STRUKTURAT E LDK-së NË KRIZË LEGJITIMITETI

0
930
LDK logo

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

LDK-ja, qysh në themelimin e saj, si risi dhe normë dalluese nga monizmi, praktikoi votimin e fshehtë për të gjitha strukturat partiake. Njëjtë veproi edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, e prirë nga lideri luftarak dhe intelektuali “par exelance” Prof. Dr. Sali Berisha. Kjo normë u shkel në Kuvendin e 7-të të LDK-së! Nëse zgjedhja e kryetarit Isa Mustafa ishte transparente, me votim të fshehtë, Këshilli i Përgjithshëm u emërua nga kryetari i sapozgjedhur, duke bërë një votim farsë, aklamativ! Rrjedhimisht, kjo strukturë supreme e LDK-së ishte jolegjitime, sepse nuk pati as konkurrencë dhe as votim të fshehtë!! Mungoi edhe debati! Të 359 delegatët, sa ishin në sallën e Hotel “Grand-it”, asnjë zë reagues. Për të tretën herë provova, duke thënë se – kjo nuk është demokraci -! Klani i kryesisë së vjetën ishte koracuar në tribunë. Kryesuesi m`u përgjegj se “edhe më marrë fjalën pa leje nuk është demokratike”. Dhe, krejt lehtas ia ktheva se – kush po ta jep fjalën këtu -? Pasoi heshtja.

Çuditërisht, klani i Fatmir Sejdiut u bë komplet klani i Isa Mustafës. Edhe Lirije Kajtazi, e cila, në emër të grave të LDK-së, në fazën parazgjedhore, doli me komunikatë se “duam përsëri Fatmir Sejdiun kryetar të LDK-së!” Edhe kryetari i rinisë të LDK-së të njëjtën gjë bëri! Unë reagova mer shkrimin: “LDK-ja rrezikon të kthehet në një bandë”. Dhe, është po kjo Lirije Kajtazi, e cila në Kuvendin e 8-të, do të thoshte se “mos ia prishni hijeshinë këtij Kuvwendi me debate!!!” Ndërkohë, Kuvendi i 8-të i LDK-së ishte më i shëmtuari, ku u varros lirija e fjalës. Sepse kryetari u “zgjodh” pa konkurrencë dhe me aklamacion; Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia gjithashtu! Isa Mustafa me klanin e tij shkatërroi çdo normë demokratike në LDK-e. Premtimin e hershëm se “do ta krijojmë një LDK-e të re”, e realizoi në plotni, duke e zhveshur partinë nga fryma rugoviane, njëherësh, duke përzënë rugovistët më të devotshëm nga strukturat e partisë. Dhe, kjo është e stërbollshme për ta shkarkuar Isa Mustafën nga drejtimi i mëtejshëm i LDK-së, me dyshimin e bazuar se mos, valllë, është pjesë e “Klubit të SHIK-ut” kriminal, i katapiltuar në kreun e partisë, për ta rrënuar, madje, me fund, LDK-në, Lëvizjen zëmadhe të Ibrahim Rugovës?!?

Përçarja e LDK-së në Mërgatë, nga klani i Prishtinës, akt i rëndë kundër LDK-së

Ka kaluar plot një vit nga Kuvendi i 8-të, Kuvendi i aklamacionit, Kuvendi i turpit, duke korracuar, betonuar, përforcuar klanin despotik brenda Kryesisë të LDK-së; duke keqpërdorur, zhantazhuar dhe përtokur strukturat e LDK-së, të cilat, tashmë, janë bërë kondomë të hierarkëve fodullë dhe krejt të pacipshëm. Përgjatë kësaj kohe klani neveritës qendror ka anashkaluar tërësisht Mërgatën, ka anatemuar në mënyrën sa të padrejtë, aq edhe të vrazhdët Degët e LDK-së të Gjermanisë dhe të Zvicrës, si Degë shtyllë, flamurtare dhe simbol të LDK-së në të gjithë Mërgatën Shqiptasre.

Klani i qendrës ka investuar shumë për përçarjen, duke i promovuar të pazgjedhurit si dhe duke aktivizuar klane e individë brenda Degëve në të gjithë Diasporën, për të bërë deklarata mbështetëse për klanin namkeq të Isa Muatafës. Lehaqenët kalemxhinj provokuan edhe në rastin e anatemimit të Donikë Gërvallës, por këta janë zëra të çjerrë, të cilët, asessi, nuk përfaqësojnë elektoratin numerikë të LDK-së rugoviane në Mërgatë. Këta lakej, pa kurriz, ishin përlavdëruesit e flaktë të Fatmir Sejdiut dhe brenda ditës u bënë kritikuesit e tij, në këmbim të përlavdërimit të Isa Mustafës. Ja, çfarë karakteri dhe “personaliteti” kanë?! Ata janë kopje e pështirosur e Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuqit, në panagjerizmin, përlavdërimin neveritës të shefit të tyre Hashim Thaçit. Ultësia e klanorëve tredhakë në Prishtinë, me përçarjet e tyre, herë të dështuara dhe herë-herë të arritshme, u demaskua shëmtueshëm në sytë e shqiptarëve të kudondodhur. Kjo cilësohet si risi e politikanëve dështakë dhe tmerrësisht intrigantë e destruktivë.

Keqpërdorimi i disa figurave partiake dhe deputetëve të dlirë e pa ngarkesa klanore, për hesape të klanorëve në qendër, është për dhimbje, madje, deri në lot. Aq më tepër kur disa syrësh vijnë nga prindër simbol të lirisë dhe të demokracisë. Krejt ndryshe sillej hyjnori Rugovë me bonjakët. Shembull: Përgjatë një fushate zgjedhore në Istog, kryetari Rugova kërkoi dy vajzat e një veprimtari të LDK-së, të ekzekutuar nga SHIK-u fashizoid. Ai i mbajti në të dy krahët Valerinë dhe Arbreshën. Dhe, kur pritësit komunalë menduan se mbajtja ishte e mjaftueshme në kohë, provuan ta lehtësonin kryetarin Rugova, por Ai refuzoi dhe i shtrëngoi edhe më shumë në gjoksin e Tij, sepse donte të ishte prind i tyre, qoftë edhe për pak minuta, madje, në atë agjendë të ngjeshur e kohëpakët.

Loti i Donikë Gërvallës – përloti shqiptarët njerëzorë të kudondodhur

Loti i Donikë Gërvallës, përloti shqiptarët njerëzorë të kudondodhur. Për padrejtësinë, cinizmin dhe fyerjen skajore, fliste loti, ndoshta, më shumë se mijëra fjalë.

Keqpërdorimi dhe keqtrajtimi i i bijëve dhe bijave të heronjëve, nga klanorët e Prishtinës, është rast i paparaprijës në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mohimi, bllokimi i Donikë Gërvallës, kryetare e Degës të LDK-së në Gjermani, e zgjedhur me votim të fshehtë dhe demokratik, delegate për Kuvendine 8-të të LDK-së, ishte paralajmërim i revanshit stalinist dhe SHIK-ist të klanit uzurpator të partisë. Ndërsa tërheqja zvarrë e Donikë Gërvallës, me urdhër të kryetarit aklamativ dhe jo legjitim, Isa Mustafa, nga dera hyrëse e sallës të mbledhjes të Këshillit të Përgjithshëm, është një skandal dhe turp kulmor për klanorët xhuxhë – diktatorë.
Loti i Donikë Gërvallës, përloti shqiptarët njerëzorë të kudondodhur. Për padrejtësinë, cinizmin dhe fyerjen skajore, fliste loti, ndoshta, më shumë se mijëra fjalë.

Klanorët tredhakë të mundur nga Donikë Gërvalla

Kryetari aklamativ dhe pa guxim konkurrence, Isa Mustafa, në fushatën zgjedhore, është degjuar duke folur, në tribunat e hapura, se LDK-në dhe Kosovën do ta udhëheqim së bashku me Donikë Gërvallën. Dhe, ky sllogan premtues pritej dhe durtrokitej me entusiazëm dhe brohoritje marramendëse. Krejt papritur, por fort i menduar dhe analizuar, gjithëçka u përmbys, u hesht. Arsyeja: frikë nga konkurrenca. Kryetari aklamativ nuk e pranoi as konkurrencën me Vjosa Osmanin, më e votuara në zgjedhjet e fundit qendrore. Rrjedhimisht, ai është i vetëzgjedhur, me aprovimin e klanit të tij, rrënues i LDK-së, me të vetmin qëllim për ta mbajtur dhunshëm partinë. Për rrjedhojë, ai është kryetar i dhunshëm, krejt njësoj si kuadrot, të cilët i ka provuar në kurriz populli i gjatëvuajtur i Kosovës tonë, por, edhe i etnikumit shqiptar në përgjithësi.

Dega e LDK-së në Gjermani, një vit më parë mbajti një Kuvend të rregulltë zgjedhor, me më shumë se një kandidat, pra, me konkurrencë dhe me votim të fshehtë e thellësisht demokratik, për ndryshin nga Kuvendi farsë e aklamativ që mbajti Isa Mustafa dhe klani i tij në Prishtinë. Dhe, fitorja meritore i buzëqeshi Donikë Gërvallës. Arsyeja fare e thjeshtë: Donikë Gërvalla ka një çerek shekulli veprimtari aktive atdhetare dhe partiake. Përgjatë luftës së Kosovës, me veprimtarinë e saj profesionale e shumë cilësore, në mediume prestigjioze evropiane, në mbrojtje të Kosovës, kulmoi si Veprimtarja më e madhe për çështjen shqiptare në Evropë. Dhe, e gjithë kjo veprimtari është e regjistruar, andaj nuk mund ta mohojë askush.

Bazuar në këto fakte, shqiptarët, më të drejtë, pyesin: “Si ka mundësi të tërhiqet zvarrë, në hyrje të sallës të mbledhjes të LDK-së, nga oferë vagabondë, me urdhër të drejtëpërdrejtë të Isa Mustafës, Veprimtarja më e madhe në Evropë, për çështjen e Kosovës?!? Dhe, tërheqja e klanorëve të dhunshëm tredhakë, nga postët uzupuese të LDK-së, do të ishte përgjigja e duhur. Është e trishtme që LDK-ja të huazojë mjete e metoda të SHIK-ut, siç është rasti përdorimi i shoferëve dhe badiguardëve në krime, për interesa të shefave të tyre. P.sh: një kryetar partie në Kosovë, nga moria e badiguardëve që ka pasur, 12 sish: janë dënuar për vepra kriminale, kryesisht, vrasje; janë vrarë gjatë veprimeve banditeske të tyre; ndonjë e ka ekzekutuar në fshehtësi shefi, për të pamundësuar dëshminë për krime; dikush është ende në arrati.

Zëri i Donikë Gërvallës, është zëri i LDK-së të Mërgatës – kundër aklamacionit stalinist

Donikë Gërvalla udhëtoi për në Prishtinë me kërkesën e anëtarësisë të LDK-së në Gjermani. Sulmi ndaj Donikës, tërheqja zvarrë e saj, fyerja e enorme, i përjetojmë kolektivisht, sepse ajo na përfaqëson denjësisht dhe duhet të ngulmojë në realizimin e një të drejte legjitime, siç është pjesëmarrja në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Konventave punuese. LDK-ja është shtëpia e Donikës dhe nuk ka nevojë me të thirrë në shtëpinë tënde askush. E përsërisë, sulmi ndaj kryetares Donikë, është sulm i drejtëpërdrejtë ndaj anëtarësisë të LDK-së në Gjermani. Andaj, mos e teproni!

Me gjithë padrejtësinë e madhe karshi Degës tonë dhe asaj simotër në Zvicër; me gjithë shpifjen dhe fyerjen e skajshme nga klani brenda Kryesisë të LDK-së që u bëri këtyre Degëve, ne denoncuam horrllëkun e shefave në Prishtinë, sepse parregullsitë e tyre, zgjedhjet farsë të Kuvendit të tyre, madje edhe të disa kuvendeve të degëve, nga ku arritën delegatë në Kuvendin e 8-të zgjedhor me aklamacion dhe pa votën valide, të vlefshme, pra pa votim të fshehtë e demokratik, na i faturuan neve. Dhe, ky është cinizëm sa i madh, po aq edhe i poshtër. Megjithatë, mendoj se nuk kemi kohë për të humbur gjyqeve. Kërkimfalja nga të akuzuarit, për veprimin burracak karshi Donikë Gërvallës; zotimi se nuk do të provokojnë më me bllokime idioteske si dhe tërheqja e akuzës nga Donika, do të ishin një fund fatlum.

Nëndega e LDK-së në Bavari, në mbledhjen e Kryesisë të saj, debatoi për ngrirjen e marrëdhënieve të LDK-së (qendër) me Degën e LDK-së në Gjermani. Veprimtarët folën me shqetësim se heshtja provokuese, nga ana Prishtinës, karshi Degës tonë, ka kaluar kufinjtë e normalës. Megjithatë, disa nga anëtarët e kryesisë donin që të lëvizët drejt pajtimit dhe bashkëpunimit me LDK-në në Prishtinë. Në mesin e tyre ishin edhe dy bashkëpunëtorë të Jusuf Gërvallës. Nëndega e LDK-së në Bavari njohu disa suksese të Qeverisë aktuale, përfshi edhe udhëheqjen profesionale të kryeministrit Isa Mustafa me stafin e tij ministrorë. Në shkrimin e botuar në media, me titull: “Mërgata Shqiptare i gëzohet liberalizimit të vizave”, në mes tjerash, i bëhej thirrje Degës të LDK-së në Gjermani, me theks të veçantë, kryetares legjitime të Degës, Donikë Gërvallës, të insistojë sërishmi për normalizim të marrëdhënieve të LDK-së qendër, më LDK-në në Mërgatë.

Anëtarësia e LDK-së në Gjermani i ka përcjellur veprimet destruktive të Isa Mustafës, përgjatë ministrimit në Bonn, Gjermani, duke bërë emërime të dhunshme të hajnave të Lëvizjes (LPK)-së në komisione të ndryshme, kur dihet se ata nuk jipnin asnjë lekë për Kosovën. Konfrontimi i tij me LDK-në në Megatë, përjashto fillimin, ka qenë i përhershëm. Andaj, kjo që ndodhë sot, është hakmarrje e së djeshmes, por edhe mohimi, heshtja e fjalës së lirë, përkarësisht, kundërshtia karshi batakçillëqeve të klanit.

Aklamacioni – praktikë komuniste dhe fashiste zgjedhore

Analistë dhe banalistë flasin e shkruajnë çdo ditë për mungesë të demokrascisë brenda partiake; për kriminalizimin e institucioneve shtetërore, në veçanti, të Parlamentit të Kosovës. Por, nuk ndalën për të analizuar pse mungon demokracia në partitë politike të Kosovës dhe pse kriminelët kanë zënë vend në të gjitha institucionet, sidomos në Parlament e deri në kupolën shtetërore. Mungesa e demokracisë në parti, e debatit të mirëfilltë, e fjalës së lirë, nismon që nga zgjedhja me aklamacion, me votim të hapur, me ngritje dore, të kuadrit drejtues, që nga kryetari i partisë dhe strukturat tjera partiake.

Shmangia e votimit të mirëfilltë, të votimit të fshehtë, i jep fund demokracisë të brendshme partiake, debatit në mbledhjet dhe konventat e partisë, sepse kryetari i zgjedhur me aklamacion krijon rrethin vicioz, klanin, bandën brenda kryesisë, e cila e mbron kryetarin, shefin e bandës, sepse në këtë mënyrë mbijetojnë në udhëheqje të partisë edhe anëtarët e klanit. “Mos ia prishni hijeshinë këtij Kuvendi me debate”, – apelonte klanorja Lirije Kajtazi në Kuvendin e 8-të të LDK-së. Aklamacioni, votimi i hapur dhe pa konkurrencë, është praktikë komuniste dhe fashiste zgjedhore. Andaj, LDK-ja, për ta realizuar debatin, fjalën e lirë dhe lirinë brenda partiake, duhet ta heq nga statuti aklamacionin, si formë dhe praktike staliniste, enveriste dhe fashiste zgjedhore.

Në Bundestag-un, Parlamentin gjerman u ngrit problemi shqetësues se si ka mundësi që në Parlamentin e shtetit të ri të Kosovës, kanë zënë karrikët 27 deputetë kriminelë?!? Kriminelë të dënuar për një e më shumë vrasje, hajna, kidnapues, përdhunues, haraçgjinj, nga burgu janë futur në Parlament! Dhe, Parlamenti i Kosovës, si organi më i lartë legjistativ, është bërë strehë e kriminelëve! Ligji aktual zgjedhor ka favorizuar legjitimimin e krimit në Parlament. – Kosova me një zonë zgjedhore -, i ka favorizuar që kriminelët të shpërlahen në Parlamentin e Kosovës, njësoj si pastrohen paratë e pista, paratë e burimeve kriminale. Për çudë, Kosova më një zonë zgjedhore, po u konvenon, po u shkon për shtat, edhe kryesive partiake, sepse, si të privilegjuar, kanë siguruar “elektoratin”, natyrisht, në mënyrë mafioze dhe “fitoi apo humbi partia, unë do të jem deputet me rrogën e majme”, – thonë ata. Është domosdoshmëri akute që kjo formë zgjedhore të ndryshohet dhe të kthehet forma klasike zgjedhore, konkurrenca në zonën zgjedhore.

Ndryshimet statutare të LDK-së, pas amëshimit të kryetarit Dr. Ibrahim Rugova, pothuajse, kanë qenë në funksion të klanit aktual. Klani, për interesa klanore dhe për vijimësi të karrierës, ka shkatërruar, në tërësi, sistemin zgjrdhor demokratik në Lidhjen Demokratike. Votimin e fshehtë, e ka zëvendësuar me votimin e hapur, aklamativ, gjë që i ka dhënë mundësi klanit të spastrojë partinë nga kuadri i përkushtuar rugovian, për ta zëvendësuar me servilët, apllauzistët, puthadorët e shefave klanorë. Dhe, janë këta të përzgjedhur të shefave, që ua riciklojnë mandatin klanorëve. Prandaj, delegatët meritorë të Mërgatës, të ciët, kryesisht, kanë qenë nga familje dëshmorësh, nuk erdhën në Kuvend për të zgjedhur në mes të Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut, për drejtues të LDK-së, por për të kthyer frymën rugoviane, votimin e fshehtë e demiokratik dhe jo votim aklamativ stalinist e fashist.

E rëndë fyerja dhe vlerësimi paushall nga miqtë

Për ndryshim nga te qenit aktivist i partisë në Kosovës, ku brenda orës përshkon tejpërtej Kosovën, në Gjermani veprimtaria është e mundimshme, madje edhe me shpenzime personale. Për shembull, për të marrë pjesë në një aktivitet të LDK-së në Hamburg apo Hannover, nga Mynihu ka, përkatësisht, 1.000 dhe 800 kilometra rrugë një drejtim. Nisja duhet të bëhet si sot, ende pa gëdhirë mëngjezi, për t`u kthyer të nesërmen në mengjez, duke udhëtuar përgjatë natës. Kreyetarja aktuale e Degës të LDK-së për Gjermani, Donikë Gërvalla, brenda javës bën qindra km rrugëtim, ndërsa përgjatë muajit mijëra km. Zakonisht, kthimin në shtëpi e bën natën, në të shumtën e rasteve e vetme, me makinë, duke këmbyer mendime, përmes telefonit, për aktivitetin e bërë në ndonjë Nëndegë apo aktiv. Ajo është shumë modeste në komunikim,por, edhe e prerë për çështje parimore. Donikë Gërvalla është e qartë në biseda dhe veprime. Ajo asgjë dhe asnjëherë nuk bën diçka për shou medial. Donikës i është ofruar kandidimi për deputete dhe, pa asnjë dyshim, do ta fitonte atë me votë zgjedhore. Por, dinjiteti i saj nuk mund të lëndohej deri në atë shkallë, sa të bashkëjetojë, bashkëpunojë me një tufë kriminelësh, madje, në të njëjtën sallë. Disa miq të letrave, drejtues gazete e portali, të rrjeshtuar gjithherë në anën e së drejtës, me një drejtëpeshim mbresëlënës, në rastin e Donikë Gërvallës, u nxituan me deklarime paushalle dhe jo fort të matura. Ndoshta, mungesë informacioni. Nejse… Ajo është e sinqertë dhe gojëtare e shkathtë, cilësi këto të trashëguara nga babai fisnik.

Për Kosovën dhe LDK-në Donikë Gërvalla ka bërë shumë, shumë, duke humbur edhe një familje. Megjithatë, ajo nuk është disfatuar, nuk ka dështuar në asnjë nismë. Ka lindur, rritur dhe edukuar tre fëmijë: Redoni dhe Joni studentë, ndërsa Nora filloriste. Një nënë dhe një bashkëshorte për lakmi. Bashkëshorti deputet i CDU-së më parë. tani drejtor për çështje ballkanike. Një njohës i mirë i Kosovës dhe shumë i përkushtuar për ta ndihmuar poullin e saj, në rrugën drejt konsolidimit si shtet me pushtet të njëmendët. Donikë Gërvalla ruan dhe kultivon gjithëçka të mirë të traditës kombëtare. Mikpritjen e ka për zemër, tamam sikur e kishte Jusuf Gërvalla. Shtëpia e saj në Bonn është e hapur, madje, krah me krah, për mysafirët, shqiptarët. Modestia e saj është proverbiale.

Donikë Gërvalla ka një vullnet të çeliktë. Ajo përballon një volum pune, sa neve na mrekullon. Ishte e ftuar në Kosovë në një aktivitet komunal të LDK-së. Vajza, Nora, 8-vjeçare mësoi për udhëtimin që do të bënte nëna e saj në Kosovë. Nora ishte e sëmurë, me regjim shtrati, me temperaturë dhe Donika u ndodhë para dilemës: Çfarë të bënte? Por, vajza e zgjuar e zgjidhi dilemën: “Mami, shko. Unë do të bëhem më mirë dhe rri me vëllezërit dhe babin. Dëgjohemi edhe në telefon”. Dhe, Donika, duke fshehur lotët, udhëtoi për në Kosovë, për të mos e lënë premtimin, fjalën peng.

Tejkalimi i krizës – legjitimimi i strukturave të LDK-së

Askush nuk mund ta mohojë krizën e thellë që ka kapluar LDK-në. Të gjitha përrallisjet tjera na kujtojnë anekdotën e veshmadhit. Edhe kur po i shkonte gjysma e prapanicës, thoshte: “Inshallah jam në ëndërr!” Dhe, e gjithë kjo ka ardhur nga shakëtërimi, me vetëdashje, i sistemit zgjedhor, me qëllim të ruajtjes të pushtetit partiak dhe pushtetar. Qëllimi është njësoj sikur SHIK-u i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që vriste, për terror, veprimtarët e LDK-së, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Veçse rrethi vicioz në Kryesinë Qendrore të LDK-së këtë e bën pa përgjakje, por me aklamacione e duartrokitje frenetike staliniste. Kryetari i PPE, Daul, porositi për debate të suksesshme në Kuvendin e 8-të zgjedhor dhe votim të fshehtë e demokratik. Ju as njërën dhe as tjetrën nuk e bëtë. Nuk e di çfarë i keni thënë atij, por e di se gënjeshtra nuk është e shëndetshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka elektoratin e saj, qoftë edhe për t`i fituar zgjedhjet parlamentare. Por, abstenimi i këtij ish-elektorati është numerikë, masiv. Thjesht, kanë humbur besimin tek strukturat aktuale të partisë. Humbja e besimit, ka ardhur për mungesë legjimitetit. Prandaj duhet të mendohet dhe veprohet sikur zgjedhjet do jenë të afërta. Duhet të krijohet një grup punues dhe të ngulmohet në përfitimin e elektoratit të mëllefosur, përshkak të braktisjes të frymës rugoviane në LDK-e. Metoda përjashtuese dhe inati në politikë, janë dëshmuar si humbëse. Vazhdimi i këtij përjashtimi do ta fundoste partinë zëmirë, LDK-në e Ibrahim Rugovës. Prandaj, zgjedhjet partiake, natyrisht, të parakohëshme, për të legjitimuar strukturat e partisë, nëpërmjet votimit të fshehtë e demokratik, do të ishin shpresë e ngritjes të LDK-së. Vetëm kjo mënyrë zgjedhore, do ta ofronte,sërishmi, elektoratin numerikë të partisë famoze, LDK-së të Presidentit Historik, Dr, Ibrahim Rugova.