Shkruan Zymer Mehani
I lus vitet të më presin, që unë të gëzojLetërsisë sonë për fëmijë këtyre ditëve iu shtua edhe një vëllim poetik nga autorja Lediona A. Syla, nxënëse e klasës së gjashtë në Shkollën e Mesme të Ulët “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Vaganicë të Mitrovicës. Kjo përmbledhje poetike e kësaj voglusheje të zellshme fëmijëve përmes vargjeve ua ka sjellë buzëqeshjen dhe gjithçka që është e mirë, si ngrohtësinë prindore, ledhatimet e gjyshit dhe përrallat e gjyshes, lojërat e vogëlushëve, ëndrrat dhe dëshirat e çupave dhe të çunave, tiparet e bukura të stinëve të vitit, atmosferën e gjallë të jetës shkollore, shembujt e heroizmit të trimave luftëtarë etj… etj.
Posa më ranë në dorë poezitë e këtij fëmije të mrekullueshëm, m’u dha rasti për t’i shënuar disa meditacione në lidhje me poezinë e saj, për atë që shpreh dhe përmban ajo si fuqi potenciale edhe njohëse, edhe argëtuese, por mbi të gjitha edhe edukative.
Mendojmë se kjo përmbledhje me vjersha për fëmijë, e shkruar nga një fëmijë talent, siç është Lediona A. Syla, vërtet është dëshmi se ekzistuaka mundësia dhe qenka e mundur që fjalën e bukur artistike ta shkruajnë dhe kultivojnë me shije edhe moshat e reja fëmijërore.
Shumë lexues të vegjël, bashkëmoshatarë të Ledionës, nga vëllimi poetik “Me zemër të valë” presin argëtim, edukim dhe hare, presin atë që është e natyrshme, tërheqëse dhe e pranueshme për fëmijët, atë që edhe poetët e rritur ua kanë borxh fëmijëve- vargjet me karakter edukativ, argëtues dhe njohës. E të gjitha këto i ka arritur me vargjet e veta vogëlushja penartë Lediona A. Syla
Vogëlushja e talenturar, Ledionë në vargjet e këtij vëllimi ka arritur të pasqyrojë tablot e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat, krajatat dhe andrallat e shumta me fjalë të zgjedhura dhe të kuptueshme për bashkëmoshatarët.
Lediona A. Syla dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t’i nxisë për mësim dhe t’u tregojë për gëzimin që ua sjell ai në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që autorja jonë e vogël ia ka parashtruar vetes, pra, bashkëmoshatarët e saj të edukohen për mësim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të sigurtë që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur.
Meqë përmbledhja “Me zemër të valë” është e shkruar nga një vajzushë 11-vjeçare, s’do mend se gjuha e saj e përdorur në këtë vëllim është e thjeshtë, e kulluar dhe e kuptueshme për fëmijët e tjerë. Pra fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.
Motivet e trajtuara në poezitë e autores Lediona A. Syla janë jeta dhe marrëdhëniet në familje, dashuria prindore, respekti ndaj gjyshit e gjyshes, jeta shkollore, dashuria dhe admirimi për mësuesen, gjuha shqipe, heronjtë e kombit, natyra e vendlindjes etj.
Metri dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm dhe tejet karakteristikë me melodicitetin e këndshëm.
Autores Lediona A. Syla i urojmë rritë të mbarë në gjirin familjar, ndërsa juve, bashkëmoshatarë të kësaj vogëlusheje talente, ju urojmë lexim të këndshëm dhe gëzime në jetë!
BIOGRAFIA E AUTORES
Çiftit bashkëshortor Afrim e Ajshe Syla nga fshati Krasmirofc i Skënderajt, më 19 shtator 2007 i lindi fëmija i dytë, që e pagëzuan me emrin Lediona. Familjes iu shtua dhe një anëtar i ri, ndërsa lagjes një engjull.
Lediona A. Syla me thurje vargjesh filloi të merret që në moshën 4- vjeçare. Meqë s’dinte të shkruante, vargjet i improvizonte duke i deklamuar me zë gjatë lojës. Poezitë e veta kjo vogëlushe nisi t’i shkruajë nga klasa e tretë, kur e zotëronte shkrim-leximin, ngase tani ishte 7 vjeçe.
Lediona A. Syla tani (në vitin 2018) jeton bashkë me prindërit dhe dy vëllezërit e saj, Fidanin dhe Ledionin në Vaganicë të Mitrovicës, në rrugën “Haxhi Zeka”. Mësimet i vijon në klasën e gjashtë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, që ndodhet në rrugën “Korça” të Vaganicës.
Edhe pse ende e vogël, Lediona me përkushtim të paparë përkujdeset vëllezërit e saj: Fidanin dhe Ledionin ashtu si mundet dhe si di. Për ta ka dashuri të pakufishme prej motreje të vërtetë.
Prindi i Ledionës, z. Afrim Syla është veteran i Luftës së UÇK-së dhe me pensionin modest ia del që ta mbajë familjen 5-anëtarëshe.
Vogëlushja Lediona Syla me sjelljet dhe sukseset e saj është gëzimi dhe shpresa e prindërve dhe e familjes SYLA!
Përmbledhja “Me zemër të valë” është libri i parë i kësaj autoreje.
Podujevë, më 25 shtator 2018