ndërthurje situatash të përditshmërisë e gjallim personazhesh që të nguliten si gozhdë në tru, të cilët zbulohen me habinë e fëmijës. Poezia e Lleshanakut nuk lidh asnjë hallkë të letërsisë shqipe, thjesht zbulohet pa parapritë e pararendës, si liqen karstik mes malesh të lartë. Mund të zgjidhja edhe “Homo antarcticus” që më duket si pikëmbërritja e “Fëmijëve të natyrës”.

Ejell Coba – “Jetë e humbur”

“Jetë e humbur” e Ejell Çobës do ta veçoja për fisnikërinë në rrëfimin e një periudhe të errët me vërtetësi, thjeshtësi dhe mbi të gjitha pa urrejtje, si një analizë ku nuk anatemohet njeriu shërbyes i diktaturës në vetvete, por mungesa e kulturës në tërësi, si ngërçi që sjell në çdo kohë varësi, humbje lirie dhe dinjiteti.

Eqrem Bej Vlora – “Kujtimet e Eqerem Vlorës”

“Kujtimet e Eqerem Bej Vlorës” nga Eqerem Bej Vlora, nuk di ta ndaj nëse e kam përzgjedhur për tabllonë interesante që sjell, të një periudhe të vizatuar jo mirë dhe jo qartë nga letërsia jonë, apo për përkthimin e arrirë, gjuhën e pasur të Afrim Koçit. Është rasti kur nuk kuptohet mirë nëse merita është e autorit apo e përkthyesit.

Azem Deliu – “Puthësi i paligjshëm”

“Puthësi i paligjshëm” i Azem Deliut është shpresa që më jep letërsia e brezit të ri. Mjeshtëri në ndërtimin e strukturës, thurjen e linjave dhe gjetjen befasuese.