PËRPJEKJET E LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT PËR JETËSIMIN E ASPIRATAVE JETIKE TË KOMBIT SHQIPTAR

0
1140

Prof. Dr. Muhamet Shatri

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte oganizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo u organizua sipas shembullit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët1.

Kjo organizatë i vuri themelet e saj në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës2.

Ajo u formua jo rastësisht në qytetin historik të Prizrenit për të jetësuar amanetin e drejtuesve të Lidhjes së Parë Shqiptare të Prizrenit. Ideatorë të kësaj organizate, në themel me aspiratë fisnike kombëtare, ishin Xhafer Deva dhe Asllan Boletini, biri i Isa Boletinit të madh etj.3

Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të organizatës me 7 veta: kryetar Rexhep Mitrovicën; nënkryetar Musa Shehzade; Tahir Zajmi, Asllan Boletini, Kol Margjini, Sheh Hasani, Qazim Bllaca, anëtarë4. Ai miratoi edhe procedurën e zgjedhjes së delegatëve që do të përfaqësonin Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më 16 tetor 1943 dhe shtroi nevojën e hartimit të Statutit të organizatës. Kuvendi autorizoi Xafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punën e Lidhjes me atë të Qeverisë Shqiptare për çështjen e Kosovës5.

Me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues proklamoi bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj dhe kërkoi bashkimin me të edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Me këtë rast, delegati i Gjilanit, av. Esat Berisha, kërkoi nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarinë, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Sali Rama, delegat i Rugovës, theksoi domosdonë e përfshirjes brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që i kishin mbetur Malit të Zi. Në Kuvend u trajtua edhe çështja e organizimit politik dhe ushtarak, marrja e masave mbrojtëse kundër depërtimit në këto treva, si të forcave çetnike edhe të atyre partizane nga Mali i Zi dhe Serbia6.

Kuvendi i Dytë i Lidhjes që u mbajt në janar të vitit 1944 zgjeroi KQ të organizatës në 14 anëtarë, zgjodhi kryetar Bedri Pejanin, sepse R. Mitrovica u ngarkua me formimin e qeverisë në Tiranë. Ai miratoi Statutin e organizatës, i cili iu dërgua për dekretim Qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Në bazë të Statutit, organizata do të punonte për mbrojtjen e “tokave të çliruara”, formoi komitetet e nënprefekturave, të komunave dhe të fshatrave, ndërsa organin më të lartë të saj do ta përbënte kuvendi, ku do të bënte pjesë një përfaqësues nga secili rreth7. Tubimi reprezentativ kërkoi nga Qeveria që të angazhohej rreth çështjes së Sanxhakut, të ndërmirrte hapa diplomatike për të siguruar largimin e trupave bullgare nga Prespa e Shën Naumi, të ndërhynte tek autoritetet gjermane për bashkimin e qarkut të Mitrovicës me Shqipërinë, të forconte administratën e saj në krahinën e Plavës dhe të Gucisë dhe përgjithësisht të merrte masa të ngutshme organizative dhe ushtarake në të gjitha trevat shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë8.

Organizata kishte organin e saj “Lidhja e Prizrenit”, të cilin e botonte Komiteti i Intelektualëve Shqiptarë, i përbërë nga Kudret Kokoshi, Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Durmish Celina etj. Në faqet e gazetës u sulmuan: komunistët shqiptarë që u cilësuan si agjentë të Serbisë e të Rusisë; Lëvizja Nacionalçlirimtare në Jugosllavi, sepse luftonte për ruajtjen e kufijve të atij shteti, të caktuara me dhunë e pa marrë parasysh të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar; u propagandua Shqipëria etnike dhe domosdoshmëria e luftës për mbrojtjen e saj; u dënua dhuna sistematike e ushtruar në të kaluarën nga pushtuesit serbë e malazez9. Lidhja e Dyte e Prizrenit në mënyrë të veçantë u angazhua për organizimin e forcës mbrojtëse-ushtrisë dhe formacioneve vullnetare të saj. Për këtë qëlllim Komiteti Qendror i Lidhjes, në bashkëpunin me komandën e Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare, organizoi konferencën në Rogovë të Hasit (15-17 mars 1944) në të cilën u mor vendimi për riorganizimin dhe forcimin e forcave mbrojtëse të Kosovës.

Lidhja shpresonte që në formacionet e saj të përfshiheshin të gjithë mëshkujt shqiptarë, nga mosha 20-50 vjeç10. Në këtë kuadër rezultoi kërkesa strategjike kryetarit të KQ të Lidhjes Dytë të Prizrenit, Bedri Pejanit, drejtuar Hitlerit për krijmin e një armate shqiptare prej 150 mijë burrash, e cila do të luftonte deri në fund kundër çetnikëve dhe partizanëve serbo-malazeze. Ai mendonte dhe shpresonte se kjo armatë do të ishte e aftë t’u dilte zot tokave etnike shqiptare dhe të mbronte bashkimin e tyre me Shqipërinë, me qëllim që Konferenca e Paqës që do të mblidhej pas mbarimit të luftës për të vendosur për kufijtë e shteteve të vihej përpara faktit të kryer11.

Komanda gjermane edhe pse nuk e miratoi këtë propozim, lejoi formimin e një divizioni me emrin “Skëndërbeg”, efektivi i të cilit, për shkak të mospranimit të të rinjve shqiptarë për t’u përfshirë në radhët e tij, nuk u plotësua as me rekrutë dhe as me kuadrin komandues. Për këtë arsye dhe të dezertimeve, në tetor 1944, divizioni u shndërrua në Grup luftarak12. Komanda ushtarake gjermane kërkonte që këto forca t’i përdorte, ashtu si të gjitha forcat antikomuniste të kombeve të tjerë të Ballkanit, për të siguruar tërheqjen e trupave të saj nga gadishulli. Por këto synime të komandës gjermane binin ndesh me objektivin themelor të Lidhjes, që ishte bashkimi i trojeve etnike shqiptare dhe pavarësia e Shqipërisë13.

Kuvendi III i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që u mbajt në qershor të vitit 1944 shkarkoi Bedri Pejanin nga detyra e kryetarit të Komitetit Qendror të organizatës dhe në vend të tij zgjodhi Xhafer Devën. Ky i fundit njëherazi ishte edhe ministër i Brendshëm në Qeverinë e Tiranës14.

Aty u analizua angazhimi i Lidhjes dhe i Komitetit Qendror të saj për mbrojtjen e Kolashinit dhe të sektorëve të tjerë që rrezikoheshin nga depertimi i forcave çetniko-partizane serbo-malazeze. Kuvendi konstatoi se Lidhja kishte ndërmarrë hapa konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e përpjekjeve me krahinat e tjera të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçante me Malësinë e Mbishkodrës, të Mirditës, të Dibrës dhe të Matit drejtuesit nacionalistë të të cilave luftonin për Shqipërinë etnike, me çka ishin vënë në shërbim të drejtpërdrejtë edhe të çështjes së Kosovës15.

Kuvendi shtroi nevojën e armatimit të mëtejshëm të popullit të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Ai vuri si detyrë, që krahas regjimentit të Pejës dhe të Prishtinës, të formoheshin edhe regjimentet me qendër në Tetovë dhe në Dibër, si dhe të vazhdohej me krijimin e formacioneve “kreshnike” e vullnetare, që do të vepronin në rastet kur rrezikoheshin rajone të veçanta.

Me nismën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit në shtator të vitit 1944 u themelua Komiteti i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar. Në krye të saj ishte atdhetari i devotshëm Adem Gllavica. Ajo i shtroi detyrë vetes mobilizimin e rinisë për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar dhe ishte forca goditëse në luftë kundër armiqve të atdheut16. Adv. Idriz Shahmani paraqiti referatin mbi rrezikun që paraqiste komunizmi për Shqipërinë Etnike. Mbi këtë bazë u aprovua Programin politik-ushtarak, ”Disiplinari i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar” dhe u zgjodh KQ i Rinisë Nacionaliste i përbërë prej 9 vetash. Në radhët e Komitetit bënin pjesë Adem (Selimi) Gllavica (kryetar), Sali Vala-Siçani, Luan Gashi, Avdyl Henci, Shahsivar Aliu, Fuat Muharremi, anëtarë17.

Për drejtimin e formacioneve ushtarake të vullnetarëve të rinj shqiptarë u formua Komanda e përgjithshme e Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar, që kryesohej nga Shahsivar Aliu. Kjo komandë organizoi katër zona operative, e para në sektorin Ferizaj-Kaçanik-Gjilan, e dyta në atë Prishtinë-Lypjan-Podjevë, e treta në rajonin Mitrovicë Vushtrri-Skenderaj, kurse zona e katërt përfshinte Rrafshin e Dukagjinit18.

Faza kulmore e veprimtarisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit arriti në vjeshtën e vitit 1944, kur ajo mobilizoi forcat adhetare për mbrojen e trojeve etnike shqiptare nga ushtritë e bashkuara komuniste bullgare, maqedone, serbe e malazeze, të cilave u shkuan në ndihmë edhe brigadat partizane të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këto përpjekje forcat e djalërisë shqiptare, të rreshtura në batalionet heroike “Hasan Prishtina”, “Nazim Gafurri”, “Zija Gashi”, të Drenicës, të Llapit dhe të Sanxhakut, zhvilluan luftime të përgjakshme, përgjatë vijës mbrojtëse të Kosovës, veçanërisht në sektorët: Ferizaj- Kaçanik- Gjilan; Prishtinë- Lypjan- Podujevë; Mitrovicë- Vushtri- Skënderaj19.

Në këto rrethana mjaft dramatike KQ i Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar nxori dy proklamata (më 18 dhe më 26 tetor 1944) të hartuara nga adv. Idriz Shahmani dhe që iu drejtuan popullit shqiptar e popujve të tjerë si dhe ushtrisë bullgare. Në këto proklamata, popullit shqiptar i bëhej thirrje për t’u bashkuar dhe për mobilizimin e përgjithshëm në luftë kundër ushtrive të fqinjëve grabitqarë20. Ndërkaq ushtrisë bullgare i tërhiqej vërejtja për të mos ndihmuar ushtrinë serbe në përpjekjet për ripushtimin e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, për faktin se këto vise ishin shqiptare21.

Në njërën prej proklamatave, drejtuar shqiptarëve dhe tërë botës së qytetëruar, theksohej se shqiptarët po luftonin kundër reparteve jo të rregullta të fqinjëve të tyre për të ruajtur e për të shpëtuar Shqipërinë Etnike. Shqiptarëve në këto treva dhe sidomos atyre që ishin mobilizuar në njësitë e ushtrisë partizane jugosllave, iu kërkohej që të largoheshin nga rruga e gabuar dhe të bashkoheshin me batalionet e vullnetarëve shqiptarë që po luftonin me guxim të pashoq kundër njësive të Divizionit të 22-të, të 24-të dhe të 46-të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) dhe kundër Brigadës IV dhe V kosovare dhe trupave të Armatës II Bullgare22.

Luftime të ashpra ndërmjet tyre dhe forcave serbe, malazeze e maqedonase e bullgare u zhvilluan gjatë gjithë vijës se frontit lindor shqiptar që nga Prespa, Pollogu, Shkupi e deri në Preshevë e Bujanoc. Mirëpo, raporti i forcave, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ishte i disfavorshem për forcat atdhetare shqiptare. Kjo pati si rrjedhojë që në fund të nëntorit 1944 këto forca të thyheshin nga ushtritë e përmendura, pakrahasueshëm me epërsi në numër e teknikë të luftës. Kështu Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare ranë edhe një herë padrejtësisht nën sundimin jugosllav. Me këtë mori fund edhe veprimtaria e Lidhjes së Dytë të Prizrenit23.

Veprimtarë të organizatës që mbetën në Kosovë ose që kaluan në Shqipëri, e ndërmjet tyre, Bedri Pejani, Kolë Margjini, Musa Shehzade, kolonel Qazim Komoni, kolonel Fuat Dibra, Bedri Gjinaj, Aqif Blyta, vëllezërit Begolli, Asllan Boletini, Shaqir Curri, mulla Nuredin Haliti, av.Esat Berisha, Faik Okllapi, Shemsi Ferri, Jahja Fusha, Sali Rama, Halim Spahija, Is’han Taniku e shumë të tjerë, patën një fund tragjik si rrjedhojë e terrorit gjakatar të pushtetit okupues serbo-komunist në bashkëveprim të ngushtë me vazalët e tyre shqiptarë24.

Mund të përfundohet se aspiratat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, përkundër masave të egra që ushtroi pushteti okupues komunist jugosllav nuk u shuan kurrë. Përkundrazi, atdhetarët shqiptarë gjetën forca të vazhdonin luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar prej ripushtimit të Kosovës më 1944 e deri në organizimin e Luftës çlirimtare të viteve 1998-2001 në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Në vazhdim të këtij studimi po japim disa të dhëna me interes për veprimtarët më të shquar të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vendi që u është dhënë atyre ka të bëjë me sasinë e të dhënave që kanë mundur të sigurohen.

Mulla Nuredin (Halit) Gjinovci, (1895-1954) ishte kryetar i Komunës së Therandës dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941). Në vitin 1943 u zgjodh kryetar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet i Therandës në Kuvendin e Shqipërisë (1943-1944). Mbas vitit 1944 ishte veprimtar i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH)-së dhe kryetar i Komitetit të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH)-së të Therandës. U arrestua më 1947 dhe u dënua më 7 vjet burgim. E mbyti UDB-a në burgun e Nishit (1954) 6 muaj para afatit të lirimit.

Prof. dr. Rexhep Krasniqi u lind me 1906 në Gjakovë. Studimet e larta i kreu nё Vjenё, ku u laurua mё 1939 doktor i historisë me temën “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipërisë”. Mentor i tij ishte prof. dr. Carl Patch. Pas kthimit nё Shqipëri punoi si profesor dhe kreu detyra tё ndryshme nё fushё tё arsimit. Mё 1941 u kthye në Kosovё, nё detyrёn e Komisarit të lartë të shkollave shqipe dhe tё drejtorit tё shkollës normale-gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës. Më 1943 u zgjodh Minister i Arsimit, dhe nënkryetar i Kuvendit, ku morën pjesë deputetë tё zgjedhur nga tё gjitha viset shqiptare dhe ku u shpall bashkimi i trojeve etnike. Mbas Luftës së Dytë Botërore u detyrua të mёrgonte dhe sё fundi u vendos nё SHBA, ku drejtoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe u bё njëri nga drejtuesit e organizatës Lidhja e Dytë e Prizrenit. Shkroi shumë në periodikun shqiptar dhe në shtypin e huaj për problemet e pazgjidhura të kombit. Vdiq nё Neë York më 1999.

Tahir (Shaban) Zajmi (1897-1971). Pjesëmarrës aktiv ne përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për t’u çliruar nga zgjedha serbe. Rrjedh nga një familje gjakovare, e cila detyrohet të shpërngulet në Shqipëri. Një kohë qendruan në Kukës dhe në Krumë e pastaj në Shkodër. Bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe veprimtar i shquar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitin 1941 kthehet në Kosovë dhe angazhohet për jetësimin e Shqipërisë Etnike. Ishte njëri ndër drejtuesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nga fund i vitit 1944 sikurse edhe shumë atdhetarë të shquar detyrohet të marrë rrugën e egzilit politik.

Kalon në Austri, Gjermani, Itali dhe vendoset në Izmir të Turqisë ku disa vite bëri jetë të mjerueshme duke punuar si punëtor i materialit ndëertimor në një shtëpi prej balte. Disa vite më vonë kaloi në Belgjikë ku pati kushte më të mira dhe mundësi për kontakte me bashkëveprimtarët në këtë vend dhe në vendet e tjera pertëndimore. Vdiq në vitin 1971. Ideal ii tij ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Eshtë autor i veprës së njohur „Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”, Bruxelles, 1964 dhe “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, Bruxelles, 1970.

Ismail (Halim) Gorani u lind në fshatin Davidovc të Shtimës më 1903. Ishte kryetar i Komunës së Shtimjes, veprimtar i Komitetit të Kosovës; bashkëpunoi më Ramë Bllacën, Ahmet Shtimjen, Iljaz Agushin dhe me veprimtarë tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U dëshmua si arsimdashës duke dërguar me mjetet e veta shumë rinj në Shqipëri për të mësuar për ushtarakë dhe kuadro të tjera që i duheshin aq shumë Kosovës; ndihmoi materialisht studentët shqiptarë që studjonin në Universitetin e Beogradit e të Zagrebit. Gjatë viteve 1941-1943 ishte nënprefekt i Ferizajt, veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe komandant i vullnetarëve të Shtimjes që luftoi për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Pas vitit 1944 kaloi në ilegalitet, ndërsa në nëntor të vitit 1945 emigroi në Greqi e pastaj u vendos në Damask ku edhe vdiq më 1974.

Hoxhë Visoka alias Shaqir (Halil) Visoka (1881-1945). Intelektual dhe atdhetar i shquar. U lind dhe jetoi në fshatin Ballovc të Podjevës. Kreu mejtepin dhe vazhdoi sudimet në Stamboll dhe në Kajro por nuk u bë hoxhë. U ndoq dhe u arrestua nga organet e pushtetit okupues serb (më 1914, 1935, 1939-1941) në kazamatët e këtij pushtuesi. Ishte i vetmi deputet shqiptar në parlamentin e Mbretërisë jugosllave më 1934. Në një seancë parlamentare kishte deklaruar: “Unë dhe populli im nuk jemi turq. Ne në pazar nuk ka mundur të na qes Evropa e lere më Bogolub Jeftiqi”. Organet e pushtetit serb penguan rizgjedhjen e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 1935. Krahas aktivitetit politik legal, ilegalisht ishte veprimtar i Komitetit të Kosovës Më 21 prill të vitit 1941 mori pjesë në takimin e krerëve shqiptarë të Mitrovicës, Podjevës, Vushtrrisë, Pazarit të Ri, Drenicës dhe të Podgurit me komandantin gjerman të Divizionit 60-t të këmbësorisë, Fridrih Gregor Eberhard.

U zgjodh nënprefekt i Podjevës (1941-1943) dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë edhepse Podujeva ishte jashtë kufijve politik të shtetit shqiptar, e cila i takonte zonës gjermane të pushtimit. Anëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve (Islihatit) për Nënprefekturën e Podjevës. U angazhua për shkollën shqipe duke sjellur rreth 50-60 mësues nga Shqipëria. Veprimtar dhe delegat në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe komandant i zonës verilindore të kufirit etnik shqiptar me Serbinë. Mbas vitit 1944 mbeti në Podjevë, por në janar të vitit 1945 OZN-ja* e arrestoi dhe e mbyti pa gjurmë të varrit.

*OZN-a-Odeljenje za zastitu naroda-Dega e Mbrojtjes së Popullit (Sigurimi i Shtetit ) u formua më 14 maj 1944. Ajo veproi në kuadrin e Seksionit të Mbrojtjes Popullore të Këshillit Antifshasist Nacionalçlirimtar të Juhgosllavisë (KANÇJ), e cila kishte të drejtat dhe detyrat e Qeverisë. OZN-a ishte e organizuar në parime ushtarake. Pas formimit të të ashtuquajturës Qeveri e Jugosllavisë Demokratike, në mars të vitit 1945, OZN-a hyri në përbërjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse më 1946 u shndërrua në UDB-a (Uprava drzavne bezbednosti-Drejtoria e Sigurimit të Shtetit), që tani quhet DB (Drzavna bezbednost-Sigurimi i Shtetit ). OZN-a qe dhe mbeti një mekanizëm monstruoz për luftimin e veprimtarëve liridashës të të gjithë popujve të Jugosllavisë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë kundër atyre shqiptarë.

Hafiz Imeri Shemsiu (1893-1945). U Lind në Sllakovc të Muhaxherëve. Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, anëtar i ”Xhemietit” (Bashkimit), përkrahës i Lëvizjes çlirimtare dhe sekretar i Organizatës së Rinisë “Drita”. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore ishte nëpunës në Talinoc; ndihmoi për hapjen e një shkollës në gjuhën shqipe. Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të Ferizajt dhe organizoi mobilizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e trevave etnike të rrezikuara nga ripushtimi serbo-komunist. Për shkak të veprimtarisë atdhetare u ndoq dhe u persekutua vazhdimisht. Ishte njohës i disa gjuhëve të huaja. Shkroi mbi 30 këngë me motive fetare e atdhetare.

Rexhep Mitrovica (1888-1960). U lind në Mitrovicë në një familje të njohur atdhetare. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit, më 1910, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912 dhe në politikë në vitet 1920-1924; anëtar i Komitetit të Kosovës në Degën e Durrësit. Në vitet 1925-1939 veproi në emigracion. U zgjodh kryetar i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në shtator 1943, ndërsa nga nëntori i vitit 1943 deri në qershor të vitit 1944 ishte Kryeminister i Shqipërisë. Mbas nëntorit të vitit 1944 emigroi në Austri dhe më pas u vendos në Turqi, ku edhe vdiq në vitin 1960.

Shaqir Curri, pasardhës i familjes së njohur Curri nga Gjakova. Prej viteve 20-të ishte anëtar i Komitetit të Kosovës, kurse gjatë viteve 1943-1944 prefekt i Prizrenit. U dënua më 20 vjet burg. Pas daljes nga burgu emigroi në Shqipëri.

Aqif Blyta-Haxhiahmeti (1887-1945). Politikani më i shquar i Sanxhakut prej vitit 1918 deri në vitin 1945, udhëheqës dhe organizator i mbrojtjes së Pazarit të Ri (1941-1944) nga sulmet çetniko-partizane. U lind në Pazarin e Ri të krahinës së Sanxhakut. Pas mbarimit të shkollimit fillor në vendlindje vijoi Gjimnazin e Izmirit dhe Akademinë Ushtarake në Stamboll. Deri në vitin 1912 shërbeu me gradën toger në njësi të ndryshme të ushtrisë osmane. Gjatë Luftës së Parë Botërore me graden kapiten luftoi në kuadrin e ushtrisë turke në frontin e lindjes kundër ushtrisë ruse. Mbas vitit 1918 u rikthye në Pazrin e Ri dhe u aktivizua në mbrojtje të interesave kombëtare. Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri.

Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë Sanxhakut treve, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavis (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndihmoi në ngritjen e administratës shqiptare në Qarkun e Mitrovicës dhe sidomos në Sanxhak, organizoi dhe udhëhoqi me sukses mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe të të viseve të tjera të Sanxhakut nga mësyemjet e çetnikëve dhe të partizanëve (1941-1944); ishte veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Mbas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e çuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, u pushkatua në janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Xhevat Begolli veprimtar i Komitetit të Kosovës bashkë me vëllezërit Rifatin dhe Qerimin. U lind në Pejë në vitin 1902. Shkollën fillore e kreu në Pejë, kurse shkollën e mesme në Vjenë. Njihte disa gjuhë të huaja . Mori pjesë në takimin në Mitrovicë me gjeneralin gjerman Eberhad (21. IV. 1941). Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte prefekt i Prefekturës së Pejës. Bashkëpunoi me Xhafer Devën dhe Aqif Blytën për organizimin e administratës shqiptare dhe për mbrojtjen e Kosovës nga sulmet çetniko-partizane 1941-1944. Mbas ripushtimit të Pejës nga forcat serbo-komuniste u arratis në Rugovë pastaj kaloi në Drenicë dhe së fundi në rrethinat e Pejës. U zu nga repartet e OZN-as, në fshatin Lipë afër Pejës, bashkë me nipin Skënderin. U denua me vdekje. dhe ditën që do të ekzekutohej vdiq si pasojë e torturave mizore që ushtruan ndaj tij xhelatët e OZN-as. Fat të ngjashëm patën edhe vëllezërit e tij Qerimi dhe Rifati (Tiranë) dhe Sefedini (Pejë) që u likujduan gjithashtu nga Sigurimi Shqiptar dhe OZN-a.

Adem Selimi-Gllavica, (1916-2001) njё nga personalitetet e shquara tё Kosovës të nviteve 50-tё. Lindi nё fshatin Gllavicë të Lypjanit. Pasi kreu Medresenë e Madhe në Shkup, vazhdoi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit tё Zagrebit. Aty u pranua anëtar i organizatës “Besa”, qё ishte formuar më 1935 nga studentët shqiptarë qё vijonin Universitetin e Beogradit dhe tё Zagrebit. Nё vitet e luftёs, shёrbeu si nënprefekt i Ferizajt, mësimdhënës në normalen “Sami Frashëri” në Prishtinës, ndёrsa nё shtator të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare të Mbrojtjes së Kosovës, dhe më 1 dhjetor komandant i Shtabit Suprem të Kosovës. Mё 2-3 dhjetor 1944, ishte ndёr drejtuesit kryesorё tё sulmit për çlirimin e Ferizajt. Mbas largimit nga Kosova jetoi dhe veproi në Australi. Vdiq në qytetin Perth të Australisë.

Xhafer (Ibrahim) Deva (1904-1978), lindi nё Mitrovicё, Politikan dhe burrё shteti. U shkollua nё Stamboll dhe nё Vjenё, ku u diplomua nё degёn e inxhenjerisё. Pas kapitullimit tё Mbretёrisё sё Jugosllavisё nё vitin 1941, punoi pёr organizimin e pushtetit nё rajonin Mitrovicё-Podjevё-Vushtrri, pra nё atё pjesё tё Kosovёs qё ishte nёn pushtimin gjerman. Nё vitin 1943 ishte ndёr nismёtarёt kryesorё pёr krijimin e organizatёs Lidhja e Dytё e Prizrenit, ndёrsa nё vitin 1944 u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё e Tiranёs. Nga gjysma e dytё e vitit 1944 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatёs Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qendresёn pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё. Pas mbarimit tё luftёs shkoi nё Austri, Egjipt etj dhe mё sё fundi u vendos nё Kaliforni tё SHBA. Aty u bё ndёr organizatorёt kryesorё tё emigracionit antikomunist dhe sidomos tё shqiptarёve nga Kosova qё jetonin nё Amerikё. Aty nё vitin 1966 rikrijoi organizatёn „Lidhja e Dytё e Prizrenit“, qё propagandoi çlirimin e Kosovёs e tё trojeve tё tjera shqiptare nё Jugosllavi. Vdiq nё vitin 1978.

Sali Vala Siçani, anëtar i Komitetit Qendror të Komitetit të Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës dhe Komandant i batalionit “Nazim Gafurri” që ra dëshmor për Kosovën dhe për Shqipërinë etnike

Luan Gashi lindi në vitin 1922 në Elbasan. Ishte i biri i Ahmet Gashit, intelektualit të njohur dhe shumë të respektuar në të gjitha trojet shqiptare. Nacionalist me vizion të qartë dhe në radhët e rinisë u shqua si njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm të Mithat Frashërit. Mё 1941 u rikthye nё Prishtinё, ku sё bashku me Vasil Andonin drejtuan organizatën e Ballit në gjimnazin-normalёn “Sami Frashёri”. Luftoi me armё pёr mbrojtjen e trojeve etnike në Gjilan, Prishtinë, Prapashticë e gjetiu, punoi pёr mobilizimin nё luftё tё rinisë shqiptare. U bashkua me forca atdhetare të Shaban Polluzhës, dhe punoi e veproi edhe nё kuadrin e LNDSH-së, si këshilltar i ONDSH-së të Shkupit. U detyrua tё largohej jashtё vendit, por veprimtarinё atdhetare nuk e ndёrpreu pёr asnjё çast.

Ibrahim (Hazër) Lutfiu (1912-1950). Lindi në Prizren. Ndёrmjet dy luftёrave ishte sekretar i pёrgjithshёm i Institutit tё Lartё Islamik tё Bosnjёs nё Sarajevё dhe gjatё Luftёs II Botёrore prefekt i Mitrovicёs. Nё nёntor tё vitit 1944 u arrestua nga OZN-a por rrugёs pёr nё Prishtinё e liruan luftёtarёt shqiptarё qё mё 2 dhjetor kishin rrethuar Ferizajn. Pasi kaloi nё ilegalitet, veproi nё vise tё ndryshme tё Kosovёs, u lidh me KQ tё ONDSH-sё me qendёr nё Shkup; i bashkёrёndoi aksionet politike me Shtabin Suprem tё Kosovёs dhe me organizatën „Besa Kombёtare“ tё Ymer Berishёs. Nё vitin 1946 mori pjesё nё Kongresin e Lypovicёs, dhe bashkёpunoi me udhёheqёs tё LNDSH-sё dhe tё njёsiteve guerile nё Drenicё, Shalё, Llap, Moravё etj. Vetёm nё shkurt tё vitit 1950, raportet e UDB-es, arritёn tё zbulonin vendin ku strehohej, por I. Lutfiu pёr tё ruajtur pjesёtarёt e familjes qё e kishte strehuar dhe pёr tё mos u dorёzuar i gjallё u detyrua tё vriste veten.

Avdyl Henci njё nga themeluesit e Komitetit tё Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës, u u ngarkua me detyrёn e kryetarit të Seksionit tё tij Ushtarak. Udhëhoqi luftimet në Prapashticë dhe në pjesët me të rrezikuara të trojeve etnike. Pas mbarimit tё luftёs u detyrua ta lёrё vendlindjen, por veprimtarinё atdhetare e vijoi nё diasporё, nё kuadrin e ”Lidhjes Kosovare”.

Kolonel Qazim Komoni (1895-1951), lindi nё Gjakovё. Pasi mbaroi shkollёn ushtarake nё Itali, shёrbeu nё ushtrinё shqiptare. Mbas pushimit tё Shqipёrisё nga Italia Fashiste u internua nё Itali. Nga shkurti deri në maj të vitit 1944 ishte komandant i Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare me gradёn kolonelit. U shqua si drejtues i luftimeve kundёr sulmit tё reparteve çetniko-partizane serbe dhe organizator i formacioneve vullnetare. Hartoi projektin pёr mobilizimin dhe formimin e reparteve ”kreshnikё” dhe vullnetare, i cili u miratua edhe nё tubimin qё u mbajt nё Rogovё tё Hasit me pёrfaqёsues tё prefekturave, tё Komiteteve Qarkore dhe Komitetit Qendror tё Lidhjës së Dytë Prizrenit. Pas suprimimit tё Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare u kthye nё Tiranё dhe mbeti nё dispozicion tё Komandёs sё Ushtrisё në Tiranë. U arrestua nga regjimi komunist nё Shqipёri dhe nё fillim tё vitit 1945, ju dorёzua autoriteteve jugosllave. Vdiq nga torturat dhe kushtet e rёnda nё burgun e Mitrovicёs sё Sremit.

Kolonel Fuat Dibra (1895-1946), lindi në Dibër të Madhe. Pasi mbaroi kursin e oficerёve nё Tiranё, shёrbeu nё Ushtrinё Shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shёrbeu si oficer nё shumё rajone tё vendit, ndёrsa në fillim të vitit 1944, u caktua komandant i Regjimentit IV të Sektorit Kosova me seli në Prishtinë. Me kёtё detyrё mori pjesё nё luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike nga formacionet çetnike e partizane serbe e bullgare. Mё 14 nëntor 1944, u shoqёrua nga në forcat e Brigadës V të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë (UNÇSH)-së pёr nё Tiranё ku u arrestua dhe ju dorёzua autoriteteve jugosllave. U dёnua me vdekje dhe u ekzekutua nё Prizren, mё 9 tetor 1946.

Shefqet Shkupi, prokuror i Gjyqit të Qarkut në Prishtinë. U arrestua nga repartet e Brigadës V të UNÇSH-së, të komanduar nga Shefqet Peçi dhe u pushkatua në afërsi të Prizrenit.

Prof. Ibrahim (Osman) Kelmendi (16. IV. 1916- 24. I. 1979). Rrjedh nga njё familje intelektuale nga Presheva. Pasi kreu Medresenё e Madhe nё Shkup dhe Fakultetin Filozofik – Degёn e Historisё nё Zagreb, nё vitet 1943-1944 shёrbeu si profesor nё gjimnazin ”Sami Frashёri” tё Prishtinёs. Nё fund tё vitit 1944 ju bashkua qёndresёs shqiptare, ndihmoi pёr mobilizimin nё luftё tё rinisё dhe mori pjesё pothuaj nё tё gjitha pёrleshjet me partizano-çetnikёt nё Moravё, Preshevë, Drenicё, Ferizaj etj. Mё 1945 u detyrua tё emigrojё nё Greqi, Gjermani dhe nё fund, nё Melburn tё Australisё. Drejtoi organet e shtypit nё emigracion ”Flamuri”, ”Albania” (Boston) ”Shqipnija e lirё”, ”Besa” (Stamboll), ”Pёrpjekja jonё” (Nju-York) etj. dhe si historian i mirёfilltё shpalosi idetё e tij atdhetare.

Prof. Ymer (Shaban) Berisha (1912-1946), lindi nё fshatin Gjurgjevik i Madh. Pasi kreu Shkollën Normale në Elbasan, arsimin e lartё, nё degën histori-gjeografi dhe kursin ushtarak në Romë, shërbeu arsimtar në fshatrat e Krujës, Tropojës, Kukësit, Peshkopisë, Lushnjës, Beratit, dhe të Shkodrës, ndёrsa nё vitet 1941-1944, nё normalen ”Sami Frashёri” tё Prishtinёs. Nga nёntori i vitit 1944 doli nё ilegalitet, formoi organizatёn ”Besa kombёtare” dhe u shqua si ideolog i qёndresёs sё armatosur pёr mbrojtjen e kufijve dhe bashkimin e trojeve shqiptare. U vra mё 11 korrik tё vitit 1946, nё Hereç tё Gjakovёs, nё pёrpjekje me forcat e tё ashtuquajturёs Mbrojtje Popullore dhe tё milicisё.

Av. Idriz Shahmani (1910-1944) lindi në Plavë. Kreu Medresenë e Madhe të Shkupit dhe Shkollën e Lartë të Sheriatit në Sarajevë. U shqua si anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe organizator i Komitetit të Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar. Pёr shkak tё pikpamjeve dhe tё veprimtarisё sё tij antifashiste u arrestua nga Gestapoja dhe u dёrgua nё Shkodёr. Atu u helmua nga komunistёt mё 27/28 nёntor tё vitit 1944, natёn e fundit, para se Shkodra tё binte nёn pushtetin komunist.

Ajet Gërguri (1906-1947) lindi në Dolak të Vushtrrisë. Familja, qё ishte shpёrngulur nё Shqipёri, mё 1942 u rikthye nё Kosovё. Bashkёpunoi me Lëvizjen Nacionalçlirimtare (LNÇ) e Kosovës dhe mbajti lidhje me Brigadën V të UNÇSH-së. Në nëntor të vitit 1944 u emërua nëpunës në Seksionin e Bujqësisë pranë Këshillit Ekzekutiv të Rrethit të Podjevës. Gjatë vitit 1945 kur u vendos plotësisht sistemi okupues jugosllav në Kosovë, u bë nga udhëheqësit e qëndresës shqiptare dhe u shqua si organizator i Kongresit të Lypovicës. U arrestua nga UDB-ja me 3 shkurt 1947, nё fshatin Okrashticё.

Qazim Sefë Llugaxhia (1910-1985) nga fshati Llugaxhi. Kryetar komune në Babush gjatë vitit 1941-1942, kryetar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit pёr Lypjan (1943-1944). Nё fund tё vitit 1944 kaloi nё ilegalitet dhe mori pjesё nё luftimet pёr çlirimin e Ferizajt. Nё shtator tё vitit 1945 u largua jashtё vendit, por pa e ndёrprerё veprimtarinё nё dobi tё çёshtjes kombёtare.

Bedri (Abdi) Pejani (1885-1946, publicist, diplomat dhe atdhetar i shquar. Shkollën e Mesme e kreu në Robert Kolezh dhe studimet e larta nё Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Delegat në Kongresin e Manastirit (1908), dhe sekretar i Komitetit i Komitetit të Kosovës” (1918-1924). Gjithё jetёn e vuri nё shёrbim tё kombit e tё atdheut dhe pёr kёtё qёllim bashkёpunoi edhe me Kominternin dhe me LNÇ. Nga janari deri nё mes tё qershorit 1944 ishte kryetar i Lidhjes sё Dytё tё Prizrenit . Mё 1945 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar, dhe ju dorёzua autoriteteve jugosllave qё e dёnuan me vdekje. ”Vdiq” nё spitalin e Prizrenit, mё 6 korrik 1946).

Halim (Shaqir) Spahia (1897-1946), lindi në Gjakovë, në një familje me tradita atdhetare. Atdhetar qё gjithё jetёn e pasurinё e vuri nё shёrbim tё çёshtjes kombёtare. Ndihmoi materialisht LNÇ, u zgjodh kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar (KNÇ) të Rrethit të Prizrenit dhe anëtar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kosovës. Duke mos pasur besim në forcat komuniste, Halim Spahia se bashku më Selman Rizën, Ejup Binakun, Tahir Dedën themeluan më 1943 në Gjakovë ONDSH. Në Konferencën e Këshillave Popullore të Rretheve të Kosovës qё u zhvillua më 19-24 mars 1945 në Prishtinë, ju kundërvu energjikisht aneksimit të Kosovës nё kuadrin e Federatёs Jugosllave dhe kthimit të kolonëve serbo-malazezë në Kosovë. Ishte anёtar і delegacionit e të shqiptarëve të Kosovë, i cili mё 4 prill 1945 shkoi në Beograd pёr t’u takuar me Josip Broz Titon.

Nё takim kundёrshtoi hapur aneksimin e Kosovёs nga Serbia federale dhe kёrkoi bashkimin e saj me Shqipёrinё. Pas arsyetimit tё Titos se ishte marrё vesh me Enver Hoxhёn qё Kosova tё mbetej edhe pёr njё kohё nё pёrbёrje tё Jugosllavisё. Halim Spahia parashtroi kërkesën për konstituimin e një republike të veçantë të shqiptarëve në Jugosllavi. Për këtë ai kërkoi edhe përkrahjen e Enver Hoxhës në takimin që pati me të në Tiranë, por pa dobi. Edhepse ishte shtetas i Shqipërisë, Halim Spahia u ekstradua nga shteti shqiptar, dhe iu dorëzuan oficerëve të OZN-as Çedo Mijoviqit dhe Nazmi Kursanit. U dënua me vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Priren, dhe u pushkatua më 16 shkurt 1946 në Taukbashqe të Prishtinë.

Sadik (Mehmet) Peçani (1893-1964). Nё vitet e Luftёs sё Dytë Botërore ishte nëpunës në komunën e Therandës, kurse në vitin 1943 u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbas luftës, ishte midis nismёtarёve qё formuan komitetin e ONDSH-sё nё Therandë dhe anёtar і tij. U arrestua mё 1944 e mё 1945 dhe u dёnua me 7 vjet burg.

Halim Shuku, me prejardhje nga Gjakova. Në prill të vitit 1941 u emërua kryetar Bashkisë së Ferizajt. Veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kurse mbas luftës ishte kryetar i Komitetit të ONDSH-së të Ferizajt.

Stak Mark Shkorreti, argjendar i njohur dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Për shkak të veprimtarisë atdhetare është ndjekur dhe persekutuar vazhdimisht nga pushtuesit serbë, bullgarë e jugosllavë. U likujdua nga OZN-a nё fund tё nёntorit tё vitit 1944 sё bashku me shumё burra tё shquar tё Prishtinёs dhe tё rrethinёs. Mbas tij u egzekutuan edhe tre djemtё, Marku sepse mё 20 nёntor 1944, nё Janjevё, kishte hequr flamurin jugosllav dhe kishte vendosur atё shqiptar, Luzi dhe Mikeli si dhe nipi (djali i Markut, Staka II).

Aqif (Ismail) Tetova, atdhetar i flaktë dhe deputet në kohën e Jugosllavisë së Vjetër. Në vitin 1941 organizoi administraten shqiptare në Nënprefekturën e Gjilanit, mё 1943 ishte përfaqësues i Gjilanit në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin e Shqipёrisё (1943-1944). Nё nёntor 1944 u arrestua dhe u likuidua nga OZN-a, ndёrsa nё dhjetor kolonёt serbё і vranё tё birin 15 vjeçar.

Shaban Polluzha (1871-1945), lindi nё fshatin Polluzhё, nё njё familje me tradita atdhetare. Pjesёmarrёs nё kryengritjen antiosmane tё vitit 1912 dhe nё luftёn kundёr pushtuesve serbë (1912) dhe atyre bullgarё (1916-1917). Ndërmjet dy luftërave botërore kryetar komune nё Drenicё. Gjatë viteve 1941-1943 ishte komandant i vullnetarëve të Drenicës në luftë për mbrojtjen e trojeve etnike në kufi me Serbinë dhe Malin e Zi. U angazhua edhe kundër pushtuesve italianë dhe pёr këtë arsye e arrestuan dhe së bashku me familjen e burgosën në Pejë. Mbas nëntorit të vitit 1944 u angazhua për formimin e Ushtrisë Kombëtare dhe për Mbrojtjen e Kosovës. Këtë proces e penguan njёsitё e OZN-ёs dhe repartet ushtarake jugosllave, të cilat filluan të zbatonin nё Kosovё fushatёn e dhunёs dhe tё terrorit. Nё kёto rrethana, Brigada u detyrua tё rikthehej nё Drenicё pёr tё mbrojtur familjet dhe njerёzit e saj. Udhёhoqi Luftёn e Drenicёs dhe ra heroikisht mё 21 shkurt 1945)

Miftar Bajraktari (1888-1945), lindi nё Llaushё. Me iniciativën e tij, në vitin 1941, u formua Këshilli i Pajtimeve në Nënprefekturën e Skenderajt, ndёrsa gjatë viteve 1941-1944 udhëhoqi njёsive vullnetare në luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike nga sulmet çetniko-partizane. Veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kurse në Luftën e Drenicës ishte zëvendës komandantit të brigadës. Vdiq nga zemra, më 14 shkurt 1945.

Azem (Aruq) Gjinovci (1887-1955), lindi në fshatin Makermal të Drenicës. Pjesëmarrës i kryengritjes antiosmane të vitit 1912, i çetёs sё Azem Bejtёs (1916-1924) nё luftё kundёr pushtuesve bullgarё, dhe ushtrisё serbe. Nё vitet 1941-1944 ishte anёtar i Kёshillit tё pajtimeve pёr Nёnprefekturёn e Vushtrrisё; mori pjesё nё luftimet pёr mbrojtjen Pazarit tё Ri, nё krye tё njё grupi vullnetarёsh, komandant batalioni nё Brigadёn e Drenicёs. Mё pas vazhdoi qendresёn e armatosur deri nё shtator tё vitit 1945, kur u hapёn nga Brigada VIII e UNÇSH-sё.

Mulla Iljaz (Hysen) Broja (1892-1946), lindi nё fshatin Kastriot. Kreu medresenë në Gjakovë dhe shërbeu imam në Brojë dhe në disa vende tjera të Drenicës. Veprimtar i ”Xhemietit” (Bashkimit) dhe i Lёvizjes çlirimtare, u angazhua pёr ngritjen e vetёdijes kombёtare dhe kundёr shpёrnguljes sё shqiptarёve. Gjatё viteve 1941-1944 mori pjesё nё luftimet pёr mbrojtjen e trojeve etnike nga sulmet çetnike, ishte veprimtar i Lidhjes së Dytë tё Prizrenit dhe deputet i kuvendit të Shqipërisë nё Tiranё (1943-1944). Nё nёntor tё vitit 1944, bashkёpunoi pёr ngritjen e kёshillave nё Skenderaj e mё gjerё dhe u inkuadrua nё Brigadёn e Drenicёs. Pas pёrfundimit tё Luftёs sё Drenicёs, u pёrfshi nё qёndresёn kundёr zgjedhjes jugosllave. U arrestua mё 1946 dhe u egzekutua nё Zllokuqan tё Klinёs.

Bedri Gjinaj (Mitrovicë, (1912-1944), lindi në një familje të njohur atdhetare. Pasi mbaroi shkollёn teknike nё Tiranё, punoi si mёsues nё Shqipёri, ndёrsa mё 1941 u kthye nё Mitrovicё dhe kontribuoi shumё pёr pёrhapjen e shkollave shqipe nё zonёn gjermane tё pushtimit. Mori pjesё nё Kuvendin Themelues tё Lidhjes së Dytë tё Prizrenit dhe u zgjodh sekretar i saj. Nё vjeshtё tё vitit 1944 formoi organizatёn dhe Batalionin e Rinisё pёr Mbrojtjen e Kosovёs nё Qarkun e Mitrovicёs, ndёrsa nga fundi i vitit 1944 u bashkua me Brigadёn e Drenicёs. U arrestua dhe u likujdua nga OZN-a nё rrethana tё panjohura.

Hamdi (Hazir) Mramori (1895-1944), lindi nё Mramor, Prishtinë. Mbante lidhje me veprimtarët dhe liderët e Xhemjetit, Ferat Dragën, Nazim Gafurrin e të tjerë dhe nё vitet e luftёs ju bashkua lёvizjes pёr mbrojtjen e trojeve etnike. Deri nё nёntor 1944 ishte komandant і njё njёsie vullnetare nё frontin e Prapashticёs, ndёrsa nё dhjetor ishte anёtar і Shtabit tё forcave qё morёn pjesё nё sulmin pёr çlirimin e Ferizajt. U vra nё kёto luftime mё 2 dhjetor 1944. U shqua nё luftimet e zhvilluara nё vendin e quajtur Bllata e Sllovisё afёr Gadimёs.

Tahir Kolgjini (1903-1988), lindi në fshatin Lusën të Lumës. Arsimin e mesёm e kreu nё Turqi, ndёrsa nё Shqipёri ushtroi detyra tё ndryshme. Gjatё Luftёs sё Dytё Botёrore punoi nё Prizren, dhe mё pas u emёrua prefekt nё Gjirokastёr, Prishtinё e Shkodёr. Mbas luftёs u vendos pёr fundimisht nё Stamboll. Shkroi shumё artikuj kulturorё e Gjuhёsorё, qё і botoi nё ”Shejzat”, ”Koha jonё”etj.

Musa (Jahë) Govori nga fshati Prapashticё. Veprimtar і Lidhjes së Dytë tё Prizrenit, deputet і Prishtinёs nё Kuvendin e Shqipёrisё, nё vitet 1943-1944. Nё vitin 1956- gjatё aksionit tё armёve u shpёrngul nё Shkup, kurse familja nё Turqi.

Bajrush (Ali) Xhakli (1904-1990), lindi nё fshatin Kishnapole. Veprimtar і shquar і lёvizjes kombёtare. U detyrua tё shpёrngulej nga Kosova dhe aty u rikthye nё vitin 1942 dhe shërbeu me gradёn kapiten nё xhandarmёrinё shqiptare. Pas luftёs veproi nё ilegalitet, ndёrsa nga fundi і nёntorit tё vitit 1945, u largua jashtё vendit. U vendos pёrfundimisht nё Boston tё SHBA-ve, ku punoi te bashkatdhetari Antoni Athanas deri sa vdiq.

Abedin (Selman) Braha (1892-1961), i njohur si Din Hoxha, lindi nё Kaçanikun e Vjetёr. Nё vitin 1941 kundёrshtoi pushtimin bullgar dhe kёrkoi qё zona bullgare e pushtimit t’і bashkohej Shqipёrisё. Mbas viti 1944 mbeti nё arrati nё krye tё njё grupi tё fuqishёm tё armatosur, ndёrsa mbledhja e krerёve tё kёtyre grupeve qё u mbajt nё Malin e Verbanit, e zgjodhi zëvendёskomandant tё lёvizjes pёr rrethin e Gjilanit, Kaçanikut, Neredimjes (Ferizaj) dhe të Shkupit. Nё vitin 1947 u gjykua dhe u dёnua me 12 vjet burg.

Mulla Januz Abazi-Lubishta (1885-1951), lindi dhe ishte imam nё fshatin Lubishtё tё Vitisё. Nё kohёn e Luftёs І Botёrore u keqtrajtua dhe u ndoq nga forcat bullgare tё cilat e mbanin tё okupuar kёtё pjesё tё Moravёs, ndёrsa gjatё viteve 1941-1944 u angazhua pёr bashkimin e kёtyre viseve me Shqipёrinё dhe pёr mbrojtjen e kufirit etnik nё Karadak e nё Kozjak dhe nё sektorёt e tjera.

Tahir (Halim) Lubishtani (1900-1976), lindi nё Sllatinёn e Poshtme tё Vitisё. Ishte і njohur si pleqnar dhe njeri me autoritet. Gjatё luftёs sё Dytё Botёrore luftoi me pushkё nё dorё pёr çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare. U shqua sidomos gjatё luftimeve tё zhvilluara nё verё e vjeshtё 1944 nё Kitkё dhe nё Bujanovc tё Kosovёs Lindore.

Hysen (Sahit) Cakaj i njohur si Hysen Tërpeza, lindi më 1908 në fshatin Tërpezë të Vitisë. Kryetar komune në Pozharan dhe pjesёmarrёs і lёvizjes antifashiste. Pasi kuptoi mashtrimin serbokomunist, luftoi kundёr pushtuesve dhe u shqua si njeri nga organizatorёt e sulmit shqiptar nё Ferizaj nё dhjetor tё 1944-ёs. Deri nё nёntor tё vitit 1945 u shqua si luftёtar dhe drejtues і luftёs guerile. Mё pas u largua nё Evropё e SHBA, por pa e ndёrprerё veprimtarinё atdhetare. Nё vitin 1999, pas 54 vjetёve qendrimi nё ekzil, u rikthye nё Kosovёn e lirё, ku vdiq mё 24 qershor 2002.

Rifat (Abdurrahman) Krasniqi, lindi në vitin 1917 në fshatin Mamushë të Rahovecit. Me profesion jurist dhe shёrbeu si gjykatёs nё Kukёs, në Rahovec, në Istog dhe nё Prizren. Veprimtar dhe pёr disa kohё sekretar і KQ tё ONDSH-sё tё Prizrenit.

Halim (Qerim) Miskiqi (1890-1944). U lind në Shakovicë të Podujevës. Ishte burrë trim dhe i vendosur, kryeplak i fshatit në ndërmjet dy luftërave botërore, kurse gjatë viteve 1941-1944 kryetar i Komunës së Bakshisë. Veprimrar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe luftëtar i vendosur për mbrojtjen e trojeve etnike. Likujdohet nga OZN-a në fund të vitit 1944.

Xhelal Mitrovica (1916-1957). Publicisti më i shquar që pati Kosova dhe Shqipëria në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë. Vdiq në ekzil në SHBA. Nëna e tij jetoi dhe vdiq në Tiranë, e torturuar dhe e tërhequr në një kasollë të shkretë, më 1953.

Kajtaz Ramadani – me pseudonimin ”Leka”, djali i Ramadan Shabanit, veprimtarit të njohur të Lëvizjes Kombëtare. Lindi më 1890 në fshatin Kijevë dhe u zgjodh kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së të Rahovecit).

Marie (Mark) Shllaku, lindi në Shkodër më 1922. Pёr njё periudhё kohe punoi ndihmёse nё Qelёn e Fishtёs, ndёrsa mё pas vazhdoi studimet nё Fakultetin e Filozofisё nё Universitetin e Romёs. Gjatё luftёs ishte sekretare e Iljaz Agushit dhe e Xhafer Devёs. Me mbarimin e luftёs iu pёrkushtua çёshtjes sё bashkimit tё forcave të qëndresës shqiptare. Mori pjesё aktivisht nё Kuvendin e Drenicёs dhe luftoi bashkё me burrat mё nё zё tё Kosovёs, derisa u plagos dhe u zu rob nga repartet jugosllave tё ndjekjes.

At Bernard (Filip) Llupi, famullitar i kishës katolike shqiptare në Pejë. Lindi në Shkodër më 1886. Kishte kryer dy fakultete, tё teologjisë dhe tё farmacisë. Fliste anglishten, italishten, spanishten, serbishten. U shqua si njё nga atdhetarët më të devotshëm të asaj kohe, që u pёrpoq me tё gjitha forcat për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe të Çamërisë me Shqipërinë.

Kolë (Tomë) Parubi, lindi në Shkodër më 1905. Shёrbeu si klerik dhe njёherazi edhe si profesor і gjuhës shqipe në gjimnazin e Prishtinës dhe të Pejës. Gjatë Krishtlindjeve të vitit 1945, sipas udhëzimeve të at Bernard Llupit, formoi Komitetin e ONDSH-së në Prizren).

Gjergj (Martin) Martini (1917-1946), lindi në Hot të Shkodrës. Punoi mësues në Perlat e në Rubik, tё Mirditës, në Kukës, në Prizren, në Mitrovicë dhe në Gjakovë, ku ushtroi edhe detyrën e drejtorit tё shkollёs. Ishte veprimtar i shquar i LNDSH-së).
Haki Taib Salihu (Mulla Haki ef. Sermaxhaj) (1916-1948) nga Hogoshti. Myderriz dhe drejtor i Medresesë Atik të Gjilanit. Organizator i mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore, anëtar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit pёr Nënprefekturën e Gjilanit, kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së të po kësaj nënprefekture dhe anëtar i KQ të ONDSH-së në Shkup.

Idriz (Qerim) Quza, mbiemri i vërtetë Maliqi (1907-1972), lindi në fshatin Rahovicë. Luftoi për bashkimin e trojeve etnike me Shqipërinë. Në vitin 1944 nën komandën Mulla Idrizit, mori pjesё në luftimet e zhvilluara në Hogosht, Kitkë, Velegllavë dhe në sektorët tjerë më të rrezikura nga forcat serbo-bullgare. Pas vitit 1944 mbeti në arrati dhe iu bashkua grupit të Ahmet Hajdinit. Nё vitin 1951, Idrizi u arrestua nё Mqedoni dhe u dёnua me 8 vjet burgim.

Limon (Asllan) Staneci (1923-1991). U lind në fshatin Stanec të Preshevës. Studjoi në Fakultetin Juridik të Beogradit. Sekretar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit. Ishte gazetar i talentuar dhe ushtarak që raportonte nga vijat e para të frontit për luftimet për mbrojtën e trojeve etnike në Kosovën Lindore në gazetën “Lidhja e Dytë e Prizrenit”. Me 13. IX. kur u hoq pushteti okupues bullgar u zgjodh nënprefekt i Preshevës. Ishte edhe sekretar i Idriz Gjilanit, gjykatës, kryeshef i Rethit të Gjilanit. Në maj të vitit 1948 arrestohet dhe denohet me 15 vjet burg.

Ramadan (Jusuf) Berisha (1920-1989) nga Bardhi i Madh. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, dhe qё njihet pёr pёrpjekjet për përhapjen e librit shqip në Kosovë. Në fillim të vitit 1945 u inkuadrua në LNDSH, ishte nga veprimtarët më të shquar organizatës dhe të Shtabit rajonal, mbajti lidhje me Ajet Gërgurin, Gjon Serreqin, Azem Jashanicën etj. U arrestua më 13 gusht 1946. Gjatë hetuesisë e keqtrajtuan mizorisht, ndёrsa gjyqi ushtarak i Divizionit të Prishtinës, më 1947 e dënoi më 20 vjet burg.

Ismail Dragusha (1922-1947), lindi në fshatin Rufc i Vjetër, në afërsi të Lypjanit. Luftëtar për mbrojtjen e trojeve etnike. Pas vitit 1944 mbeti në arrati dhe vazhdoi luftën kundër pushtuesve serbo-jugosllavë. Pjesёmarrёs në Kongresin e Lypovicës ku pёrkrahu pikpamjen qё luftёtarёt e qёndresёs nuk duhet tё braktisnin Kosovёn. Si pjesëtar i grupit të Gjon Serreqit bashkë me tё shoqen Fatime Kelmendi-Dragusha u shqua në përleshjen e këtij grupi me repartet e ushtrisë, në gusht të vitit 1946, në Bilushë, afër Hoçës së Qytetit, mbi Prizren. U vra nga OZN-a dhe bashkëpunëtorët e saj.

Fetije (Qazim) Kelmendi, lindi në fshatin Ribar i Vogël. Kur i shoqi u bashkua më LNDSH-re dhe njësitet armatosura ajo і qëndroi pranё me të deri në vdekje. U vra nё vitin 1947 sё basku me burrin dhe djalin disamuajsh nga repartet e UDB-së nё jugosllave.

Hasan (Ibrahim) Kabashi nga fshati Kabash i Vitisë, lindi në vitin 1902. Më 1913 serbët vranë 64 burra të Kabashit, duke përfshirë këtu edhe axhën e tij, gjë që i la mbresa të thella. Sё bashku me familje u detyrua të shpërngulej në Shqipëri, por mё 1941 u rikthye në Kosovë dhe u emёrua kryetar komune në Bresalc. Luftoi për mbrojtjen e trojeve etnike, nё krye tё batalionit të parë të forcave të qëndresës. U dallua sidomos nё betejёn e Kopilaqёs kundër reparteve të Brigadës XVII maqedone. U vra më 28 nëntor të vitit 1945 duke kaluar kufirin jugosllavo-grek.

Rexhep (Agush) Kabashi, lindi në vitin 1910 në Kabash të Vitisë. Më 1913 serbët ia vranë të jatin në masakrën e njohur të Kabashit. Mё 1929 bashkë me familje u detyrua të emigronte në Turqi dhe mё pas në Shqipëri. Më 1941 u kthye në Kosovë dhe u emërua qarkomandant i xhandarmërisë për nënprefekturën e Gjilanit. Pas vitit 1944, doli në mal për të vazhduar luftën e armatosur.

Arif Brahim Ceka, i njohur në popull si Arif Dragomani, apo edhe si Arif Kapetani. Lindi në vitin 1900, në lagjën e Dragomanëve të fshatit Glloboçicë të Kaçanikut. Komandant i forcave vullnetare të Tetovës për çlirimin e trevave shqiptare të okupuara nga Bullgaria. Mbas nëntorit të vitit 1944 mbeti në mal dhe komandoi i një njësit të forcave të qëndresës shqiptare.

Islam Domaneku (1905-1947), lindi në Grackë, në afërsi të Lypjanit. Veprimtar і Lidhjë së Dytë të Prizrenit dhe komandant i vullnetarëve në vijën e frontit në Kosovën Lindore. Veprimtar i LNDSH-së, pjesëmarrës i Kongresit të Lypovicës dhe i luftimeve që u zhvilluan në Bilushë me 8 shtator të vitit 1946. U zu tradhtisht nga UDB-ja, më 12 janar të vitit 1947 në Ribar të Madh dhe u vra në Lypovicë.

Hysni (Muharrem) Rudi (1919-1947), atdhetar dhe veprimtar i shquar i LNDSH-së. Pasi kreu Shkollën e Lartë Ushtarake të Inxhenierisë në Romë, luftoi energjikisht për mbrojtjen e kufijve etnikë nga sulmet çetnike serbe e malazeze, por i ndihmonte edhe LNÇ-në. Mbas vitit 1944 u caktua komandant i Komandës së Vendit në Istog dhe komandant i Divizionit të Artilerisë në Prishtinë. Si anëtar i KQ të ONDSH-së të Shkupit, u përpoq për formimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare. U arrestua dhe u dënua me vdekje.

Hamdi (Imer) Berisha, lindi më 1925 në Gjilan. Ishte veprimtar i LNDSH-së në Prishtinë, anëtar i KQ të ONDSH-së të Shkupit, і ngarkuar pёr tё mbajtur lidhjet me komitetet qarkore të Gjilanit, të Kaçanikut, të Ferizajt, të Prishtinës, të Vushtrrisë dhe të Mitrovicës. Të vëllain Esatin, avokat, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe përfaqësues i Gjilanit në Kuvendin e Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944, dhe të atin i vrau OZN-a në nëntor të vitit 1944.

Demë Ali Pozhari (1905-1979) lindi nё Pozhar. Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare. Kryetar i komunës së Rozhajës 1942-1944, një ndër organizatorët e mbrojtjes se Plavës e Gucisë, Pazarit të Ri dhe të trevave të tjera etnike. Prej nëntorit të vitit 1944- deri në tetor të vitit 1948 luftoi me pushkë në dorë kundër pushtuesve jugosllavë. Angazhimin për çlirimin e Kosovës nuk e ndali as kur doli në emigracion. Më 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u ftua në Shqipëri. Vdiq nё Stamboll.

Ukë (Sadik) Rama (1903-1947). Pёr shkak tё pjesёmarrjes aktive nё luftën e armatosur kundër pushtuesve serb, më 1923 u shpёrngul në Shqipëri. Në prill të vitit 1941 u kthye në Kosovë dhe u emërua kryetar komune në Dollc të Klinës, e mё pas nënprefekt në Rahovec. Luftoi pёr mbrojtjen e trevave etnike në Çakorr, në Kolashin dhe në sektorë tё tjerë të kufirit me Malin e Zi e Serbinë. Gjatë nëntorit të vitit 1944 ishte ndёr organizatorёt e qëndresës kundër depërtimit të forcave pushtuese jugosllave në Kosovë. Mbas përfundimit të Luftës së Drenicës, vijoi luftën e armatosur dhe u zgjodh komandant i grupeve të qëndresës shqiptare. Më 17. II. 1947 u plagos në luftimet e zhvilluara nё Sverkë të Gashit, dhe iu dorëzua organeve të pushtetit. Gjyqi i Qarkut në Prishtinë e dënoi me vdekje-dhe u pushkatua mё 31 gusht 1947, në Taukbashqe të Prishtinës.

Ndue (Gjon) Përlleshi (1908-1949), nga fshati Paskalicë e Klinës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte kryetar komune në Budisalc. Pas nëntorit të vitit 1944 mbeti në arrati dhe luftoi trimërisht deri më 1948. Bashkёpunoi me Ukë Sadikun dhe prof. Ymer Berishën. U vra mё 29 gusht tё vitit 1949 nga forcat e sigurimit dhe të Ushtrisë Shqiptare afër Urës së Bërdhetit, ndërmjet fshatrave Dardhë dhe Iballe të Pukës.

Avdyl (Zejnullah) Zenuni, i njohur në popull si Avdyl Dura, lindi më 1893 në fshatin Duraj të Kaçanikut. Kryetar i komunës në Shtimje (1926-1937) dhe, komandant i vullnetarëve të Mbrojtjes Kombëtare të Kaçanikut (1941-1944), Në dhjetor të vitit 1944 u inkuadrua në Brigadën VII të Kosovës dhe u dërgua në Frontin e Sremit. U arrestua nё korrik të vitit 1945 por pas arratisjes nga burgu i Ferizajt, me ndihmёn e Hysni Lajçit, postёkomandant i policisë, doli nё ilegalitet dhe veproi deri mё 28 qershor tё vitit 1949, kur u vra nga forcat e UDB-ёs.

Hasan Ali-Remniku nga fshati Remnik i Vitisë. Udhëhoqi një grup të armatosur të qëndresës prej nëntorit të vitit 1944 deri nё tetor të vitit 1951, kur u vra me tradhti nga repartet e UDB-ёs.

Kadri Beba (1879-1947), lindi nё fshatin Ribar і Madh, nё afёrsi tё Lypjanit. Luftëtar i shquar për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Gjatë sundimit të Jugosllavisë së Vjetër u ndoq dhe u përsekutua vazhdimisht, madje bashkë me familje u internua në Serbi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore luftoi me armë në dorë për jetësimin e Shqipërisë etnike. Kryetar komune në Lypjan (1941-1944), ndёrsa nё dimrin e vitit 1944-1945 së bashku me gjithë familje kalon në ilegalitet. Veprimtar i LNDSH-së, pjesëmarrës në Kongresin e Lypovicës. Në prill të vitit 1947, duke qenë se UDB-ja і kishte arrestuar shumё anёtarё tё familjes u dorёzua. Gjykata e akuzoi se kishte bashkёpunuar pёr vrasjen e 12 antifashistёve nё Malin e Livoqit, mё 26 prill tё vitit 1943 dhe e nёnoi me 12 vjet burg, por organet e UDB-sё e nxorёn natёn nga burgu dhe e egzekutuan.

Imer (Rexhep) Devetaku (1881-1946 ) nga fshati Devetak i Ferizajt, kaçak në kohën e Azem Bejtës. Mbante lidhje me Komitetin e Kosovës. Më 1923 u zu rob, por pasi u arratis nga burgu і Prizrenit u shpёrngul nё Shqipёri. Mё 1941 u rikthye nё Kosovё dhe luftoi pёr mbrojtjen e trojeve etnike. Mas nёntorit tё vitit 1944 mbeti nё arrati, por nё korrik 1946 u plagos nё pёrpjekje me forcat e ndjekjes. Pёr tё mos u dorёzuar і gjallё u detyrua tё bёnte vetёvrasje.

Ramadan Bektesh Vogliçi, i njohur në popull si Ramë Beka (1892-1949), nga Gërlica e Poshtme e Kaçanikut. Kaçak (1918-1928) dhe veprimtar i Mbrojtjes Kombëtare (1941-1944). Mbas nëntorit të vitit 1944 mbeti në arrati. U vra sё bashku me Avdyl Durën dhe Sadik Tushën, mbas një qëndrese heroike, më 28 qershor të vitit 1949

Fejzullah (Zejnullah) Saraçi, lindi në vitin 1878 në fshatin Bivolak. Luftëtar i vendosur kundër pushtuesve serbë më 1912/1913 dhe atyre bullgarë 1915-1918. Nuk u pajtua me rivendosjen e pushtetit okupues serb në Kosovë më 1918. Më 4 nëntor 1918 me çetën e tij mori stacionin e xhandarmërisë në Prilluzhë. Luftoi për mbrojtjen e trojeve etnike (1941-1944) dhe mori pjesё në Luftën e Drenicës. Gjatë vitëve 1945-1946 kishte një grup të armatosur dhe mbante lidhje me grupet tjera të qendresës shqiptare, sidomos më Organizatën nr. 2 të Ajet Gërgurit dhe të Gjon Serreqit. Në përleshje me forcat e ndjekjes mbi Hoçë të Prizrenit, në shtator të vitit 1946, iu vra djali i vetëm Emini.

Mulla Hamit Sllovia lindi më 1919 në fshatin Sllovi te Lypjanit. Nё rininё e hershme ishte veprimtar i Lёvizjes Kombёtare, ndёrsa gjatё luftёs i Lidhjës së Dytë të Prizrenit. Mbas nëntorit të vitit 1944 dhe deri nё mars 1949, kohё kur u arrestua ishte pjesёtar i LNDSH-sё. U dёnua me 7 vjet burg, tё cilat i vuajti nё burgun e Nishit, ku u bё i njohur pёr qёndrimin e tij tё papёrkulur.

Sadri (Misin) Sherifi (1905-1978) nga Shipashnica. Komandant i një kompanie vullnetarësh në anët e Kosovës Lindore (1942-1944) dhe u shqua pёr aftёsi organizative e ushtarake nё luftimet kundёr forcave çetniko-partizane serbe nё Kitkё, Velegllavë, Ush e deri nё Bujanoc. Mbas vitit 1944 u zgjodh kryetar i Kёshillit Popullor nё Shipashnicё, por njёherazi ishte dhe veprimtar i LNDSH-sё. Nё 26 prill 1947, gjyqi i Qarkut nё Gjilan e dёnoi me 16 vjet burg.

Ramadan (Jusuf) Rexha lindi mё 1921 nё Mitrovicё. I atij, Jusufi kishte qenё mёsues i parё nё shkollёn qё e kishte hapur Hasan Prishtina, nё fshatin Kushtovё, gjatё viteve 1915-1918, sekretar Komune në Pantinë dhe Smrekovnicë, nënsekretar në sektorin për Arsim e Kulturë të Prefekturës së Mitrovicës, sekretar i N/prefekturës së Vushtrrisë, kryetar i Komitetit të Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës dhe pjesëtar i Batalioni të Rinisë së Vushtrrisë, komisar i Batalionit IV të Brigadës së Drenicës dhe pjesëmarrës i Luftës së Drenicës. U dënua më 15 vjet burg.

Aziz (Mustafë) Zhilivoda (1914-1994) lindi nё fshatin Zhilivodё tё Vushtrrisё. Ishte njёri ndёr luftёtarёt mё tё vendosur pёr mbrojtjen e kufijve etnik. Kryesoi njё nga grupet e vullnetarёve nga Shala dhe Llapi qё ju kundёrvu depёrtimit tё brigadave serbe e bullgare nё Kosovё. Ishte pjesёmarrёs dhe komandant batalioni nё Luftёn e Drenicёs dhe mori pjesё nё tё gjitha kuvendet e rёndёsishme shqiptare (Dobёrdol, Lypovicё etj). Qёndresёn e vijoi edhe pas mbarimit tё Luftёs sё Drenicёs, ndёrsa nё gusht tё vitit 1946 u zgjodh komandant batalioni nё Divizionin e Ibrit. Nga viti 1949 dhe derisa vdiq jetoi nё Shqipёri, por herё pas herё kaloi kufirin pёr tё nxitur qёndresёn nё Drenicё, Arakoll dhe nё trevat e tjera shqiptare. Edhe nё Shqipёri ai u pёrndoq nga regjimi i Enver Hoxhёs, i cili dёnoi me 10 vjet burg. Vdiq më 5 mars të vitit 1994 në Elbasan).

Kolë (Gjon) Margjini, (1892-1949) lindi nё Prizren. Pasi kreu Shkollёn Normale dhe kursin e gjuhёs shqipe nё Akademinё e Gjuhёve Orientale nё Vjenё, punoi si profesor і gjimnazit Ilyricum nё Shkodёr. Gjatё viteve 1942-1944 ishte drejtor і leceut tё shtetit ”Gjon Buzuku” nё Prizren dhe njihet si hartues і shumё teksteve mёsimore. Me formimin e Lidhja së Dytë të Prizrenit u zgjodh nёnkryetar і saj. U arrestua nga autoritetet shqiptare, tё cilat ja dorёzuan organeve jugosllave. Gjykata e dёnoi me burgim tё rёndё, ndёrsa UDB-ja e likujdoi nё burgun famёkeq tё Mitrovicёs sё Sremit.

Qazim Deva i vëllai i Xhafer Devës. Nga autoritetet jugosllave u dёnua me 15 vjet burg.

Ismet (Mujë) Boletini nipi i Isa Boletinit. Pjesëmarrës i Regjimentit Kosova. Mbas vitit 1944 doli në mal bashkë me Isuf e Faik Boletinin. Në vitin 1945 u zu dhe dёnua me 20 vjet, 7 prej të cilave і vuajti nё burgun e Mitrovicёs sё Sremit dhe u lirua. Aty dёshmoi kurajo dhe besnikёri ndaj shokёve tё idealit dhe pёr kёtё arsye shumë herë u mbajt nё izolim tё plotё. Mbas daljes nga burgu u detyrua tё ikte nё Shqipёri por dhe aty kaloi 17 nё burgje e nё internime, pasi u shpreh kundёr politikёs sё ndjekur nga regjimi і Enver Hoxhёs. Ai kishte folur kundёr lidhjeve me Kinёn, kundёrshtoi nderimin e figurёs sё Stalinit dhe se gjatё njё mitingu kundёr bombardimeve amerikane nё Vietnam kishte thenё se me mirё do tё ishte tё protestohej kundёr dhunёs dhe terrorit qё po ushtrohej ndaj popullit shqiptar nё Kosovё. Mbas daljes nga burgu u kthye serish nё Kosovё dhe vdiq.

Ahmet (Sali) Jusaj, lindi mё 1915. Pjesёmarrёs aktiv nё luftёn pёr mbrojtjen e trojeve etnike qe nga Plava e Gucia e deri nё Kosovёn Lindore. Mbas vitit 1944 u pёrfshi nё grupin e Demё Ali Pozharit dhe mё pas nё atё tё Rugovёs. Pjesa mё e madhe e kёtij grupi ju dorёzua organeve tё pushtetit komunist tё Shqipёrisё, por ata і kthyen nё Prizren, 4 pjestarё tё grupit u dёnuan me vdekje, kurse Ahmeti dhe 7 tё tjerё me nga 20 vjet burg.

Bahri (Abdurrahman) Abdurrahmani (1911-1972) nga Pazarin e Ri. Kreu gjimnazin në Beograd dhe Fakultetin e Tregtisë në Vjenë. Në vitin 1941 ndihmoi Aqif Blytën për ngritjen e administratës shqiptare në Pazarin e Ri dhe si veprimtar i Komitetit të Kosovës dhe i Lidhjes Popullore Shqiptare u angazhua për bashkimin e tërë Sanxhakut më Shqipërinë. Gjatë viteve 1942-1944 u mor me tregёti dhe krijoi lidhje në mbarë Shqipërinë dhe më gjërë. Mbarimi і luftёs e gjeti nё Tiranё, por organet e pushtetit komunist e arrestuan, і konfiskuan pasurinё dhe ja dorёzuan OZN-as. Pas vuajtjes sё dёnimit prej 10 vjetёsh nё burgun e Mitrovicёs sё Sremit u largua jashtё vendit dhe vdiq nё Stamboll.

Mehmet (Isuf) Gradica (1909-1945), lindi në Gradicë të Drenicës Lindore. І jati, Isuf Gradicёn ishte nga njerёzit mё me autoritet nё Drenicё, ndёrsa e ёma ishte motra e Lutё Gllanasellёs, trimit tё njohur tё Drenicёs. Qё nё moshё 15 vjeçare ra nё konflikt me organet e pushtetit dhe u arrestua. Pas arratisjes nga burgu і Mitrovicёs iku nё Shqipёri. Në vitin 1941 u kthye në vendlindje dhe hyri në shërbim të qeverisë shqiptare si postëkomandant i xhandarmërisë në Podujevë, Mitrovicë, Stanterk, Vushtrri dhe se fundi në Skenderaj. Mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e kufirit etnik nga Serbia dhe Mali i Zi. Gjatë ditëve të fundit të Luftës së Drenicës ishte komandant i forcave atdhetare. U plagos nga gjylja e topit, më 21 shkurt 1945 dhe, mbasi shpërtheu rrethimin me Shaban Polluzhën dhe bashkëluftëtarët e tjerë, në mbrëmje të asaj dite vdiq në afërsi të shkollës së Dobroshevcit.

Feriz (Arif) Bojaj (1910-1977) nga fshati Kërnicë e Klinës. Luftëtar për mbrojtjen e kufijve etnikë nga Serbia dhe Mali i Zi dhe anëtar i Shtabit të Brigadës së Shaban Polluzhës. Bashkëluftëtar i Ymer Berishës dhe Ndue Përlleshit dhe qёndroi nё mal deri nё mars tё vitit 1947. U dorёzua pёr tё shpёtuar familjen, ndёrsa autoritetet e liruan me kusht qё tё bashkёpunonte me ta. Meqё ai nuk pranoi, gjykate e dёnoi me 20 vjet burg, 13 nga tё cilat і vuajti nё Nish dhe nё Mitrovicёn e Sremit. Vdiq nё fshatin e lindjes.

Idriz Hajrullahu-Mulla Idriz Gjilani (1901-1949), lindi në fshatin Velikincë të Gjilanit. Mbasi kryer medresenë nё Gjilan, shërbeu imam në fshatrat Pidiq dhe Hogosht. Nё vitet 1938-1943 ishte anёtar і Ulema Mexhlisit nё Shkup, nga vera e vitit 1943 u emёrua myfti і Gjilanit. Veprimtar і Komitetit tё Kosovёs dhe і organizatёs ”Drita”. Nё vitet e luftёs u zgjodh komandant і formacioneve vullnetare, qё u ngarkua pёr mbrojtjen e kufirit tё Shqipёrisё etnike dhe qё ishin në varёsinё e kolonel Fuat Dibrёs, komandant і Regjimentit IV tё Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare. Nё dhjetor 1944 ishte komandant і shtabit qё organizoi sulmin nё Gjilan. Mbas kёsaj kaloi nё ilegalitet tё thellё. Prej 15 marsit tё vitit 1945 e deri nё 22 nёntor 1949 ishte stehuar tё Rrahim S. Sadiku і Gjurishecit. Mё mengjezin e 22 nёntorit organet e ndjekjes e rrethuan dhe e detyruan tё dorёzohej. Mbas tri ditё hetimesh dhe torturash shnjerёzore, nё burgun e Gjilanit, u vra nga UDB-ja, e cila i zhduku edhe kufomёn.

Rexhë Meta Ulaj (1906 – 1985) (Rexhë Metë Vuthi) u lind më 1906 në Vuthaj. Në vitin 1913, babai i Rexhës, Metë Fazlia, bashkë me vëllezër e të tjerë, për të shpëtuar familjen nga gjenocidi që iu bëhej shqiptarëve në Krahinën e Plavës dhe Gucisë nga forcat malazeze në krye me Avro Cemin (Cemoviq), detyrohet t’i lëshojë Vuthajt dhe të strehohet përkohësisht në Krasniqe, ku qëndron disa muaj dhe prapë kthehet në Vuthaj. Por, në vitin 1919, përsëriten vuajtjet e mëparshme, lufta dhe pasiguria, kështu që Meta me djalin Rexhën dhe dy vajzat Gjykën dhe Zojën ikin në Shkodër.

Meta shëndetlig vdes në Shkodër, si edhe gruaja e tij më përpara, dhe fëmijët – Rexha dhe dy vajzat Gjyka dhe Zoja, mbesin jetima, pa nënë dhe pa babë – në jetimoren e Shkodrës, në mëshirën e Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Rexha aty, në jetimore, nisi hapat e parë të shkollimit, ku ishte nxënësi më i mirë, por edhe në përvetësimin e gjuhës angleze, për çka dallohej shumë nga moshatarët e vet dhe shpesh i shoqëronte ekspeditat anglo-amerikane nëpër terrenet dhe viset e Shqipërisë Veriore.

Njëra nga ato ekspedita ishte edhe ajo që udhëhiqej nga amerikanja Mis Roza, e cila pas një shoqërimit që ia bëri Rexha dhe duke parë talentin e madh të tij ia siguroi bursën dhe e regjistroi në shkollën teknike ” Hari Fultz” në Tiranë. Mis Roza nuk u ndal vetëm me aq, ajo Rexhës ia siguroi prapë edhe bursën e edhe dokumentet tjera dhe e dërgoi për të studiuar në Angli, në Universitetin e Kembrixhit, në Fakultetin e Financave, të cilin e kreu me sukses, duke mbrojtur edhe temën e doktoraturës në lëmin e ekonomisë financiare, më 1937. Për suksesin e Rexhë Metë Ulaj në këtë universitet dëshmon edhe emri i tij i shënuar në Librin e Artë të Universitetit të Kembrixhit.

Më 1938, Rexhë Metë Ulaj fillon punën – drejtor i Drejtoratit të Financave të Shqipërisë. Në vitin 1940 internohet në Itali, ku qëndron deri në kapitullimin e Italisë, 1943. Rexha, posa kthet në Shqipëri, merr pjesë në Mbledhjen Themeluese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit si delegat i Maleve të Kosovës, siç quhej Plava e Gucia me rrethinë asokohe. Ka punuar në hartimin e Statutit dhe të Programit të kësaj organizate.

Rexha, intelektual dhe patriot i dëshmuar dhe i zëshëm për bashkimin e tokave shqiptare, arrestohet nga pushteti komunist në Shqipëri menjëherë mbas luftës dhe dënohet me vdekje – dënim ky që pas intervenimit të disa personalitete të larta anglo-amerikane, rishqyrtohet dhe Rexhë Metë Ulajt i shndërrohet me 27 vjet burg, duke e ”nderuar” me qëndrim në Burgun e Burrelit. Gjatë mbajtjes së burgut, familja e Rexhës (gruaja Pertefi, djali Fitimi dhe vajza Bora) përjeton vuajtje të madhe.
Vdiq afër Tiranës, më 1985, dhe u varros në Shkodër.

Shënime:
1. Tahir Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit”, Bruxelles, 1965, f. 40.
2. Po aty.
3. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me cilësi delegati të verifikuar ishin: Musa Shehzade, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda, Kemal Karahoda (Prizren), Sylejman Kryeziu, Hasan Dashi, Halim Spahija e Tahir Zajmi (Gjakovë), Bejtullah Haxhiu (Rahovec), Nuredin Haliti dhe Qazim Bllaca (Therandë), Bahtiar Qafleshi (Dragash), Hoxhë Xheladini (Shkup), Nexhip Basha, Xhevat Begolli dhe Bedri Pejani (Pejë), Bajram Gashi (Istog), Sali Rama (Rugovë), Shemsi Ferri (Plavë), Rexhë (Metë) Ulaj (Vuthaj), Adem Kurtaga (Rozhajë), Muhamet Shaban Pasha dhe Jusuf Agushi (Prishtinë), Mehmet Devaja e adv. Esat Berisha (Gjilan), Asllan Boletini, Bedri Gjinaj, Xhafer Deva, Rexhep dhe Xhelal Mitrovica (Mitrovicë), Aqif Blyta (Pazar i Ri), Hasan Zvezdiqi e Vehbi Hamzagaj (Senicë), Lutfi Spahija (Kolesjan), Bajram Haziri (Kolgecaj), Cafo beg Ulqini (Ulqin), Rrustem Ymeri, Shahin Cami dhe Mentor Çoku (Ohër), Ahmet Luzha e Jahja Jusufi (Tetovë), Remzi Ragipi (Gostivar), Jahja Fusha e Hysen Statovci (Llap) dhe Masar Sopoti (Tiranë) (Fazli Hajrizi, Në 85 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e vdekjes së Bedri Gjinës (5),”Rilindja”, Zofingen, 21. VIII. 1995, f. 12).
4. Arkivi i Institutit të Historisë Ushtarake, Beograd, mëtej (AIHUB) Arkiva Shqiptare, (ASH), k. 1/4, d. 4. ; Xhafer Deva, Jeta dhe veprimtaria, New York, 1980, f. 62
5. Historia Kombëtare e anatemuar…”Lidhja e Dytë e Prizrenit”.., ”Zëri”, Prishtinë, 23. XI. 1991, f. 59.
6. AIHUB, ASH, k. 1, fas. 4, d. 4.
7. Historia Kombëtare e anatemuar…, Lidhja e Dytë e Prizrenit, ”Zëri i rinisë, Prishtinë, 28. XII. 1991, f. 42.
8. AIHUB, ASH, k. 1, fas. 4, d. 4.
9. ”Lidhja e Prizrenit”, 12. IV. 1944.
10. AK, XXVI/K. 2-94 ; Dr. Fehmi Rexhepi, Sistemi i pushtimit në Gjilan e rrethinë 1941-1944, ”Kosova”, 7, Prishtinë, 1978, f. 378-379.
11. Dr. Ali Hadri, Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945, Prishtinë, 1971, f. 143.
12. Akademik Ali Hadri, Sistemi i pushtimit në Kosovë (1941-1944), ”Kosova”, 7, Prishtinë, 1978, f. 62-63.
13. AIHUB, ASH, k. 1, fas. 7, d. 6.
14. Po aty
15. Historia kombëtare e anatemuar … , Lidhja e Dytë e Prizrenit (17), ”Zëri, Prishtinë, 14. I. 1992, f. 42
16. AIHUB, ASH, k. Fas. 7, d. 6; Historia Kombëtare e anatemuar…., Lidhja e Dytë e Prizrenit, ”Zëri”, Prishtinë, 8. II. 1992, f. 42.
17. AIHK, k. 6/1,317, Raport politik i adv. Idriz J.Shahmanit; AIHUB, ASh, k.1, fas. 7, d. 6.
18. AIHUB, ASh, k. 1, d. 534, Nga Disiplinari i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar, f. 20.
19. Tahir Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit.., f. 53.
20. ”Lidhja e Dytë e Prizrenit”, 32, dt. 22. 10. 1944
21. Po aty.
22. Po aty.
23. Xhafer Deva, Jeta dhe veprimtaria, New York, 1980, f. 69-79.
24. Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945, Prishtinë, 1997, f. 312.

Dërgoi për publikim, Nue Oroshi, veprimtar politik