“FRYMËZOHEM E KUJTOJ ME MALL E NOSTALGJI VENDLDILNJEN, ATDHUN TONË TË BUKUR…”

0
757

Kapakë të librave, shqip e italisht, nga Eleni Mingu Birçaj

(Bisedë me miken krijuese Eleni M.Birçaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Secili krijues ka një “histori” ose ruan kujtimet e veta, nga koha kur ka nisur të shkruaj, në poezi ose në prozë. Po ti, mike Eleni, kur ke filluar të shkruash dhe cila ka qenë shtysa kryesore për t’u marrë me krijimtari letrare?
– Që në vitet shkollore e kam patur pasion letersinë. Ndërsa kam filluar të shkruaj qysh prej shtatorit të vitit 1996. Në atë kohë emigrova, së bashku me familjen time, drejt brigjeve të shtetit fqinj, Italisë, ku dhe jetojmë. Krijimin e parë në poezi, ia kam përkushtuar, pikërisht asaj nate të trishtuar, të dhimbshme. Për ta vazhduar më tej rrugën e bukur dhe të pafundme të krijimtarisë letrare dhe për të realizuar një ëndër të dremitur prej vitesh, nxitëse ka qenë vajza e madhe e imja, dr. Ermelinda Birçaj. Kjo ndodhi atëherë, kur rastësisht ranë në duart e saj dorëshkrimet e mia, me përmbledhje nga me te ndryshmet. Tani, nga largësia e asaj kohe, e falënderoj atë përzemërsisht!

2. Në profilin tënd të Fb, por dhe në Google, kam lexuar se je autore e disa librave, si në gjuhën tonë amtare, por dhe në italisht. A mund të tregosh për lexuesit, sigurisht shkurt, se cila është tematika kryesore e tyre dhe mesazhi, që ata japin?
– Përsa u përket krijimeve për fëmijët,në çdo fabul ka vlera të larta edukative dhe letrare. Në to, trajtohen: tema e bashkimit, tema e punēs dhe përtacisë, tema e lakmisë dhe e grabitjes, mikpritja, mbajtja e fjalës, thënia e se vërtetës etj. Sepse ato kanë peshë për jetën, edukimin dhe veprimin e të vegjëlve. Përmes tyre, arrihet efekti edukativ, pasi fëmijëve u rekomandohet rruga e drejtë, forcimi i virtyteve më te larta e më te mira dhe luftimi i së keqes.

Po kështu, tematika e përrallave i përshtatet jetës aktuale, në të cilën jetojmë, përcjellin mesazhe edukative dhe janë pa dallim moshe.
Personazhet edhe pse paraqiten në këto krijime: kafshe,shpend,shtazë,bimë etj. etj., paraqesin ose nënkuptojnë sjelljet njerëzore. Veprimet dhe fjalët e tyre kanë kuptim alegorik dhe transmentojnë një mësim etiko-moral të caktuar. Por, siç e nënvizova dhe më lart, veçanësisht, kanë vlera te larta edukative dhe letrare për fëmijët.

3. Ka disa vjet që jeni larguar nga vendlindja, pra Vlora dhe jetoni familjarisht në Itali. Sa e si jeni përshtatur me jetën e njerëzve të këtij vendi mik?
– Megjithëse jetojmë larg vendlindjes e Shqipërisë dhe jemi përpjekur të përshtatemi me jetën e këtushme, në rrugë e forma të ndryshme, përherë ato i kam në mendje e në zemër. Bile, megjithëse ka shumë vjet që jemi larguar prej andej, kur krijoj, frymëzohem e kujtoj me mall e nostalgji vendlindjen e Atdheun tonë të bukur, ngjarje nga fëmijëria e shkollimi im, nga këshillat e porositë e prindërve e të afërmeve të mi etj.

4. Sa janë bërë të njohura botimet tua, si në shtyp e në Internet dhe si janë pritur nga lexuesit, shqiptarë e italianë?
– Po, në fakt janë publikuar herë pas here krijime të miat, sidomos në Internet, por dhe është shkruar rreth tyre. Mendimet e autorëve të recensioneve kanë qenë dashamirëse, pozitive e nxitëse për mua. Më lejoni të përmendi këtu vetëm dy prej tyre. Kështu, në “Vlora News”, u botua shkrimi “Rrëfim për jetën, lumturinë, të mirën, të bukurën”(Mars, 2018). Ndërsa Milazim Kadriu botoi shkrimin me titullin: “Fabula, me një botë të pasur imagjinare e magjepëse dhe mesazhe edukative” (për librin me fabula “Miqësi dhe dashuri”, në “Bota Sot”-Prishtinë, më 18 shtator 2018) e ndonjë tjetër. Krijime të miat janë pasqyruar në rrjetet sociale, si: “Dritarja-online.net” (nga Azem Osmani), “Dritare.info” (nga Gjin Musa) etj. Prandaj nuk gjej fjalë që t’i falënderoj të gjithë ata, si gazetarë e studiues, nga Shqipëria, Kosova e Italia dhe më gjerë!

5. Është e ditur që një krijues nuk e pushon punën e tij, pra shkruan, sa herë ka motive frymëzimi… Po ti, mike Eleni, a po shkruan tani dhe cili do të jetë libri i radhës, që do ta marrin në duar lexuesit?
– Sigurisht që vazhdoj të shkruaj. Kështu, jam në zhvillim të një “Romani”. Përsa u përket librave, që do te jenë se shpejti në duart e lexuesve, janë dy: njëri me përralla e fabula dhe tjetri me poezi.

* * *

Nëbyllje të kësaj Bisede modeste, dëshiroj të shënoj se krijuesja Eleni Birçaj ka shkruar disa poezi me tematikë atdhetare. Kështu, p.sh., ajo ka ngritur lart figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Por një poezi tjetër i ka kushtuar Atdheut e gjuhës sonë amtare. Prej saj po shkëpus pak radhë domethënëse:

Njoh mirĕ vendin tim,
flas bukur gjuhĕn e babit;
por dhe gjuhĕn e mamit
më duhet ta mësoj;
të shkruaj bukur
dhe të lexoj;
të flasĕ mirë,
e bukur ta theksoj,
fjalën “Shqipĕri”.
Kur të arrij që atë
ta mësoj mirë,
do t’ua lë, si thesar,
pasardhësve tĕ mi!…

– E falënderoj miken krijuese Eleni Barçaj, për këtë Bisedë të shkurtër dhe për përgjigjet korrekte. Me këtë rast, i urojmë me zemër: Shëndet e mbarësi, në punë e krijimtari dhe gëzime e lumturi në jetën familjare!

Tiranë, 25 shtator 2018