”Sekretar i Përgjithëshëm Gorbaçov, nëqoftse kërkon paqën, nëqoftse kërkon begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe për Evropën Lindore, nqëoftse kërkon liberalizimin – eja këtu tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë, shembe këtë mur.” Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan, Berlin, 12 Qershor, 1987
Nga Frank Shkreli
Tre Tetori shënon Ditën e Bashkimit Gjerman (Tag der Deutschen Einheit), dita kur kujtohet përvjetori i Ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, festë kombëtare e bashkimit gjerman ç’prej vitit 1990, menjeherë pas shembjes së Murit të Berlinit. Për të rikujtuar pakëz historinë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër sektorë ushtarakë, të kontrolluar nga Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Si përfundim, më 23 Maj, 1949 sektorët e kontrolluar nga Londra, Parisi dhe Washhingtoni, formuan Republikën Federale Gjermane, ndërsa me 7 Tetor, 1949 sektori që kontrollohej nga Bashkimi Sovjetik mori emrin Republika Demokratike Gjermane. Të dy këto shtete, si pasojë e kësaj ndarjeje, zhvilluan sisteme politike dhe ekonomike krejtësisht të ndryshme nga njëri tjetri. Si pasojë e tensioneve politike në atë kohë në Evropë, si dhe midis bashkëkombasve të dy shteteve gjermane — njëra kapitaliste e tjera komuniste — kishte pak ose pothuaj aspak kontakte midis tyre.
Jeta në Gjermaninë lindore (komuniste) karakterizohej nga shtypjet ndaj kundërshtarëve politikë, ndërkohë që mijëra qytetarë të saj ishin nën shinjestrën e Stasi-t, policisë sekrete famëkeqe gjermano-lindore, që njihej për brutalitetin e saj ndaj kundërshtarve të regjimit komunist. Ishte 4 shtatori i vitit 1989 kur qytetarët e Leipzigut zhvilluan protesta paqësore kundër qeverisë komuniste të Gjermanisë Lindore. Protestat, të cilat u përhapën dal nga dalë anë e mbanë vendit, kërkonin bërjen e reformave politike dhe hapjen e kufijve. Më në fund, me 9 Nëntor, 1989 pikat e kontrollit midis dy gjermanive u hapën dhe gjermanët u lejuan të udhtonin lirisht nga njëri shtet në tjetrin. Kjo datë në të vërtetë, shënon edhe shembjen e Murit të Berlinit. Të gjitha këto ngjarje të vitit 1989 çuan më në fund në nënshkrimin e “Traktatit të Bashkimit” nga udhëheqsit e të dy shteteve gjermane, në Gusht të atij viti duke e bërë kështu Bashkimin e Gjermanisë, në fakt, një akt zyrtar, më 3 Tetor, 1990. Ditë kjo që festohet çdo vit anë e mban Gjermanisë së bashkuar, por ndryshe nga shumica e vendeve të tjera në raste të tilla, valvitja e flamurve në shtëpiat private, paradat ushtarake ose fishekzjarret, nuk manifestohen aq shumë në Gjermani.
Porta Brandenburg, simboli i ndarjes së Berlinit dhe Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë, është tani simboli kombëtar i paqës dhe i bashkimit gjerman.
Është pikërisht me rastin e kësaj dite që Sekretari Amerikan i Shtetit Michael R. Pompeo, në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, i dërgoi të martën një mesazh urimi popullit të Gjermanisë. “Gjermania është njëri prej aleatëve tonë më të ngushtë dhe një vend udhëheqës i pazevëndsueshëm në Evropë”, shprehet kryediplomati amerikan në urimin e tij dhe shton se, “Ndërsa po afrohet 30-vjetori i shembjes së Murit të Berlinit, ne kujtojmë atë ngjarje me rëndësi, jo vetëm për ribashkimin gjerman, por edhe për demokracinë dhe lirinë anë e mbanë globit”. Në këtë ditë me rëndësi, theksoi Z. Popmpeo, “Ne festojmë frymën e bashkimit si dhe vendin që zë Gjermania, si një fener ndriçues për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe.”
Me këtë rast Sekretari Amerikan i Shtetit tha se kultura dhe traditat gjermane janë aspekte të pandashme të përvojës dhe jetës amerikane dhe solli në kujtesë se në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 45-milion veta janë me prejardhje gjermane. “Vlerat tona të përbashkëta, lidhjet e forta popull me popull, si dhe interesat e përbashkëta për të krijuar një botë të begatë dhe të sigurt, përbëjnë gurthemelin e fortë të marrëdhënieve tona”, ka nënvijuar kryediplomati amerikan Pompeo, në mesazhin e tij drejtuar gjermanëve në Berlin dhe anë e mbanë Gjermanisë me rastin e 28-vjetorit të ribashkimit të gjermanëve. Ai u uroi atyre “begati të vazhdueshme dhe i falënderoi gjermanët për kontributin e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve të pathyeshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. “Së bashku, ne jemi me të vërtetë, Wunderbar”, (të shkëlqyeshëm) ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo, dërguar popullit gjerman me rastin e 3 Tetorit, Ditës së ribashkimit të dy gjermanive.
Është e vërtetë se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, historikisht, kanë qenë shembullore në çdo pikëpamje, por vitet e fundit vihet re një atmosferë kritikash ndaj politikave të njerës se tjetrës palë, sidomos në fushën e politikës ndërkombëtare por edhe në arenën ekonomike. Është pikërisht në këtë atmosferë tensionesh e kritikash të shprehura madje edhe publikisht — në pikëpamjet politike transatlantike, nga nivelet më të larta të dy palëve — që Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Z. Heiko Maas po viziton këto ditë Washingtonin, për bisedime midis dy palëve dhe për të inauguruar Vitin e Miqësisë Gjermano-Amerikane. Sipas Deutshe Welles, para se të nisej për në Amerikë, Kryediplomati gjerman u shpreh se marrëdhëniet transatlantike mbeten jetike, megjithë politikat kontraversiale të Presidentit Trump. Por megjithkëtë, Gjermania, ka thënë ai para se të nisej për në Washington, duhet të zhvillojë një dialog intensiv me Shtetet e Bashkuara, në një kohë ndryshimesh me rëndësi në politikën dhe në pikëpamjet transatlantike, mbi zhvillimet midis palëve. Por, ai ka shtuar se megjithë ndryshimet që mund të ekzistojnë mbi çështje të ndryshme politike, ushtarake dhe ekonomike midis Washingtonit dhe Berlinit, marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve janë të “panegociueshme”, ka theksuar Ministri i jashtëm gjerman. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më me rëndësi i Evropës”, citohet të ketë thënë ai.
Ndryshimet në pikpamjet transatlantike midis Administratës së Presidentit Trump dhe vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, janë pasqyruar mbi disa çështje, përfshirë marrveshjen nukleare me Iranin, gjëndjen aktuale në Siri, ndryshimet klimaterike, tregtinë dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare të Aleancës së NATO-s. Çështje këto të cilat, të pakën në sipërfaqe, duket se kanë tensionuar marrëdhëniet transatlantike, përfshirë edhe ato midis Washingtonit dhe Berlinit. Por thelbësoret e marrëdhënieve gjermano-amerikane, siç janë vlerat e përbashkëta, të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nuk janë prekur, megjithë atë që mund të konsiderohet si tension i tanishëm në këto marrëdhënie. Sekretari i Përgjithshëm i Institutit Goethe, Johannes Ebert, në një intrevistë me Deutshe Wellen ka folur për çështjet që i ndajnë dhe ato që i bashkojnë gjermanët dhe amerikanët. “Duhet të bëjmë një diferencim midis vlerave bazë dhe interesave dhe objektivave të njerës ose tjetëres palë. Të dy vendet”, sipas tij, “Janë gjithnjë të angazhuara ndaj vlerave të lirisë. Vlera të tilla nuk ndryshojnë, madje as në kursin e politikës së përditshme”, ka theksuar Johannes Ebert.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Zoti Maas, një pjesë të vizitës së tij në Washington do ua kushtojë këtyre çështjeve për të cilat mund të ekzistojnë mosmarrveshje, në bisedimet zyrtare që ai do të zhvillojë në Washington me homologun e tij, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Z. Pompeo, me Këshilltarin e Presidentit Trump për çështje të Sigurisë Kombëtare, Z. John Bolton, me Përfaqsuesin Amerikan të Tregëtisë, Z. Robert Lighthizer dhe me anëtarë të Kongresit Amerikan.
Por arsyeja kryesore e vizitës së Ministrit të Jashtëm gjerman në Washington është pjesëmarrja e tij në hapjen e aktiviteteve për Vitin kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane. Sipas burimeve gjermane, gjatë vitit të ardhëshëm, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbahen më shumë se 1000 aktivitete me objektivin për të promovuar kontaktet dhe mirëkuptimin midis popullit gjerman dhe atij amerikan. Sekretari i Përgjithshëm i Institutit Goethe, Johannes Ebert shpjegoi për Deutshe Wellen, objektivat e Vitit kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane në Shtetet e Bashkuara, duke u shprehur se pasi pothuaj 50-milion amerikanë kanë rrënjë gjermane, “Ne duam që t’i forcojmë këto marrëdhënie, por njëkohësisht ne dëshirojmë që të diskutojmë gjithashtu, haptas, pikëpamjet tona të ndryshme. Kjo nuk është një kontradiktë në vetvete. Me fjalë të tjera, duam një diskutim mbi gjërat që po shkojnë mirë në marrëdhëniet tona – por duam të bisedojmë edhe për çështjet të cilat, aktualisht, na shqetësojnë për momentin”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Institutit gjerman Goethe, Johannes Ebert mbi pritshmëritë e tija për Vitin kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane.
Ndërkohë që Gjermania festoi me 3 Tetor, 28-vjetorin e ribashkimit të saj dhe ndërkohë që Gjermania shpalli këtë javë Vitin kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane, një gjë mbetet e qartë. Se megjithë problemet e vërteta aktuale ose sipërfaqësore, ose sfidat e imagjinuara në marrëdhëniet amerikano-gjermane – Gjermania mbetet për Shtetet e Bashkuara partneri më i fortë dhe më i vlefshëm i Washingtonit, si dhe udhëheqës i Bashkimit Evropian dhe vendi që luan një rol kritik në marrëdhëniet në nivel botëror, për një numër çështjesh me rëndësi kyçe për interesat e Shtetevet të Bashkuara dhe për paqën dhe sigurinë në botë. Si e tillë dhe megjithë ndryshimet nga koha në kohës midis tyre mbi zhvillimet në botë dhe në marrëdhëniet dyplaëshe — kjo miqësi midis Washigtonit dhe Berlinit, mbetet kritike për begatinë, sigurinë dhe paqën në Evropë dhe në botë. Lidhjet e ngushta e mqiësore Washington-Berlin shërbejnë, njëkohësisht, edhe si garanci dhe mbështetje ndaj interesave kombëtare afat shkurtëra dhe afat gjata të shqiptarëve në trojet e veta, në Ballkanin Perëndimor. Nëqoftse ekzistojnë dy shtete që janë të pazevëndësushme për fatin e Kombit shqiptar dhe për të ardhmen e tij, ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Marrëdhëniet e forta dhe miqësore midis tyre janë gjithashtu edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve!