Reshat KRIPA
Në sallën “Antigonea” të hotel Rognerit, u zhvillua ceremonia e promovimit të tre volumeve të librit “Demokracia nuk pret”, të autorit të shquar të diasporës shqiptare të djeshme dhe të sotshme, të nderuarit Frank Shkreli, botuar me nismën e drejtuesve të gazetës “Telegraf”, zotërinjve Agim Çiraku dhe Ëngjëll Musai. Ceremonia u zhvillua në prani të një publiku të zgjedhur, president, ish-president dhe kryeminister, ish-ministra, deputetë, funksionarë të institucioneve të ndryshme. dhe përfaqësues të tjerë të inteligjencës shqiptare U fol për vlerat e librave dhe mesazhin që përcjellin, duke i çmuar ato.
Frank Shkreli, lindur në fshatin me të njëjtin emër më 1969, emigruar në Itali dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arsimuar pranë George Washington University (Washington CD), Drejtor për Euro-Azinë dhe Shefi i Shërbimit Shqip të VOA-s, USIA (Information Agensy), Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikanë në vitet 2005-2007, fitues i dekoratës “Thomas Jefferson Fellowship Award”, dhënë nga USIA dhe fitues i titullit “Qytetar Nderi” i komunës së Shkrelit, Malësi i Madhe, i paraqitet publikut, në atdheun e tij, me një vepër dinjitoze, e cila duhet të shërbejë si busull për çdo shqipëtar që e do dhe mundohet për Shqipërinë.
Me figurën e zotit Frank Shkreli jam njohur kohë më parë, nëpërmjet shkrimeve të tij realisë në gazetën “Telegraf”, si dhe në mediat online si “Fjala e Lirë”, “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare, “Dielli” e plot të tjera. Nëpërmjet tyre krijova bindjen, se kemi të bëjmë me nje personalitet të shquar në fushat e politikës, analizave dhe komenteve, një personalitet në fushën e gazetarisë së vërtetë dhe mendoj se ky duhet të jetë një shembull edhe për gjithë gazetarët e Shqipërisë. Libri ka një titull kuptimplotë, ”Demokracia nuk pret”. Po mbushen njëzetetë vjet nga përmbysja e sistemit totalitar komunist.
Duke lexuar librin para syve te del pyetja: “A është arritur demokracia e vërtetë?” Përgjigjen na e jep autori nëpërmjet artikujve të botuar. Demokracia nuk ka arritur dhe, ndoshta, nuk do të arrihet as edhe pas njëzetetë vite të tjera. Përse? Autori, edhe unë i mbështetur në konkluzionet e tij, nuk jam shumë optimist lidhur me këtë pyetje. Mentaliteti komunist, i ngulitur për dyzetegjashtë vjet rresht në ndërgjegjen e atyre që kanë marrë përsipër drejtimin e shtetit, nuk i lejon të shohin dritën që vjen nga vendet perëndimore dhe ta kthejnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë. Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli.
Në shkrimin e tij “Dëshpërim dhe vetëm dëshpërim”, botuar më datën 16 tetor 2015 autori konstaton:
“Pas 25 vitesh, ç’prej shembjes së komunizmit dhe ç’prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës që, me të drejtë, u prit me euforinë më të madhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut dhe kur mendohej se mjerimi dhe dëshpërimi po merrnin fund, sot shqiptarët ndihen të ligështuar materialisht dhe të lodhur shpirtërisht, duke zgjedhur rrugën e mërgimit, si asnjë herë më parë, si të vetmen alternativë për të dalë nga kjo situatë”.
Ndërsa më poshtë vijon:
“Dëshpërim nën komunizëm, dëshpërim nën sundimin sllav e dëshpërim edhe sot në të ashtuquajturën demokraci. Kur do të marrë frymë lirisht shqiptari?”.
Për analogji të frazave të më sipërme, parasysh më del një shprehje e dramaturgut të njohur Uilljam Shekspir, nga tragjedia “Makbeth”:
“Atdhe i mjerë, trembet kur sheh veten!
E kishim nënë dhe na u bë varr,
ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri
dhe ku s’ pyet kush se për kë bie kambana!”
Demokracia nuk pret, shkruan Franko Shkreli. Kur do të bjerë ajo kambanë që do ta zgjojë këtë popull? Kur shqipëtarët do të pushojnë së emigruari, duke ikur nga sytë këmbët, vetëm për një copë bukë sa për të mbajtur frymën? Me këtë ritëm, sipas disa të dhënave të publikuara në shtypin e ditës, në vitin 2030, Shqipëria nuk do të ketë më shumë se 800.000 banorë. Merrni mundimin dhe shkoni në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë. Për çdo ditë atje do të shikoni qindra qytetarë shqiptarë që kërkojnë të aplikojnë për punësim, sipas ofertës së qeverisë gjermane. Para syve më dalin edhe vargjet e një kënge popullore që thotë:
“Kurbeti, shokë kurbeti,
Kush vate edhe nuk mbeti!”
Dhe ne vërejmë me dhimbje, sipas Frank Shkrelit, se Shqipëria është vendi i dytë pas Sirisë ku, për shkak të kushteve që ekzistojnë, shqiptarët janë të detyruar të kërkojnë largimin nga atdheu.
Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli.
– Ajo nuk pret kapjen e pushtetit nga klanet mafioze.
– Ajo nuk pret që drejtuesit e shtetit dhe partive politike ndërsa, nga njera anë, nuk lenë më baltë pa hedhur mbi fantazmën komuniste, nga ana tjetër i shohim të punojnë po me ato metoda të së kaluarës.
– Ajo nuk pret që nëpër rrugët e atdheut të dalin turma individësh, midis tyre edhe personalitete të vendit, me portretet e diktatorit të rrëzuar.
-Ajo nuk pret që në ekranet e nje pjese të televizorëve të shfaqen filma shqiptarë të periudhë së komunizmit, ku figurë qëndrore është diltatori apo ndjekësit e tij.
– Ajo nuk pret kur sheh se në vend ekzistojnë ende shumë simbole të asaj periudhe të errët, si ylli i kuq në varrezat e dëshmorëve, mozaiku i realizmit socialist në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, emrat e shumë drejtuesve të organeve të diktaturës nëpër rrugët dhe sheshet e vendit dhe plot e plot skandale të tilla në të gjithë vendin.
Çuditërisht, në këto çaste, nuk m’u ndakan aludimet me shprehje të personaliteteve të mëdhenj. Para syve më del shprehja e princ Hamletit drejtuar së ëmës, në tragjedinë me të njejtin titull të shkrimtarit të cituar më lart:
“O nënë, hidheni poshtë gjysmën e keqe të zemrës
dhe rroni me gjysmën tjetër më të mirë!”
Siç duket shqiptarëve të sipër përmendur nuk do t’u ketë mbetur asnjë gjysmë zemre e mirë. Është e natyrshme që çdokush të ketë një ide të caktuar, por kur sheh se ajo është e gabuar, e hedh poshtë dhe kërkon të gjejë të vërtetën. Por te ne mungon kurajo civile. Askush, që nga funksionari më i lartë i shtetit, dhe deri te biznesmenët që kanë arritur majat brenda njëzëtekatër orëve, nuk kërkon falje për të kaluarën e tij. Biri i një ushtari gjerman që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës, kërkoi falje në emër të atit të tij, kurse te ne, askush nuk e kryen një veprim të tillë dinjitoz.
Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli. Atëherë kur do të bëhet Shqipëria një vend me demokraci të vërtetë. Një miku im më ka thënë se Shqipëria do të bëhet kur ta marrin në dorë bijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1990. Do të doja ta besoja një gjë të tillë, por dyshimi nuk më lejon. A do të arrihet? Të gjitha këto më dolën parasysh duke dëgjuar lektorët në ceremoninë e promovimit dhe tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj zotin Shkreli për këtë pasuri të madhe letrare që na dhuroi.
Faleminderit i nderuar Frank Shkreli!