Mbështetja e kryeprokurores znj. Marku, patriotizëm

0
504

[Marrë dt. 22.09.2018, nga fb, nga gazetat Panorama,Tema, Bulevard Durrës etj.]

Prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë, zonja Arta Marku, na ka thirrur ta ndihmojmë: ta ndihmojmë që të ndërtojë Shqipërinë (e kam fjalën për thirrjen e saj publike “të dashur qytetarë të vendit tim”, që ajo ka botuar sot, më 21.09.2018). Të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, do të thotë të ndërtosh Shqipërinë demokratike, se nuk ka vend demokratik, nëse korrupsioni dhe krimi komandon, del sheshit, dhe i përkrahur nga politika, masmedia deri tek llapaqenët e kafeneve tona.

Problemi është tejet shqetësues: detyrohet të kërkojë ndihmë në popull Prokurorja e vendi!!!

Duhet të gjithë ne, ata që vërtetë duam një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ta mbështesim Prokuroren, ta përkrahim, dhe ta mbrojmë nga sulmi i prokurorëve dezertorë, ata “dhjetë” të “krimeve të rënda”. Por ta mbrojmë edhe nga ata politikanët që vota e popullit i hodhi në opozitë, e që po dridhen nga frika se po afrohet dita e dhënies llogari, apo e zvogëlimit të mundësisë së vazhdimit të përfitimeve të pamerituara.

Ta mbështesim Prokuroren e ta mbrojmë nga sulmi i taborëve të masmediave që paguhen për të shpifur, për të denigruar çdo zyrtar të ndershëm të këtij shteti, aq më tepër Prokuroren, që guxon t’u prishë oazet e qetësisë kriminale, paguesve të tyre, urdhëruesve: kapo të hajdutëve, të trafikantëve të drogave etj., hajdutë të tenderave, shkatërruesve të urbanistikës, të ambientit, të detit, të plazheve.

Ndërkombëtarët, kryesisht ShBA dhe BE, po na bëjnë drejtësinë demokratike, lexo drejtësinë e pastruar nga krimi. Vettingun më së fundi po ecën, edhe ai nën sulmin e po atyre njerëzve që sot sulmojnë Prokuroren znj. Marku. Por po ndërkombëtarët na ndihmuan duke insistuar që të vihej një Prokuror sa më i ndershëm, sepse ndërkohë që kryhej vetingu, nuk mund të lihej Prokuroria në dorën e prokurorëve gangsterë që nuk e kanë kaluar akoma sitën e Vetingut. U vendos kryeprokurorja znj Marku, duke u votuar nga Parlamenti që kemi zgjedhur vetë ne.

Prokurores Marku i duhet të bëj stan me lepuj, se prokurorët e “pa–vettuar”, janë thjeshtë “lepuj”, e do të bëhen “deshër” vetëm pas kalimit të vetingut. Asaj i takoi nderi dhe puna e rëndë që me këtë turmë “të pasitur” prokurorësh të dyshuar si të korruptuar e të paaftë (të dyshuar, sepse do të kalohen të gjithë në hallkat e vetingut), t’i komandojë në punë sa më të dobishme të mundshme.

Të gjithë e dimë tashmë se kush janë si shumicë ata prokurorë, që vetë gjithë jetën e tyre nuk kanë zbatuar afate e procedurat ligjore, që sot ia kërkojnë me hipokrizi Arta Markut (jo na thirre në mbledhje “një ditë para” e jo “tri ditë para”). Ata bëjnë përpjekje mjerane , që të justifikojnë dezertimin e tyre nga lufta kundër krimit: kanë frikë, se u duhet të luftojnë kundër atyre që i kanë mbajtur deri sot me pare, me emërime, me favore. Faktet tregojnë se pjesa më e madhe e prokurorëve, janë vetë pjesë përbërëse e krimit të organizuar dhe e së keqes në Shqipëri, pra janë thyersit nga më të rrezikshmit e ligjeve.

Miq të fb, ta mbështesim, me qëndrimin e secilit prej nesh, kudo ku është, në masmedia, në biznes, në kantjer, në punë në fshat a qytet, në kafe e në zyra, këtë zonje të madhe: nuk i kemi me shumicë këta lloj njerëzish, prandaj t’i ruajmë, duke dhënë me këtë mbështetje edhe ne një kontribut në çështjen madhore të ndërtimit të një Drejtësie sa më të pastër, edhe në Shqipërinë tonë.

Bashkim Kopliku

Durrës, 21.09.2018


Bashkim Kopliku
Mobile&Whatsapp&Viber: +355(0)672858090
(In DEUTSCHLAND: 004915771187972)
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: <[email protected]>