SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MICHAEL POMPEO THEKSON RËNDËSINË E LIDHJEVE TRANSATLANTIKE

0
468

Nga Frank Shkreli

Në kuadër të mbledhjes së 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që po mbahet në Nju Jork, Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo shtroi Darkën tradicionale të Transatlantikut në Hotelin Palace në qytetin e Nju Jorkut.

Është ky një takim i rastit për kolegë dhe miqë, përfaqsues të Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare të NATO-s, për të bashkbiseduar, pa praninë e përfaqsuesve të medies, mbi çështje me rëndësi të interesit të përbashkët, por edhe për çështje që mund të shqetësojnë vendet individuale, e që njëkohsisht janë të rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian dhe për Aleancën e Atlantikut, NATO.

Sipas një deklarate që lëshoi mbrëmë për mediet zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH) Heather Nauert, Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo më 25 shtator shtroi darkën e 18-të tradicionale të radhës për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Përfaqsuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe për Politikën e Sigurisë dhe Zëvëndës-Presidente e komisionit Evropian, Federica Mogherinin dhe për 40-ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Evropa dhe Kanadaja. Në këtë darkë mori pjesë gjithashtu edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Sipas zëdhënses së DASH, Sekretari Pompeo në darkën e shtruar për nder të miqëve të ngushtë dhe përfqsuesve të vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, që sipas tij janë marrëdhënie të pa zëvendsueshme për sigurinë dhe begatinë tonë të përbashkët, të më shumë se një miliardë njerëzve në dy kontinentet tona.

Në deklaratën e zëdhënses së Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se, Kryediplomati amerikan nënvijoi rëndësinë e marrëdhënieve tregëtare të barabarta, reciproke dhe të lira duke theksuar gjithashtu edhe sigurinë energjetike në Evropë. Ai foli gjithashtu, sipas zëdhënses edhe për vazhdimin e punës me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, me qëllim të fuqizimit të aftësive mbrojtëse të Evropës dhe të shtimit të investimeve evropiane në fushën e mbrojtjes.

Mbi të gjitha Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo – në fjalën e tij para diplomatëve të vendeve aleate të Amerikës, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kanadaja të vazhdojnë të punojnë së bashku kundër agresionit të Rusisë në të gjitha format e tija, të veprojnë së bashku për të mundur ISIS-in dhe për të siguruar paqën në Irak dhe në Siri. Kryediplomati amerikan u bëri thirrje të gjitha vendeve që t’u bashkohen përpjekjeve amerikane për të ndaluar veprimtaritë e vazhdueshme shkatërruese të regjimit iranian, anë e mbanë botës dhe për të siguruar çnuklearizimin e plotë dhe përfundimtar të Koresë së Veriut.

Përveç këtyre çështjeve me rëndësi për marrëdhëniet transatlantike që shpalosi Z. Pompeo para përfaqsuesve të vendeve aleate të Amerikës gjatë darkës së 18-të tradicionale transatlantike të marten mbrëma në Nju Jork, agjenda e Shteteve të Bashkuara për sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfshinë edhe çështje të tjera të interesit për Shtetet e Bashkuara.

Këto, sipas Kevin E. Miller, Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit në Byronë e Punëve të Organizatave Ndërkombëtare, përfshijnë pesë prioritete të politikës së jashtme amerikane: mos-përhapja e armëve bërthamore, ndihmat humanitare dhe siguria e furnizimit të ushqimeve në botë, paqa dhe sigurimi, masat kundër terrorizmit dhe reforma e vet Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai është shprehur se rreziqet në rritje e sipër ndaj vlerave më themelore të Amerikës dhe ndaj parimeve bazë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara përfshijnë terrorizmin, shkeljet flagrante të drejtave të njeriut, fatkeqësitë natyrore dhe regjimet despotike që kërcënojnë demokracitë e mirëfillta dhe sovranitetin kombëtar të shteteve.

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit në Byronë e Punëve të Organizatave Ndërkombëtare theksoi se një ndër prioritetet e politikës amerikane në sesionin e 73-të të Asamablesë së Përgjithshme të OKB-së, është reforma domethënse dhe e përhershme e kësaj organizate, ndërkohë që citoi ambasadoren amerikane pranë OKB-së, Nikki Haley se, “Bota ka nevojë për një OKB të disiplinuar, efikase, llogaridhënse dhe e përqendruar në rezultate.”

Sesioni vjetor i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtu si çdo vjet edhe sivjet, duhet t’u kujtojë të gjitha vendeve anëtare objektivat origjinale të OKB-ës, ashtu siç janë shkruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, por njëkohsisht edhe sukseset dhe dështimet e organizatës botërore, ka shkruar Kevin E. Miller, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit në Byronë e Punëve të Organizatave Ndërkombëtare, në artikullin e tij mbi prioritetet e politikës amerikane gjatë sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.