Si e “shitën” Shqipërinë ata që i njohim si nacionalistë

2
628

NjëKomb.com, 19 prill 2018

Një bisedë me Pëllumb Xhufin: Si e “shitën” Shqipërinë ata që i njohim si nacionalistë

Bisedoi: MONIKA SHOSHORI STAFA

Studimi i çfarëdo aspekti të Luftës së Dytë Botërore mbetet ende një sfidë për këdo që i kushtohet kësaj pjese të historisë shqiptare.

Shumica e kërkimeve të kryera dhe interesi në përgjithësi mbetet akoma te skenat e mëdha të luftës, si dhe mbi figurat kryesore që morën pjesë në të.

Shqipëria është ende në planin botëror një skenë e harruar, ku lufta dhe çdo gjë tjetër u zhvillua në një shkallë më të vogël, ndonëse vetë shqiptarëve ajo nuk iu duk e tillë.

Për ta ajo ishte e gjatë dhe e ashpër dhe aspak një ngjarje e zakontë. Të mësuar me luftëra, më së shumti të pushtuar, fundi i nëntorit të 1944-s, për herë të parë e gjeti atë të çliruar nga çdo okupator i huaj që e kish mpakur ndër shekuj.

Dhe si një mrekulli e bukur, në një Shqipëri më shumë se primitive në mendësinë e saj, ku edhe një pikëpamje oksidentale ishte një tabu, lind nga kalbësirat e një sistemi të tillë, “viola femërore”, forca dhe energjia e një gjinie tjetër që, në mos e drejton, shtyn përpara makinën e shpëtimit nga okupatori i huaj, prej të cilit Shqipëria kish vuajtur prej shekujsh. Një mrekulli e padëgjuar ndonjëherë më parë.

Si u gjet Shqipëria e pas shpalljes së pavarësisë në luftë? A kishte grupime politike gjatë kësaj kohë në Shqipëri, që të mund të përballeshin me një tjetër pushtues të huaj? Cilët ishin emrat që spikasnin në radhët e tyre? Lufta civile, pjesë e luftës apo vetëm një segment i saj? Si lindi ky shkëlqimi “mashtrues” i Shqipërisë etnike edhe gjatë luftës, kush premtoi dhe si u shua ai? Gruaja shqiptare në luftë, një fenomen logjik ngjarjesh, një mrekulli e përkohshme apo çfarë? Këtyre pyetjeve u përgjigjet historiani Pëllumb Xhufi.

Zoti Xhufi, çfarë grupesh politike ishin në Shqipërinë e pragluftës? Cili qe qëndrimi i tyre në aspektin politik e ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Do të mund të dallonim dy grupime kryesore politike e ushtarake në Shqipërinë e viteve të luftës. Në grupimin e parë bënin pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë së vjetër, me të mirat e të këqijat që ky term nënkupton.

Kishte mes tyre veteranë të Rilindjes Kombëtare e të luftërave për pavarësi e për shtet kombëtar, si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Qazim Koculi, Mehdi Frashëri, Bahri Omari etj. Ishin personalitete me formim liberal e konservator, që bërjen e Shqipërisë e kishin parë më shumë si rezultat të tratativave e të ujdive politike e diplomatike.

Një linjë e tillë, edhe në fillimet e shek. XX, ishte kundërshtuar nga të tjera personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare, përfaqësues të krahut “revolucionar”, me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Ibrahim Temon, Hilë Mosin, të cilët çlirimin nga sundimi osman e kishin parë si rezultat të një shkundjeje të madhe popullore, të një kryengritjeje të përgjithshme.

Përveç personaliteteve të tilla, në grupimin e parë bënin pjesë edhe përfaqësues të klasës së vjetër të bejlerëve, të bajraktarëve e të krerëve të fiseve, që i kishin mbijetuar kohës dhe që ishin dëshmia e gjallë e stanjacionit politik e shoqëror të Shqipërisë.

Të tillë ishin Shefqet Verlaci, Eqerem Libohova, Eqerem bej Vlora, Fuat Dibra, Ali bej Këlcyra, Abaz Kupi, Selim e Dan Kaloshi, Muharrem Bajraktari, Mustafa Kruja, Gjon Marka Gjoni etj.

Kush më shumë e kush më pak, personazhet e këtij grupimi formuan klasën e kuislingëve dhe të kolaboracionistëve, të cilët nëpërmjet një politike anakronike e miope, gjykuan se mund t’i fitonin të gjitha, edhe pushtetin, edhe privilegjet për veten, edhe “Shqipërinë etnike”, edhe luftën me “të kuqtë”, duke u bërë njësh me pushtuesit.

Nëse fundi i luftës do të kishte gjetur në pushtet këtë klasë politikanësh, pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë me siguri do të ishin cenuar rëndë.

Grupimi tjetër, ai që e kuptoi frymën e kohës dhe që u hodh në luftë kundër pushtuesit, duke u shkrirë me frontin e madh antifashist botëror, përfaqësohej nga intelektualë, ushtarakë, klerikë, nëpunës e krerë patriotë, të dalluar në betejat për krijimin, forcimin e demokratizimin e shtetit shqiptar, si Mujo Ulqinaku, Omer Nishani, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Moisiu, Ismail Strazimiri, Shefqet Peçi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Riza Kodheli etj. Por, ky grupim u përfaqësua para së gjithash nga rinia e qyteteve dhe e shkollave, e cila me një idealizëm e patriotizëm të pashembullt, zgjodhi pa mëdyshje luftën pa kompromis me pushtuesin italian e gjerman.

Me rënien e tyre heroike, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Margarita e Kristaq Tutulani, Manush Alimani, Perlat Rexhepi e plot të tjerë përfaqësues të brezit më të ri e më të përparuar të Shqipërisë, elektrizuan të gjithë rininë shqiptare, të fshatit e të qytetit, duke i dhënë jetë një rezistence që Shqipëria nuk e kishte njohur kurrë.

Një qëndresë, që për herë të parë theu kufijtë krahinorë dhe përfshiu të gjitha krahinat e vendit dhe që si asnjëherë më parë tërhoqi në mënyrë masive femrën shqiptare. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte njëherësh e para ngjarje e madhe e kombit, që e vuri femrën shqiptare në piedestalin e historisë.

Në kushtet e një ndarjeje kaq të thellë, që u konfirmua edhe me dështimin e Mukjes, a mendoni se lufta civile mund të ishte shmangur? A duhej që brigadat partizane të kalonin në veri të vendit, ku siç dihet drejtonin krerët e fiseve e të krahinave?

Në fakt, nuk mund të flitet për luftë civile, përderisa aktorët kryesorë të ngjarjeve ishin dy: pushtuesit nazistë dhe Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Qeveria kuislinge e Tiranës, Balli Kombëtar dhe krerët zogistë të veriut ishin, kush më shumë e shumë më pak, instrumente të pushtuesit.

Kushtet e Shqipërisë nuk ishin të ndryshme nga ato të vendeve të tjera, si Franca, Italia, Jugosllavia, Greqia. Edhe në këto vende kishte lëvizje partizane që luftonte njëherësh si kundër gjermanëve, ashtu edhe kundër forcave kuislinge e kolaboracioniste. Por në asnjë nga këto vende nuk është folur ndonjëherë për “luftë civile”.

Në Greqi ka pasur përpjekje midis forcave partizane të EAM-it dhe forcave të qeverisë kuislinge të Rallisit edhe përpara se ushtria gjermane të largohej nga territoret greke. Por vetëm pas këtij largimi, kur në fushën e betejës mbetën të vetme përballë njëra-tjetrës forcat e majta të EAM-it dhe ato të djathta të ELAS-it, përplasja mes tyre u kthye në një luftë civile të mirëfilltë.

Kështu edhe në Shqipëri, nuk mund të flitet kurrsesi për një luftë civile në një kohë kur vendi ishte i pushtuar nga gjermanët dhe kur forcat e Ballit dhe ato të qeverisë kuislinge merrnin pjesë rregullisht në operacionet e forcave gjermane kundër forcave partizane.

Nga ana e tyre, forcat e Abaz Kupit dhe të krerëve të tjerë zogistë, ndërsa refuzonin të luftonin kundër gjermanëve, furnizoheshin me armë, me municione e me veshje nga depot e tyre. Këshillave dashamirëse të oficerëve anglezë për “të hedhur ndonjë pushkë” kundër gjermanëve, sa për t’i dhënë vetes një të drejtë për të pretenduar pushtetin pas çlirimit të vendit, Abaz Kupi iu përgjigj se ai nuk kishte ndërmend t’i dobësonte forcat e tij në përpjekje me gjermanët, pasi ato i duheshin për të luftuar “komunistët” kur gjermanët do të largoheshin. Ky justifikim ngjiti tek ushtarakë të caktuar të misionit anglez, si B.McLean, J.Amery e D.Smiley, të cilët, siç pohon kolegu i tyre J.Naar, “kishin një axhendë të tyre personale, që drejtohej kundër partizanëve dhe kundër komunistëve”.

Pavarësisht inaktivitetit të Kupit e të krerëve të tjerë zogistë, anglezët u munduan me çdo mënyrë ta promovojnë e ta ngrenë në Londër figurën e Kupit, si një alternativë e ardhshme qeverisëse ndaj Frontit Nacionalçlirimtar. Ishin pikërisht këta oficerë që përdorën në mënyrë tendencioze termin “luftë civile”.

Nuk ka dyshim, që midis njësive partizane dhe forcave të disa krerëve të veriut, të lidhur me qeverinë kuislinge të Tiranës, pati përpjekje të armatosura kur të parat ndërmorën marshimin për të goditur forcat gjermane të përqendruara në Mat, Dibër e Kukës.

Shumë njësi partizane u goditën prapa krahëve nga forcat mercenare të Kupit e të krerëve të tjerë, të cilët pretendonin se ato krahina ishin “mbretëri” e tyre, ku nuk mund të futeshin brigadat partizane. Në këtë kuptim, përfshirja e krahinave të kontrolluara nga të ashtuquajturit krerë nacionalistë në operacionet luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare patën edhe një rezultat të rëndësishëm historik.

Ato ndikuan për të shthurur autoritetin e rremë të krerëve bajraktarë të atyre krahinave, që kishin qenë historikisht baza e partikularizmit, e antiligjit dhe e konflikteve krahinore, duke i bashkuar ato në luftën çlirimtare me pjesët e tjera të vendit dhe duke afirmuar, kështu, parimin unitarist, që krijuesit e shtetit shqiptar e kishin përcaktuar si jetik për Shqipërinë.

Cili ishte qëndrimi i organizatave të BK, Legalitetit e të PK ndaj pavarësisë apo integritetit territorial në vitet e luftës? Po ndaj Kosovës?

Fakti që përfaqësuesit e grupimit të parë pranuan të bëhen pjesë e regjimit të pushtimit ose bashkëpunuan me të, tregon se ata mund të bashkëjetonin shumë mirë me një Shqipëri të pushtuar nga nazifashistët.

Ata vetë nuk kishin një projekt të tyre për Shqipërinë e pasluftës. Kënaqeshin me çdo projekt të hartuar në ofiçinat e huaja, mjafton që ai të garantonte pushtetin dhe privilegjet e tyre tradicionale.

Kështu, pasi e panë se shkëlqimi mashtrues i “Shqipërisë etnike” të realizuar nga pushtuesit italianë e gjermanë u shua, si zogistët ashtu edhe ballistët vrapuan të përqafojnë projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh që ky projekt po skicohej në Ministrinë e Jashtme Britanike. Zogistët, gjithashtu, u treguan të gatshëm të nënshkruanin me nacionalistin serb Drazha Mihajloviç një marrëveshje për krijimin e një bashkimi federativ jugosllavo-shqiptar, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen Zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me bajonetat serbe, si në vitin 1924. Për një projekt të tillë u përpoq edhe Muharrem Bajraktari, i cili pati disa takime me përfaqësues të Drazha Mihajloviçit.

Dhe kur e pa se Mihajloviçi e kishte humbur davanë dhe se në Jugosllavi po fitonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari kërkoi ndihmën e anglezëve për të krijuar një “bashkim pellazgjik” mes Greqisë e Shqipërisë (mars 1944). Në maj 1944, në pozita të tilla të katandisjes së Shqipërisë në një shtet vasal, ra edhe vetë drejtuesi i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri.

Ai u propozoi përfaqësuesve të së djathtës greke, që gëzonin mbështetjen e Londrës dhe që bëheshin gati të vinin në pushtet, krijimin e një federate greko-shqiptare, ku ushtria dhe diplomacia duhet të ishin në duart e grekëve. Marrëveshja nuk u nënshkrua, pasi përfaqësuesit grekë pretendonin shumë më tepër nga ç’u ofroi Mit’hati.

Ata donin që Shqipëria e Jugut (“Vorio-Epiri”) të mbetej jashtë kufijve “administrativë” të Shqipërisë e të bashkohej me Greqinë, që Shqipëria të mos kishte ushtri, por vetëm xhandarmëri për ruajtjen e rendit dhe që në krye të administratës shqiptare të ishte një guvernator i zgjedhur nga Athina! Vetë fakti që për të zgjidhur problemet kombëtare të shqiptarëve të ashtuquajturit “nacionalistë” shqiptarë zgjodhën bashkëbisedues të tillë, si Mihajlloviç, Rallis e Zerva, nacionalistë, shovinistë e antishqiptarë të deklaruar, flet shumë për degradimin moral e politik të tyre.

Në të kundërtën, ndryshe nga kuislingët dhe kolaboracionistët, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar ndoqi një politikë që synonte rikthimin e pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar, duke ruajtur me fanatizëm kufijtë e tij ndërkombëtarë, të njohur në Londër më 1913-n e të rikonfirmuar në Paris, më 1919-n, por që rrezikonin të ndryshoheshin përsëri në favor të Greqisë së përkrahur nga Britania e Madhe.

Në emër të Frontit Nacionalçlirimtar, në korrik 1944, E. Hoxha i denoncoi me forcë projektet për një federatë ballkanike, ashtu siç denoncoi edhe marrëveshjen e Ballit Kombëtar me Rallis e Zervën për një federatë greko-shqiptare, ku ushtria shqiptare do të vihej nën urdhrat e shtabit të ushtrisë greke.

Ende pa u çliruar vendi, në tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, Brigada XIV dhe ajo XIX u dislokuan përgjatë kufirit shqiptaro-grek për të ndalur çdo përpjekje të trupave greke për të depërtuar në tokën shqiptare. Në fjalimin e vet në Tiranë, më 28 nëntor 1944, E. Hoxha paralajmëroi Greqinë se Shqipëria ishte gati të bënte një luftë të dytë, në rast se ajo do të guxonte të tentonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut.

Edhe për sa i përket çështjes së Kosovës, qeveritë kuislinge të Tiranës dhe organizatat kolaboracioniste mbajnë një përgjegjësi të madhe historike, sepse në vend të propagandonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet luftës kundër pushtuesit nazifashist, gjë që përputhej edhe me Kartën e Atlantikut, ushqyen iluzionin e rrezikshëm të realizimit të “Shqipërisë etnike” si dhuratë e pushtuesit nazifashist. Nëse në Kosovë nuk pati një lëvizje çlirimtare antifashiste masive, gjë që do ta kishte forcuar pozitën e popullit të Kosovës pas luftës, kjo erdhi edhe për faj të ndikimit të dëmshëm që ushtruan aty rrethet kuislinge e kolaboracioniste të Tiranës.

Në të kundërtën, Fronti NÇL dhe Partia Komuniste që e drejtonte atë, zgjodhën të vetmen rrugë të mundshme që i jepte një shans bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sipas tyre, bashkimi mund të bëhej realitet vetëm në frymën e Kartës së Atlantikut, pra, nëpërmjet zbatimit të parimit të vetëvendosjes pas kontributit që shqiptarët e Kosovës do të jepnin në luftën antifashiste.

Fronti NÇL dhe PKK bënë përpjekje serioze për të inkurajuar luftën partizane në Kosovë. Ato organizuan edhe Konferencën e Bujanit, ku komunistët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, në prani edhe të përfaqësuesve serbë të PK jugosllave për Kosovën, artikuluan shkoqur vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim kombëtar mbi bazën e kontributit në luftën e madhe antifashiste.

Cili ishte qëndrimi i Aleatëve ndaj forcave të Frontit Antifashist të drejtuar nga komunistët dhe ndaj forcave nacionaliste, Ballit Kombëtar e Legalitetit?

Qëndrimi i Aleatëve ndaj forcave protagoniste në Shqipëri artikulohet në disa plane, ku nuk mungojnë ndryshime dhe shpeshherë edhe inkoherenca. Për sa u përket amerikanëve, këta me të kuptuar se e vetmja forcë ushtarake që luftonte kundër italianëve e gjermanëve ishte Fronti Nacionalçlirimtar, i vendosën misionet e tyre ushtarake ekskluzivisht pranë ushtrisë partizane dhe i mbajtën kontaktet vetëm me Frontin Nacionalçlirimtar.

Nga ana e tyre, misionet angleze u vendosën si pranë partizanëve, ashtu edhe pranë forcave të Abaz Kupit, të Muharrem Bajraktarit e të krerëve të tjerë “nacionalistë”. Anglezët nga njëra anë mbështesnin luftën e frontit me armë e pajime, por nga ana tjetër mbanin lidhje me BK, Kupin e legalistët e tjerë, pavarësisht se këta nuk dëgjonin të angazhoheshin në luftime me gjermanët. Siç shkruante majori Philip Leak, lidhjet me BK dhe zogistët nuk duheshin prerë, pasi përndryshe do të dëmtoheshin shpresat “për një kryengritje të përgjithshme në fund të luftës”.

Fjala ishte për një kryengritje të “nacionalistëve”, të mbështetur nga aleatët anglo-amerikanë, e cila do të shmangte ardhjen e frontit dhe të komunistëve në pushtet, për të cilën Abaz Kupi, Skënder Muço e të tjerë flisnin hapur me përfaqësuesit e misioneve angleze. Sigurisht, E.Hoxha me shokë ishin të mirinformuar për këto lëvizje, që synonin eliminimin e tyre nga pushteti i ardhshëm.

Kjo shpjegon acarimin e tyre me misionet angleze, i cili arriti kulmin kur në gusht 1944, Hoxha kërcënoi se do t’i arrestonte oficerët britanikë që ishin atashuar pranë Kupit e të tjerëve, në rast se nuk largoheshin përfundimisht prej tyre.

Nga ana tjetër, një arsye tjetër e mosbesimit që ekzistonte mes komunistëve dhe ushtarakëve britanikë, ishte edhe lidhja që qeveria britanike mbante me qeverinë greke në mërgim dhe premtimi që i ishte dhënë kësaj nga Londra për një rishikim të kufijve me Shqipërinë pas luftës, në favor të Athinës.

Në fillim të kësaj interviste, ju thoni se Lufta Nacionalçlirimtare ngriti për herë të parë femrën shqiptare në piedestalin e historisë. Si arriti gruaja të merrte pjesë në luftë në një Shqipëri shumë më të prapambetur se vendet e tjera ballkanike?

Pikërisht gruaja ishte elementi më i dukshëm që bëri diferencën midis grupimit të parë (qeveri kuislinge e forca kolaboracioniste) dhe grupimit të dytë (fronti i qëndresës antifashiste). Mund të bësh përpjekje titanike, të shtrydhësh kujtesën, të lexosh libra e gazeta të kohës, e megjithatë në radhët e BK, të Legalitetit apo edhe të vetë qeverive kuislinge nuk do të mund të gjesh qoftë edhe emrin e një gruaje të vetme. Dëshmi kjo, se forca të tilla përfaqësonin grahmën e fundit të një Shqipërie krepuskolare, orientale e obskurantiste, që po jepte shpirt. Në të kundërtën, rreth tetë mijë vajza e gra mbushën radhët e njësiteve guerile e të brigadave partizane.

Shumë prej tyre u ngjitën në pozicione drejtuese në organizatat e frontit, të partisë e të rinisë komuniste, të brigadave e të njësive të tjera partizane. Këtë revolucion të madh të femrës shqiptare e filluan të parat nxënëset e gjimnazeve të Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Korçës e Gjirokastrës. Shembulli i tyre tërhoqi qindra e mijëra vajza të tjera nga fshati i mjeruar e i prapambetur shqiptar, duke paralajmëruar triumfin e pashmangshëm të Luftës Antifashiste dhe duke i dhënë kësaj të fundit një karakter europian e progresiv.

Që në nëntor të vitit 1943, shefi i misionit ushtarak britanik, gjenerali Edmund Davies, e konstaton i befasuar këtë shpërthim të papritur të fenomenit grua. Gruaja partizane që drejtonte e urdhëronte, gruaja që luftonte njëlloj si burrat dhe binte në vijën e parë të frontit, gruaja që duronte mizoritë e qelive fashiste e nuk tutej përpara torturave dhe vdekjes, që përballonte vështirësitë e marshimeve të gjata, rreziqet dhe privacionet e një jete në qiell të hapur, gruaja që edukonte, qytetëronte e mësonte masat analfabete të fshatit të prapambetur shqiptar: e gjitha kjo ishte një “mrekulli”, që ndodhte për herë të parë në Shqipëri. Ishte edhe shenja më domethënëse e një shoqërie që po ndryshonte. Përfshirja e femrës shqiptare në Luftën Antifashiste demaskoi e zhvleftësoi përfundimisht rendin e vjetër, të bazuar në injorancën, shtypjen dhe pabarazinë, rend që kërkohej të mbahej në këmbë pikërisht nga grupimi i kuislingëve dhe kolaboracionistëve.

/Gazeta Shqip

2 KOMENTE

  1. Shkrim qe i ka dale boja qeprej 50 vjeteve. Genjeshtra per pioniret e kooperativave para 50 vjeteve.

  2. E ç’vlere kane keto fotorgrafi? Ato jepen vetem partizane bazhibozhuke, me pamje banditesh, te parregullt dhe qe nuk luftojne. Keto fotografi nuk kane lidhje as me shkrimin e pavlere ku gjoja-profesori historian nuk eshte i afte te flase shqip.

Komentet janë mbyllur.