Zymer MEHANI
Duke lexuar poezitë e autorit Pjetër Ndrecaj, tek ne u nxit kërshëria e kërkimit, sepse ky autor vargjet e veta i nisi në vorbullën e aventurave të gjata dhe krajatave të jetës, kundruall dallgëve, duke pasqyruar në artin e tij edhe shqetësimet që ky dhe brezi i tij i përjetuan gjatë viteve ’90 të shekullit XX, por që jemi duke i përjetuar dhe sot shumë ngjarje, që fatkeqësisht s’po na pëlqejnë, sikur shumë qytetarëve të tjerë të Kosovës.
Në botën e poezisë së autorit Pjetër Ndrecaj gjejmë shtresa të shumta, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Pena e këtij poeti nuk ndalet vetëm me përshkrime, por stili i tij është edhe më i gjerë dhe më i thellë, e kështu vazhdimisht e ndryshon këndin e vështrimit të fenomeneve dhe dukurive, por intensiteti i interesimit mbetet prore i njëjtë, i pandryshueshëm për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.
Në poezinë e Pjetër Ndrecajt ëndrra e nxit fshehtësinë, ndërsa vetë jeta zhytet në ëndërr.
Dashuria për atdheun dhe trimat (dëshmorët) përshkon disa poezi, nga më të mirat, ku, saherë që e kërkon atdheu, përsëritet dhe del origjinal e njerëzor heroizmi i stërnipërve dhe mbesave të Skënderbeut, përherë i zjarrtë, që e zgjon dhe e motivon edhe autorin Pjetër Ndrecaj për vargjet e tij përkushtuese për heronjtë.
Thuhet se ëndrrimtarët janë vetë krijuesit, artistët, e edhe Pjetër Ndrecaj si poet duke ëndërruar, depërton në magjinë e fjalës artistike dhe të artit përgjithësisht. Ai është gjurmues, vizionar dhe krijues i vargjeve dhe i poezisë. Një poet i tillë me vargjet e tij shkel shtigje të reja dhe hapë botëra të reja.
Ne si lexues të poezisë së poetit Pjetër Ndrecaj, e çmojmë lart hapërimin e tij të lehtë në artin poetik, kundruall dallgëve të vetë jetës dhe të aktualitetit, pa e lënduar, por përkundrazi, duke e pasuruar vargun poetik shqiptar përgjithësisht. Në poezitë e këtij poeti takuam shpirtin e tij të trazuar, që nuk rehatohet, por që vazhdimisht gjurmon e kërkon. Poeti Ndrecaj ia del që përmes vargut ta transformojë të kaluarën në të sotmen e të sotmen në të ardhmen. Ky me vetmohim ka hapë rrugë të reja, nëpër të cilat shtegton vargu i tij i shkruar.
Krijimtaria e poetit Pjetër Ndrecaj është origjinale dhe premtuese për të pushtuar hapësira të gjera në mozaikun e pasur të letërsisë sonë që po kultivohet në vendin tonë.
Gjuha e poezisë së poetit Ndrecaj është e përdorur drejt, e pastër dhe nuk është e stërngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo shprehje dialektore. Vargjet e këtij poeti janë të skalitura me stil të bukur dhe figuracioni poetik haset kudo në vargjet e tij. Kemi laryshi rimash dhe metra të ndryshëm të vargut poetik, fakt ky, i cili artit poetik të autorit ia shton vlerën edhe më shumë.
BIOGRAFIA E SHKURTËR E AUTORIT
Pjetër Ndrecaj u lind më 06. 10. 1958 në Gjakovë.. Shkollën fillore e kreu në fshatin Doblibare, kurse shkollën e mesme në Mitrovicë. Studioi ne SHLT në Ferizaj, më pas në Univeristetin e Prishtinës mbaroi studimet në drejtimin Pedagogji, ku mori titullin Arsimtar i Arsimit Politeknik. Nga viti 1984 deri në vitin 1989 punoi si profesor në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë. Nga viti 1990 është arsimtar i (arsimit teknik) Teknologjisë me TIK në SHF&MU”Dëshmorët Lleshi”. Në vitin 1992 ishte ushtrues i detyrës së drejtorit në këtë shkollë. Në të njëjtin vit u keqtrajtua mizorisht nga organet e sigurimit serb. Në vitin 1998 ishte anëtar i Shtabit të UÇK-së në Doblibare. Është veteran i luftës dhe arsimtar në Shkollën “Dëshmorët Lleshi”. Jeton dhe vepron në fshatin Doblibare.