PARADOKSE SHQIPTARE – KOSOVA

0
544

Abdulla Mehmeti

Sapo u çlirua dhe pavarësua Kosova, vetë shqiptarët filluan ta gërryejnë nga brenda, ta „hanë“ dhe zvogëlojnë, ta mohojnë, ruanа Zot edhe ta shesin copa-copa!

Po, ky a nuk është atdheu ynë i krijuar me gjak e skarifica të shumë brezave, o njerëz të mirë?

Pse duhet të plaçkitet e vidhet atdheu, e të mos ndjeni se mohoni e shkelni mbi gjakun e mijëra dëshmorëve, të djegurve e të humburve në flakën e luftës; të mos ndjeni plagët dhe dhimbjet e mijëra femrave të përdhunuara e fëmijëve të djegur në djepa?

Pse duhet tani ta mohoni flamurin e shtetit tuaj me të cilin është pranuar dhe njohur Kosova shtet i pavarur nga shumë vende të botës?

Asksuh nuk ua ka mohuar përdorimin e flamurit kombëtar, simbolin e shenjtë të gjithë shqiptarëve kudo që janë!

Kush ngutet pa u njohur ndërkombëtarisht Republika e Kosovës, pa u pranuar anëtare e plotëfuqishme në OKB, të mos i pëlqejë emri i këtij shteti të fituar me gjak e sakrifica dhe flamuri i tij (qoftë i përkohshëm)?!

Mendoni që bota dhe aleatët tanë të cilët kontribuan aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk e njohin historinë tonë, të kaluarën tonë, kombin shqiptar dhe të kaluarën e lashtë ilire-dardane-arbërore të Kosovës; se Kosova një ditë mund të quhet Dardani, sipas emrit të saj të lashtë, ndërsa flamuri i saj të jetë ky që e ndjen në shpirt çdo shqiptar, flamuri kuqezi me shqiponjën me dy krena?

Dhe, nuk keni lexuar dhe mësuar asgjë nga histori e popujve dhe shteteve të tjera të botës, se është sovrani, janë qytetarët e një shteti sovran që vendosin edhe për emrin e shtetit, për simbolet, flamurin dhe çështje të tjera të rëndësishme, por jo kur t’u kujtohet, si t’u kujtohet dhe kujt t’i kujtohet, para se Kosova të njihet shtet me të drejta të plota në bashkësinë e kombeve dhe shteteve të botës!

Edhe njëherë po e dëshmon historia që, shtetin e krijojnë idealistët, e shfrytëzojnë matrapazët dhe mund ta shkatërrojnë injorantët, me dorën e tyre dhe pa ndihmën e armiqve!

Skuquni e turpërohuni pak, se nuk mund të ndryshojë askush dhe asgjë që nuk e ka krijuar vetë! A mos njihni ju ndonjë autoritet nga radhët tuaja që ka marrë pjesë në nënshkrimin e aktit të kapitullimit të Serbisë në Kosovë, në atë aktin e madh historik në Kumanovë, më 10 (9-11) qershor 1999?!*

*Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së (Serbisë), u nënshkrua më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan gjenerali Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

(4 tetor 2018)