Skënderbeu dhe mirditorët, i autorit Gjon Keka në Libraritë e kryeqytetit

0
1008

Doli nga shtypi libri “Skënderbeu dhe mirditorët (Burrë shteti, strateg dhe vizionar)”

“Skënderbeu dhe mirditorët (Burrë shteti, strateg dhe vizionar)”, është libri i ri i autorit dhe studiuesit Gjon KEKA, botuar nga Shtëpia Botuese Lena Grafik, Prishtinë 2018.

Skënderbeu i madh… si një liriprurës, si një kampion i lirisë, i të drejtë dhe i themeleve të një ushtrie të vogël, por të aftë për të mposhtur perandori, ashtu siç edhe ishte perandoria e errët otomane (turke). Ndërsa në këtë libër Gjergj Kastriot Skënderbeu vjen si një strateg politik, diplomat, politikan, shtetar dhe princ e mbret i Rilindjes. Kështu që, duke e trajtuar Heroin Kombëtar si një shtetar i përkushtuar ndaj atdheut, strateg politik e burrështetas, vëmë re se mjetet që ai përdori si një mbret i denjë apo princ ishin efikase për ta dëbuar armikun dhe mundur atë në të gjitha betejat, si ato në kohë lufte ashtu edhe ato në fushën e diplomacisë e të politikës.

Ky pushtues, nga marazi dhe mossuksesi për ta pushtuar sërish Arbërinë, që mbretërohej aso kohe nga Kastrioti, me tërbim lëshoi ushtrinë e tij drejt Arbërisë dhe Gjergj Kastriotit. Porse Gjergj Kastrioti, me mençurinë, vizionin e tij ushtarak, si një strateg i shquar, si dhe me dhuntitë e tij të jashtëzakonshme, e goditi rëndë Perandorinë Otomane (turke), duke e paralizuar në qëllimet e saj të mbrapshta.

Ndërsa,mirditorët e Gjergj Kastriotit ishin zemra e ushtrisë së Shtetit të Arbërit, sepse ata tradicionalisht mbanin primatin e të qenit luftëtar të zotë dhe trima e krenarë për prejardhjen e tyre nga selia e lashtë e princërve trima mirditorë. Në këtë kontekst, në bibliotekat e ndryshme nacionale në Austri kam gjetur dokumente, kronika, revista shkencore etj., që kanë trajtuar rolin e Mirditës dhe të mirditorëve.

Monarkia apo Republika e asaj kohe e Arbërit e kishte pranuar atë si Mbret në gjirin e saj, sapo ai ishte kthyer në atdhe. Lavdet e tjera që ai mori nga mirëqeverisja dhe dëshmia nëpërmjet veprave të guximshme dhe politikës së urtë që ndoqi, bëjnë që më pas ai të kurorëzohet Mbret i Arbërisë europiane…

Ndaj dhe me të drejtë, në një vepër sllovene të vitit 1861, shkruhet mbi kurorëzimin e Gjergj Kastriotit – Mbret – se “E gjithë bota e di se Kastriotët kanë kurorën e tyre nga Perëndia”.

Me forcën e tij mendore, fizike dhe shpirtërore, Skënderbeu arriti e u bë mbret i shtetasve të tij dhe e udhëhoqi vendin me urtësi e vizion, duke e bërë atdheun e tij të famshëm e të njohur në mbarë botën. Kështu ai i dha jehonë lavdie atdheut të tij, i dha nder emrit të të parëve të tij, e bëri të njohur emrin e vet si mbrojtës i civilizimit europian, arriti t’i bashkojë fiset e atdheut si një trup i vetëm dhe nga qielli hyjnor mori bekimin kurorës mbretërore për gjithçka të mirë e të drejtë që kishte bërë.

Libri i ri i autorit Gjon Keka “Skënderbeu dhe mirditorët” gjendet në Libraria Dukagjini dhe Libraria Universitare Artini-Toena në Prishtinë.