Nga Jahja LLuka
Në 17 vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA, Kosova si shtet mik i saj ndanë dhimbjen dhe përkujtimin për viktimat e këtyre sulmeve.
Sulmi i 11 shtatorit 2001, nuk ishte sulm vetëm ndaj Amerikës, por ishte sulm ndaj lirisë.
Tendenca për të shtypur vlerat humane në të cilat frymon njerëzimi, mohimi i jetës në thelbin e saj, shfarosja në masë e njerëzve, zgjuan alarmin se bota nuk ishte më e sigurtë.
Me 11 shtator 2001 civilizimi perëndimor u shokua nga sulmet me aeroplanë në kullat binjake të Nju Jorkut, dhe sulmet në pjesë të tjera në Uashington.
Askush ndoshta s’do e kishte menduar që në fillimin e shekullit XXI, mizoria do zinte frymën e lirisë por ja që kjo ndodhi dhe që prej 17 vitesh bota përballet me ankthin e terrorizmit, i cili si një hije e frikshme ka mbështjellur demokracitë në Perëndim, duke na kthyer çdo sekond të jetës në rreziqe të mundshme.
Nga sulmet e 11 shatorit 2001 humbën jetën 3 mijë persona dhe përgjegjësinë për këtë sulm e mori organizata terroriste Al-Qaeda në krye me liderin e saj Osama Bin Ladenin.
Pas sulmeve të cilat nga organet qeverisëse të SHBA-ve, u emëruan terroriste presidenti i SHBA-ve, George W.Bush i shpalli luftë terrorizmit, i cili jo vetëm që ishte kërcënim për Amerikën por për mbarë botën.
Sot në përkujtimin e këtyre sulmeve dhe vuajtjen e familjarëve për viktimat e humbura, duhet të besojmë se vlerat e demokracisë amerikane mbesin të pazëvendësueshme dhe model për shoqërinë tonë shqiptare.
SHBA-të,sollën modelin më të mirë dhe më të suksesshëm të funksionimit të demokracisë, të mbizotërimit të shtetit ligjor,të ndarjes së pushteteve si dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, andaj edhe pse këto sulme terroriste tentuan të shëmbin këto vlera, nuk ia arritën qëllimit.
Edhe pse terrorizmi mbetet si kërcënim dëshira e miliona njerëzve për liri, do e mposhtë atë. Me gjithë luftërat dhe konfliktet e vazhdueshme duhet të besojmë tek humanizmi dhe shpresa se bota do jetë më e mirë, por për këtë duhet të jap kontribut secili.
Ne si shtet dhe popull mik i Amerikës, do jemi mirënjohës çdoherë ndihmës së tyre në çlirimin e Kosovës në luftën tonë të denjë për liri.
Andaj si miq ne duhet të ndajmë gëzimin dhe dhimbjen së bashku, duke besuar se miku është i shejtë ashtu siç është në traditën tonë të moçme shqiptare.
Vlerat amerikane mbesin si një pasqyrë për pjesën tjetër të botës, e cila duhet të reflektojë në to, duke e pasur parasysh që tendencat destruktive janë në rritje e sipër.
Dërgoi për publikim Skënder Mulliqi, gazetar