Sa ndikojnë ushqimet në rritjen e shëndetit riprodhues ?

0
952

Ekzistenca e familjes dhe e ardhmja e një populli varet nga shëndeti riprodhues i tij.

AJSHE LEKA

Në përgjithësi, infertiliteti përcaktohet si një pamundësi për të mbetur shtatzënë një grua, pas një viti ose më gjatë të seksit të pambrojtur nga një qift i cili dëshiron të ketë fëmijë. Shkaqet e infertilitetit janë të shumta dhe në këtë pyetje, shpeshherë qiftet nuk gjejnë përgjigje as te praktikuesit e kujdesit shëndetësor. Ende ka shumë gjëra që nuk dihen plotësisht kur bëhet fjalë për shëndetin riprodhues, ndërkohë që shkencëtarët po orientohen gjithnjë e më shumë në hulumtimet e tyre nga ushqimi, si mjet që mund të nxit efekte pozitive në shëndetin riprodhues.

Të gjitha ushqimet natyrore, të cilat nuk i janë nënshtruar ndonjë procesi kimik, konsiderohen të dobishme për të rritur shëndetin riprodhues. Sidoqoftë, nuk rekomandohet të merren të njëjtat ushqime çdo ditë, por mbase duhet një dietë e ekuilibruar, ku përfshihen të gjithë nutrientët vitalë, të nevojshëm për shëndetin riprodhues.

Hulumtimet kanë treguar se rezultate të mira në shëndetin riprodhues, tek të dyja gjinitë, si te meshkujt, ashtu edhe te femrat, jep një dietë e përbërë nga drithërat me kokrra të plota – kuinoa, elbi, tërshëra, meli dhe të tjera.

Po ashtu, luleshtrydhja, boronica dhe manaferrat janë të pasura me ngjyra, aromë, antioksidantë dhe fibra. Dihet se antioksidantët luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në luftimin e radikaleve të lira, që mund të pengojnë shëndetin riprodhues.

Sipas Cynthia Staad, një eksperte shëndetësore holistike që praktikon përvojat e saj në Nju Jork, perimet me gjethe jeshile, janë super ushqime për shëndetin riprodhues. Staad thotë se perimet me gjethe jeshile, janë multivitamina natyrore, të mbushura me gjithçka që trupi ka nevojë për të mbështetur një sistem riprodhues të shëndetshëm, përfshirë nivel të lartë të kalciumit, vitaminë D dhe magnez. Staad sugjeron që të konsumohet çdo ditë së paku nga një perime me gjethe jeshile, nëse është e mundur, duke përfshirë spinaq, luleradhiqe, mustardë, zarzavate të gjelbra, kale, kungull, patate të ëmbla, rrepë të kuqe, thjerrëza si dhe fasule të zeza, të cilat përbëjë hormone, duke përfshirë dhe estrogjenin.

Sipas Dr Maoshing Ni, gjithashtu preferohet të konsumohet rrënjë xhenxhefili, sepse rrit qarkullimin e gjakut dhe stimulon rrjedhjen e energjisë në të gjithë trupin, hudhra, sepse hap enët e gjakut, përshpejton rrjedhjen e gjakut dhe stimulon sistemin nervor.

Dr Ni konstaton se edhe lëkura e portokallit ka një përbërje të quajtur PMF, që stimulon sistemin nervor qendror, zvogëlon kolesterolin dhe rrit qarkullimin e gjakut, faktorë këta që kontribuojnë në një sistem riprodhues të shëndetshëm. Ai rekomandon që të thahet lëkura e portokallit dhe prej saj të përgatitet çaj, ose të shtohet në gatime të mishit. Gjithashtu preferohet që të mos anashkalohet shafrani i Indisë dhe kanella.

Po ashtu, një deri në dy servime të qumështit dhe produkteve të tij, mund të mbështesin shëndetin riprodhues të një çifti.

Duke pasur parasysh se hulumtimet mbështesin konsumimin e mishit të peshkut, i pasur me omega-3, preferohet që ta keni në dietën tuaj të paktën dy herë në javë. Salmoni është një burim i pasur i acideve yndyrore omega-3 e cila ndihmon në shëndetin riprodhues.

Ushqime të fermentuara, si kos, lakër turshi, kombucha, kimchi dhe turshitë tjera, janë ushqime të mbushura me baktere të shëndetshme (shpesh të referuara si probiotikë). Probiotikët rritin imunitetin tuaj dhe përmirësojnë shëndetin e përgjithshëm të zorrëve.
Shëndeti riprodhues, si te gratë po ashtu dhe te burrat, mund të rritet me një dozë ditore prej 75 gramësh, që është përafërsisht ¾ e filxhanit me arra.

Vezët me përmbajtjen e tyre nga proteinat, vitamina D, yndyra të shëndetshme dhe kolina, janë një super ushqim në shëndetin riprodhues.
……………………………..

Autorja është konsulente për nutricion dhe dietologji: facebook.com/nutricistedietologe