NDËRTOHET RRUGA E MAKINËS, PËR NË FSHATIN E BUKUR ALPIN, CURRAJ I EPËRM

0
892

Pamje nga fshati i thellë malor, Curraj i Epërm (Tropojë)

Ngjarje e rrallë, në historinë shekullore:

Nga: Dr. Mhill Gecaj, Kryetar i Shoqatës Nikaj-Mërtur

Tashmë, u bë realitet, pra u përmbush një ëndërr shekullore e banorëve të fshatit të thellë e shumë të bukur malor, Curraj i Epërm, në krahinën e Nikaj=Merturit, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë)!

Të nderuar miq dhe dashamirës të mi dhe të mbarë krahinës Nikaj-Mërtur!

Me gëzim të papërshkruar ju njoftoj se, më datën 14 tetor 2018, në Log të Kishës, do të jetë një ngjarje e rrallë në historinë shumëshekullore. Pra, do të organizohët festa e madhe popullore, kushtuar përfundimit i rrugës automobilistike, për në fshatin Curraj Epërm!

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge, megjithëse në kushte të vështira të terrenit malor, u nisën më 4 korrik 2018, që nga ne Vrana e Madhe. Një arritje e tillë madhështore, u bë realitet: falë vullnetit dhe mbështetjes së Pushtetit Vendor e Kryetarit të Bashkisë, Besnik Dushaj; Deputet Isuf Çelaj dhe administratorit të Njësisë së krahinës Nikaj-Mërtur, Gjovalin Gjeloshaj. Por kryesorja, e paimagjinueshmja, unike në Shqipëri dhe në Europë, ishte mbeshtetja e tërë bashkësisë së fshatit Curraj Epërm, kudo që ata ndodhen dhe tërë Nikaj Mërturit, pra që ishte “qershia mbi tortë”.

Një falënderim të veçantë u drejtojmë punëtorëve manovratorë dhe firmës, që mori përsipër punimet dhe i përfunmdoi ato në kohë kaq rekord. Deshti Zoti dhe Ora e Madhe e fshatit Curraj Epërm, që kjo rrugë e vështirë u përfundua pa asnjë avari dhe as gërvishtjen më te vogël. Urojmë që Zoti ju dhashtë atyre, gjithmonë shëndet e mbarësi në jetë!

https://www.facebook.com/mhill.gecaj/videos/10155857481193404/

Një falënderim të përzemërt kemi për të gjithë ju, vëllezër të fshatit Curraj Epërm. Ju njoftojmë se, deri më 14 tetor 2018, do të bëhen sistemimet përfundimtare. Pra, u bëjmë thirrje që të bashkohëmi të gjithë edhe këto pak ditë që, nesër, askush mos të ndihet keq, se përse nuk u bë pjesë e ndihmës bujare, duke iu bashkuar vëllezërve të tyre!

Ky projekt i rrallë, në historinë e atyre maleve, nuk duhet dhe nuk mbaron këtu. Ëndrra dhe dëshira e të gjithëve përfundon plotësisht, pasi rruga të shkojë deri në lagjen Qeresh-Kuq(Gecaj). Prandaj, mos të rrijë indiferent asnjë bashkëfshatar ose bashkërahinas, kudo që ai jeton e punon, me aq sa mundësi të ketë për të ndihmuar. Kështu do të vazhdojmë të jemi bashkë të gjithë, si kurdoherë, në ngjarjet e ndryshme historike!

Ju ftojmë të gjithëve: Miq dhe dashamirës, nga mbarë Shqiperia, Kosova dhe Diaspora, që të merrni pjesë në këtë festë solemne e madheshtore, aty në fshatin e mahnitës, me bukuritë e tij, në Curraj i Epërm, me datën 14 Tetor 2018. Le të gëzojmë dhe festojmë së bashku, Ëndërren e Brezave tanë!

Me respekt të veçantë dhe shumë mirënjohje, për të gjithë ju dhe mirë se vini, në festën tonë të përbashkët !

Më 6 tetor 2018

Dërgoi për publikim, Dr. Murat Gecaj, studiues