ZEKË BAJRAKTARI I DYTË I THERANDËS

0
1274

Zekë Bajraktari me gruan Ajnishahen (afër) dhe anash me vajzat, Zylfijen e Fatimen -1972

  • Shkruan: Naxhije DoçiPrishtinë

ZEKË BAJRAKTARI I DYTË I THERANDËS (SUHAREKËS)
LUFTËTAR NACIONALIST DHE I BURGOSUR POLITIK
ME 17 VJET DËNIMI –DEKADA E DYTË E SHEKULLIT XX

Në titull e përkufizova “Zekë Bajraktari i Dytë i Therandës (Suharekës) luftëtar nacionalist dhe i burgosur politik me 17 vjet dënimi-Dekada e dytë e shekullit XX”, si sqarim për të bërë dallimin nga emri i të parit atdhetar të kësaj familjeje: Zekë Bajraktari i Parë i Therandës (Suharekës) –Kuvendar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit-1878 (LSHP) dhe luftëtar-prijetar sipas vendimeve të LSHP, në mbrojtje të tokave shqiptare–Shekulli 19, emrin e të cilit e ka të trashëguar Zekë Bajraktari i Dytë i gjysmës së parë të shekullit njëzet (XX).

ZEKË BAJRAKTARI i Dytë i dekadës së dytë të shekullit njëzet (XX) është i lindur në Therandë (Suharekë) më 15 mars 1921, në kullën e madhe të Familjes Barjaktari të Therandës, nga babai Brahimi dhe nëna Shahsenja.

Të dhënat për jetën dhe për veprimtarinë atdhetare të Zekë Bajraktarit të shekullit njëzet janë mbledhur nga informatorët, që e kanë njohur mirë atë. Ndër të tjerë informatorë, më i përkushtuar për të ndihmuar në këtë pikëpamje ishte vëllai i Zekë Bajraktarit, Miftar Bajraktari, që në vitet 2006-2007, kur unë, autorja e këtij shkrimi isha në përpjekje të mbledhjes së materialit për të vënë në letër historikun e Familjes Bajraktari të Therandës (Suharekës), ishte në përmbyllje të të tetëdhjetave.

Disa të dhëna për Zekë Bajraktarin e shekullit njëzet janë marrë edhe nga djali i tij, Haxhi Bajraktari, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe dhe atdhetar i përkushtuar porsi edhe babai i tij. Në këtë aspekt ka ndihmuar shumë dhe bashkëshortja e Zekës, Ajnishahja, në moshë të shtyrë dhe me përjetime të shumta në jetë, si grua e burrit të burgosur politikisht dhe si nënë e fëmijëve me babain të burgosur nëpër çelitë e errëta dhe tmerruese serbe. Nënë Ajnishahja kishte një mbamendje të ruajtur mirë për të ofruar të dhëna me rëndësi për bashkëshortin atdhetar e luftëtar.

Zekë Bajraktari i Dytë – 1921-1990

Zekë Bajraktari si fëmijë ishte rritur nëpër përflakje kohësh, ashtu si edhe krejt fëmijët të tjerë të kësaj familjeje, të ballafaquar përherë me dhunën e pushtuesve të shumtë të Kosovës dhe të krejt shqiptarisë. Shkollën pesëvjeçare serbe të quajtur “Stara srpska petoletka” (Shkolla e vjetër pesëvjeçare serbe), Zekë Bajraktari e kishte kryer në Therandë bashkë edhe me kushëririn e tij të parë, Shaban Bajraktarin e Parë, me të cilin kishin qenë të pandashëm si dy vëllezër. Mirëkuptimi dhe dashuria e sinqertë vëllazërore në mes të meshkujve të familjes Bajraktari të Therandës ishte edukim dhe kulturë tradicionale në këtë familje. Ishte edhe domosdoshmëri për sfidim të të këqijave të shumta që vinin nga pushtuesit e pandalur të Kosovës dhe të krejt tokave shqiptare në përgjithësi. Vetëm kështu, të bashkuar e të mirëkuptuar mirë ndërmjet veti, burrat e familjes Bajraktari të Therandës kishin mundur që të organizoheshin mirë për në luftërat që i ishin imponuar vendit të tyre nëpër vite e dekada të trishta.

Mësuesi serb, dhaskal Sveta gjatë kohës së mësimit në klasë i kishte thënë Zekës dhe nxënësve të tjerë shqiptarë, që kur t’i pyet dikush, të thonë se janë serbë të fesë myslimane. Pra, që Zeka të thotë, se unë jam Zekë Bajraktari, serb i fesë muslimane. Nga se Zeka nuk kishte pranuar që ta thoshte një deklarim të tillë, ishte maltretuar fizikisht, si edhe ishte diskriminuar e etiketuar si shumë kokëfortë dhe i pa disiplinuar në shkollë. Edhe pse kishte qenë nxënës i shkëlqyeshëm në mësime, asnjëherë nuk ishte lavdëruar dhe privilegjuar si nxënës më i dalluar që ishte. Nuk e kishin lejuar as që të punojë kurrkund pas kryerjes së shkollës, edhe pse të tjerët me shkollë të tillë të kryer kishin pasur vende shumë të dalluara pune në Therandën e atëhershme. Nuk e kishin lënë që të punojnë as Zekën dhe as Shabanin, si edhe as djemtë të tjerë të kësaj familjeje, se i kishin diskriminuar si të familjes nacionaliste dhe kryengritëse. Padrejtësitë e pushtuesit serb ndaj tij nuk e kishin demoralizuar aspak Zekë Bajraktarin e ri, përkundrazi e kishin forcuar edhe më shumë, që të bëhej një njeri i dinjitetshëm dhe i vetvetës.

Zekë Bajraktari i dekadës së dytë të shekullit njëzet ishte njeri i së mirës së pakrahasuar dhe i sakrificës së pakursyer për popullin e vet shqiptar, për Kosovën, si edhe për tërë shqiptarinë. Ishte luftëtar nacionalist i Ballit Kombëtar për bashkimin e tokave shqiptare. Pushtuesi i egër dhe barbar serb kishte bërë në vazhdimësi të këqija ndaj Zekë Bajraktarit, si në moshë të rinisë ashtu edhe në vitet të tjera në vijim, deri në amshimin e tij. Keqtrajtime dhe diskriminime të pandalura kishte bërë edhe mbi familjen e tij të ngushtë, si edhe në atë të vëllezërve të tij, e edhe më gjërë, duke i bastisur e kontrolluar kohë e pa kohë, edhe në stinë të ftohtë e të ngrirë të dimrit.

Fëmijët e e Zekë Bajraktari dhe ata të vëllëzërve të tij gati ishin tmerruar nga thyerja e vazhdueshme e dyerve dhe nga rrëmihja e mureve të shtëpisë me kazma, kinse për të gjetur armë të fshehura në to. Nuk kishte mundur të gjente armë UDB-ja dhe as OZNA serbe në shtëpinë ë Zekë Bajraktarit dhe as nëpër shtëpitë të tjera të kësaj familjeje, se ato edhe nëse janë ruajtur nga e kaluara e tyre luftarake nëpër vite, sigurisht që e kanë pasur edhe ndonjë rezervat të vetin jashtë përthekimit shtëpiak…! Them kështu, dhe kujtoj se kjo edhe është më se e vërtëtë, se kur një popull jeton gjatë nën thundrrën e hekurtë të robërisë, ashtu si edhe ne shqiptarët, rezistenca dhe lufta për liri e vendorëve luftëtarë kërkon domosdoshmërisht edhe mobilizime të natyrave të ndryshme për ta lehtësuar sado pak mbijetimin, si edhe për ta luftuar me të gjitha forcat e mundshme pushtimin.

ZEKË BAJRAKTARI I THERANDËS (SUHAREKËS) LUFTËTAR
NACIONALIST NË BJESHKËT E KELMENDIT – 1943-1944

Familja Bajraktari e Therandës (Suharekës) politikisht kishte qenë përherë me orientim djathtist dhe e njëjta bindje ishte bartur në vazhdimësi nëpër breza, pa pësur ndryshime. Zekë Bajraktari qysh se i ri ishte inkuadruar në Organizatën e Ballit Kombëtar, dhe në kuadër të kësaj organizate gjatë viteve 1943-1944 edhe ishin organizuar lufta për çlirimin e tokave shqiptare dhe për një Shqipëri Etnike. Gjatë kësaj kohe luftërat ishin zhvilluar nën komandën e Xhafer Devës dhe qëllimi i luftës kishte qenë çlirimi i tokave të uzurpuara shqiptare nga Sërbia dhe Mali i Zi.

Sipas informatorëve të përmendur më lartë, Zekë Bajraktari i Therandës kishte luftuar në Bjeshkët e Kelmendit, në frontin përgjatë kurrizit kufitar me Malin e Zi, bashkë edhe me kushërinjt e tij të parë, Alushin, Maliqin, Zenelin dhe me luftëtarët të tjerë vullnetarë të Nënprefekturës së Therandës (Suharekës). Kishin luftuar të prirë me bajrak nga kushëriri Asllan Bajraktari i Dytë, djali i madh i Sejdi Bajraktarit, nga se Sejdiun e kishin vrarë misionarët e pushtuesit serb të Therandës, më 1941. Në vitin 1943 e kishin vrarë edhe djalin e dytë të Sejdiut, Shaban Bajraktarin e Parë, që e kishte trashëguar bajrakun, pas vrasjes së të atit.

Zekë Bajraktari me bashkëluftarët e vet kishte luftuar kundër forcave serbo- malazeze në fundvitin 1943 dhe në fillimpranverën e vitit 1944. Luftat i kishin bërë në Velik Breg, në Kollashin dhe përmbi Kuçishtë të Rugovës në vendin e quajtur Livadhi i Gjakit, në të hyrë të Baranës dhe në Kaçuberr. Gjatë luftimeve Zeka me kushërinjt i kishin qëndruar gjithnjë afër Asllan Bajraktarit, për hir të flamurit, që të mos i ndodhte si Asllan Bajraktarit të Parë, gjyshit luftëtar të fundshekullit nëntëmbëdhjetë.

Një pjesë e lagjes “Bajraktari” të Therandës (Suharekës), rrëzë Hisarit Antik
(e përtërirë pas luftës shkatërrimtare në Kosovë, më 1999)

Zekë Bajraktari dhe luftëtarët vullnetarë të Therandës deri në Pejë kishin udhëtuar me kamiona, sepse iu kishte ndihmuar Italia me armatim dhe me teknikë atëherë. Nisja për në front kishte qenë obligim kombëtar dhe krenari për secilin shqiptar, se atëherë luftohej për popull dhe për toka shqiptare. Prej Pejës udhëtimin e kishin bërë gjithkah vetëm këmbë. Tri javë, pa u ndalur, kishin luftuar kundër forcave partizane serbo-malazeze dhe kundër çetnikëve serbë në kufi me Malin e Zi. Kishin luftuar në dy fronte, duke u ballafaquar me vështirësi të shumta dhe me mungesë të madhe të ushqimit. Kishte qenë fundviti 1943 dhe nga dimri i fortë edhe lisat në mal ishin ngrirë. Luftimet ishin zhvilluar edhe për gjashtë javë të tjera, në fillimpranverën e vitit 1944. Zeka Bajraktari dhe Veli Ibrahim Gashi kishin bërë vullnetarisht roje, që i kishin quajtur atëherë Roje të Vdekura, ndërsa Zeka kishte qenë edhe në shtabin kryesor të organizimit të luftës.

Ndër bashkëluftarët shumë të dalluar vullnetarë në atë front, nga Bajraku i Suharekës kishin qenë edhe Rexhep Gashi (anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit), Hamit Tahir Kuçi, Brahim Veli Gashi, Ali Elshani, të gjithë nga Theranda, si edhe Jakup Peçani (Fetiu), me mitralozin e tij të rëndë dhe Sadik Peçani (Fetiu), të dytë nga katundi Peçan i Therandës. Luftëtarët vullnetarë të Therandës me rrethinë ishte dashur vetë që t’i siguronin armët për në front, se nuk kishin pasur mundësi t’i siguronin ndryshe. Sigurimin e armatimit luftëtarët e kishin bërë me dëshirën më të madhe, të vetëdijshëm për obligimin kombëtar për mbrojtje të trojve të tyre të lashta. Nga një bindje e tillë edhe ishin nisur për në luftë, ndërsa njëri prej luftarëve vullnetarë, Behlul Islam Kuçi, gjatë përshëndetjes me familjarët, që kishin dalë t’i përcillnin, i kishte thënë me krenari të veçantë babait të Zekës, se po shkojmë në luftë o Brahim Bajraktari, që tokat tona shqiptare të frymojnë vetëm shqip.

Pengesa më e madhe në momentet e luftimeve avansuese dhe të suksesshme të forcave vullnetare shqiptare kishin qenë dredhitë e forcave partizane serbo-malazeze, se i kishin vënë në ballë shqiptarët, nga trevat shqiptare brenda kufinjve të Malit të Zi. Të tillët, sigurisht, i kishin inkuadruar me dhunë në ushtrinë serbo-malazeze dhe kjo sikur ua kishte këputur duart luftarëve vullnetarë të Kosovës. Si të luftohej kundër vëllait të një gjaku dhe të një gjuhe?! Si të luftohej vëllai me vëllanë?! Krahas kësaj ushtria serbo-malazeze kishte pasur edhe armatim të rëndë, me topa dhe me eksploziv të shumtë.

ZEKË BAJRAKTARI I THERANDËS LUFTËTAR NACIONALIST NË
MALET E SHARRIT MË 1943-1944 DHE PLAGOSJA E TIJ

Sipas informatorëve, lufta e viteve 1943-1944, në Kaçuberr (Në kufij me Malin e Zi) për Zekë Bajraktarin, si edhe për të gjithë luftëtarët vullnetarë të Therandës me rrethinë do të vazhdonte edhe më tutje dhe pa u ndalur, se ende duhej për të luftuar deri në fitore. Zekë Bajraktarit dhe luftëtarëve të tjerë vullnetarë në Kaçuberr kur u kishte shkuar lajmi se kishte plasur lufta me forcat e pozicionuara bullgare në preriferi të Therandës (Suharekës), te vendi i quajtur Te Guri i Dellocit, ata ishin tërhequr për pak kohë për t’u sistemuar në frontin tjetër të luftës. Kishte pasur shumë fronte të luftimeve atëherë në Kosovë, se interesimet e pushtuesve uzurpatorë kishin qenë të shumta dhe të pandalshme për shkafnjimin e territorit të saj. Kishin luftuar, me përkrahje të gjermanëve, kundër forcave bullgare, por edhe kundër forcave partizane, të udhëhequra asokohe nga serbët Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha.

Zekë Bajraktari si nacionalist i përbetuar, bashkë edhe me kushërinjt Asllan Bajraktari e Alush Bajraktari, me bashkëvendasit, Veli Ibrahim Gashi, Hetem Azem Gashi, si edhe me shumë luftëtarë vullnetarë të tjerë të Therandës kishin luftuar dy javë Te Guri i Dellocit, duke i ndërruar vullnetarët që kishin shkuar të luftonin para tyre. Te Guri i Dellocit ishin zhvilluar luftime të rrepta dhe shumë të përgjakshme ndërmjet nacionalistëve shqiptarë dhe partizanëve dhe dhembja më e madhe edhe këtu kishte qenë se në ushtrinë partizane kishte pasur të inkuadruar edhe shqiptarë, shumica me dhunë. Luftimet e tilla ishin zhvilluar në fillim të vjeshtës së vitit 1944 përgjatë maleve të Sharrit, por edhe përmbi Zhur, ku Zekë Bajraktari edhe ishte plagosur në këmbë të djathtë. Ishte plagosur se kishte luftuar në këmbë si karakter i fortë i burrit luftëtar, si edhe dhe për t’iu dhënë kurajo luftarëve të tjerë.

Që të vazhdoheshin luftimet edhe më tutje përgjatë maleve të Sharrit dhe që të mos e vërenin bashkëluftëtarët se ishte plagosur, Zekë Bajraktari këmbën e plagosur e kishte lidhur me shokën e tij të brezit, në formë kërryli. Nga dhembjet e mëdha nuk kishte mundur që ta mbante edhe më tutje këmbën të lidhur kërryl dhe kur e kishte lëshuar drejt, iu kishte dukur se krejt eshtrat i kishin rënë në tokë. Në pamundësi të përballimit të dhembjeve të mëdha dhe për shkak të derdhjes së shumtë të gjakut, bashkëluftëtarët e kishin bartur Zekën në shpinë deri në afërsi të Zhurit. Ndër më të përkushtuarit për bartjen e tij në shpinë kishte qenë Hetem Azem Gashi (Tema i Azemit), se kishte qenë edhe më i fuqishëm fizikisht.

Tema e kishte bartur Zekën në shpinë me një përkujdesje të madhe, që të mos i mbetej shumë e varur këmba e troshitur nga plumbat dhe që të mos i rridhte shumë gjak. Në Zhur e kishte gjetur një lese bartëse te miqtë e vet, se thuhej që Hetem Azem Gashi e kishte pasur gruan prej Zhurit. Me lese kishte qenë më lehtë për ta bartur Zekën deri në Vlashnje, se tani nuk i mbahej këmba vjerrë teposhtë dhe nuk i rrëshqiste gjaku. Nga Vlashnja deri në spitalin e Prizrenit Zekën e kanë bartur si kanë mundur bashkëluftarët e tij, njëri ndër të cilët edhe kushëriri i parë i tij Alush Bajraktari, që nuk kishte dashur ta linte Zekën vetë në atë gjendje të rëndë. Një pjesë të rrugës, të qëlluar për momentin, Zekën e kishin bartur edhe gjermanët me veturë të Xhafer Devës.

PËRPJEKJET E SHUMTA TË FAMILJES PËR SHËRIMIN
E ZEKË BAJRAKTARIT TË PLAGOSUR

Dy muaj kishte qëndruar Zekë Bajraktari i plagosur në spitalin e Prizrenit në përkujdesje të doktorit (apo të teknikut me përvojë) italian, Martonit, por nuk kishte pasur sukses për shërimin e këmbës. Përkeqësimi i mëtutjeshëm i gjendjes kishte sjellë deri në kalbje të mishit të këmbës në gjips. Një gjë e tillë kishte shkaktuar tronditje të papërshkrueshme për familjarët dhe për të gjithë ata që e kishin njohur dhe dashur Zekën. Nuk kishte pranuar Zeka sugjerimin e mjekut italian që t’ia prenin këmbën dhe ishte kthyer në shtëpi i pashëruar dhe tepër i sëmurë. Përkundër një katandisjeje të tillë të gjendjës shëndetësore, në shpirtin e tij asnjëherë nuk ishin vërejtur shenja të demoralizimit. Tek ai përherë kishte vluar vullneti për jet, si edhe për plane madhore atdhetare për Kosovën dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. I tillë kishte qenë karakteri i Zekë Bajraktarit të Therandës, por e tillë kishte qenë edhe vetë edukata e trashëguar në familje.

Familja asnjëherë nuk kishte pushuar së përpjekurit për të gjetur mënyra si për t’ia ndalur dhembjet e tmerrshme, që nuk i kishin pushuar as natë as ditë Zekë Bajraktarit, por nuk kishin pasur kurrfarë mundësish për shërimin e tij në mënyrë mjekësore dhe profesionale. Nga këto të këqija, familjes domosdoshmërisht sikur i ishte imponuar besimi në mundësinë e shërimit të tij me barëra popullore. Zekë Bajraktari ishte dashur të mjekohej për një kohë të gjatë dhe kryesisht me barëra popullore nga një burrë i familjes së hoxhëve të katundit Millanaviq të Therandës me emrin Shaban, që një kohë të gjatë ishte marrë me mjekësi popullore. Shaban doktori i kishin thënë atij atëherë, se i kishte dalë zëri gjithkah si një shërues i suksesshëm popullor.

Sipas Miftar Bajraktarit, gjashtë javë kishte zgjatur shërimi i Zekë Bajraktarit me barërat e Shabanit të Millanoviqit. Tinëz dhe pa e ditur askush e kishin mbajtur në shtëpi shëruesin e tillë popullor, duke e paguar me napolona të arit. Po ta kishin diktuar pushtetarët kriminelë serbë, se Zekë Bajraktari është i plagosur, si edhe që Shabani i Millanovbiqit po përpiqej që ta shëronte Zekën e plagosur, mënjëherë do të vinin ta merrnin atë, por kuptohet edhe Zekën. Zatën në saje të barërave popullore të të quajturit Shaban mjeku, Zeka e kishte marrë deri diku veten, si edhe kishte filluar nga pak edhe që të ngritej në këmbë të veta. Gjatë tërë jetës së tij përplotë me travaje Zekë Bajraktari vazhdimisht kishte lënguar nga pasojat e plagosjes në luftë, si edhe nga përjetimet e tmerrshme nëpër burgjet serbe.

AKTIVITETI POLITIK I ZEKË BAJRAKTARIT
TË THERANDËS (SUHAREKËS)- 1943-1949

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1945, Kosova dhe trevat të tjera shqiptare sërish kishin mbetur të copëtuara dhe të ndara nëpër shtetet fqinje grabitçare. Ishin bërë përpjekje dhe sakrifica në vazhdimësi nga ana e shqiptarëve, por edhe lufta të vazhdueshme nëpër vite që të ndryshoheshin gabimet historike të bëra qëllimshëm në dëm të shqiptarëve dhe të territoreve shqiptare, por asgjë pozitive nuk ishte bërë në këtë pikpamje. Edhe pas përfundimit të luftës të Luftës së dytë botërore rrjedhat e historisë kishin shkuar sërish rrugëve të kurdisura nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Kosova edhe këtë herë kishte mbetur nën robërinë apsolute serbe. Mbi nënqiellin e saj të brishtë ishte shtrirë sërish pushteti i dhunës dhe i terrorit të pakrahasuar serb. Ishte shtrirë administrimi më i egër dhe më i pashembulltë i parë ndokund. Shqiptarët e Kosovës nuk donin t’i njihnin realitetet e krijuara me dhunë nën sistemin politiko-juridik serbo-jugosllav, si edhe vendimet e të tjerëve në dëm të tokave të tyre. Në rrethana të tilla, shqiptarët sërish filluan të organizoheshin në mënyra të ndryeshme dhe ilegale, kryesisht në Lëvizje dhe në Parti.

Zekë Bajraktari ishte luftëtar nacionalist i Ballit Kombëtar për bashkimin e tokave shqiptare, ashtu siç ishin edhe krejt burrat e familjes Bajraktari para tij, si edhe pas tij. Organizata “Balli Kombëtar” ishte formuar që herët, në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1978), për ta vazhduar punën më vonë në forma të ndryeshme edhe në vitin 1911, në vitin 1941, në vitin 1943, në vitin 1945 dhe në vazhdim. Organizata Nacional Demokratike Shqiptare–ONDSH ishte pasardhëse e Ballit Kombëtar. Kjo organizatë shqiptare kishte një anëtarësi shumë të madhe të shtrirë përmes Degëve në shumë vende të Kosovës dhe nëpër të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi. Forca e kësaj organizate ishte e madhe, që pas luftës së vitit 1945 numëronte diku mbi 30 mijë anëtarë dhe ishte në kundërshtim të madh me dogmën sllavo-komuniste të kohës, e cila numëronte diku përafërsisht 10 mijë anëtarë.

Mr. Ethem Çeku në librin e tij: ”Mendimi politik i Lëvizjes ilegale, në Kosovë, 1945-1981” thotë: “ONDSH ishte një organizatë shumë aktive, që bëri bujë të madhe që në start të themelimit të saj. Kishte një program të hartuar mirë dhe shumë të pasur për qëllime të caktuara kombëtare”.

Në Therandë (Suharekë) me fshatra anëtarë të rregulltë dhe të përhershëm të ONDSH-së, pos Zekë Bajraktarit, kishin qenë edhe kushërinjt e parë të tij, Destan Bajraktari, Sinan Bajraktari dhe Alush Bajraktari. Ndërsa si të besueshëm dhe në prag të pranimit në organizatë kishin qenë poashtu kushërinjt të tjerë të tij si, Asllan Bajraktari e Jemin Bajraktari, si edhe Jakupi i Metës nga Theranda dhe Sadik e Avdyl Fetiu nga Peçani i Therandës. Kishte edhe shumë të tjerë të rekrutuar, qoftë si të rregulltë dhe qoftë si ndihmës. Në kuadër të kësaj organizate u krijua edhe Grupi i Lidhjes së Prizrenit, anëtar i së cilës ishte edhe Zekë Bajraktari, si edhe sekretar i Grupit.

Grupet ishin të shumta dhe si më të njohura përmenden Grupi i Halim Spahisë, por edhe Grupi i Shaban Dërgutit nga Prizreni. Grupet e tilla kanë funksionuar deri në vitin 1945 dhe pastaj e kanë pushuar veprimtarinë për çështje sigurie. Edhe për të kontaktuar e për të anëtarësuar njerëz të tjerë të interesuar dhe të përkushtuar për çështje kombëtare e kishin pushuar formalisht veprimtarinë. Lëvizjet e tilla atdhetare nuk kishin pushuar kurrë në tërë trevat shqiptare, se ishin kohë të rënda, me planifikime e konotacione shfarosëse për shqiptarët.

ZEKË BAJRAKTARI I THERANDËS NË KUVENDIN E ONDSH
NË KRUSHE TË MADHE, 1 TETOR -1949

Organizata e NDSH-së aktivitetin e vet e kishte filluar sërish në vitin 1948, duke u bërë kështu një organizatë me anëtarësi të madhe dhe e shtrirë në të gjitha tokat shqiptare. Përtrirja e aktivitetit pas pushimit dyvjeçar kishte pasur për qëllim zgjerimin me përkushtim të anëtarësisë në Prizren, Sharr, Rahovec, Prizren, Gjakovë dhe në tërë Kosovën e më gjerë. Organizata e NDSH-së ishte politike dhe ushtarake dhe në programin e saj e kishte çështjen kombëtare, bashkimin e trojeve etnike shqiptare dhe krijimin e jetës parlamentare e demokratike shqiptare.

Më 1 tetor 1949 Organizata NDSH e mbanë edhe Kuvendin e saj të parë në Krushe të Madhe, ku ishte sjellë ndër të tjera edhe një rezolutë e quajtur “Rezolucioni i Krushës”. Kuvendi i Krushës së Madhe është mbajtur për t’u bërë përgatitjet për luftë si nacionalistë. Organizata ishte e përgatitur dhe e organizuar mirë dhe e kishte edhe vulën dhe stemën e vet.

Zekë Bajraktari i Therandës (Suharekës) si anëtarë i rregulltë i ONDSH-së ishte pjesëmarrës aktiv në Kuvendin e parë të saj, mbajtur në Krushe të Madhe, më 1 tetor 1949.

Në këtë Kuvend në rend të ditës ishin caktuar pikat kryesore, si:
• Masovizimi i organizatës
• Përgatitja për luftë për çlirimin e Kosovës
• Armatimi i anëtarëve të ONDSH (pa armë nuk ka pasur mundësi që të bëhen anëtarë)
• Lidhja me diasporën
• Shkatërrimi i qeverisë shqiptare projugosllave
• Furnizimi me material propagandues
• Formimi i grupit femërorë (përfshirja e femrës)
• Vënja e lidhjes me komunitetin kombëtar të Hasan Dostit?

Në Kuvendin e ONDSH, në Krushe të Madhe komandant i ushtrisë ishte zgjedhur Hafëz Jakup Muçezi, një njeri shumë i fortë kombëtarisht dhe shumë i vendosur dhe i përkushtuar për besueshmërinë e dhënë.

Në vitin 1948 e në vijim në Kosovë ishte krijuar një gjendje tepër e rëndë nën pushtimin diktatorial serb, ku populli shqiptar maltretohej e keqtrajtohej keq e më keq, secilën ditë e më shumë. Edhe anëtarët e grupeve të organizuara të ONDSH ndiqeshin kudo që gjendeshin dhe burgoseshin e maltretoheshin pamëshirshëm. Kohë pas kohe i burgosnin secilin veç e veç dhe në distanca të caktuara kohore për t’i humbur dyshimet në masën e popullit, se i kishin zbuluar të gjitha organizimet dhe funksionimet e ONDSH-së në Kosovë.
Më 18 shkurt 1950 i kishin burgosur edhe anëtarët ONDSH-Grupi i Lidhjes së Prizrenit, ku përpos dënimit me burg efektiv, që edhe e kishin vuajtur, ata edhe i kishin maltretuar mizorisht përtej të gjitha masave njerëzore dhe përtej të gjitha masave të parapara edhe me ligjet e pushtuesit, që asokohe ishin në fuqi. Zatën për maltretimet e shqiptarëve të Kosovës, të organizuar në Lëvizje, por edhe të atyre që nuk ishin të organizuar në lëvizje, pushtuesi serb zbatonte metoda dhe vendime për zhdukjen e tërësishme të tyre.

BURGOSJA NË VITIN 1950 E ZEKË BAJRAKTARIT
TË THERANDËS (SUHAREKËS)

Zekë Bajraktari është burgosur më 18 shkurt 1950 si anëtar i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Grupi i Lidhjes së Prizrenit. Policia serbe e kishte arrestuar në stacion të trenit në Ferizaj, pa kurrfarë sqarimi dhe me eufori shfrenuese. Atje ishte gjendur se e kishin marrë me dhunë nga shtëpia në Therandë, kinse për ta dërguar për punë vullnetare në Trepçë. Zekën me qëllim e kishin dërguar në stacion të trenit në Ferizaj, që ta burgosnin më lehtë, se e kishin ditur që atje njerëzit nuk do ta njihnin. UDB-ja serbe donte që t’i maltretonte dhe t’i burgoste shqiptarët, por që të mos i vërente askush. Ia kishin lidhur duart me pranga në prani të të gjithë njerëzve, duke e maltretuar në mënyrat më barbare.

– Je i arrestuar – i kishin thënë dhe e kishin vënë në veturën (gazikën) e tyre të zezë, ku ia kishin lidhur edhe këmbët dhe e kishin nisur për Prizren. Në burgun e Prizrenit Zeka kishte mbërrijtur krejtësisht i lodhur dhe i rraskapitur nga maltretimet e shumta fizike, që ia kishin bërë kriminelët policë serbë gjatë gjithë rrugës nga Ferizaji. Me të arritur në burgun e Prizrenit, nuk e kishin lënë fare që të pushonte dhe që të qetësohej nga mundimet e shkaktuara rrugës. E kishin mbajtur me orë të tëra me duar të lidhura, duke e rrahur dhe maltretuar pa mëshirshëm, të shtrirë në tavolinë. I kishin rënë shumë edhe në këmbën e plagosur në luftë, por Zeka kishte duruar të gjitha rrahjet deri në dhembje të shpirtit. Nuk kishte treguar për ndieshmërinë e plagës në këmbë, se kishte qenë i vetëdijshëm që kriminelët serbë do t’i mëshonin edhe më shumë dhe në mënyrë më të pamëshirshme mu aty ku do të ndiente më shumë dhembje.

Në burgun e Prizrenit kishte pasuar edhe pyetje të gjyqtarëve kriminelë serbë, që kishin qenë pyetje të shumta dhe të thëna shpejt. Nga se përgjigjja e Zekës nuk kishte mundur të jepej me intenzitetin e njejtë dhe sipas planifikimeve të kurdisura, njëri prej UDBA-shve serbë, i quajtur Miqa i kishte rënë shuplakë Zekës në fytyrë. Edhe Zeka, edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore nga maltretimet e shumta fizike e psiqike që ia kishin bërë rrugës dhe në burg, disi më tepër ndoshta si instiktivisht, ia kishte kthyer edhe ai shuplakën shkaut Miqë. Për incidentin e krijuar Zeka kishte përjetuar shumë të këqija shtesë, si edhe kishte përjetuar edhe ditë të shtuara të qëndrimit në vetminë trishtuese në kthinat e errëta, në burgun e Prizrenit. Dhe ditët e tilla në atë burg të mallkuar kishin zgjatur shumë, se ashtu kishin dashur barbarët serbë, duke thënë se bëheshin hetimet të detajizuara ndaj tij dhe ndaj tërë Grupit të Lidhjes së Prizrenit. Ato kishin qenë ditët më të rënda prej më të rëndave me maltretime të përtejmasave, që në momente të caktuara kishin qenë edhe ditë në mes të jetës dhe të vdekjes për të.

UDB-ja serbe kishte bërë të këqija të shumta ndaj Zekë Bajraktarit pse ai kishte pasur guxim ta kundërshtonte pushtetin e tyre dhe se kishte luftuar me armë në dorë kundër robërisë dhe tiranisë së pakursyer serbe në Kosovë. Edhe në familjen e tij kishte bërë UDBE-ja keqtrajtime dhe diskriminime të shumta, duke i bastisur dhe kontrolluar kohë e pa kohë e edhe në pikë të dimrit. Nga thyerja e vazhdueshme e dyerve fëmijët gati i kishin çmendur, ndërsa shtëpinë e kishin rrëmihur dhe bërë krejt zgavra-zgavra me kazma, kinse për të gjetur armë të fshehura në to. Romët e paguar i kishin rrëmihur muret e shtëpisë së Zekë Bajraktarit. Gjatë bastisjes së shtëpisë, gratë me fëmijë i kishin lënë përjashta me orë të tëra, në pikë të dimrit. Nga temperaturat e ulëta që kishin ngrirë çdo gjë edhe brënda në shtëpi, e le më përjashta, fëmijët e vegjël e kishin marrë lëngatën dhe disa prej tyre edhe kishin vdekur.

Nëna e Zekë Bajraktarit, Shahsenja, që në familje e kishin quajtur më shumë si Nëna Shahë, kishte qenë një grua shumë e përkushtuar për djemtë dhe për familjen në përgjithësi. Si grua guximtare ajo ishte vazhdimisht në kundërshtim me pushtuesin serb, që nuk ia linte të qetë djemtë, por që ia merrte va e pa va dhe kohë e pa kohë, duke ia burgosur e maltretuar si rrallë edhe dike tjetër në Therandë. Me vesh në krah, siç thot populli, kishte ndenjur natë e ditë, se mos po vjen UDB-ja serbe për t’ia tmerruar familjen me gra e me fëmijë. Nëna Shahë i kishte kundërshtuar haptas oficerët e UDB-së serbe në Prizren, Millan Gjuriqin dhe Radiqin, kur ata kishin shkuar që t’ia bastisnin shtëpinë, kinse për t’i kërkuar armët, ku i kishin të mëshefura.

Bashkëshortja e Zekë Bajraktarit, Ajnishahe Bajraktari me fëmijë

– Po të kishim armë, more zogu i shkinës, ti nuk do të vije për t’na trazuar e tmerruar në pikë të natës me gra e me fëmijë. Po t’i kisha armët sot në shtëpi, do t’i kisha shkrepur më parë ty në lule të ballit, pa t’i dorëzuar në dorë ato! – u kishte thënë Shahsenja kriminelëve të UDB-së serbe. Nga zemërplasja për torturimet e shumta, që ua bënin djemëve dhe familjes u kishte thënë këto fjalë Nëna Shaha e Zekë Bajraktarit, se kishte qenë e vetëdijshme për të këqijat, që do të mund të pasonin më vonë prej tyre. Reagimi i saj kundër oficerëve serbë kishte qenë shembulli më tipik i i qëndresës së gruas shqiptare, kundër pushtetit të hekurt dhe gjenocidal serb në Kosovë.

Në të vërtetë, nuk kishte qenë fare qëllimi i gjetjes së armëve në muret e shtëpisë së kësaj familjeje, se as që kishte pasur mundësi fshehjeje të armëve nëpër vende të tilla. Qëllimi kryesor kishte qenë trysnia për t’u shpërngulur nga trojet e tyre këta dhe të tjerët. Pra, për t’u shpërngulur dhe shfarosur shqiptarët, të cilët kishin guxim ta kundërshtonin pushtuesin serb në Kosovë. Maltrtimet e tilla me përmasa edhe tragjike nuk kishin ngjarë vetëm një herë në Familjen e Bajraktarëve të Therandës dhe në rastin konkret në shtëpinë e Brahim Bajraktarit, babait të Zekës. Me dhjetëra herë dhe kurrë pa u ndalur kishin ngjarë. Brahim Sefë Bajraktari, 1892-1857, ishte bashkëpunëtor dhe përkrahës i madh i djalit të xhaxhait të tij, Sejdi Bajraktarit dhe thuhet se për çështje kombëtare vazhdimisht kishte punuar sipas këshillave të tij.

Tri vjet kishte ndenjur Brahimi nëpër male me pushkë në dorë si kryengritës, me sugjerim të Sejdi Bajraktarit, nga se kishte qenë një lloj sigurie aso kohe për familjen dhe për popullatën vendore në përgjithësi, kur kishte qenë mashkulli në mal. Edhe Sejdi Bajraktari, bajraktar i atëhershëm i Suharekës, e kishte dashur shumë Brahimin dhe e kishte paguar me para mosshkuarjen e tij ushtar i krajlit serb, se aso kohe djemtë e familjes Bajraktari maltretoheshin shumë kur binin në duart e eprorëve kriminelë serb. Me spiunimin e të tjerëve, pushtetarët serbë e kishin dërguar me dhunë Brahimin ushtar në Zagreb, ku e kishin mbajtur nëntë muaj, duke e matretuar veçantë të tjerëve. Përkundër të këqijave të përjetuara në ushtrinë serbe, Brahimi nuk ishte ndalur që të mos shkonte si luftëtarë vullnetarë në luftimet e mëvonshme, që ishin organizuar në Therandë për çlirim kombëtar te vendi i quajtur Te Guri i Dellocit, në periferi të Therandës, më 1944.

BURGOSJA E ZEKË BAJRAKTARIT TË THERANDËS (SUHAREKËS)
NË BURGUN E PRISHTINËS

Pas kryerjes së hetimeve në burgun e Prizrenit, në fillim të muajit mars të vitit 1950, Zekë Bajraktarin e kishin transferuar në burgun e Prishtinës, ku edhe e kishin gjykuar dhe dënuar me 17 vjet burg të rëndë. Bllazha Jovanoviqi e kishte gjykuar. Në burgun e Prishtinës Zeka kishte qenë bashkë edhe me Gjon Sinishtën, të cilin pas gjykimit e kishin dënuar me vdekje. Ekzekutimi me vdekje i Gjon Sinishtës ishte bërë në Tauk Bashqe, në Prishtinë, dhe thuhet se Zeka kishte ndier dhembje të papërshkrueshme për ekzekutimin e tij.

Për ecurinë e gjykimit dhe për dënimet tepër të rënda me burg për të dhe për shokët, Zekë Bajraktari kishte reaguar haptas, duke e shprehur pakënaqësinë e vet në shkallë të lartë. Reagimet e tilla i kishin kushtuar shumë shtrenjt, se prokurorët kriminelë serbë i kishin dhënë edhe dënime të tjera shtesë, që kishin ndikuar shumë në keqësimin e shëndetit të tij. Një polic i moshuar serb i quajtur Popoviq, që kishte qenë i obliguar ta ruante Zekën, e kishte lutur atë që të përmbahej nga reagimet, duke i thënë se do të mbarosh ti nga torturat dhe do të më mbysin edhe mua.

Në aktgjykimin e Zekë Bajraktarit, nr. 117 / 50 të lëshuar në Prishtinë më 27-VI-1950, me nënshkrim të kryetarit të trupit gjykues Dushan Staniq (Duśan Stanić) është komentuar një pjesë e programit të ONDSH, ndër të tjera edhe se, çdo anëtar me rastin e pranimit në Organizatën e NDSH duhet t’u përgjigjet këtyre kushteve:
1. Të jetë idealist për bashkimin e popullit shqiptar.
2. Të jetë i diciplinuar dhe i vendosur në kryerjen e detyrave të përcaktuara nga organizata.
3. Të jetë agjitator i propagandës.
4. Të jetë konspirativ dhe i zoti që të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut me armë në dorë
kundër të huajve në Kosovë dhe për bashkimin e shqiptarëve rreth Shqipërisë së përparshme etnike dhe flamurit kuq e zi”.

Gjithnjë sipas aktgjukimit: “Nga lista e gjetur e organizatës dhe e librit të arkatarit shihet se vetë Grupi në Suharekë, sipas Kuvendit në Krushe të Madhe, kanë zgjedhur për kryetar të organizatës Shaban Mazrekun, ndërsa sekretar dhe procesmbajtës i librit ka qenë i akuzuari Zekë Sefa (Bajraktari). Tre të akuzuarit, Shaban Dërguti, Nezir Maksut Hoti dhe Zekë Sefa (Bajraktari) janë të detyruar që t’i paguajnë edhe shpenzimet e gjykimit në formë paushalli e edhe që ta paguajnë avokatin. Të tjerët të akuzuar janë të liruar nga një detyrim i tillë. Zekë Sefa (Bajraktari) për shpenzime të gjykimit të paguaj 200 dinarë, ndërsa për avokatin Bllazha Stankoviq (Blaža Stanković), të caktuar nga gjykata, 300 dinarë…”.

Gjithnjë sipas aktgjukimit: “Anëtarët e organizatës në pikpamje të pagimit të anëtarësisë kanë qenë shumë të përpiktë. Shihet se Organizata NDSH, në Suharekë, sipas udhëzimeve që kanë marrë, ka pasur edhe udhëheqësinë ushtarake, që kanë qenë me emra anonim, si Murmurima, Erfeja (sigurisht për Rrufeja) etj.” Duhet cekur se në aktakuzë Zekë Bajraktari i Therandës (Suharekës) thirret Zekë Sefa (Sefa Zeka), se administrata serbe e kishte shkruar në këtë mëyrë, por edhe se mbiemrin Bajraktari familja e kishte marrë më vonë, në viti 1947.

ZEKË SEFA (BAJRAKTARI) I THERANDËS NË BURGUN E NISHIT

Në burgun e Prishtinës Zekë Bajraktarin e Therandës (Suharekës) e kishin gjykuar dhe dënuar me 17 vjet burg të rëndë. Pas gjykimit dhe dënimit me 17 vjet burg, Zekën e kishin transferuar në burgun e Nishit, ku edhe atje nuk iu kishin ndalur kurrë keqtrajtimet dhe maltretimet prej më të rëndave. Ishte i burgosuri me vuajtje më të gjatë të dënimit në komunë të Therandës. Zatën në komunë të Therandës të burgosur politikë kishin qenë më së shumti burrat e familjes Bajraktari. Ndër metodat më të rënda dhe më të papërballueshme të maltretimit për të burgosurit politikë në burgun e Nishit kishte qenë Revidim-qëndrimi, që në kuptimin logjik ishte mohim i veprimtarisë së vet atdhetare. Thuhet se pak kush nga të burgosurit në atë burg të llahtarshëm të Nishit kishte mundur që t’i shpëtonte Revidim-qëndrimit të detyruar.

Nga se Zekë Bajraktari nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë mohimin e veprimtarisë së vet atdhetare, e kishin maltratuar pa pra, natën e ditën, deri sa e kishin bërë, si thotë populli, si hije deri në 28 kilogram të peshës së trupit të tij. Vdekjen e kishte parë me qindëra herë me sy, por asnjëherë nuk kishte pranuar mohimin e madhështisë së tij për popullin dhe për vendin e vet. Përherë kishte qenë simbol i qëndresës dhe i pathyeshmërisë para sfidave të krijuara.

Kur i kishin thirrë të tjerët të burgosur për revidim-qëndrim, secilit prej tyre iu kishin thënë që ta merrnin me vete zemrën e Zekë Bajraktarit dhe të shkonin. Për shkak të karakterit të fortë dhe të pathyeshmërisë në vazhdimësi, metodë tjetër e dënimit për Zekë Bajraktarin e Therandës kishte qenë edhe ndalimi i vizitave dhe i paqetave nga familja dhe kjo për të kishte qenë edhe kërcënimi për vdekje nga uria. Shumëherë as gjumë nuk kishte mundur të bënte nga uria e tepruar, por kur kishte rastisur që të kotej ndonjëherë në gjumë, kishte ëndërruar se po hante bukë dhe e kishte ngrënë plafin, që gati ia kishte zënë frymëmarrjen.

Në burgun e Nishit kishte qenë si rregull, që të burgosurit me vite të shumta të dënimit të dërgoheshin edhe në burgun e Pozharevcit, që kishte qenë një burg-shkollë për delikuentë. Jeta në atë burg kishte qenë pak si me e qetë në dukje dhe me kushte pak më të mira, por me prapavija të këqija. Në të e kishin dërguar edhe Zekë Sefën (Bajraktari) si shërbëtor, dhe më tepër ndoshta e kishin dërguar si provokim për karakterin e fortë, që e kishte ai prej njeriu të pathyeshëm në parimet e veta atdhetare dhe morale. Në burgun e Pozharevcit kishte pasur gra të burgosura, si edhe gra që kishin qenë në marrëdhënie të rregulltë pune, të cilat si detyrë të veçantë e kishin pasur edhe ngacmimin moral të të burgosurve.

Zeka kishte qenë i vetëdijshëm se ngacmimet e tilla morale ishin pjesë e programit të planifikuar të kriminelëve serbë për maltretime të shtuara ndaj të burgosurve shqiptarë, prandaj edhe ishte ruajtur shumë në këtë pikëpamje. Edhe kur e kishin quajtur “dërva nat dërvo” (dru e përtej drurit), ai kishte mbajtur qëndrim inferior, se nuk kishte dashur të pësonte dhe të etiketohej për çështje të ulëta. Dy vjet e kishin mbajtur Zekën në burgun e Pozharevcit për t’i realizuar sukseset në provokimet e planifikuara, por kishin mbetur të zhgenjyer në rezultate. Edhe për një stoicizëm të tillë e kishin dënuar Zekën. Të burgosurit të tjerë i kishin mbajtur nga dy-tre muaj, se kishin rënë menjëherë në kurthet e përgatitura të tyre, ndërsa Zekën dy vjet..

Gjithnjë sipas informatorëve të përmendur, burgu i viteve të pesëdhjeta të shekullit njëzet në qytetin e Nishit, kishte qenë institucion inkuizicionues dhe i mbushur më së shumti vetëm me shqiptarë. Të burgosurit në të, pos që ishin maltretuar deri në alivanosje totale, e edhe deri për vdekje, për veprat e kryera apo të montuara penale, kishin qenë të detyruar edhe që të punonin punë të rënda fizike. Ku do të gjenin të burgosurit shqiptarë forcë fizike për të punuar në atë burg të përmasave shfarosëse për ta, kur gjatë gjithë kohës së qëndrimit në të kishin qenë me barkë të zbrazur nga të pangrënit me ditë e me netë të tëra?!

Bashkëshortja e Zekë Bajraktarit, Ajnishahe Bajraktari, e kishte përjetuar tepër rëndë burgosjen e bashkëshortit të saj, se kishte mbetur e vetme me fëmijët e vegjël. Jetën e rëndë politike dhe ekonomike në familje Ajnishahja e kishte përballuar dhe tejkaluar vetëm me krenarinë për burrin e saj atdhetar dhe me shpresën për ditët më të mira për të, për familjen dhe për krejt popullin shqiptar. Ajnishahe Bajraktari i kujton me rrënqethje disa episode të jetës së rëndë dhe të mundimshme në rritjen e fëmijëve të saj pa babain pranë. Fëmijët e saj, Zylfija, Haxhiu dhe Fatimja nga malli për babain nuk kishte pasur ditë që nuk kishin qajtur me dënesje. Kishin dëshiruar edhe ata që ta kishin pranë babain e tyre, si fëmijët të tjerë.

Në foto: Bashkëshortja e Zekë Bajraktarit, Ajnishahe Bajraktari (në mes), vajza, Zylfija e martuar në Prizren, si edhe unë autorja e shkrimit – Naxhije Doçi

-Më së vështiri e kisha kur më pyesnin fëmijët, se kur do të vjen babai prej bugut – thotë Ajnishahja. Ata në të vërtetë e kaluan gati krejt moshën e fëmijërisë pa e parë kurrë babain e tyre, se Zeka ishte i dënuar me shumë vjet burg. I dertën të gjitha sëmundjet e rënda, si fruthin e kollin e keq, pa ua fërkuar kurrë ballin babai i tyre!-vazhdon fjalën e saj nënë Ajnishahja.

Ajnishahe Bajraktari e kishte vizituar vetëm tri herë bashkëshortin e saj Zekë Bajraktarin për 17 vjetët e dënimit të tij në burgun e Nishit. Nuk kishte pasur mundësi që të shkonte ta vizitonte më shpesh se i kishte pasur fëmijët të vegjël, për të cilët ishte dashur të kujdesej edhe si nënë e edhe si baba. Nuk kishte pasur edhe si të udhëtonte vetëm pa një përcjellës, se rruga në të shkuar në Nish dhe në të kthyer në Therandë kishte qenë shumë e gjatë për të, me ditë e me netë të tëra dhe se kohët kishin qenë të rënda e të rrezikshme për të udhëtuar atëherë femra vetëm. Edhe shpenzimet e udhëtimit, në ato kohë krizash të mëdha ekonomike nën izolim, kishin qenë të mëdha për familjen, që të udhëtonin dy e më tepër vetë deri në Nish. Pos kësaj duhej përgatitur edhe pakot për të burgosurit, që duhej edhe të ishin të pasura dhe kualitative, se prej tyre ndoshta edhe mbahej për një kohë i gjallë shpirti dhe forca fizike e tyre.

Gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit njëzet, për shkak të aktivitetit atdhetar, Familja Bajraktari e Therandës ishte e përjashtuan nga pushtuesi serb në Kosovë deri edhe me nga shtatë vjet, pa pasur të drejtë hyrje-daljeje të askujt tek ta. Nuk kishin pasur të drejtë familja e Zekë Bajraktarit që të lëviznin lirshëm dhe as që ta punonin tokën për të gjallëruar. Kjo kishte ndikuar tepër keq në gjendjen ekonomike të tyre, si edhe në çdo aspekt. Për banorët e Therandës ka qenë e ndaluar rreptësisht edhe kokën që ta kthenin kah Lagjja e Bajraktarëve. Ata që kishin pasur guxim t’i thenin rregullat e hekurta të pushtuesit serb ishin ndëshkuar me rrahje brutale nëpër kthinat e errëta të stacionit të milicisë, si edhe me burg e me konfiskim të pasurisë.

Haxhi Bajraktari- profesor – Djali i madh i Zekë Bajraktarit. Foto e vitit 2008 në njëzetvjetorin e demonstratave të vitit 1968, organizator i të cilave ishte vetë Haxhiu, tani i ndjerë (30 gusht 2016)

Zekë Bajraktarin në burgun e Nishit e kishte vizituar edhe djali, Haxhi Bajraktari, kur ishte rritur dhe bërë 8 vjeç. Të tri herat Haxhiu kishte udhëtuar bashkë me nënën e tij Ajnishahen dhe me xhaxhain Miftarin. Kënaqësi të jashtëzakonshme kishte ndierë Zeka kur e kishte parë djalin që i ishte rritur dhe sikur ia kishte vërejtur në sy atdhedashurinë e zjarrtë dhe urrejtjen e madhe për pushtuesin serb në Kosovë. Më së shpeshti Zekë Bajraktarin e kishte vizituar në burg i vllai, Miftari. Për shkak të burgosjes së Zekës dhe të vëllezërve të tjerë të tij, Sefës, Hazirit dhe Jasharit, si edhe të kusherinjëve, Fronti Popullor i kishte përjashtuar për shtatë vjet me radhë si familje, pa të drejtë lëvizjeje askund dhe pa të drejtë të hyrje-dalje të askujt tek ata. Në ndonjë shkelje të rastësishme të rregullave të tilla të hekurta të dhunës së paparë serbe mbi ta, pasojat kishin qenë të rënda për familjen, por edhe për të gjithë të tjerët, që kishin pasur vullnet dhe ndjenjë njerëzore t’ua çelnin derën për t’i parë si jetonin.

Mirë që kishte mbetur i paburgosur Miftari, kishin thënë të gjithë dashamirët atëherë, dhe atij edhe i kishte mbetur tërë barra e përkujdesjes për të gjithë, si për vëllezërit nëpër burgje, ashtu edhe për familjarët e tyre me gra e fëmijë në shtëpi. Dhe kjo kishte qenë diçka tepër e vështirë për ta përballuar për villain e Zekës, Miftar Bajraktarin.

Në burgun e Nishit shqiptarët i kishin munduar shumë edhe me punë të rënda fizike jashtë territorit të burgut. I kishin detyruar në vazhdimësi që të punonin në punishten e tullave, që kishte qenë diku në afërsi të objektit të burgut dhe thuhej edhe se këtë punishte e kishin mbajtur krejtësisht me forcën fizike dhe me ndjersën e të burgosurve shqiptarë. Në atë punishte, të burgosurit shqiptarë edhe i kishin rrahur në mënyrë shtazarake, sepse ndonjëri prej tyre kishte pasur guximin t’i vetëdijesonte shokët e vet për trajtimin dhe për padrejtësitë që iu bëheshin. Këtë e kishin thënë të gjithë të burgosurit. Nga goja e Zekë Bajraktarit nuk kishte dalë asnjë ankesë asnjëherë për çështje të tilla (për veten e vet), gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në burg. Karakteri dhe krenaria e tij kishte qenë e tillë. Tërë kohën ishte munduar vetëm si t’u ndihmonte shokëve të burgosur shqiptarë.

Zeka kishte qenë në një mënyrë edhe këshilltar dhe avokat i shokëve në burg, se kurrë nuk ishte pajtuar me trajtimet e tmerrshme dhe me të padrejtat fashiste të eprorëve serbë të burgut enkas vetëm ndaj të burgosurve shqiptarë. Kishte qenë si mbrojtës i tyre, duke e rrezikuar përherë dhe pa hezitim shëndetin dhe jetën e tij. Shumë herë i kishte organizuar të burgosurit shqiptarë, edhe që të protestonin kundër padrejtësive të bëra me dallime të shumta vetëm ndaj tyre, sepse kishte dashur t’u tregonte kriminelëve serbë të burgut, por edhe të tjerëve jasht burgut, se shqiptarët në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk do të pajtohen kurrë me dhunën serbe. Shqiptarët nuk do të pajtohen kurrë me pushtetin serb, çfarëdo që të jetë ai pushtet, i mirë apo i keq. Për organizime të tilla në burg, Zeka kishte marrë vazhdimisht dënime të rënda, me qëndrim të gjatë në vetmi dhe në errësirë, me ushqim shumë të dobët dhe me reduktime të tmerrshme.

Gjatë qendrimit në burgun e Nishit Zekën e kishin dënuar edhe me njëmbëdhjetë muaj që të mos i sillnin fare pako nga shtëpia, ndërsa nëntë muaj që të mos e vizitonte askush nga familja. As letër nuk e kishin lënë që t’i shkruante familjes për njëmbëdhjetë muaj me radhë, si edhe as që të merrte kurrfarë lajmi prej tyre. Kishte qenë dënimi më i gjatë dhe ndoshta edhe më i rëndi psikologjikisht që ia kishin bërë, se dënimet dhe maltrtimet e rënda fizike nuk ishin ndalur asnjëherë ndaj tij. E kishin mbajtur në kthinë të errët të burgut, pa e parë fare dritën me sy, ashtu si edhe në kohën e paraburgimit në burgun e Prizrenit dhe të Prishtinës, në vitin 1950. Torturimet e tilla ia kishin shtuar në mënyrë të tmerrshme dhembjet në këmbën e plagosur në luftë më 1944. Ia kishin shtuar edhe përmallimin për fëmijët, për familjen, si edhe për vendlindjen e për Kosovën. I kishte ardhur një ofshamë e thellë nga shpirti edhe për gjendjen dhe për trajtimin e padrejtë që ua kishin bërë të burgosurve të pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptarë.

Pas skadimit të dënimit të gjatë dhe të mundimshëm 11 muajsh në skëterrat e qelive të burgut të Nishit, Zeka i kishte shkruar letër familjes që të shkonin ta vizitonin. Dy-tri fjali i kishte shkruar në atë letër, që kishte qenë si e përlyer, se më tepër nuk e kishin lënë që të shkruante.

– Më ka dalë dënimi dhe nëse mundeni ejani që të më vizitoni. Duhet ta dini se më ka marrë malli për të gjithë. Si e kam nënë Shahën time trime. Po fëmijët dhe nusen time si i kam. Kaq – Zeka i juaj.

Me të pranuar të letrës, Miftari kishte shkuar menjëherë që ta vizitonte Zekën në burgun e Nishit. Posa kishte hyrë në dyert e burgut i kishin thënë që të shkonte te Shtëpia e Bardhë (Bella Kuqa). Ishte befasuar nga një urdhër i tillë, por ishte befasuar edhe si e kishin njohur rojet e burgut se kush ishte. Kishte gati një vit që nuk kishte shkuar para dyerëve të burgut në Nish dhe rojet menjëherë e kishin njohur se kush ishte. E kishin ftuar bile edhe me emër dhe kjo pak iu kishte dukur si e çuditshme. Miftari e kishte ditur prej kohësh, se rojet para dyerëve të burgut ndërroheshin për çdo 12 orë dhe se çdo herë ishin të tjerë, prandaj edhe ishte çuditur si ia kishin ditur emrin se kush ishte.

-Hajri e daftë, kishte thënë me vete Miftari, se e kishte parandierë se diçka jo e mirë kishte ngjarë me Zekën. E kishte marrë veten menjëherë, ashtu si edhe çdo herë tjetër dhe e kishte lutur Zotin që vetëm të gjallë ta gjente të vëllain. Në zyret e të ashtuquajturës Shtëpi e Bardhë e kishin pritur dy gjeneralë të burgut, që e kishin pritur në atë mënyrë, thuaja se e kishin njohur me vite. Nuk i kishte bërë përshtypje pritja e mirë që ia kishin bërë, si edhe fjalët lajkatare që ia kishin thënë, se i kishte marrë me mend dredhitë dhe prapavijat helmuese serbe. Nuk kishte zgjatur shumë enigma e kamufluar e gjeneralëve kriminelë serbë, se menjëherë ia kishin filluar akuzave të rënda kundër Zekës:

“Zeka po na krijon probleme. Po na pengon, që ta mbajmë rendin dhe qetësinë në institucionin tonë. Është person i padisiplinuar dhe i papërshtatshëm, dhe tani ti duhet t’i flasësh, që të rri si duhet “.

Kur e kishin dërguar Miftarin në vendtakimin me të burgosurit, që të takohej me Zekë Bajraktarin, ishte stepur në vend nga trishtimi. Pamja e fytyrës së Zekës verdh si limoni, si të kishte dalë prej dheut, ia kishte këputur të dy këmbët. Nga të dobësuarit e tepërt iu kishte dukur se Zeka më shumë përngjante në një skelet të gjallë, (që nuk kishte forcë të fliste dhe as të lëvizte) se sa në njeri.

Se si iu kishte mbyllur goja në ato momente Miftarit dhe nuk kishte ditur si të sillej dhe as çka t’i thoshte Zekës. I kishte ardhur disi në shpirt që të bërtiste në kup të qiellit, për ta shfryrë mllefin që iu kishte grumbulluar në grykë të fytit nga pamja e zbehtë e fytyrës së Zekës. Një ndjenjë tjetër e kishte urdhëruar që ta merrte karrikën dhe t’u binte në kokë të gjitha rojeve, që iu kishin qëndruar përreth dhe nuk i linin që të shmalleshin lirshëm njëri me tjetrin. E kishte frenuar veten, se nuk kishte dashur t’i bënte keq Zekës. Nuk kishte dashur as që të binte pre e provokimeve të planifikuara të eprorëve serbë të burgut. Skena e krijuar enkas për ta, e dhunshme dhe e dhembshme njëkohësisht, i kishte përngjarë Miftarit në një ëndërr të çuditshme, nga ankthi i së cilës kishte dëshiruar që të shkundej sa më parë.

– Duhet të flisni serbisht në mes veti, se nuk kemi përkthyes – i kishin thënë Zekë Bajraktarit eprorët serbë të burgut. Zeka nuk kishte dashur që të flisnin serbisht! Sinjalin ia kishte dhënë edhe Miftarit dhe ai e kishte respektuar vullnetin e tij. Asnjë fjalë nuk e kishin folur asnjëri në atë takim. Vetëm kishin qëndruar përballë njëri tjetrit, pa e bërë as edhe ndonjë lëvizje të vogël.

Eprorët serbë të burgut gati kishin plasur nga inati, pse Zeka dhe i vëllai nuk kishin folur serbisht gjatë takimit. Ishin inatosur edhe pse vetëm e kishin shikuar njëri – tjetrin dhe asgjë tjetër. Për një protestim të tillë Zekën e kishin ngarkuar pastaj me akuza të tjera të rënda, si edhe e kishin dënuar me qëndrim shtesë në errësirë. Atë ditë edhe Miftarin e kishin mbajtur gjatë në zyrat e bugut, duke e akuzuar pse nuk kishin ndikuar fare këshillat e tyre, që t’i fliste të vëllait, Zekës për padëgjueshmërinë dhe për mospërfilljen, që ai kishte ndaj rregullave të burgut.

Jeta e Zekë Bajraktarit të Therandës (Suharekës) ishte shumë dinamike nëpër vite, se një jetë të tërë e kishte luftuar, në mënyra të ndryeshme, pushtuesin barbar serb në Kosovë. Ai ishte atdhetar shumë i përkushtuar, me dëshirën e zjarrtë për ta parë Kosovën të lirë dhe tokat shqiptare në një përkufizim të bashkuar.

LIRIMI I ZEKË BAJRAKTARIT TË THERANDËS
NGA BURGUFAMËKEQ I NISHIT

Zekë Bajraktari i Therandës lirohet nga burgu i Nishit në vitin 1962, i dërrmuar nga torturimet e shumta të bëra në vazhdimësi nga udhëheqësia e burgut dhe në përgjithësi nga pushtuesi barbar dhe kriminel serb i kohës. Kthimi në shtëpi, në Therandë (Suharekë) sikur do t’ia ndryshojë sado pakë rrjedhat e jetës Zekë Bajraktarit, se do të gjendet pranë bashkëshortes së tij të dashur dhe të pakrahasuar për të mirë, Ajnishahes, grua shqiptare e përkushtuar denjësishtë dhe thellësisht për rrugën atdhetare të bashkëshortit të saj.

Do të gjendet edhe pranë tre fëmijëve të vet të shtrenjtë, që i kishte lënë të vegjel kur e kishin burgosur Zekën dhe që, megjithatë, ishin rritur e zhvilluar, edhe pse me vuajtje të shumta të natyrave të ndryeshme rrënqethëse, si edhe me permallime të mëdha për mungesën e babait të tyre në shtëpi. Do të gjendet edhe pranë nënës së tij të plakur dhe të thinjur edhe para kohe, si edhe pranë familjarëve të tjerë të dashur, që e kishin pritur me padurim dhe me gëzim të madh kthimin e tij në shtëpi.

Pas daljes nga burgu dhe kthimit në shtëpi, Zekë Bajraktarit do t’i lindë edhe fëmija i katërtë, djalë, të cilit do t’ia vë emrin e veçantë për kohën, Kosovë, nga se tërë jetën kishte menduar dhe vepruar për lirinë e Kosovës dhe për bashkimin e tokave shqiptare në një trinë të përbashkët, siq kishin qenë dikur në kohën e rrezatimit dhe të madhështisë së tyre. Katër fëmijët e Zekë Bajraktarit të Therandës (Suharekës) do ta vazhdojnë rrugën e babait, në mënyra të ndyeshme, duke lënë gjurmë të përkushtuara atdhetarie dhe njerëzore nëpër kohë. Të gjithë fëmijët e Zekës janë të martuar e me trashëgimi të mbarë dhe në rrugën e atdhedashurisë, si edhe gjyshi i tyre atdhetar – Zekë Bajraktari.

Zekë Bajraktari i Therandës (Suharekës) edhe pas daljes nga burgu dhe kthimit të tij në shtëpi sikur asnjëherë nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme, si edhe mundësi të duhura për t’u kujdesur për veten e tij, si edhe për rehabilitimin e shëndetiti të tij, të dëmtuar e të shkatërruar në luftë, si edhe nëpër burgjet inkuzicioniste serbe. Me dëshirën e vazhdueshme për ta parë Kosovën të lirë dhe të zhvilluar ekonomikisht e me dashuri të shtuara kombëtarisht e kishte mbyllur jetën e tij përplotë bujshmëri atdhetarie, ballëhapët dhe krenar përpara brezave.

Djali më i vogli i Zekës, siq e quante ai me shumë dashuri KOSOVA, do ta madhështojë emrin e vetë, të vënë nga babai atdhetar, edhe me një madhështi tjetër. Ai sot është doktorr i shkencave të pediatrisë, përherë në ndihmesë të pakrahasuar për familjarët e vet të ngushtë e të zgjeruar, për popullatën e vet të çmuar të vendit të vet dhe në përgjithësi për të gjithë njerëzit, sipas betimit të Hipokratit, si edhe në ndihmesë e në përkrahje të njerëzve hallemëdhenjë dhe në nevojë. Dr. Kosovë Bajraktari është doktorr-profesionist shumë i nderuar dhe njeri i së mirës dhe shumë i çmuar në vendlindjen e vet, në Therandë dhe në përgjithësi.
Dr. Kosovë Bajraktari, është i lindur më 26.07.1963 në Therandë. Është specializant nga lëmia e pediatrisë dhe punon në klinikën private për fëmijë “Kosova-Med”, në Therandë. Eshte i martuar me Qefsere Berisha-Bajraktari, profesoreshë e diplomuar e infermierisë dhe ka dy djem: Dardani-doktor i mjekësisë, dhe Etniku-absolvent i Fakultetit të Mjëkesisë.

Dr. Kosovë Zekë Bajraktari me bashkëshorten, Shtëpia, e në të edhe ordinanca e pediatrisë Qefsere Berisha-Bajraktari, Prof. e infrmierisë. e Dr. Kosovë Zekë. Bajraktarit

Prishtinë – 1 tetor 2018

Dërgoi për publikim, Milazim Kadriu, gazetar