“RRNO VETËM PËR ME TREGUE” – VEPËR QË FRYMËZON PËR LEXIME TË REJA E TË PËRSËRITURA

0
921

Isak A H M E T I

Vepra: RRNO VETËM PËR ME TREGUE (I,II,III), Botime Françeskane, Shkodër, 2015 e At Zef Pllumit, është një vepër monumentale, tejet e çmueshme, me vlera shumështresore, është letërsi dokumentare, ku përshkruhet e keqja e shkaktuar nga komunizmi në Shqipëri. Vepra në fjalë, të cilën sapo e rilexova edhe njëherë këto ditë sa po qëndroj në Durrës, përshkruan jo vetëm vuajtjen e At Zef Pllumit, kalvarin e Kishës Katolike, mundimet e françeskanëve por edhe të krejt popullit shqiptar (I, fq.3).

Gjatë leximit të kësaj vepre, ne “bajmë nji udhtin mbrenda vuejtjes, mashtrimit, torturave çnjerzore, vrasjeve, vorfnisë, të keqes, andrrave, kujtimeve të këputuna përgjysë, veprave kulturore të mbetuna në kujtesë, vrasjes së breznive, deformimeve të së vërtetës dhe vuajtjes së të pafajshmve” (I ,fq.5).

Tek: PAK FJALË PËR LEXUESIN RRETH KUJTIMEVE TË PATER ZEF PLLUMIT, Këshilli drejtues i Botimeve Françeskane, shkruan, ndër të tjera, edhe këtë, citojmë “Në Rrno për me tregue gjindet historia e jonë. Histori e dhimbshme, mashtrimi, rrenash, vuajtjesh, lodhjeje, torturash, internimesh, vorfnie e vrasjesh. Fëmijë të pafajshëm që desin nëpër kampe, familje që shkatrrohen, punët e randa nëpër kneta, biruca të vogla burgu në të cilat shtiheshin njerzit tue jetue në nji gjendje ma të keqe e të mjerueshme se sa kafshët, uri e madhe, kampe të panumërta dhe burgje të tmerrshme që i ngjasonin atyne të ndërtueme prej nazistëve, e të tjera episode si këto ngjallin në shpirtin e kexuesit pvetje të shumta. Pse u veprue kështu me këtë popull? Komunustat na premtuen lirinë por në vend të saj sollen vuajtje, mjerim e robni dhe vepra e P. Zef Pllumit asht dëshmi e këtij mashtrimi” (I, fq. 4-5).

Kështu, siç e ka vënë re edhe S.Hamiti, vepra e At Zef Pllumit frymëzon për lexime të reja , të përsëritura , dhe si e tillë ajo do duhej ,për shkak të vlerave shumëdimensionale, të zinte vend në bibliotekat tona , në tekstet shkollore e universitare.Më këtë vepër At Zef Pllumi është dëshmuar kundër diktaturës komuniste në Shqipëri , të cilën disa herë e ka nominuar edhe si tirani.Kundërshtimi i këtij sistemi ,sipas një vlerësimi të S.Hamitit në një broshurë(“fletushkë”) për P.Zef Pllumin, është bërë:

a)në trajtë të Rezistencës së kujtesës e
b)në trajtë të Qëndresës në burg e llogore…Kështu ai ,At Z.Pllumi , iu ka kundërvënë projektimit të harresës me kujtesën…Kjo kujtesë , sipas vlerësimit të S.Hamitit , u bë mbrojtje për të ruajtur paprishjen e vet shpirtërore në të gjitha sprovat.Në këtë mënyrë autori rrëfimtar , At Zef Pllumi , përnes veprës në fjalë ka arritur ta ridimensionojë kujtesën , ta institucionalizojë tolerancën e besimit , ushtrimin shpirtëror të individit , ngritjen e paraqitjen e kujtesës kulturore të shkëputur përdhunshëm…

Pse dhe si erdhi titulli: RRNO VETËM ME TREGUE?
Në lidhje me këtë autori shkruan, citojmë:”Superiori At Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë.Ndigjo , more djalë ,-më tha,-un e çmoj vendosmëninë tande , por çdo gja ka masë: shka del jashtë mase asht budallëk.E kupton?Ti ke ardhë këtu në kohën ma t ‘keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjëherë e sidomos na.Kthehu në katund , aty ku ishe , struku , mos fol ,as mos i beso as këmishës sate.Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë .Na pleqtë edhe në ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin , por ju të rijt duhet të jetoni.Zoti asht i Madh.I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen…Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba , rrno vetëm me tregue.A e kupton shka due me t ‘thanë ?….”(I,fq.315-316).

Ky libër kujtimesh i At Zef Pllumit ,edhe sipas Dr.Aurel Plasarit (NËN KËMISHËN E HEKURT TË KUJTIMEVE ,I ,fq.7-12), sikunder bën thirrje që të vërtetat të mos harrohen , që historia të mos deformohet por të kuptohet e shpjegohet ,është edhe kontribut në luftën e një populli për demokracinë.

Me kryeveprën e tij: RRNO VETËM PËR ME TREGUE, At Zef Pllumi, ka treguar dhe përshkruar jetën si dëshmi me pamje të ferrit, dëshmi e tij shkrimore e reales.